...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kandidatja për sekretare Janet Yallen është financuar nga korporatat për fushatë zgjedhore

Marrja e pagesave të larta nga bankierët e Wall Street-it dhe korporatat e tjera të fuqishme mund të bëhet problem ndërsa emërimi i saj kalon përmes një Senati të ndarë ngushtë mes dy palëve

Voa

02/01/2021 - 07:59

E emëruara e Presidentit të zgjedhur Joe Biden për të qenë Sekretare e Thesarit, Janet Yellen, ka marrë më shumë se 7 milion dollarë në pagesa për fjalime gjatë dy viteve të fundit nga firmat e mëdha financiare dhe gjigandët e teknologjisë përfshirë Citigroup, Goldman Sachs dhe Google, sipas formularëve të plotësuar si pjesë e procesit të emërimit të saj.

Formulari i zonjës Yellen ishte mes tre të tillëve me informacion për financat të paraqitur nga zyrtarët e tranzicionit të ekipit të zotit Biden që u bënë publike të enjten nga Zyra e Etikës Qeveritare. Në një dokument të veçantë, zonja Yellen kishte renditur firmat dhe bankat ku ajo kishte marrë pagesa për fjalime dhe tha se kishte ndërmend të "kërkonte autorizim me shkrim" nga zyrtarët e etikës për të "marrë pjesë personalisht dhe thelbësisht" në çështjet lidhur me to.

Zonja Yellen ishte kryetarja e Rezervës Federale nga viti 2014 në 2018. Mandati i saj nuk u rinovua nga Presidenti Donald Trump. Ajo i mori pagesat për fjalimet në vitin 2019 dhe 2020.

Përzgjedhja e saj nga zoti Biden për të drejtuar Departamentin e Thesarit është përshëndetur nga krahu progresist i Partisë Demokrate, të cilët mbështesin punën e zonjës Yellen si ekonomiste për çështjet e punës, e cila i ka dhënë përparësi luftës kundër pabarazisë ekonomike. Që kur u njoftua emërimi i saj, Yellen është zotuar të punojë për të luftuar racizmin sistematik dhe ndryshimin e klimës.

Por marrja e pagesave të larta nga bankierët e Wall Street-it dhe korporatat e tjera të fuqishme mund të bëhet problem ndërsa emërimi i saj kalon përmes një Senati të ndarë ngushtë mes dy palëve. Hillary Clinton u përball me kritika nga krahu i majtë i Partisë Demokrate ndërsa garoi për presidente në vitin 2016 për marrjen e pagesave fitimprurëse të fjalimeve në firmat e Wall Street-it.

Një zëdhënës i ekipit të tranzicionit të zotit Biden tha të premten se, që nga largimi nga Rezerva Federale, zonja Yellen "ka folur në konferenca ekonomike, universitete dhe grupe biznesi dhe institucione financiare për përvojën e saj dhe pikëpamjet e saj mbi atë që mund të bëjë vendi për të ndërtuar një ekonomi më të fortë dhe për të rritur konkurrencën tonë ".

Të enjten u bënë publikë edhe formularët financiarë të të emëruarve të zotit Biden për sekretar shteti, Antony Blinken, i cili dha detaje për punën e tij në një firmë konsulence që ai bashkëthemeloi, WestExec Advisors, LLC. Sipas tyre zoti Blinken u pagua më shumë se 1.1 milion dollarë dhe ka bërë një marrëveshje, të negociuar në tetor, për të shitur interesin e tij të kapitalit në firmën ku ai këshilloi klientët duke përfshirë Bankën e Amerikës dhe Facebook.

Avril Haines, kandidatja e presidentit të zgjedhur Biden për të qenë drejtore e zbulimit kombëtar, bëri publik faktin se kishte qenë një konsulente në WestExec Advisors dhe kishte marrë rreth 55,000 dollarë midis tetorit 2017 dhe verës së kaluar. Në një letër të veçantë zyrtarëve të etikës, zonja Haines premtoi se për një vit nuk do vendosë për çështje që kanë të bëjnë me WestExec si dhe punëdhënësit e tjerë të saj të kaluar, përfshirë Universitetet Columbia dhe Syracuse dhe Institutin Brookings.

Disa organizata filluan të paralajmërojnë menjëherë pas Ditës së Zgjedhjeve që zoti Biden, i cili ishte senator nga shteti Delauer për 36 vjet dhe shërbeu si nënpresident për dy mandate, mund të mbështetej shumë tek zyrtarët me lidhje të forta me administratat e kaluara demokrate. Shumë prej atyre lanë postet e sektorit publik për punë në sektorin privat dhe tani po përpiqen të kthehen në qeveri, duke ngritur shqetësime në lidhje me "derën rrotulluese" mes politikës dhe ndikimit të korporatave dhe financiare.

Zoti Biden, megjithatë i ka kundërshtuar kryesisht shqetësime të tilla, duke thënë se ai nuk druhet të mbështetet te këshilltarët me përvojë të pasur qeveritare. Ai është zotuar të formojë një kabinet që e njeh mirë funksionimin e qeverisë dhe me anëtarë të shumtë nga i gjithë spektri racor dhe ideologjik që pasqyrojnë larminë e vendit që ata do të përfaqësojnë.

Ekipi i tranzicionit i zotit Biden thotë se pret të deklarojë disa emra të rinj për kabinetin javën e ardhshme, përpara ditës së inaugurimit më 20 janar. Midis pozicioneve që ende nuk janë plotësuar janë postet e sekretarit të punës dhe prokurorin e përgjithshëm - një zgjedhje që mund të jetë e ndërlikuar nga prokurorët federalë që hetojnë financat e djalit të zotit Biden, Hunter.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA