...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndikimi i shoqatës kombëtare të armëve amerikane në politikë dhe fati' popullit amerikan

Sipas një studimi të vitit 2013 nga Qendra Kërkimore “Pew”, në duart e amerikanëve janë 270 deri në 310 milionë armë

Voa

07/03/2018 - 08:45

Pas sulmit në shkollën e mesme "Marjory Stoneman Douglas" në Parkland të Floridës, më 14 shkurt, Shoqata Kombëtare e Armëve u bë përsëri një temë e nxehtë e debatit mes shumë amerikanëve.

Shumë prej tyre e kanë kritikuar shoqatën me seli në Fairfax të Virxhinias, duke thënë se ajo përhap armët dhe dhunën me armë në Shtetet e Bashkuara, ndërsa shumë të tjerë e lavdërojnë grupin për mbrojtjen e të drejtës kushtetuese për armëmbajtje.

Lufta e përhershme në Amerikë dhe ‘terrorizmi’ vendor

Amendamenti i Dytë i Kushtetutës amerikane thotë: "Një milici e rregulluar mirë, që është e nevojshme për sigurinë e një shteti të lirë dhe të drejtat e njerëzve për të mbajtur armë, nuk duhet të shkelen".

Disa thonë se ky amandament është i vjetëruar dhe reflekton një kohë kur Amerika ishte shumë më rurale dhe amerikanëve u duheshin armët për gjueti dhe për t’u mbrotjur. Ata gjithashtu theksojnë se kur u shkrua amendamenti, shumica e armëve ishin pushkë dhe pistoleta, jo gjysmë automatike, ose luftarake, si sot.

Amerikanët e tjerë e shohin amandamentin për armëmbajtjen si një të drejtë të shenjtë. Ata i kundërshtojnë përpjekjet për të kufizuar të drejtën për të mbajtur armë.

Megjithatë ndër vite janë miratuar ligje të ndryshme që vendosin rregulla për blerjen e armëve. Për shembull, në vitin 1994, Kongresi miratoi Aktin për Sigurinë Publike dhe Mbrojtjen e Përdorimit të Armëve për Gjueti, i cili u nënshkrua nga ish-Presidenti Bill Clinton. Projekt-ligji ndaloi blerjen e disa llojeve të armëve gjysmë-automatike, duke përfshirë llojin e përdorur gjatë sulmit në Parkland. Ligji skadoi në vitin 2004 dhe ndikimi i tij është ende objekt debati.

Në vitin 1986, Kongresi miratoi Aktin për Mbrojtjen e Pronarëve të Armëve, gjë që e bëri shumë më të vështirë për amerikanët që të blenin armë plotësisht automatike, si mitralozët.

Ndërsa ka kufizime për blerjen e armëve të caktuara, amerikanët zotërojnë shumë prej tyre.

Konstatimi i numrit të përgjithshëm të armëve në Shtetet e Bashkuara është i vështirë, por sipas një studimi të vitit 2013 nga Qendra Kërkimore “Pew”, në duart e amerikanëve janë 270 deri në 310 milionë armë. Një përditësim i këtij studimi në vitin 2017 nuk e përmend numrin total të armëve.

Rreth 30 për qind e të rriturve thanë se kanë të paktën një armë, sipas një raporti të vitit 2017 të Qendrës Kërkimore “Pew”. Nga ata, 66 për qind kanë më shumë se një armë dhe 73 për qind thanë se nuk mund ta imagjinonin jetën pa armë.

Shoqata Kombëtare e Armëve, NRA thotë se ka pesë milionë anëtarë, pra vetëm 19 për qind të pronarëve të armëve në Shtetet e Bashkuara, sipas studimit të Qendrës Kërkimore “Pew”.

Anëtarët e saj e bëjnë Shoqatën e Kombëtare të Armëve një forcë politike, si dhe një burim, për pronarët e armëve që kërkojnë trajnim dhe informacion rreth sigurisë së armëve.

Sipas faqes së saj të internetit, NRA u themelua në vitin 1871 nga veteranët e Ushtrisë së Unionit, koloneli William C. Church dhe gjenerali George Wingate, i cili ishte "i tronditur" nga mungesa e aftësisë për të gjuajtur me armë mes trupave të Unionit. Në një shkrim koloneli Church thoshte se NRA do të "nxiste trajnimet me pushkë në baza shkencore".

Trajnimi për përdorimin e armëve vazhdon të jetë fokusi i aktiviteteve të NRA, por në vitin 1975 shoqata krijoi një grup lobimi politik, Institutin për Veprim Legjislativ. Në vitin 1977, ajo krijoi një komitet të veprimit politik për të kanalizuar fondet e fushatës për politikanët që i konsideron si mbështetës të fuqishëm të Amendamentit të Dytë.

Sipas NRA, Instituti për Veprim Legjislativ vepron në rastet "kur projekt-ligje ose kufizime për armët propozohen në nivel lokal, shtetëror ose federal. Anëtarët dhe mbështetësit e NRA-së njoftohen dhe përgjigjen me letra, emaile dhe thirrje telefonike drejtuar përfaqësuesve të tyre të zgjedhur për të bërë të njohur pikëpamjet e tyre".

“Opensecrets.org”, një grup që monitoron financat e fushatave politike, thotë se NRA shpenzoi 5.2 milionë dollarë për lobim politik në vitin 2017. Mes veprimeve që grupi po mbështet janë heqja e kufizimeve ndaj “silenciatorëve”. Ata gjithashtu po lobojnë që shtetet të njohin liçensën për armëbajtje të fshehtë, të lëshuar nga një shtet tjetër. Liçensa për armëmbajte të fshehtë, u jep të drejtën pronarëve të mbajnë armë në vende publike, për sa kohë që arma nuk është e ekspozuar.

Në vitin 2015, NRA mblodhi 336.7 milionë dollarë, sipas gazetës “The Hill”. Rreth 165.7 milionë ishin nga detyrimet financiare të paguara nga anëtarët e shoqatës. Grupi merr fonde edhe nga prodhuesit e armëve.

Anëtarët e NRA janë aktivë në fushatat politike dhe shumë prej tyre janë me prirje konservatore. Ata janë më të prirur të votojnë në zgjedhje, duke shtuar ndikimin e grupit në debatet politike në vend.

Ndërsa NRA sështë një forcë me ndikim në politikën amerikane, efektshmëria e saj është e debatueshme.

Për shembull, studimi i vitit 2017 i Qendrës Kërkimore “Pew” zbuloi se 44 për qind e të rriturve amerikanë thanë se NRA ka shumë ndikim mbi ligjet e armëve, 40 për qind thanë se shoqata kishte "nivel të duhur ndikimi". Vetëm 15 për qind mendonin se NRA ka pak ndikim.

Mes anëtarëve të NRA, 63 për qind thanë se grupi ka nivel të duhur ndikimi, nëntë për qind thanë se ka shumë ndikim, 28 për qind thanë se se ka pak, ose aspak ndikim, sipas studimit të Qendrës Kërkimore “Pew”.

Në lidhje me këtë debat, Presidenti Donald Trump tha gjatë një takimi me senatorët të mërkurën e kaluar, se ai ishte një "tifoz" i NRA.

"Por kjo nuk do të thotë që ne duhet të pajtohemi për gjithçka. Nuk ka kuptim që unë duhet të pres derisa të jem 21 vjeç për të blerë një pistoletë, por unë mund ta blejë këtë armë në moshën 18 vjeçare", tha presidenti Trump. Gjatë të njejtit takim, ai dukej se ishte i hapur për konfiskimin e armëve nga njerëzit me sëmundje mendore.

Komentet e Presidentit u mirëpritën nga demokratët, ndërkohë që ato u kritikuan nga shumë republikanë. Presidenti Trump më vonë u tërhoq nga komentet për këtë çështje, dhe tani mbetet të shihet se çfarë masa do të marrin udhëheqësit e vendit për të parandaluar një tragjedi tjetër si ajo në Parkland.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA