...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Mbi 300.000 qytetarë protestojnë në mbështetje të Palestinës në Londër

Më shumë se 300,000 demonstrues pro-palestinezë marshuan në qendër të Londrës të shtunën

SHJ

08/11/2023 - 17:43

Më shumë se 300,000 demonstrues pro-palestinezë marshuan në qendër të Londrës të shtunën. Policia arrestoi afro 100 kundër-protestues të ekstremit të djathtë në përpjekje për të ndaluar një konfrontim me palën tjetër.

Përleshjet shpërthyen midis policisë dhe grupeve të ekstremit të djathtë të mbledhur për të protestuar kundër demonstratës që po zhvillohet në Ditën e Armëpushimit, që shënon përvjetorin e përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ditë kur Britania përkujton të rënët në luftë.

Kryeministri Rishi Sunak e dënoi dhunën pranë memorialit të luftës “Cenotaph” dhe gjithashtu sulmoi "simpatizantët e Hamasit" të cilët iu bashkuan tubimit më të madh, "duke kënduar këngë antisemitike dhe duke tundur pankarta dhe veshje pro-Hamasit në protestën e sotme".

Tensionet ishin rritur përpara marshimit të së shtunës, më i madhi në një seri tubimesh në mbështetje të palestinezëve me thirrjet për një armëpushim në Rripin e Gazës. Ministrja e Brendshme, Suella Braverman, i ka cilësuar tubimet si "marshime urrejtjeje" të udhëhequra nga "turma".

Policia Metropolitane e Londrës i kishte refuzuar kërkesat e ministrisë për të anuluar lejen e tubimit, me pretekstin se nuk kishte të dhëna se do të kishte dhunë serioze. Një vendim që ka tendosur marrëdhëniet me qeverinë. Kryeministri Sunak bëri thirrje përsëri për një qëndrim më të ashpër.

“Të gjitha veprimet kriminale duhet të përballen me forcën e plotë dhe të shpejtë të ligjit”, tha ai në një deklaratë të shtunën vonë. “Kjo është ajo që i thashë Komisionerit të Policisë Metropolitane të mërkurën, ata mbajnë përgjegjësi për këtë dhe kjo është ajo që pres”.

Policia tha se në rrugët qendrore të Londrës kishte pasur disa qindra kundër-protestues dhe përleshjet shpërthyen afër memorialit të luftës. Ndihmës Komisioneri, Matt Twist, tha në mediat sociale se dukej se kundërprotestuesit "synonin për konfrontim dhe dhunë".

Kryetari i bashkisë së Londrës, Sadiq Khan, dhe Ministri i Parë i Skocisë, Humza Yousaf, thanë se zonja Braverman i kishte ndezur tensionet dhe e kishte trimëruar të djathtën ekstreme duke akuzuar para tubimit policinë për favorizimin e "turmave pro-palestineze".

Vendet arabe dhe Irani zhvillojnë mbledhje ndërsa sulmohen katër spitale në Gaza

Udhëheqësit e vendeve arabe dhe presidenti i Iranit po mbajnë një takim të nivelit të lartë në Arabinë Saudite të shtunën për të diskutuar mbi mundësitë për t'i dhënë fund luftës së Izraelit në Rripin e Gazë.

"Gaza nuk është një arenë për fjalë, por për veprim”, tha presidenti iranian Ebrahim Raisi të shtunën përpara se të nisej drejt Riadit.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi, duke shtuar se ushtria izraelite "po shënon rezultate jashtëzakonisht të mira në Gazë".

Kreu i Shoqatës së Gjysmëhënës së Kuqe palestineze tha të premten se në 24 orët e fundit janë goditur katër spitale në pjesën veriore të Rripit të Gazës. Ai akuzoi Izraelin se i ka goditur ato qëllimisht në një përpjekje për të detyruar civilët palestinezë të largohen nga Gaza.

Në një intervistë të premten për BBC, presidenti francez Emmanuel Macron bëri thirrje për armëpushim. Ai tha se e njeh të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por shtoi se në Gazë po bombardohen civilë.

"Ka foshnja, ka gra, të moshuar që po bombardohen dhe vriten. Nuk ka asnjë arsye për këtë dhe nuk ka legjitimitet, ndaj ne i bëjmë thirrje Izraelit të ndalojë", th ai.

Ushtria izraelite thotë se Hamasi ka fshehur armë në tunele nën spitale dhe ka ngritur një qendër komandimi nën Al-Shifa, spitali më i madh i Gazës, çka përligj sipas zyrtarëve izraelitë, sulmet ndaj tyre.

Megjithatë Forcat e Mbrojtjes izraelite hodhën poshtë pretendimet se kishin goditur spitalin Al-Shifa të premten, duke akuzuar për këtë Hamasin. Sipas zyrtarëve izraelitë, militantët kishin lëshuar një raketë që kishte patur si objektiv trupat izraelite, por në fakt ajo sipas tyre kishte goditur spitalin.

Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha se sistemi shëndetësor i Gazës "është në gjunjë" në kushtetet kur 18 nga 36 spitalet dhe dy të tretat e qendrave të saj shëndetësore parësore, nuk funksionojnë fare.

"Situata në terren është e pamundur të përshkruhet", tha Dr. Tedros Adhanom Ghebreyesus.

Ai shtoi se çdo 10 minutë në Gazë humb jetën mesatarisht një fëmijë si dhe bëri apel për armëpushim. Voa

Forcat anti-amerikane në Lindjen e Mesme nuk tërhiqen pavarësisht kundërsulmeve

Milicitë e mbështetura nga Irani nuk duket se po tërhiqen megjithë sulmin ajror amerikan që mendohet se shkatërroi një depo të rëndësishme armatimesh në Sirinë lindore.

Pentagoni e përshëndeti të enjten si të suksesshëm sulmin ajror të bërë gjatë orëve të vona të së mërkurës nga dy avionë luftarakë F-15, që shkaktoi edhe shpërthime të njëpasnjëshme në depon e armatimit. Por, zyrtarët amerikanë gjithashtu pranuan se të paktën për momentin, nuk është arritur ngadalësimi i sulmeve nga milicitë e mbështetura nga Irani ndaj forcave amerikane që gjenden në rajon.

Një zyrtar amerikan i tha Zërit të Amerikës të enjten se pas sulmit ajror amerikan, milicitë e mbështetura nga Irani bënë katër sulme me dronë dhe me raketa ndaj forcave dhe bazave amerikane – tre prej tyre ndodhën në Siri dhe një në Irak. Njëri nga sulmet u bë të mërkurën vonë ndaj një objekti amerikan në zonën e sigurtë në Siri dhe plagosi tre ushtarakë.

Zyrtarët thanë se dy nga të plagosurit u diagnostikuan me lëndime traumatike të trurit, por se asnjë nga lëndimet nuk ishte serioz dhe se të tre u rikthyen në detyrë. Zyrtarët thanë gjithashtu se asnjë nga sulmet me dronë dhe raketa nuk shkaktoi ndonjë dëm në infrastrukturën amerikane.

"Këto sulme kanë qenë përgjithësisht të pasuksesshme", u tha gazetarëve të enjten zëvendës sekretarja e shtypit e Pentagonit, Sabrina Singh.

“Fatmirësisht, asnjë nga ushtarakët tanë nuk është lënduar rëndë dhe as infrastruktura në bazat që janë vënë në objektiv; nuk kemi pësuar dëme të konsiderueshme”, shtoi ajo.

Bazat dhe objektet amerikane janë sulmuar të paktën 46 herë që kur milicitë e mbështetura nga Irani filluan të sulmojnë forcat amerikane në Irak dhe Siri muajin e kaluar, në shenjë mbështetjeje për Hamasin në luftën e tij kundër Izraelit.

Që nga 17 tetori, gjithsej 56 ushtarakë amerikanë janë plagosur, me 25 të diagnostikuar me goditje traumatike në tru si rezultat i shpërthimeve nga raketat apo dronët. Megjithatë, Pentagoni tha se të gjitha lëndimet ishin të lehta dhe se të gjithë ushtarakët e dëmtuar janë rikthyer në detyrë.

Zyrtarët e Pentagonit gjithashtu vënë në dukje se shumica e lëndimeve u shkaktuan përpara se Shtetet e Bashkuara të bënin sulmet e para vetëmbrojtëse më 26 tetor, ndaj dy depove të armëve në Siri të përdorura nga grupe të mbështetura nga Irani.

Sulmi i së mërkurës ishte ndaj një objekti më të madh të ruajtjes së armëve në provincën Deir el-Zour të Sirisë që i përkiste Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Zyrtarët amerikanë thonë se nga ky objekt ishin marrë nga disa nga grupet e lidhura me Iranin, raketat dhe materialet e tjera që u përdorën për të bërë sulmet ndaj forcave amerikane.

