...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Luftanijet bërthamore ruse mbërrijnë në Kubë

Një flotë luftanijesh ruse mbërriti në ujërat e Kubës të mërkurën përpara stërvitjeve të planifikuara ushtarake në Karaibe

Voa

12/06/2024 - 22:43

Një flotë luftanijesh ruse mbërriti në ujërat e Kubës të mërkurën përpara stërvitjeve të planifikuara ushtarake në Karaibe, një veprim që analistët e shohin si një shfaqje force ndërsa vazhdojnë të rriten tensionet mes Moskës dhe perëndimit mbi konfliktin në Ukrainë.

Tre luftanije u futën në Gjirin e Havanës nën shoqërinë e disa anijeve të vogla, që i orientonin ato nëpër kanalin e ngushtë të gjirit. Pas tyre pritet të mbërrijë një nëndetëse, që funksionon me energji bërthamore. Ushtria amerikane pret që stërvitjet të përfshijnë një numër të vogël luftanijesh ruse, të cilat mund të bëjnë një ndalesë edhe në Venezuelë.

Rusia është një aleate e kahershme e Venezuelës dhe Kubës, dhe luftanijet dhe avionët e saj herë pas here kanë vizituar rajonin e Karaibeve. Por ky mision vjen më pak se dy javë pasi Presidenti Joe Biden autorizoi Ukrainën të përdorë armët amerikane për të goditur objektiva brenda Rusisë në përpjekjet për të mbrojtur Kharkivin, qytetin e dytë më të madh të Ukrainës. Pas këtij vendimi, presidenti Vladimir Putin sugjeroi se ushtria e tij mund të përgjigjej "në mënyrë asimetrike" në një zonë tjetër të botës.

"Mbi të gjitha, luftanijet janë një kujtesë për Uashingtonin se është e bezdisshme kur një kundërshtar ndërhyn afër vendit tuaj", tha Benjamin Gedan, ekspert i Amerikës Latine në Qendrën Wilson në Uashington, duke iu referuar përfshirjes së Perëndimit në luftën e Rusisë në Ukrainë. “Kjo gjithashtu u kujton miqve të Rusisë në rajon, përfshirë kundërshtarët e Amerikës, si Kuba dhe Venezuela, se Moska është në anën e tyre”.

Megjithëse flota përfshin një nëndetëse me energji bërthamore, një zyrtar i lartë i administratës amerikane tha se shërbimet amerikane të zbulimit kanë përcaktuar se anijet nuk janë të pajisura me armë bërthamore. Zyrtari, i cili foli në kushte anonimiteti, tha se dislokimet ushtarake të Rusisë "nuk paraqesin kërcënim të drejtpërdrejtë për Shtetet e Bashkuara".

Zyrtarët amerikanë javën e kaluar thanë se luftanijet ruse pritej të qëndronin në rajon gjatë gjithë verës.

Luftanijet ruse janë ankoruar herë pas here në Havanë që nga viti 2008, kur një grup luftanijesh ruse hynë në ujërat e Kubës, një veprim që në atë kohë media shtetërore tha se ishte vizita e parë ruse e këtij lloji në pothuajse dy dekada. Në vitin 2015, një anije zbulimi dhe komunikimi mbërriti pa paralajmërim në Havanë, një ditë përpara fillimit të bisedimeve mes zyrtarëve amerikanë dhe atyre kubanë për rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit tha për agjencinë e lajmeve Associated Press se vizitat ruse në portin e Kubës janë "vizita detare rutinë", ndërsa pranoi se stërvitjet e saj ushtarake "janë rritur për shkak të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara për Ukrainën dhe aktivitetit stërvitor në mbështetje të aleatëve tanë të NATO-s".

Të mërkurën, ministri i jashtëm rus Sergej Lavrov priti homologun e tij nga Kuba, Bruno Rodríguez, për bisedime në Moskë. Duke folur me gazetarët pas bisedimeve, zoti Lavrov falënderoi autoritetet kubane për qëndrimin e tyre ndaj Ukrainës.

“Që nga fillimi, Havana dha një vlerësim absolutisht të saktë dhe të vërtetë për atë që po përgatitej në Ukrainë nga Perëndimi për shumë vite”, tha ministri Lavrov.

Doktrina ushtarake ruse i vlerëson Amerikën Latine dhe Karaibet si rajone të rëndësishme duke i parë ato sfera nën ndikimin e Uashingtonit, që veprojnë si kundërpeshë ndaj aktiviteteve të Shteteve të Bashkuara në Evropë, tha Ryan Berg, ekspert i Amerikës Qendrore dhe Jugore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

“Ndonëse kjo ka të ngjarë të jetë pak më shumë se një provokim nga Moska, ai dërgon një mesazh për aftësinë e Rusisë për të treguar fuqi në hemisferën perëndimore, me ndihmën e aleatëve të saj dhe sigurisht që do ta mbajë ushtrinë amerikane në gatishmëri të lartë, ndërsa ata janë pranë”, tha analisti Berg.

Koha e misionit të këtij viti mund t'i shërbejë qëllimeve të Rusisë, por po ngre gjithashtu pyetjen nëse qeveria e Venezuelës mund ta përdorë këtë rast për të rritur mbështetjen për një mandat të tretë për Presidentin Nicolás Maduro në zgjedhjet e 28 korrikut.

Koalicioni kryesor i opozitës në Venezuelë po sfidon kontrollin prej dekadash të partisë në pushtet. Kjo sfidë dhe krijimi i një krize me tensionet e ndezura me Guajanën janë ndër skenarët që analistët besojnë se qeveria e Presidentit Maduro mund t’i përdorë si arsyetim për të shtyrë ose anuluar zgjedhjet.

"Është pothuajse e sigurt që Maduro nuk do të rrezikojë humbjen e pushtetit”, tha Evan Ellis, profesor nga Amerika Latine në Universitetin e Luftës së Ushtrisë Amerikane.

“Alternativa më e qartë, duke marrë parasysh me lëvizjet e fundit të ushtrisë së Venezuelës,. Është sajimi i një krizë ndërkombëtare që do të justifikonte 'shtyrjen' e zgjedhjeve në vend”, thotë profesor Ellis.

“Prania e anijeve luftarake ruse në afërsi do të shtonte në masë të madhe rrezikun e përshkallëzimit të një krize të mundshme, të sajuar nga zoti Maduro”.

Venezuelianët votuan në një referendum në muajin dhjetor në mbështetje të shtrirjes së sovranitetit në rajonin Esekuibo, i cili përfshinë dy të tretat e Guajanës dhe ndodhet pranë depozitave të mëdha të naftës në det të hapur. Venezuela thotë se ky territor ishte vjedhur kur kufiri u ndryshua para më shumë se një shekulli.

Guajana është në pritje të një vendimi në lidhje me pretendimin e Venezuelës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, por qeveria e zotit Maduro nuk e njeh autoritetin e kësaj Gjykate.

Shtetet e Bashkuara mbështesin Guajanën në këtë mosmarrëveshje të vazhdueshme dhe e ndihmuan atë me fluturime vëzhgimi në fund të vitit të kaluar. Venezuela e ka kërcënuar me pushtim këtë vend.

Qeveria e Guajanës muajin e kaluar i dha leje ushtrisë amerikane të dërgonte dy avionë luftarakë F-18 për patrullim të hapësirës ajrore mbi kryeqytetin e saj për të demonstruara bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve.

Nënpresidenti i Guajanës Bharrat Jagdeo më 6 qershor tha se flota ruse nuk paraqet “një kërcënim të drejtpërdrejtë” për vendin e tij.

“Megjithatë, ne jemi të vëmendshëm dhe po ndjekim me vëmendje këto zhvillimeve politike”, tha zoti Jagdeo në një konferencë për shtypin.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA