...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Kostoja marramendëse e Kupës së Botës në Rusi

Rusia ka shpenzuar zyrtarisht rreth 3 miliardë dollarë për ndërtimin e 12 stadiumeve të reja apo rinovimin e tyre. Të paktën 8 miliardë dollarë të tjera janë shpenzuar në infrastrukturë

Voa

19/06/2018 - 19:09

Kupa Botërore e Futbollit në Rusi është më e kushtueshmja e organizuar ndonjëherë, me një çmim që llogaritet zyrtarisht tek rreth 15 miliardë dollarë. E gjitha ka rezultuar në disa stadiume të mëdha të reja, hekurudha dhe aeroporte të rikonstruktura si dhe në krijimin e mundësisë për të forcuar imazhin global të Rusisë. Por a do t’ia vlejë turneu për rusët? Siç raporton nga Moska korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, qeveria duket se po përdor Kupën e Botës për të “groposur” disa lajme të këqija për ekonominë.

Rusia ka shpenzuar zyrtarisht rreth 3 miliardë dollarë për ndërtimin e 12 stadiumeve të reja apo rinovimin e tyre. Të paktën 8 miliardë dollarë të tjera janë shpenzuar në infrastrukturë. Por a janë shpenzuar ato me efikasitet?

"Diskutimi mbi efikasitetin në rastin e kampionatit në Rusi, sikurse dhe në Brazil është si diskutimi i efikasitetit për shpenzimet e një dasme. Nga njëra anë është e nevojshme. I bën të gjithë të lumtur. Efikasiteti i saktë ekonomik nuk mund të përcaktohet në raportet financiare tremujore amerikane. Është një histori e gjatë. Ne ende shpresojmë të bëhemi jo vetëm një vend i hokejit, por edhe futbollit", thotë Leonid Grigoryev profesor në Qendrën Analitike për Qeverinë Ruse.

Brazili ishte vendi pritës i Kupës së Botës në vitin 2014, një organizim që kushtoi rreth 11 miliardë dollarë. Katër vjet më vonë, shumë nga tifozët mendojnë se u bë pak me paratë e shpenzuara.

"Nëse krahasojmë Brazilit me Rusinë, infrastruktura këtu është shumë më e mirë se tek ne”, thotë Marcio Pessoa, tifoz brazilian.

Ky është numri më i madh i turistëve që Moska ka parë ndonjëherë dhe ata po shpenzojnë me miliarda rubla. Por pas katër javësh kur gjithçka të ketë përfunduar, Rusia shpreson që ky organizim t’i sjellë përfitim afatgjatë.

Investimi prej 15 miliardë dollarësh synon t'i japë Rusisë një imazh të tranformuar në sytë e botës edhe pse përballet me sanksione për shkak të pushtimin të Ukrainës.

"Presidenti Vladimir Putin, me gjithë forcën që ka, pretendon se e gjitha kjo është e pa rëndësishme për të. Ai kërkon të thotë se: Pavarësisht sanksioneve, ne po zhvillojmë një kupë botë të mrekullueshme. Pavarësisht sanksioneve, ne po vazhdojmë luftën në Siri. Dhe bota nuk ka të drejtë të na japë leksione.

Njerëzve u pëlqen kjo gjë deri në momentin që ata fillojnë të kuptojnë se për të gjitha këtë kënaqësi, ata po paguajnë nga xhepat e tyre. Dhe pikërisht tani, ata po fillojnë ta ndiejnë këtë", thotë Dmitry Oreskin analist politik.

Ata që e ndjenë janë mosha e mesme. Në ditën e hapjes së Kupës së Botës javën e kaluar, qeveria njoftoi një rritje graduale të moshës së pensionit nga 60 në 65 për meshkujt dhe një rritje më të madhe për gratë nga 55 në 63.

Eva 62-vjeç nga Moska thotë se shumica e rusëve po i marin gjërat me qetësi.

"Nuk ishte aspak e papritur. Ndoshta ata menduan se kampionati, euforia që të kaplon, në një farë mënyre do ta zbuste efektin. Qarkullonte një barcoletë së fundmi: Dje më duheshin katër vjet deri sa të dilja në pension sot 9-të. Dhe thonë pastaj që nuk mund të rinohemi”.

Rusia thotë se Kupa e Botës është pjesërisht një dhuratë për rininë e saj, për kujtime të paharrueshme dhe ngritjen e objekteve të reja. Turneu përfundon brenda një muaji, por trashëgimia e tij do të matet gjatë viteve që vijnë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA