...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Në horizont: përplasje mes SHBA-së dhe Rusisë për radion Evropa e Lirë

Radio Evropa e Lirë/Radio Liria përballet me gjoba prej miliona dollarësh dhe kërcënimin e akuzave penale ndaj punonjësve të saj, pasi Rusia e akuzoi se ka shkelur ligjin rus mbi agjentë të huaj.

Voa

24/01/2021 - 09:17

Pesë anëtarë të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë bërë thirrje Presidentit Biden t’i kundërvihet asaj që e cilësojnë së kërcënim në rritje nga Rusia ndaj Radios Evropa e Lirë/ Radio Liria.

“I bëjmë thirrje administratës së Presidentit Biden të komunikojë menjëherë me qeverinë ruse” mbi këtë temë, shprehen pesë ligjvënësit, ndër ta kreu i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë Gregory Meeks si dhe ligjvënësi më i lartë republikan në komision, Michael McCaul.

Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, një organizatë mediatike e financuar nga Shtetet e Bashkuara, përballet me gjoba prej miliona dollarësh dhe kërcënimin e akuzave penale ndaj punonjësve të saj, pasi Rusia e akuzoi se ka shkelur ligjin rus mbi agjentë të huaj. Amendamente të reja në këtë ligj u kërkojnë organizatave mediatike që marrin fonde nga jashtë të shoqërojnë raportimet e tyre me shënimin se është përgatitur “nga një agjent i huaj”.

Anëtarët e Dhomës së Përfaqësueve theksuan se gazetarët e Radios Evropa e Lirë nuk kanë pranuar ta bëjnë këtë sepse shqetësohen se mund të “diskretitojë punën e tyre”.

Ata i bënë thirrje administratës së Presidentit Biden t’ia bëjë menjëherë të qartë qeverisë ruse se “këto kufizime mbi punën e organizatës mediatike, rrjeteve që bashkëpunojnë me të dhe stafit të saj janë të papranueshme dhe, në veçanti, ekspozimi i stafit të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria ndaj akuzave penale do të ndeshet me një kundërpërgjigje serioze”.

Ligjvënësit kërkojnë vendosjen e sanksioneve kundër zyrtarëve rusë si dhe një qëndrim më reciprok në “kushtet me të cilat ndeshen grupe perëndimore mediatike si Radio Evropa e Lirë në Rusi dhe kushtet nën të cilat punojnë grupe mediatike shtetërore ruse si RT apo Sputnik në SHBA”.

Radio Evropa e Lirë/ Radio Liria mbikqyren nga Agjencia e SHBA për Median Globale, e njëjta organizatë që mbikqyr Zërin e Amerikës.   

Kremlini gjobit Radion Evropa e Lirë/Radio Liria

Qeveria ruse ka gjobitur Radion Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL), të financuar nga qeveria amerikane, për shkelje të ligjit rus për “agjentët e huaj”.

Gjoba prej 150 mijë dollarësh u vlerësua nga Roskomnadzor, organi rregullator i medias në Rusi.

Në vitin 2017 Kremlini e cilësoi Radion Evropa e Lirë/Radio Liria (RFE/RL), një organizatë simotër e Zërit të Amerikës, një agjent të huaj, një hap për të cilin shumë thonë se e bëri më të vështirë punën e saj në Rusi. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, Rusia e gjobiti organin mediatik amerikan disa herë gjatë javëve të fundit.

Ligji për agjentët e huaj i jep qeverisë ruse një hapësirë të gjerë veprimi për të krijuar pengesa burokratike për çdo grup joqeveritar që merr fonde nga jashtë, njofton Reuters. RFE/RL thotë se ka në plan të apelojë gjobën e fundit.

“Kemi seanca gjyqësore rreth tre herë në javë dhe gjobitemi në secilën prej tyre”, tha për agjencinë e lajmeve RIA shefi i sherbimit rus në RFE/RL Andrei Shary. “Kompania e konsideron të padrejtë. Çdo vendim gjykate do të apelohet.”

Kongresmeni Michael McCaul shprehu mbështetje për RFE/RL.

“Po vërejmë regjimin e Putinit që shtyp fjalën e lirë dhe po godet aftësitë e Radios Evropa e Lirë dhe Zërit të Amerikës që të veprojnë brenda Moskës”, tha ai për sherbimin rus të Zërit të Amerikës.

“Do të ketë një lëvizje shumë të fuqishme nga Kongresi amerikan, por do t’i kërkoja Presidentit Biden që të flasë drejtpërdrejtë me Presidentin Putin rreth kësaj dhe ta dënojë. Të flasë rreth mundësisë së lirisë së shprehjes në Rusi dhe për të nxjerrë të vërtetën në shesh. Kjo është ajo që Zëri i Amerikës dhe Radio Evropa e Lirë bëjnë”, shtoi ai.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA