...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Koreja e V. dhe e Jugut thyejnë akullin: fillojnë marrëdhëniet

Bisedimet e sotme thyejnë ngrirjen në marrëdhëniet ndër-koreane, të shkaktuar prej programeve bërthamore dhe raketave të Koresë së Veriut, si dhe polemikave mes udhëheqësit të Koresë së Veriut

VOA

10/01/2018 - 08:22

Zyrtarët e Koresë së Jugut njoftuan se Koreja e Veriut ka rënë dakord të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë gjatë Lojërave Olimpike që mbahen muajin e ardhshëm në Pjongçang. Gjithashtu, u ra dakord të fillojnë bisedime ushtarake dhe të rivendoset linja telefonike për komunikimin e drejtpërdrejtë ushtarak ndërmjet të dy vendeve.

Propozimi u bë sot në zonën kufitare asnjanëse gjatë bisedimeve mes dy vendeve rivale, të parat pas dy vjetësh.

“Koreja e Veriut tha se do të dërgojë një delegacion zyrtarësh të nivelit të lartë, anëtarë të Komitetit Olimpik Kombëtar, atletë, artistë, spektatorë dhe gazetarë për Lojërat Olimpike Dimërore”, njoftoi Chun Hae-Sung, Zëvendës Ministër i Unifikimit i Koresë së Jugut.

Qytetarët në rrugët e Phenianit shprehen se ndjehen të inkurajuar nga bisedimet mes Veriut dhe Jugut.

“Çdo korean dëshiron përmirësimin e marrëdhënieve mes veriut dhe jugut. Është urgjente. Është diçka e rëndësishme që i gjithë kombi duhet ta zgjidhë duke u ulur bashkë. Çdo gjë që provokon njërën palë apo krijon pengesa për ribashkimin duhet të ndalet menjëherë”, thotë Kim Ri Ah, banore e Phenianit.

Seuli gjithashtu konfirmoi sot se Korea e Veriut ka riaktivizuar linjën e komunikimit të drejtpërdrejtë ushtarak ndërmjet dy Koreve.

Në përgjigje, Jugu do të rifillojë komunikimin normal ushtarak nga mëngjesi i nesërm.

Seuli ka propozuar gjithashtu që Veriut të rifillojë procesin e ndërprerë të ribashkimit të familjeve të ndara nga lufta.

Bisedimet e sotme thyejnë ngrirjen në marrëdhëniet ndër-koreane, të shkaktuar prej programeve bërthamore dhe raketave të Koresë së Veriut, si dhe polemikave mes udhëheqësit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe Presidentit amerikan Donald Trump.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA