...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Putini paralajmëron Bajdenin për sanksionet: “gabim kolosal”

Putini paralajmëroi Bajdenin se sanksionet lidhur me Ukrainën mund të çojnë në një ndërprerje tërësore të marrëdhënieve dhe se do të ishin një “gabim kolosal”. Sanksionet mund të përfshijnë ekonominë, sektorin financiar, dhe industrinë ushtarake ruse

SHJ

01/01/2022 - 19:31

Presidenti amerikan Joe Biden bisedoi për herë të dytë brenda një muaji drejtpërdrejt me homologun e tij rus dhe i kërkoi të ulë tensionet, pasi Presidenti Vladimir Putin vazhdon të grumbullojë ushtarë pranë kufirit me Ukrainën. Putini paralajmëroi Bajdenin se sanksionet lidhur me Ukrainën mund të çojnë në një ndërprerje tërësore të marrëdhënieve dhe se do të ishin një “gabim kolosal”. Sanksionet mund të përfshijnë ekonominë, sektorin financiar, dhe industrinë ushtarake ruse.   

Presidenti Joe Biden foli për herë të fundit me presidentin rus Vladimir Putin më pak se një muaj më parë. Të dy folën përsëri të enjten. Presidenti Biden i kërkoi Putinit që të ulte tensionet me Ukrainën, tha Shtëpia e Bardhë pas përfundimit të telefonatës 50-minutëshe. Telefonata e një rëndësie të lartë erdhi ndërsa udhëheqësi rus vazhdon të grumbullojë dhjetëra mijëra trupa përgjatë kufirit ukraina.

Zyrtarët e administratës Biden thanë se të dy udhëheqësit patën një diskutim "serioz dhe thelbësor". Por kur u pyet, një zyrtar i lartë i administratës, tha se presidenti rus nuk bëri "asnjë deklaratë në lidhje me synimet e tij". Zyrtarë të nivelit të lartë nga të dy vendet do të takohen sërish në fillim të janarit në Gjenevë, për të vazhduar bisedimet.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskiy, shkroi të mërkurën në Twitter se Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken u zotua për "mbështetje të plotë për Ukrainën për të përballuar agresionin rus”. Më herët në dhjetor, ai vizitoi frontin e luftës dhe tha se ushtarët e tij ishin gati.

Edhe pse analistët duket se dyshojnë se Putini do të pushtojë Ukrainën, ata shqetësohen se dhjetëra mijëra trupa luftarake në rajon mund të ndezin aksidentalisht, ose qëllimisht një luftë.

“Nëse ai po bën blof, ky është një shqetësim shumë serioz, me rreziqe për Putinin, sepse ai duhet të sigurohet që 100,000 trupat janë në gadishmëri për luftë, por që nuk do të ndërmarrin vetë ndonjë iniciativë përpara se të jepet një urdhër. Është një situatë, që është e mbushur me rreziqe nga të dyja palët”, thotë Will Pomeranz me Qendrën “Wilson”.

Çfarë mund të ndodh më tej? Shtëpia e Bardhë ka thënë në mënyrë të përsëritur se do të ketë "pasoja të rënda" nëse Rusia sulmon Ukrainën, duke përfshirë sanksione të ashpra ekonomike dhe shtim të ndihmave për sigurinë e Ukrainës. Por disa analistë thonë se Putini po luan një teatër politik.

“Putini krijoi me sukses një ndjenjë emergjence. Nëse vini re, gjuha është pothuajse e njëjtë. Ai është gati të fillojë luftë, është gati të pushtojë Ukrainën. Dhe, me sa duket, Shtëpia e Bardhë e merr seriozisht. Unë nuk e shoh kështu sepse, siç kam shkruar dhe folur për këtë, Putini nuk do të pushtojë Ukrainën në këtë moment. Ai po luan për audiencën e tij vendase. E gjithë kjo është një pjesë e lojës që Putini po luan dhe mendoj se do të vazhdojë ta luajë, të paktën deri në zgjedhjet e vitit 2024“, thotë Leon Aron me Institutin “American Enterprise”.

Raundi tjetër i bisedimeve dypalëshe fillon më 10 janar në Gjenevë, por pa pjesëmarrjen e presidentëve. Deri atëherë, mbetet për t’u parë nëse situata do të jetë e njëjtë në frontin ukrainas.

Një ditë më pas

Presidenti Joe Biden do të zhvillojë të dielën një bisedë me Presidentin e Ukrainës Volodymyr Zelenskiy bëri të ditur një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë. Në ditët e fundit të vitit 2021 Presidenti Biden bisedoi me homologun rus Vladimir Putin në një përpjekje për të ulur tensionet në kufirin Ukrainë-Rusi.

Të premten Presidenti Biden u tha gazetarëve se ai i kishte ripërsëritur zotin Putin qëndrimin, se një sulm ndaj Ukrainës do të përballej me sanksione dhe një prani të shtuar të SHBA-së në Evropë, ku tensionet janë të larta mes një rritjeje të pranisë ushtarake të Rusisë në kufi. Biseda telefonike të enjten mes dy udhëheqësve zgjati 50 minuta.

Presidenti amerikan tha se kishte rënë dakord me zotin Putin për zhvillimin e "tre konferencave të mëdha" muajin e ardhshëm për të ndihmuar në gjetjen e një zgjidhjeje. Ai shtoi se priste përparim nga negociatat. Por zoti Biden tha se gjatë bisedës me zotin Putin e kishte bëra të qartë se kjo mund të funksiononte vetëm nëse ai (Putin) ulte tensionet.

Biseda Biden-Putin i hap rrugën bisedimeve të nivelit më të ulët që përfshin takimin për çështje të sigurisë SHBA-Rusi më 9 dhe 10 janar, ndjekur nga një takim Rusi-NATO më 12 janar dhe një konferencë më e gjerë, që përfshin Rusinë, SHBA-në dhe vende të tjera evropiane, më 13 janar.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u përpoq të hidhte bazat për këto bisedime të premten gjatë një telefonate me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg e udhëheqës të vendeve të tjera njoftoi Departamenti i Shtetit. Në bisedat me ministrat e jashtëm të Kanadasë dhe Italisë, zoti Blinken diskutoi rreth një përgjigje të bashkuar për të ndalur siç tha, agresionin e mëtejshëm rus kundër Ukrainës.   

Në këtë raport të përditësuar ka kontribuar Voa

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA