Lufta në Gazë ‘turp për qytetërimin’ ndërsa SHBA-ja me dy fytyra - Kina
Kina e ka përshkruar luftën në Gazë si “turp për civilizimin” dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm
Përpiluesja/Redaksia - SHJ (www.shqipëriajonë.org)
07/03/2024 - 19:46
Kina e ka përshkruar luftën në Gazë si “turp për civilizimin” dhe ka bërë thirrje për një armëpushim të menjëhershëm, ndërsa konflikti hyri në muajin e gjashtë pavarësisht përpjekjeve të ndërmjetësve për arritjen e një armëpushimi.
Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që të pranojë një plan për armëpushim me Izraelin para nisjes së Muajit të Ramazanit.
Megjithatë, ndërmjetësit në Egjipt ende nuk kanë tejkaluar pengesat në përpjekjet e tyre për të negociuar një pauzë në luftime, ndërkaq Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se palestinezët e bllokuar nga luftimet po përballen me uri.
“Është tragjedi për njerëzimin dhe turp për civilizimin që sot, në shekullin 21, kjo krizë humanitare nuk po mund të ndalet”, tha ministri i Jashtëm i Kinës, Wang Yi, gjatë një konference për media në Pekin më 7 mars.
Kina, që historikisht ka përkrahur kauzën palestineze, ka bërë thirrje për armëpushim që kur nisi lufta më 7 tetor, kur radikalët e Hamasit sulmuan jugun e Izraelit.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë me urgjencë, ta bëjë përparësi një marrëveshje të menjëhershme armëpushimi dhe ndaljen e armiqësive dhe të sigurohet që të ketë ndihmë humanitare si një përgjegjësi morale”, tha Wang.
Lufta ka shkatërruar pjesë të mëdha të Rripit të Gazës dhe ka shkaktuar një krizë humanitare për 2.3 milionë banorët e këtij territori. Ministria e Shëndetësisë në Gazën e udhëhequr nga Hamasi tha se 20 persona kanë vdekur nga kequshqyerja dhe dehidrimi, gjysma e të cilëve ishin fëmijë.
OKB-ja ka thënë se vetëm një sasi e kufizuar e ndihmës po arrin në veri të Gazës, ku ka paralajmëruar se uria ka arritur në “nivele katastrofale”. Lufta mes Izraelit dhe Hamasit nisi më 7 tetor, pasi radikalët palestinezë vranë afër 1.200 persona në jug të Izraelit dhe rrëmbyen afër 250 të tjerë.
Disa pengje u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor. Izraeli beson se 99 pengje janë ende gjallë në Gazë dhe 31 të tjerë kanë vdekur. Si pasojë e ofensivës tokësore dhe ajrore të Izraelit, në Gazë janë vrarë mbi 30.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në territorin e udhëhequr nga Hamasi. Rel
Kina akuzon SHBA-në për dyfytrësi
Kryediplomati kinez përdori sot retorikë të ashpër ndaj Shteteve të Bashkuara dhe foli mbi lidhjet e ngushta të vendit të tij me Rusinë, gjatë një konference shtypi në Pekin.
Ministri i Jashtëm kinez ashpërsoi sulmet verbale të vendit të tij ndaj Shteteve të Bashkuar, gjatë një konferece shtypi në Pekin të enjten.
"Ku është besueshmëria tek një fuqi e madhe nëse Shtetet e Bashkuara gjithmonë thonë diçka tjetër dhe veprojnë ndryshe? Ku është besimi tek një fuqi e madhe që shqetësohet dhe tensionohet thjesht kur përmendet Kina?”, tha zoti Wang Yi.
Kjo deklaratë bie ndesh me qëndrimet e Kinës në shtator, kur Presidenti amerikan Joe Biden u takua me Presidentin kinez Xi Jinping në Kaliforni. Ky takim ndihmoi në stabilizimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë.
Të enjten, minsitri Wang Yi akuzoi Uashingtonin për mosrespektim të premtimeve dhe tha se Shtetet e Bashkuara po përpiqen ta frenojnë Kinën përmes sanksioneve.
"Dëshira për ta fajësuar Kinën për çdo gjë ka arritur një nivel të pabesueshëm”, tha ai.
Megjithë rifillimin e bisedimeve të nivelit të lartë, Shtetet e Bashkuara kanë zgjeruar sanksionet kundër Kinës për një sërë çështjesh, nga shkeljet e të drejtave të njeriut e deri tek marrëdhëniet e saj me Rusinë.
Gjatë konferencës, ministri Wang mbrojti mbështetjen e Pekinit për Moskën, megjithë agresionin rus kundër Ukrainës. Ai vazhdoi gjithashtu trysninë ndaj Tajvanit, përpara inaugurimit të një presidenti që Pekini e sheh si separatist.
Mes mospajtimesh gjithnjë e më të tensinuara territoriale me Filipinet në Detin e Kinës Jugore, zoti Wang u zotua se Pekini do t’u përgjigjet atyre që i quajti provokime dhe ndërhyrje nga forcat e jashtme.
Komentet vijnë pak ditë pas një takimi vjetor të parlamentit kinez, që u zhvillua nën masa të rrepta në Pekin. Takimi synonte shfaqjen e një kthese positive përsa u përket problemeve të shumta me të cilat po përballet ekonomia kineze. Shumë ekspertë i shohin komentet e zotit Wang si një mënyrë për ta vënë theksin e politikes së jashtme kineze për këtë vit. Nëse po, Kina duket se do të ketë mjaftueshëm probleme të cilat mund t’i shfrytëzojë për të manovruar. Voa
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 105 reads