Zyrtarët e Pentagonit shprehën të enjten optimizmin se operacioni do të ketë efektin e synuar.

"E dimë se ka pasur shpërthime dytësore. Dimë se objekti është dëmtuar ndjeshëm," tha zonja Singh. "Ndihemi të sigurt se arritëm të degradojmë aftësitë e tyre. Nuk do të hezitojmë të marrim masa të mëtejshme të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë dhe për ta bërë këtë në një kohë dhe vend që e zgjedhim ne", shtoi ajo.

Pentagoni gjithashtu konfirmoi zyrtarisht të enjten se rebelët houthi të mbështetur nga Irani në Jemen arritën të rrëzojnë një dron amerikan që fluturonte mbi Detin e Kuq.

Zonja Singh u tha gazetarëve se kishte indikacione se droni amerikan MQ-9 ra në ujë dhe se huthitë u përpoqën ta merrnin përpara se të fundosej.

"E dimë se ka pasur një përpjekje nga huthitë për ta marrë dronin MQ-9, por nuk ka gjasa që të arrijnë të marrin ndonjë gjë të rëndësishme", tha ajo. “As ne [SHBA] nuk po përpiqemi ta marrim”. Voa

SHBA ndërmerr sulme në Siri kundër objektit të përdorur nga Irani

Shtetet e Bashkuara ndërmorën sulme kundër një magazine armësh në Siri të mërkurën. Pentagoni tha se objekti përdorej nga Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC) dhe grupet e lidhura me to. Kjo është hera e dytë në javët e fundit që forcat amerikane ndërmarrin sulme.

Ndërsa shtohen tensionet lidhur me luftën e Izraelit kundër Hamasit, trupat amerikane dhe të koalicionit në Irak dhe Siri janë sulmuar të paktën 40 herë që nga fillimi i tetorit nga forcat e mbështetura nga Irani. Dyzetë e pesë trupa amerikane kanë pësuar lëndime.

Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, tha përmes një deklarate se sulmet u kryen nga dy avionë luftarakë amerikanë F-15 dhe ishin reagim ndaj sulmeve të fundit kundër forcave amerikane. Zoti Austin tha se sulmet kundër trupave amerikane duhet të ndalen.

“Nëse vazhdojnë sulmet kundër forcave amerikane nga grupet e lidhura me Iranin, ne nuk do të hezitojmë të marrim masa të tjera të nevojshme për të mbrojtur njerëzit tanë”, shtoi zoti Austin.

Një zyrtar i lartë ushtarak amerikan, duke folur në kushte anonimiteti, tha se ushtria kishte vëzhguar objektin në provincën Deir al Zor për disa kohë dhe ishte i bindur se nuk kishte viktima civile.

Shtetet e Bashkuara kanë 900 trupa në Siri dhe 2500 të tjera në Irakun fqinj, me një mision për të këshilluar dhe ndihmuar forcat lokale që përpiqen të parandalojnë rilindjen e Shtetit Islamik, i cili në vitin 2014 mori një pjesë të madhe në të dy vendet, por më vonë u mund.

Ekziston një shqetësim në rritje se konflikti Izrael-Hamas mund të përhapet në Lindjen e Mesme dhe bazat amerikane të bëhen objektiva sulmesh. Voa

Rrëzohet një dron ushtarak amerikan në Jemen

Një dron ushtarak amerikan, MQ-9, u rrëzua të mërkurën nga rebelët Houthi të Jemenit, thanë dy zyrtarë amerikanë dhe grupi rebel i lidhur me Iranin.

Dronët amerikanë janë rrëzuar edhe në të kaluarën nga rebelët Houthi, por ky incident vjen në një kohë tensionesh të larta në rajon.

Uashingtoni është në gatishmëri të lartë lidhur me aktivitetet e grupeve të mbështetura nga Irani, ndërsa tensionet rajonale vazhdojnë të thellohen mes luftës së Izraelit kundër Hamasit.

Zyrtarët amerikanë, duke folur në kushte anonimiteti, thanë se droni i prodhuar nga firma “General Atomics”, ishte rrëzuar në brigjet e Jemenit. Ata nuk thanë nëse droni ishte qëlluar në hapësirën ajrore ndërkombëtare.

Një zëdhënës ushtarak i lëvizjes Houthi tha përmes një deklarate se ata e kishin rrëzuar dronin në hapësirën ajrore mbi ujërat territoriale të Jemenit.

Në vitin 2019, rebelët Houthi rrëzuan dronë amerikanë në dy raste të veçanta në Jemen.

Pentagoni ka dërguar mijëra trupa në rajon në përpjekje për të frenuar përhapjen e konfliktit, përfshirë dy aeroplanmbajtëse. Disa nga ato trupa kanë shërbyer në Detin e Kuq.

Muajin e kaluar, një luftanije amerikane eliminoi katër raketa dhe më shumë se një duzinë dronësh të lëshuar nga rebelët Houthi në Jemen drejt Izraelit. Voa

G7 mbështet variantin e Uashingtonit për luftën e Izraelit

Ndërsa forcat izraelite vazhdojnë operacionet në qytetin e Gazës, civilët palestinezë vazhduan të largohen nga pjesa veriore e Rripit të Gazës. Ndërkohë, Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken dhe diplomatët e lartë të Grupit të Shtatëshes dolën të mërkurën me një qëndrim të bashkuar për luftën Izrael-Hamas.

Ata dënuan Hamasin, mbështetën të drejtën e Izraelit për t’u vetëmbrojtur dhe bënë thirrje për pauza humanitare për të përshpejtuar dërgimin e ndihmave për civilët e dëshpëruar në Rripin e Gazës.

Izraeli njoftoi se forcat e tij ushtarake gjenden në zemrën e qytetit Gaza dhe po godasin infrastrukturën dhe komandantët e Hamasit. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se Izraeli po shton trysninë ndaj Hamasit me çdo orë që kalon dhe përsëriti thirrjen për largimin e civilëve.

“Që me fillimin e operacioneve tokësore, kemi shkatërruar shtabe të panumërta, tunele, baza dhe objekte të Hamasit. Hamasi po kupton se mundemi të arrijmë në vende ku mendonin se nuk arrinim dot...Gaza nuk do të përbëjë më rrezik për Izraelin. E përsëris dhe i bëj thirrje popullsisë civile në Gazë që të shkojë drejt jugut”, tha Kryeministri Netanyahu.

Forcat Mbrojtëse të Izraelit çelën një korridor evakuimi nga Gaza e veriut, të cilin e lanë të hapur për civilët deri në pasditen e së mërkurës. Vlerësohet se 70% e popullsisë së Gazës prej 2.3 milionë banorësh, janë larguar tashmë. Trysnia ndërkombëtare ndaj Izraelit është rritur për shkak të vuajtjeve të civilëve në Rripin e Gazës.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua në Tokio me homologët nga Britania, Kanadaja, Franca, Gjermania, Japonia dhe Italia, përpara se të qarkullohej një deklaratë me qëndrimin e tyre të përbashkët.

“Patëm diskutime të thelluara për hapat që po ndërmarrim për të trajtuar nevojat urgjente në terren. Të gjithë ramë dakort se pauzat humanitare do të mbështesnin objektivin për të mbrojtur civilët palestinezë, për të rritur prurjen e vazhdueshme të ndihmave, për t’u lejuar shtetasve tanë dhe shtetasve të vendeve të tjera që të largohen, si dhe për të lehtësuar lirimin e pengjeve”, tha Sekretari Blinken.

Ai informoi homologët e tij për bisedimet me udhëheqësit izraelitë në lidhje me pauzat dhe hapat konkretë për të minimizuar dëmin ndaj palestinezëve në Gazë. Ai tha se Izraeli ka deklaruar në mënyrë të përsëritur se nuk do të kthehet më në situatën e 6 tetorit – ditën përpara sulmit të Hamasit.

Sekretari Blinken vazhdon vizitën në Azi me takime në Seul për të biseduar me udhëheqësin koreanë, ndërkohë që vendet aleate po rrisin bashkëpunimin për shkak të shqetësimeve nga forcimi i lidhjeve ushtarake të Koresë së Veriut me Rusinë.

Pas takimeve në Seul, Sekretari Blinken do të udhëtojë drejt New Delhit për të marrë pjesë në dialogun ministerial, së bashku me Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin. Delegacioni amerikan do të takohet me zyrtarët e lartë indianë për të trajtuar shqetësime dypalëshe dhe globale, si dhe zhvillimet në rajonin Indo-Paqësor. Voa  

Ky është një raport i përditësuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA