...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Presidentja e re e Maqedonisë “krenare” trazon Greqinë dhe BE-në

Presidentja e re bëri një hap pas kur njoftoi se në shfaqjet publike ajo ka të drejtë të përdorë emrin “Maqedoni” pa fjalën shoqëruese “e Veriut” si shprehje e saj vetjake por do t`i përmbajet marrëveshjes së Prespës

Ylli Përmeti

13/05/2024 - 17:54

Presidentja e parë grua e Maqedonisë së Veriut: Ballkani së pari, pastaj Brukseli

Për herë të parë që nga pavarësimi në vitet ‘90, Maqedonia e Veriut zgjodhi një grua për presidente të shtetit. Profesoresha universitare, Gordana Silanovska-Davkova, e cila mbështetet nga partia e djathtë opozitare, VMRO-DPMNE, e fitoi balotazhin presidencial më 8 maj, kundër kandidatit të Lidhjes Social-Demokrate, Stevo Pendarovski, deri më tash president.

Në fjalimin e parë para opinionit, pas fitores, Silanovska-Davkova tha se do të jetë presidente e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë etnike apo partiake.

“Nga ky moment do të sillem si presidente e të gjithë qytetarëve, të gjitha grupeve etnike, të gjithë anëtarëve partiakë, atyre që nuk janë në parti... sepse presidentja nuk mund ta bashkojë popullin dhe të kërkojë unitet nëse mban vija partiake”, tha ajo.

Fqinjëve u bëri thirrje që ta mbështesin, siç tha, ballkanizimin, ta ndihmojnë njëri-tjetrin dhe të jenë politikanë të vërtetë.

“Duhet të fillojmë ta kuptojmë njëri-tjetrin, ta ndihmojmë njëri-tjetrin, të mos kërkojmë veto, por të kërkojmë mbështetje. Rrugët e mia së pari çojnë në Ballkan, dhe, natyrisht, as Brukseli nuk është jashtë”, tha Silanovska-Davkova.

Çfarë “Maqedonie krenare” premton?

Gjatë fushatës parazgjedhore, Silanovska-Davkova u paraqit si profesoreshë dhe si përfaqësuese e pavarur në Kuvend. Në programin e saj “Maqedonia është sërish krenare”, shkruan se Marrëveshja e Prespës, që ndryshoi emrin e Maqedonisë në Maqedoni të Veriut, “është çështje e hapur”, dhe se në fjalimet e saj para publikut nuk do ta përdorë fjalën “e veriut” në emrin e shtetit.

Ajo nuk e mbështet ndryshimin e Kushtetutës, por në një intervistë dhënë Radios Evropa e Lirë së voni, tha se nëse Kuvendi i miraton amendamentet kushtetuese - të cilat do të mundësonin që bullgarët dhe pesë pakicat e tjera etnike të bëheshin pjesë e Kushtetutës maqedonase - ajo do t’i respektonte ato.

Ndryshimet e tilla në Preambulën e Kushtetutës janë kusht për Maqedoninë e Veriut që t’i vazhdojë negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Brenda një afati prej dhjetë ditësh, Silanovska-Davkova, si presidente, do t’ia ndajë mandatin për formimin e Qeverisë së re kandidatit të partisë, përkatësisht partive që kanë shumicën në Kuvend.

Silanovska-Davkova hyri në qarkoren e dytë zgjedhor si favorite, pasi në qarkoren e parë më 24 prill - kur garuan gjithsej shtatë kandidatë - fitoi dyfish më shumë vota se kandidati i përkrahur nga Lidhja Social-Demokrate, Stevo Pendarovski. Në balotazh, Silanovska-Davkova fitoi 363.085 vota dhe Pendarovski 180.499 vota. Ky ishte një rezultat krejt i kundërt në krahasim me duelin e tyre të parë zgjedhor në vitin 2019, kur fitoi Pendarovski.

Mandati aktual i Pendarovskit skadon më 12 maj. Deri atëherë, Kuvendi duhet të mbajë seancën për inaugurimin e presidentes së re. Në këtë rast, seancën ceremoniale për inaugurimin e presidentes së re do ta mbajnë deputetët nga përbërja e deritashme e Kuvendit.

Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, tha se ky institucion do të mundohet t’i respektojë të gjitha afatet, në mënyrë që më 12 maj vendi ta ketë presidenten e re.

Pesë presidentë dhe gjashtë cikle zgjedhore

Që nga pavarësia e Maqedonisë së Veriut, vendi ka pasur gjithsej pesë presidentë.

I pari, Kiro Gligorov, ka pasur dy mandate. Për të parin është zgjedhur me votim të fshehtë në Kuvendin e Maqedonisë, më 27 janar 1991. Për mandatin e dytë dhe të gjithë të mëvonshmit janë zgjedhur në zgjedhje të përgjithshme dhe të drejtpërdrejta.

Gligorov e ka fituar mandatin e dytë në vitin 1994 dhe pas tij në këtë pozitë ka ardhur Boris Trajkovski, më 1999. Ai ka qenë president deri në vdekjen e tij tragjike në një aksident avioni, në vitin 2004.

Presidenti i tretë më pas është bërë udhëheqësi i atëhershëm i Lidhjes Social-Demokrate, Branko Cërvenkovski, i cili ka qëndruar në atë pozitë vetëm për një mandat.

Pas tij, në vitin 2009, Gjorgje Ivanov, i propozuar nga VMRO DPMNE-ja, i ka fituar zgjedhjet dhe ka mbajtur dy mandate, deri në vitin 2019, kur në krye të shtetit është zgjedhur Stevo Pendarovski. REL   

BE shpreh keqardhje

Bashkimi Evropian shprehu të dielën keqardhjen për faktin që presidentja e re e Maqedonisë, Siljanovska-Davkova, nuk përdori emrin kushtetues të vendit gjatë ceremonisë së saj të betimit. Nëpërmjet një deklarate të zëdhënësit për çështjet e jashtme dhe politikën e sigurisë, Bashkimi Evropian risjell në vëmendje rëndësinë e respektimit të plotë të marrëveshjeve ekzistuese dhe të detyrueshme, përfshirë Marrëveshjen e Prespës me Greqinë.

Ceremonia në parlament për betimin e presidentes së re të vendit, Gordana Siljanovska Davkova mblodhi ligjvënësit e të gjitha partive, drejtues të institucioneve më të larta, krerët e komuniteve fetare, si dhe përfaqësuesit diplomatikë. Presidentja e re është profesore univeristeti dhe një nga hartueset e kushtetutës së vendit. Gjatë betimit në parlament ajo nuk e përdori referencën “Maqedoni e Veriut” siç është në kushtetutë, por emrin e vjetër “Maqedoni”.

Zonja Siljanovska gjatë fjalimit vuri theksin tek roli dhe përfaqësimi i gruas në politikë, duke kritikuar kështu drejtuesit politikë meshkuj të vendit për injorimin e gruas në vendimmarrje dhe konkretisht në përfaqësimin në parlament. Ajo foli për angazhimin kundrejt sundimit të ligjit, “dhe jo sundimin e disa individëve dhe disa burrave”, siç u shpreh ajo.

Ajo tha se "do të jetë presidente edhe e krahut të majtë dhe atij të djathtë në sallën e parlamentit; e të gjithë qytetarëve pa dallim përkatësie etnike, fetare e gjinore".

“Do të përpiqem t’i arsyetoj këto mijëra vota të cilat paraqesin zotimin më të madh që kam pasur ndonjëherë në jetë”, deklaroi ajo por pa thënë asnjë fjalë lidhur me synimin e vendit drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Fjalimi i saj ka nxitur reagime në Greqinë fqinje, teksa ambasadorja greke e cila ishte e pranishme në ceremoninë e betimit, u largua në mënyrë demonstrative pasi zonja Siljanovska në minutat e para të marrjes së detyrës shkeli Marrëveshjen e Prespës, duke mos iu referuar vendit të saj me emrin e ri kushtetues. Për këtë arsye, partitë shqiptare të Frontit Evropian e komentuan paraqitjen e saj si shkelje të kushtetutës.

Vetëm ligjvënësit e partisë së saj VMRO-DPMNE e duartrokitën fjalimin. Gordana Siljanovska Davkova fitoi me një rezultat të thellë prej 560 mijë votash në balotazhin e 8 majit. Por, roli i presidentit në Maqedoninë e Veriut është kryesisht ceremonial, ndonëse është komandant i përgjithshëm i ushtrisë; ka të drejtën e vetos së ligjeve, mund t'i falë dënimin të burgosurve dhe luan një rol në politikën e jashtme të vendit. Voa

Megjithatë, presidentja e re bëri një hap pas kur njoftoi se në shfaqjet publike ajo ka të drejtë të përdorë emrin “Maqedoni” pa fjalën shoqëruese “e Veriut” si shprehje e saj vetjake por do t`i përmbajet marrëveshjes së Prespës.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA