...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ka të dhëna të “arsyeshme” se Izraeli mund të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar në Gazë - SHBA

Ka të dhëna të "arsyeshme" se Izraeli mund të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar në luftën e Gazës

Voa

11/05/2024 - 07:54

Administrata e Presidentit Joe Biden tha të premten se përdorimi i armëve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara nga Izraeli në Gazë, ka gjasa të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar humanitar, por rrethanat e luftës ua kanë bërë të pamundur zyrtarëve amerikanë ta provojnë një gjë të tillë me siguri.

Përfundimi se ka të dhëna të "arsyeshme" se Izraeli mund të ketë shkelur ligjin ndërkombëtar në luftën e Gazës, i publikuar si pjesë e një raporti që iu dorëzua Kongresit të premten, është deklarimi më i fortë i këtij lloji nga administrata e zotit Biden për aleatin e Shteteve të Bashkuara.

Por pohimi se nuk ishte në gjendje të bënte një lidhje konkrete mes armëve të dërguara nga SHBA-së dhe sulmeve të veçanta të forcave izraelite në Gaza, mund t'i japë administratës një hapësirë për vendimet e ardhshme për dërgim armësh në Izrael.

Vlerësimi vjen pas shtatë muajsh sulmesh ajrore, luftimesh tokësore dhe kufizimeve të ndihmave që kanë shkaktuar vdekjen e afro 35,000 palestinezëve, kryesisht gra dhe fëmijë.

Zoti Biden është përpjekur të mbajë një ekuilibër gjithnjë e më të vështirë, në mbështetje të luftës së kryeministrit Benjamin Netanyahu kundër Hamasit. Ai është përballur me indinjatë në rritje brenda dhe jashtë vendit lidhur me rritjen e numrit të viktimave palestineze dhe gjendjes gjithnjë e më të mjerë humanitare, shkaktuar kryesisht nga kufizimet izraelite për shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmave në Gazë.

Tensionet janë intensifikuar edhe më tej javët e fundit nga këmbëngulja e kryeministrit Benjamin Netanjahu për të zgjeruar ofensivën e ushtrisë izraelite në qytetin jugor të Rafahut, pavarësisht kundërshtimit të vendosur të zotit Biden. Ndërsa bën fushatë për rizgjedhje përballë kandidatit të pritshëm republikan Donald Trump, Presidenti Biden përballet me thirrjet e shumë demokratëve që të ndërpresë fluksin e armëve ndaj Izraelit dhe akuzat e republikanve se po luhatet në mbështetjen për Izraelin.

Një zyrtar amerikan tha se administrata demokrate ndërmori një nga hapat e parë drejt kushtëzimit të ndihmës ushtarake për Izraelin ditët e fundit kur ndali një dërgesë prej 3500 bombash për shkak të shqetësimin të një ofensive izraelite në Rafah, një qytet jugor ku janë tashmë mbi një milion palestinezë.

Shtëpia e Bardhë u kishte kërkuar departamenteve të Mbrojtjes dhe të Shtetit të kryenin “një vlerësim të çdo raporti të besueshëm ose pretendimi se artikuj mbrojtjeje dhe shërbime të mbrojtjes, janë përdorur në një mënyrë që bie ndesh me ligjin ndërkombëtar, përfshirë të drejtën ndërkombëtare humanitare.”

Po ashtu këto departamente duhet të njoftonin Kongresin nëse mendonin se Izraeli kishte penguar dërgimin e ndihmave humanitare në Gazë për civilët.

Ligjvënësit dhe të tjerë që ishin në mbështetje të raportit vlerësues thanë se zoti Biden dhe udhëheqës të mëparshëm amerikanë kanë ndjekur një standard të dyfishtë lidhur me zbatimin e ligjeve mbi rregullat për përdorimin e armëve që dërgon SHBA për ushtritë e huaja, një akuzë që administrata Biden e mohon.

Çdo përfundim kritik ndaj Izraelit pritet të shtojë presionin ndaj zotit Biden për të frenuar fluksin e armëve dhe parave për ushtrinë izraelite, si edhe tensionet me qeverinë e djathtë të zotit Netanjahu lidhur luftën.

Një gjë e tillë mund të rrezikojë gjithashtu mbështetjen për zotin Biden në zgjedhjet presidenciale të këtij viti nga disa votues që mbështesin me forcë Izraelin.

Izraeli e filloi ofensivën e tij pas sulmit të 7 tetorit nga Hamasi që shkaktoi vdekjen e rreth 1200 personave.

Izraeli thotë se po ndjek të gjitha ligjet e SHBA-së dhe ndërkombëtare, se po heton akuzat për abuzim nga forcat e tij dhe se fushata e tij në Gazë është proporcionale me kërcënimin ekzistencial që paraqet Hamasi.

Një raport i dërguar administratës së zotit Biden nga një grup ekspertësh ushtarakë, akademikë dhe ish-zyrtarë të Departamentit të Shtetit, detajoi sulmet izraelite ndaj autokolonave të ndihmave, gazetarëve, spitaleve, shkollave dhe qendrave të refugjatëve dhe vendeve të tjera. Ata argumentuan se numri i vdekjeve të civilëve në ato sulme ishte në disproporcion me goditjet kundër objektivave ushtarake.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA