...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Perëndimi pret të fillojë bisedimet me Rusinë duke i quajtur kërkesat “të papranueshme“

Moska ka paraqitur kërkesa të shumta, ndër to edhe reduktimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore dhe mos-anëtarësimin e Ukrainës – kërkesa këto të papranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

Voa

08/01/2022 - 18:37

Bisedimet mes diplomatëve amerikanë dhe atyre rusë do të fillojnë të hënën në Gjenevë pas një ngërçi disa javor në lidhje me vendosjen e forcave ruse pranë kufirit me Ukrainën. Stërvitjet ushtarake dhe mobilizimi i forcave ruse përgjatë kufirit me Ukrainën do të shërbejnë si sfondi i bisedimeve SHBA – Rusi të hënën në Gjenevë, të drejtuara nga Zv.Sekretarja e Shtetit Wendy Sherman dhe Zv.Ministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov. Moska ka paraqitur kërkesa të shumta, ndër to edhe reduktimin e pranisë së NATO-s në Evropën Lindore dhe mos-anëtarësimin e Ukrainës – kërkesa këto të papranueshme për Shtetet e Bashkuara dhe Evropën.

“Është qartë pjesë e skenarit. Paraqesin një listë kërkesash plotësisht të papranueshme dhe pastaj pretendojnë se pala tjetër nuk është angazhuar, për ta përdorur këtë si një lloj justifikimi për veprime agresive. Por realiteti është se Rusia e di mirë se çfarë e papranueshme. Sidoqoftë ekzistojnë fusha, subjekte dhe çështje për të cilat mund të angazhohemi, të zhvillojmë dialog dhe të përpiqemi të përmirësojmë sigurinë e përgjithshme”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Rusia thotë se nuk po përgatit pushtimin e Ukrainës fqinje, dhe këmbëngul se zgjerimi i NATO-s është kërcënim për sigurinë e saj.

“As edhe një centimetër drejt Lindjes, na thanë në vitet 1990. Dhe çfarë ndodhi? Na mashtruan me paturpësi”, tha Presidenti rus Vladimir Putin.

Raundi i parë i bisedimeve duket se do të shërbejë më shumë për të prezantuar mosmarrëveshjet dhe nuk pritet të prodhojë një rezultat të sigurtë për Ukrainën.

“Nuk mendoj se dikush di me saktësi se çfarë ka në mendje Presidenti Putin për Ukrainën. Mendoj se administrata Biden ka bërë më të mirën për të bashkuar aleatët në koordinimin e politikave, duke i dhënë sinjalin Rusisë se synon të vendosë sanksione shumë më të forta se më parë”, thotë John Tefft, Ish-ambasador amerikan në Rusi dhe Ukrainë.

Ndërsa zoti Putin përpiqet ta mbajë fokusin tek Ukraina, në protestat anti-qeveritare në Kazakistan, një tjetër vend fqinj i Rusisë, janë vrarë dhjetëra persona dhe plagosur qindra të tjerë. Moska ka dërguar forca ushtarake për të ndihmuar në shtypjen e trazirave, pas një kërkese nga Presidenti kazak Kassym-Jomart Tokayev. Nuk është e qartë përse zoti Tokayev iu drejtua Moskës për ndihmë, i tha Zërit të Amerikës Sekretari i Shtetit Blinken.

“Gjithësesi, mendoj se një leksion nga historia është se pasi rusët të janë futur në shtëpi, është ndonjëherë shumë e vështirë t’i largosh”, tha Sekretari Blinken.

Shtëpia e Bardhë ka mohuar të ketë hartuar përpara bisedimeve opsione për tërheqje të forcave amerikane nga Evropa Lindore. Pas takimit të Gjenevës, NATO dhe Këshilli me Rusinë do të takohen në Bruksel më 12 janar. Bisedime të tjera me format më të gjerë, ku do të përfshihen Shtetet e Bashkuara, NATO, Rusia, Ukraina dhe vende të tjera ish-sovjetike, do të vazhdojnë në Vjenë më 13 janar.   

SHBA nuk pret arritje konkrete në bisedimet me Rusinë

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha të dielën se Shtetet e Bashkuara nuk presin ndonjë arritje në bisedimet e kësaj jave me Rusinë, të cilat janë të rëndësishme për të ardhmen e marrëdhënies mes dy vendeve. Bisedimet kanë në epiqendër Ukrainën, por prej tyre ndoshta varet edhe vetë stabiliteti në Evropë pas Luftës së Ftohtë. Ai i tha emisionit “State of the Union” të kanalit CNN se progresi do të varet nga veprimet e të dyja palëve gjatë negociatave dhe se Uashingtoni shpreson se do të shmanget perspektiva e një pushtimi të ri të Ukrainës nga Rusia.

Më herët, një zyrtar i lartë i administratës së Presidentit Biden kishte thënë se Shtetet e Bashkuara nuk janë të hapura të diskutojnë kufizime të mundshme në dislokimet e trupave amerikane ose praninë e forcave amerikane në vendet e NATO-s në rajon. Megjithatë, ai la të hapur mundësinë që palët të diskutojnë kufizimin e stërvitjeve ushtarake dhe dislokimin e raketave në rajon.

Dallimet e thella në qëndrimet e dy vendeve nuk ngjallin shpresë për ndonjë zgjidhje të shpejtë për çështjen e Ukrainës apo tema të tjera me interes të ndërsjellë, ndërkohë që mosbesimi duket të jetë në nivelin më të lartë që nga rënia e Bashkimit Sovjetik. Raundi i parë i bisedimeve duket se do të shërbejë më shumë për të prezantuar mosmarrëveshjet.

“Nuk mendoj se dikush di me saktësi se çfarë ka në mendje Presidenti Putin për Ukrainën. Mendoj se administrata Biden ka bërë më të mirën për të bashkuar aleatët në koordinimin e politikave, duke i dhënë sinjalin Rusisë se synon të vendosë sanksione shumë më të forta se më parë”, thotë John Tefft, Ish-ambasador amerikan në Rusi dhe Ukrainë.

Vendet aleate pranojnë se Ukraina dhe Gjeorgjia nuk janë ende gati për anëtarësim dhe ka pak gjasa që ato të mund të ftohen për t'iu bashkuar NATO-s së shpejti, por ata këmbëngulin se dyert e aleancës duhet të mbeten të hapura. Analisti i pavarur politik rus Dmitry Oreshkin tha se për udhëheqësin rus Vladimir Putin, është e pamundur që Ukraina ose Gjeorgjia të mund të anëtarësohen në NATO.

“Putini nuk mund ta pranojë që Ukraina, apo Gjeorgjia, t’i bashkohen NATO-s. Mund ta ketë pranuar ndoshta për shtetet balltike, si një kauzë e humbur, pjesë e NATO-s etj., por ka vendosur të kundërshtojë deri në fund për Ukrainën. Dhe mënyra e vetme që të sigurojë një autoritet politik të dorës së fortë mbi çështjen e Ukrainës është duke krijuar tension në kufi”, thotë zoti Oreshkin.

Bisedimet e Gjenevës, që do të pasohen nga sesione të tjera në Bruksel dhe Vjenë, synojnë shmangien e një krize. Presidenti rus Vladimir Putin ka grumbulluar dhjetëra-mijëra trupa përgjatë kufirit me Ukrainën, duke shkaktuar shqetësim për një ndërhyrje të mundshme ushtarake.

*Perditesuar

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA