...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

NATO-ja thirrje Rusisë dhe Sirisë të ndalin ofensivën në Idlib

Bisedimet diplomatike mes Turqisë dhe Rusisë në Ankara për të zgjidhur krizën e Idlibit, përfunduan pa zgjidhje të enjten

Voa

29/02/2020 - 12:33

NATO-ja u bëri të premten thirrje Rusisë dhe Sirisë të ndalin ofensivën në Idlib dhe tha se aleanca qëndron në solidaritet me Turqinë, pasi 33 ushtarë turq humbën jetën në një goditje ajrore të forcave ajrore siriane, ndërsa situata është përshkallëzuar.

Ndërkohë Presidenti rus Vladimir Putin dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan patën të premten një bisedë telefonike, për të diskutuar për ngjarjen. Turqia bëri thirrje të premten për një zonë ndërkombëtare të sigurt ndalim-fluturimi në Siri për të mbrojtur civilët.

Ambasadorët e vendeve të NATO-s mbajtën bisedime urgjente me kërkesën e Turqisë, vend anëtar i aleancës, pas goditjeve ajrore.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg foli pas takimit.

“Aleatët dënojnë goditjet ajrore të vazhdueshme dhe pa dallim nga regjimi sirian dhe Rusia në rajonin Idlib. U bëj thirrje të ndalojnë ofensivën, të respektojnë ligjin ndërkombëtar dhe të mbështesin përpjekjet e Kombeve të Bashkuara për një zgjidhje paqësore”, tha ai.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov tha se presidentët Putin dhe Erdogan biseduan të premten lidhur me zbatimin e marrëveshjeve për provincën Idlib, mes tensioneve në rritje.

"Nëse marrëveshjet do të ishin respektuar plotësisht, përfshirë komunikimin lidhur me vendndodhjen e saktë të forcave turke, tragjedi të tilla, mund të ishin shmangur”, tha zoti Lavrov gjhatë një konference për shtyp me Ministrin e Jashtëm të Luksemburgut, Jean Asselborn.

Ai tha se Rusia dhe Turqia ishin të gatshme të vazhdonin bashkërendimin.

Propozimi për një zonë ndalim-fluturimi erdhi disa orë pasi forcat e qeverisë siriane vranë 33 ushtarë turq në Sirinë verilindore.

Goditja shënon një shkallëzim në konfliktin mes forcave turke dhe atyre siriane të mbështetura nga Rusia, që nga fillimi i shkurtit.

Departamenti amerikan i Mbrojtjes tha se Sekretari Mark Esper foli me homologun e tij turk të enjten për të diskutuar gjendjen në Idlib dhe Libinë.

"Ne po shqyrtojmë mënyra se si Shtetet e Bashkuara mund të punojnë së bashku me Turqinë dhe komunitetin ndërkombëtar”, tha Pentagoni duke iu referuar telefonatës.

Bisedimet diplomatike mes Turqisë dhe Rusisë në Ankara për të zgjidhur krizën e Idlibit, përfunduan pa zgjidhje të enjten.

Luftimet në Idlib janë shkallëzuar dhe pritet të intensifikohen më tej, ndërsa Ankaraja i ka dhënë ultimatum Damaskut që të tërhiqet deri në fund të shkurtit.

Kombet e Bashkuara thonë se afro një milionë sirianë janë zhvendosur nga luftimet e fundit në Idlib. Qindra-mijëra refugjatë kanë shkuar drejt kufirit me Turqinë.

Turqia po mban 3.5 milionë sirianë dhe Presidenti Erdogan ka paralajmëruar vazhdimisht se Turqia nuk mund të pranojë refugjatë të tjerë. Një zyrtar i lartë turk tha se Ankaraja nuk do t’i ndalojë më refugjatët që ikin prej konfliktit, që të nisen për në Evropë.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA