Nato-ja diskuton përfshirjen më të madhe në luftë me Rusinë
NATO-ja do të merrte përsipër bashkërendimin e ndihmave të armëve dhe furnizimeve që tani bëhet përmes Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës,
Voa
31/05/2024 - 08:26
SHBA lejon fshehurazi Ukrainën të godasë disa objektiva në Rusi me armatime amerikane
Presidenti Joe Biden i ka dhënë dritën jeshile Ukrainës që të përdorë armë të furnizuara nga Shtetet e Bashkuara për të goditur objektiva në Rusi, por vetëm me qëllimin për të mbrojtur Kharkivin, sipas dy zyrtarëve amerikanë që janë në dijeni të çështjes.
Zyrtarët të cilët kërkuan të mos identifikoheshin për shkak të ndjeshmërisë së çështjes nënvizuan se politika e Shteteve të Bashkuara ku Ukrainës i kërkohet të mos përdorë raketa me rreze të gjatë veprimi dhe armatime të tjera për të kryer sulme ofensive brenda Rusisë, nuk ka ndryshuar.
Vendimi vjen pasi zyrtarët Ukrainës shtuan kanë shtuar thirrjet ndaj administratës amerkane për të lejuar forcat ukrainase që të mbrohen nga sulmet që vijnë nga territori rus.
Kharkivi, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës, është 20 kilomtra larg kufirit rus. Vendimi i zoti Biden u njoftua fillimisht nga Gazeta Politico. Vendimi paraqet një ndryshim të qëndrimit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili deri më tani, kishte refuzuar me vendosmëri që Ukraina të përdorte armatime amerikane për të kryer sulme brenda Rusisë.
40 miliardë jo 100 miliardë
PRAGË – Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg u ka kërkuar vendeve anëtare të zotohen për 40 miliardë Euro ndihma vjetore për Ukrainën, i tha të enjten një burim i aleancës agjencisë së lajmeve Reuters, ndërsa ministrat e jashtëm të NATO-s po mblidheshin për bisedime në Pragë.
Zoti Stoltenberg nuk ka përmendur më parë një shumë të caktuar, por më herët zyrtarë të NATO-s patën hedhur idenë e rreth 100 miliardë eurove në pesë vite, ose 20 miliardë euro në vit.
Bisedimet do të përqëndrohen tek qartësimi i detajeve për paketën e ndihmave për Ukrainën, për të cilën do të jepet miratimi në takimin e nivelit të lartë të NATO-s në Uashington, në datat 9-11 korrik, ku do të ketë edhe ndryshime për mënyrën se si do të organizohen armët dhe municionet që dërgohen.
"Duhet ta ruajmë nivelin aktual të mbështetjes si një minimum për t`i siguruar Ukrainës kushtet për t’i parashikuar situatat, për aq kohë sa do të jete e nevojshme", tha një burim i NATO-s, duke shtuar se aleatët kishin dhënë rreth 40 miliardë euro në vit që nga sulmi frontal i Rusisë në Ukrainë në shkurt 2022.
Gazeta gjermane Handelsblatt tha më herët të enjten se zoti Stoltenberg po kërkonte një zotim nga vendet anëtare prej 40 miliardë dollarësh në vit. Kremlini tha të enjten se Shtetet e Bashkuara, NATO-ja dhe disa vende evropiane po e inkurajonin Ukrainën të vazhdojë atë që e quajti "luftën e pakuptimtë" të Kievit me Rusinë dhe i akuzoi ata për përshkallëzimin e tensioneve në javët e fundit.
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, ka thënë vazhdimisht se aleatët perëndimorë po marrin më shumë kohë se ç’duhet për të marrë vendime kyçe për mbështetjen ushtarake për Ukrainën.
Ministrat e jashtëm të vendeve të NATO-s pritet gjithashtu të trajtojnë atë që shihet si ndryshimi më i fundit në mbështetjen perëndimore për Ukrainën, me disa aleatë që po heqin kufizimet që ia ndalonin Kievit të përdorte armë të dhuruara për të goditur objektiva brenda Rusisë - një lëvizje kundër së cilës presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar Perëndimin.
Ndërsa administrata amerikane po peshon pozicionin e saj, sekretari i Shtetit Antony Blinken do të pyetet me siguri nga homologët e tij në Pragë nëse Uashingtoni do të ndjekë shembullin e tyre. Të mërkurën, ai u bë zyrtari i parë i administratës që sinjalizoi se Shtetet e Bashkuara mund të shqyrtojnë ndryshimin e qëndrimit të tyre.
"Mendoj se ajo që keni parë gjatë dy viteve të fundit - ndërsa natyra e fushëbetejës ka ndryshuar, pasi vendndodhjet, mjetet që Rusia po përdor kanë ndryshuar – është se ne kemi ndryshuar dhe jemi përshtatur", tha sekretari Blinken në Moldavi.
"Kjo është pikërisht ajo që do të bëjmë në vijim", shtoi ai. Uashingtoni ka qenë deri më tani mbështetësi më i madh financiar dhe ushtarak i Kievit që nga fillimi i sulmit rus ndaj Ukrainës, por Uashingtoni ka thënë vazhdimisht se as nuk inkurajon dhe as nuk mundëson sulme jashtë territorit të Ukrainës.
Asgjë e sigurt
Ministrat e jashtëm të NATO-s do të diskutojnë sot për një ndihmë të re ushtarake për Ukrainën, të propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg, që pritet të miratohet gjatë muajit korrik në Uashington.
Për shkak të paqartësisë rreth përkrahjes amerikane ndaj Ukrainës në të ardhmen në rast të zgjedhjes së zotit Donald Trump për president të Shteteve të Bashkuara, Sekretari Stoltenberg ka propozuar që ndihma ushtarake për Kievin të jetë e përcaktuar për një afat më të gjatë kohor, krahas një zotimi shumëvjeçar financiar.
Por 32 shtetet anëtare të NATO-s kanë qëndrime të ndryshme përsa i përket këtij plani. Ministrat do të përpiqen të përafrojnë qëndrimet të enjten dhe të premten gjatë një takimi në Pragë.
Në vijim sjellim pikat kryesore të planit të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Stoltenberg si dhe çështjet që duhet të zgjidhen para takimit të nivelit të lartë më 9-11 korrik, sipas zyrtarëve dhe diplomatëve.
Bashkërendimi i NATO-s
Sekretari Stoltenberg ka propozuar që NATO-ja të marrë përsipër bashkërendimin e ndihmës ushtarake ndërkombëtare për Ukrainën, duke i dhënë aleancës një rol më të drejtpërdrejtë në luftën kundër sulmit të Rusisë pa i zotuar forcat e saj në këtë konflikt.
NATO-ja do të merrte përsipër bashkërendimin e ndihmave të armëve dhe furnizimeve që tani bëhet përmes Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, i përbërë nga rreth 50 shtete, i ashtuquajtur grupi i Ramshtajnit, sipas bazës ajrore amerikane në Gjermani, që ishte edhe vendtakimi i parë i tyre.
Aleanca po ashtu do të bashkërendonte stërvitjen e forcave ukrainase, një aspekt në të cilin Bashkimi Evropian dhe Britania janë shumë të angazhuara. Ky hap quhet si një përpjekje për të siguruar një nivel mbrojtjeje nga veprimet e mundshme të zotit Trump, duke vendosur bashkërendimin nën ombrellën e NATO-s dhe duke i dhënë personelit ushtarak të aleancës më shumë autonomi, me më pak ndërhyrje të drejtpërdrejt politike.
Por diplomatët e pranojnë se një hap i tillë do të ketë ndikim të kufizuar, meqë Shtetet e Bashkuara janë fuqia kryesore e NATO-s dhe po sigurojnë shumicën e armëve për Ukrainën. Nëse Uashingtoni dëshiron ta ndërpresë ndihmën perëndimore për Ukrainën, ende mund ta bëjë një gjë të tillë.
NATO-ja gjithashtu duhet të gjejë zgjidhje për këmbënguljen e Kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili e ka bërë të qartë se vendi i tij nuk do të marrë pjesë në këtë përpjekje të re, me argumentin se një hap i tillë do ta sillte aleancën më afër një lufte katastrofike me Rusinë.
Anëtarë të tjerë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian kanë shprehur zemërimin e tyre me bllokimin e vazhdueshëm që Hungaria po i bën ndihmës për Ukrainën, për të cilën thonë se po i përshtatet interesave të Rusisë. Edhe vetë emri i kësaj nisme të re të NATO-s po nxit kundërthënie. Gjermania kundërshton që të quhet “mision”, nga frika se krijon përshtypjen që NATO-ja po hynë në luftë me Rusinë. NATO-ja gjithashtu duhet t’i japë përgjigje shqetësimeve ukrainase që duket e vendosur se bashkërendimi nën ombrellën e NATO-s mund t’i frikësojë vendet që janë jashtë aleancës e që nuk duan të identifikohen me të.
Zotimi financiar
Sekretari Stoltenberg ka propozuar që aleatët të ndërmarrin një angazhim shumëvjeçar financiar për ndihmën ushtarake Ukrainës, në mënyrë që ky vend të mund të planifikojë më mirë dhe për t’i dërguar sinjal Kievit dhe Moskës se Perëndimi mbetet i angazhuar për një afat të gjatë.
Zyrtarët kanë përmendur një shumë prej 100 miliardë eurosh (108.13 miliardë dollarësh) për pesë vitet e ardhshme, ndonëse zoti Stoltenberg nuk ka përmendur ndonjë shifër publikisht. Kjo pjesë e planit ka hasur në rezistencë dhe është pritur me skepticizëm nga disa aleatë, të cilët thonë se shtetet nuk mund të premtojnë shuma të tilla specifike paraprakisht, sidomos nëse zgjedhjet në të ardhmen ndryshojnë kursin ndaj Ukrainës. Detajet e tjera mbeten të paqarta, siç është shuma e përgjithshme dhe forma se si mund të llogariten kontributet nga secili vend.
Aspiratat e anëtarësimit
Në takimin e nivelit të lartë të NATO-s vitin e kaluar në Vilnius, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy tronditi udhëheqësit e NATO-s me një deklaratë të rreptë në rrjetet sociale kur u bë e qartë që Ukrainës nuk do t’i bëhej ftesë zyrtare për t’u anëtarësuar në aleancë.
Qëndrimi zyrtar i NATO-s është që Ukraina një ditë do të anëtarësohet në aleancë, por jo ndërsa është në gjendje lufte. “E ardhmja e Ukrainës është në NATO,” deklaruan udhëheqësit e NATO-s në takimin e Vilniusit.
Që atëherë, një grup aleatësh kanë lidhur marrëveshje dypalëshe për t’i dhënë armë dhe përkrahje të formave tjera Ukrainës për të kompensuar mungesat derisa të bëhet anëtare e NATO-s, që është më pak se Neni 5 i aleancës për mbrojtjen, që nënkupton që sulmi ndaj një anëtari është sulm ndaj të gjithë anëtarëve të saj.
Por Ukraina dhe disa mbështetës të saj në Evropën Lindore që janë anëtare të NATO-s vazhdojnë të kërkojnë ftesë për anëtarësim apo të paktën një rrugë më të qartë drejt anëtarësimit. Zyrtarët e NATO-s po diskutojnë me njëri-tjetrin nëse duhet të përdorin një gjuhë tjetër për ftesën në Uashington.
“Anëtarësimi i Ukrainës vazhdon të mbesë një çështje e patrajtuar,” tha një burim ushtarak.
Ndërsa shtetet e Evropës Lindore po nxisin një anëtarësim të shpejt të Ukrainës, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania po udhëheqin një grup shtetesh që po tregohen më të kujdesshme.
Ky raport i përditësuar është redaktuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 57 reads