...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Përshkallëzimi i retorikës së Turqisë kundër Greqisë dhe dy skenarët e Erdoganit

Ndërsa Greqia po përgatitet për gjithë skenarët dhe po fuqizon mbrojtjen e ishujve, sidomos forcat detare, ajo shpreson në përfshirjen e SHBA-së dhe evropianëve

Ylli Përmeti

14/06/2022 - 13:59

Erdogani kërcënoi Greqinë gjatë provave ushtarake për çmilitarizimin e ishujve grekë me luftë. Nuk përmendi fjalën “luftë” por nënkuptoi përdorimin e fuqisë ushtarake. “Folini mendjes, tha Erdogani mes të tjerash, “nuk hokoj” me çmilitarizimin e ishujve! Një ditë më pas ai tha në kongresin me rininë e partisë në qytetin Van se “gjeneralët grekë janë hipokritë. Do ta pësojnë si stërgjyshërit e tyre”― ndërsa i tha Miçotakit se: “Unë të mikprita, të qerasa ushqim, u pajtuam të flasim pa të tretë, por pas 15 ditësh shkove në SHBA dhe fole kundër nesh dhe për F-16...Këto nuk i përpijmë Miçotaq. Manga e atij populli nuk përpin të tilla...kur 100 vite më parë stërgjyshërit e tu donin të bënin të tilla, e di se ç`pësuan, mos pësoni njësoj. Do të jetë i rëndë çmimi”.

Nuk harroi të përmendte edhe një herë bazat ushtarake amerikane në Greqi dhe qëllimin e tyre ndërsa shtoi se “politikën e perëndimit nuk mund ta besosh”.

Këto kërcënime e të tjerë të ngjashëm nga anëtarë të tjerë të qeverisë së tij kur kanalet e kumtimit (komunikimit) mes Greqisë dhe Turqisë janë mbyllur ndërsa Athina shpreson në një kanal që vlerësohet se qendron ende i hapur: mes Shtëpisë së Bardhë dhe Selisë Presidenciale; ky i fundit është krijuar janarin e kaluar nga këshilltari i sigurisë kombëtare amerikane, Xheik Salivan, kur foli me bashkëpunëtorin e Erdoganit, Ibraim Kalinin. Madje, raportohet se po bëhen përpjekje që të sapo përmendurit të takohen në kuadër të përafrimit mes dy vendeve.

Sidoqoftë, “Kathimerini” tregon në një analizë se Turqia ka në plan dy lëvizje: njëra në nivelin diplomatik―me përdorimin e kanaleve zyrtare të OKB-së me qëllim që Turqia të njoftojë në nivel ndërkombëtar qendrimin e saj mbi ekzistencën e ishujve me “sovranitet të papërcaktuar” në Egje ose “zonat gri” siç quhen ndryshe. Lëvizja tjetër lidhet me lejimin e ndërmarrjes shtetërore turke naftënxjerrëse (TRAO) për të zhvilluar kërkime në Rodos dhe Kretë. Kjo lëvizje mund të përballet, citon gazeta, me përshkallëzim të skajshëm i cili mund të çonte në përsëritjen e skenarëve të ngjshëm me ata të gusht-nëntor 2020, por me një ndryshim kritik: “Në rastin në fjalë ishte vetëm Kastelorizi ndërsa në perëndim janë një seri ishujsh sovranitetin e të cilëve dyshon Turqia”.

Ndërsa Greqia po përgatitet për gjithë skenarët dhe po fuqizon mbrojtjen e ishujve, sidomos forcat detare, ajo shpreson në përfshirjen e SHBA-së dhe evropianëve por shpreh shqetësim lidhur me qendrimin e Italisë, e cila ka planifikuar një mbledhje në 22 qershor për të ardhmen e Libisë, nga e cila mungon, edhe një herë, Greqia, ndërsa merr pjesë Turqia.          

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA