...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Parlamenti Evropian votoi masa ndëshkuese ndaj Hungarisë

Neni 7 është miratuar para 16 vjetësh kur BE-ja po zgjerohej nga lindja, për t’i mbajtur vendet përgjegjëse për shkelje të të drejtave të njeriut. Masa ka dy faza: Një mekanizëm parandalues dhe një tjetër sanksionues. Sot ndaj Hungarisë po ndërmerret paralajmërimi dhe nëse nuk ka efektin e duhur, mund të imponohen sanksione dhe të pezullohen të drejtat e votimit të vendit në BE

Voa

13/09/2018 - 13:09

Mocioni u miratua me 448 vota pro, 197 kundër dhe 48 abstenime. Hungaria përballet me sanksione për shkak të politikave ndaj imigracionit, medias, korrupsionit dhe shoqërisë civile.

Në një fjalim para votimit, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker tha se komisioni i kundërshton të gjitha sulmet ndaj shtetit ligjor.

“Neni 7 duhet të hyjë në fuqi kurdo që kërcënohet shteti ligjor”, tha ai.

Ndërsa kryeministri hungarez Viktor Orban tha para Parlamentit Evropian se Hungaria po sulmohet për qëndrimin e ashpër kundër imigracionit.

“Ju informoj se çfarëdo vendimi të merrni, Hungaria nuk do t’i nënshtrohet këtij shantazhi, Hungaria do të mbrojë kufijtë e vet, do të ndalë imigracionin e paligjshëm dhe Hungaria do t’i mbrojë të drejtat e veta, nëse është e nevojshme edhe kundër jush”.

Por zëvendës presidenti i parë i Komisionit Evropian, Frans Timmermans tha se demokracia në vendet anëtare nuk mund të ekzistojë pa shtet ligjor dhe pa respektuar të drejtat themelore.

“Këto vlera karakterizojnë një shoqëri në të cilën liritë individuale, pluralizmi, mosdiskriminimi dhe toleranca mbizotërojnë. Për fat të keq komisioni është dakord me shqetësimet e shprehura në raport, veçanërisht përsa u takon të drejtave themelore, korrupsionit, trajtimit të romëve dhe pavarësisë së gjyqësorit”.

Ai i referohej raportit të hartuar nga Komisioni i Parlamentit për Liritë Civile, Drejtësinë dhe çështjet e brendshme.

Qytetarët në Budapest reaguan

“Përveç faktit që Bashkimi Evropian na dha shumë para, duhet të respektonim një shtet ligjor që ishte më i sofistikuar sesa ligjet tona”, thotë Janos.

“Ne nuk do dalim mirë nga kjo. Dhe gjëja më e keqe është se nuk bëhet fjalë edhe aq për vetë Hungarinë, por për qeverinë e Fideszit”, thotë Ilana Toth.

Për vite me radhë kryeministri hungarez kishte qenë në gjendje t’i shmangte pasojat me gjithë kritikat ndërkombëtare lidhur me demokracinë, sistemin e drejtësisë, keqtrajtimin e imigrantëve dhe të drejtat e njeriut. Por kritikat ishin rritur edhe brenda Partisë Popullore Evropiane, anëtar i së cilës është partia e tij Fidesz. Në fund të vitit të kaluar procedurat e nenit 7 filluan edhe kundër Polonisë lidhur me gërryerjen e pavarësisë së gjyqësorit. Por me Hungarinë, është hera e parë që masat merren për shkak të kërcënimit ndaj vlerave evropiane.

Neni 7 është miratuar para 16 vjetësh kur BE-ja po zgjerohej nga lindja, për t’i mbajtur vendet përgjegjëse për shkelje të të drejtave të njeriut. Masa ka dy faza: Një mekanizëm parandalues dhe një tjetër sanksionues. Sot ndaj Hungarisë po ndërmerret paralajmërimi dhe nëse nuk ka efektin e duhur, mund të imponohen sanksione dhe të pezullohen të drejtat e votimit të vendit në BE.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA