...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Japonia derdh në det rreth 1.3 milionë m³ ujë radioaktiv

Ujit i është hequr shumica e ndotësve radioaktivë, por ende përmban elementin radioaktiv tritium

Voa

09/08/2023 - 19:33

Mediat japoneze njoftojnë se në fund të muajit vendi do të fillojë derdhjen në det të ujërave të përdorura për ftohjen e reaktorëve të dëmtuar në centralin bërthamor të Fukushimës, pas konsultimeve me Shtetet e Bashkuara dhe Korenë e Jugut. Tre reaktorë u dëmtuan rëndë pas termetit dhe cunamit të vitit 2011. Kina e ka kritikuar planin japonez për derdhjen e ujit dhe ka vënë kufizime ndaj importit të ushqimeve të detit nga Japonia, duke nxitur akuza për hipokrizi nga ana e saj.

Më shumë se një mijë depozita gjigande që mbajnë rreth 1.3 milionë metra kub ujë, të përdorur për të ftohur reaktorët, gjenden përreth centralit të dëmtuar bërthamor Daiichi në Fokushima.

Ujit i është hequr shumica e ndotësve radioaktivë, por ende përmban elementin radioaktiv tritium, thotë Paul Dickman, këshilltar për qeverinë japoneze.

“Është natyrale që tritiumi gjendet në ajër dhe çdo gjë që hamë apo pimë. Çdo gjë me përmbajtje uji ka tritium. Të gjithë reaktorët bërthamorë prodhojnë, si nënprodukt, sasi të vogla tritiumi. Mënyra për ta trajtuar atë dhe kështu veprohet vazhdimisht, është përmes avullimit, ose shkarkimit në një trup ujor”.

Japonia ka në plan ta derdhë në det gjatë disa ditëve ujin e përdorur në reaktorë, duke zbutur përqendrimin e tritiumit derisa cilësia e ujit të tejkalojë standardet e ujit të pijshëm. Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike e miratoi planin muajin e kaluar. Por grupet mjedisore po shprehin zemërim.

Komunitetet e peshkimit, si ato në tregun e peshkut Tsukiji të Tokios, kanë frikë se mund të dëmtohet mënyra e tyre e jetesës.

“Do të ulet vlera e prodhimeve japoneze. Do të shtohen pikëpyetjet nëse malli po kontrollohet si duhet?”, thotë tregtari Tomohisa Yoshimura.

“Jam i shqetësuar se si vlerësohet nga vendet e tjera. Në Japoni po qarkullojnë thashetheme të dëmshme”, thotë Matao Saito, tregtar i peshkut ton.

Shumica e shkencëtarëve thonë se plani është i sigurt. Por disa nga fqinjët e Japonisë, veçanërisht Kina, e kanë kritikuar atë ashpër, duke vendosur kufizime për importin e ushqimeve të detit nga Japonia.

“Kundërshtimi ynë ndaj planit të Japonisë për shkarkimin e ujit të përdorur në oqean dhe masat përkatëse që po marrim kanë baza të forta”, tha Mao Ning, zëdhënëse e diplomacisë kineze.

Centralet bërthamore në të gjithë botën, përfshirë shumë prej tyre në Kinë, vazhdimisht e hedhin tritiumin në det. Pekini nuk i publikon shifrat se çfarë sasie lëshon në oqeane.

“Kemi të bëjmë me hipokrizi. Ata po akuzojnë japonezët për të njëjtën gjë që bëjnë vet. Agjencitë rregullatore në Kore dhe Kinë, që mendoj se janë mjaft të mira, heshtën për këtë gjë. Sidoqoftë, ato autorizojnë çdo ditë kompanitë e tyre që të shkarkojë ujin e reaktorëve në det”, thotë Paul Dickman, shkencëtar bërthamor amerikan që po këshillon qeverinë japoneze.

Ndërkohë, Japonia po zhvillon një fushatë ndërgjegjësimi të publikut përmes filmave të animuar dhe reklamave, madje duke transmetuar drejtpërdrejt video të peshqve që jetojnë në një rezervuar me ujëra të trajtuara të përdorura më parë nga reaktorët bërthamorë.

Në Tokio, biznesmenët në tregun gjigant të peshkut Tsukiji besojnë tek siguria e ushqimeve të detit. Por kjo nuk ka të bëjë vetëm me shkencën. Japonia është në një betejë politike dhe marrëdhëniesh me publikun me disa nga blerësit e saj më të mëdhenj aziatikë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA