...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pse nuk ndërhyri Nato-ja në Qipron e vitit 1974 mes Turqisë dhe Greqisë?

Përpara se të tregoj mitin e “sigurisë sonë kombëtare” do të ishte e domosdoshme të kuptojmë se pse nuk ndërhyri Nato-ja në rastin e ndërhyrjes ushtarake turke në Qipro mes Greqisë dhe Turqisë

SHJ

02/06/2022 - 17:01

Në analizën e radhës Ylli Përmeti tregon arsyet se pse nuk ndërhyri Nato-ja në Qipron e vitit 1974 kur Greqia dhe Turqia ishin në prag të luftës; tregon, gjithashtu, dhe ndryshimet që kanë ndodhur që nga ajo kohë dhe arsyet se pse Greqia po shkon për “lesh dhe do të kthehet e qethur”: 

Përpara se të tregoj mitin e “sigurisë sonë kombëtare” do të ishte e domosdoshme të kuptojmë se pse nuk ndërhyri Nato-ja në rastin e ndërhyrjes ushtarake turke në Qipro mes Greqisë dhe Turqisë. Qiprua u themelua si shtet i pavarur në vitin 1960 sipas kushtetutës së hartuar nga marrëveshja mes Londrës dhe Zyrihut. Nga ky vit deri në vitin 1974 pati tensione të brendshme mes qipriotëve grekë dhe qipriotëve turq ku u përfshin pushtetet e jashtme (Athina, Ankaraja, Londra, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik). Athina ishte nën pushtetin e juntës ushtarake e mbështetur nga SHBA-ja. Kjo e fundit organizoi një grusht shteti në Qipro me qëllim që ta bashkonte me Greqinë. Si pasojë, Turqia ndërhyri ushtarakisht për të mbrojtur qipriotët turq. Që nga ajo kohë tensionet mes Athinës dhe Ankarasë kanë qenë të përhershme me të parën të mos njoh deklaratën e pavarësisë nga qipriotët turq të shpallur në vitin 1983.     

Kujtoj se kur Turqia pushtoi Qipron, Nato-ja me në krye Uashingtonin, nuk u përpoq as t`i paqëtonte përpara ndërhyrjes ushtarake e as të mbronte palën greke e cila pretendon se i takon gjithë ishulli. Bashkimi Sovjetik e lidhi armiqësinë mes aleatëve të Nato-s në atë kohë me aleancën perëndimore: “BS, në një përpjekje për të lidhur Nato-n drejtpërdrejt me armiqësitë në Qipro, nënkuptoi sot se aleanca perëndimore kishte urdhëruar pushtimin turk të ishullit pasi dështoi të fitonte kontroll përmes grushtit të shtetit të udhëhequr nga Greqia më herët”, citonte New York Times në atë kohë duke cituar gazetën “Pravda” të partisë komuniste.

Sipas të njëjtës gazetë, diplomatët evropianë ishin të përçarë në Nato në fillim të krizës mbi Qipron. Por ata u përballën me zyrtarët amerikanë, sepse “administrata e Niksonit ishte përfshirë në prapaskenë në Greqi dhe Turqi kur partnerët e tjerë të aleancës ishin të lirë të mbanin një qendrim publik kundër udhëheqësve grekë”. Në vigjile të pushtimit turk të Qipros me banorë turko-qipriotë, nën-sekretari i shtetit Xhozef J. Sisko paralajmëroi kryeministrin turk Bulent Exhevit se nëse ai shkonte në luftë kundër Greqisë, do ta izolonte Turqinë dhe do të humbiste ndihmën ushtarake amerikane” ndërsa një ditë më pas “paralajmëroi kryeministrin grek Adamantios Andruçopulos se nëse Greqia shkonte në luftë kundër Turqisë ajo do të përballësh me ndalim të furnizimeve me armë amerikane dhe do ta gjente veten të izoluar, gjithashtu”.

Pikërisht për këtë arsye―se në rast lufte mes Greqisë dhe Turqisë― Nato-ja dhe Uashingtoni mund të mos e ndihmojë Greqinë, kjo e fundit nënshkroi vitin e kaluar traktat me Francën për t`u mbrojtur nga Turqia. Por edhe me këtë “aleancë” shumë në Greqi dyshojnë përfshirjen e Francës. Dyshimi tyre buron nga fakti se shtetet në rast lufte shikojnë interesin e tyre dhe jo nga natyra e traktatit: se ai nuk i ‘detyron’ palët të mbrojnë njëra-tjetrën por ato thjesht zotohen se...Nga ky traktat do të fitojë më shumë Franca meqë ajo angazhon një shtet tjetër për t`i blerë armë asaj në mënyrë të përhershme dhe meqënse Franca është përfshirë rëndë në disa vende afrikane.  Ky fakt nënkupton se ushtria greke do të shkojë pas ushtrisë franceze në vendet përkatëse. Këta dy fakte u përmendën dhe nga opozita greke (Syriza) në parlamentin grek kur u miratua traktati por pa paraqitur ndonjë rrugëzgjidhje tjetër. Efekti tjetër është se Greqia nuk ka zhvilluar as e synon pavarësinë e industrisë ushtarake ose prodhimin e armëve brenda vendit.

Ndryshe nga Greqia, Turqia e “Erdoganit” është orientuar drejt ‘autonomisë’ ushtarake. Nga ky orientim ajo nuk mund të kërcënohet nga Uashingtoni me ndonjë ndërprerje të ndihmës ushtarake si në vitin 1974, sepse Uuashingtoni e ka ndaluar ndihmën ushtarake, pavarësisht se kërcënimet nuk do të mungojnë lidhur me izolimin e ekonomisë turke.

Megjithëse ajo ka shumë rrugë për ta kthyer vendin të pavarur ushtarakisht dhe ta mbrojë nga kërcënimet e Uashingtonit, në kushtet aktuale ajo mund ta përballojë luftën me Greqinë ndërsa kjo e fundit mbetet e varur nga Franca dhe prodhues të tjerë dhe do ta zhyste atë edhe më shumë në detyrime ndaj elitave perëndimore. Greqia ka dhe një dizavantazh tjetër në raport me Turqinë: ajo është shumë e ekspozuar në Egje: ishujt e saj janë të përhapur në gjithë hapësirën e detit dhe e bën atë të pamundur për t`i mbrojtur nga sulmi ―nëse do të jetë drejt gjithë ishujve ku ka baza ushtarake― i ushtrisë turke; madje me nëndetëset e saj Turqia mund shkojë në brigjet e Athinës dhe të asgjësojë pushtetin politik atje.

Dizavantazhi tjetër lidhet me fqinjësinë: Athina në veri rrethohet kryesisht nga shqiptarët. Pavarësisht se ka kapur pushtetin politik dhe mediatik në Tiranë, ajo ka shtuar frymën armiqësore ndaj nesh, sidomos me politikat e saj hegjemoniste. Kështuqë populli ynë, pavarësisht se e vërteta do t`i çensurohet si në çdo rast tjetër nga elita politike dhe mediatike duke përfshirë dhe akademikët e mjerimit, do të mbante anën e Turqisë, jo sepse shumica është muslimane, më shumë e deklaruar se sa si fetare e vërtetë, por sepse një ndjesi drejtësie do të mbizotërojë, në të cilën do të kontribojë dhe ndjesia e padrejtësisë së Athinës ndaj nesh tre dekadat e fundit. Në këto kushte, Greqia do të gjendësh mes shkëmbit dhe greminës dhe do të ngjizste në gojën e popullit thënien: “shkoi për lesh dhe u kthye e qethur”―sepse lufta me Turqinë shkaktohet nga vetë ajo.    

Miti i “sigurisë kombëtare” dhe efektet e dëmshme të zgjerimit të bazave ushtarake të Nato-s në Shqipëri

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA