...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Senati amerikan miratoi reformën e taksave për “ekonominë e çurgës”

Propozimi themelor përfshin reduktimin e përhershëm të taksave të korporatave, uljen e përkohshme të taksave të pagave, dhe do të nxisë disa reduktime nga të cilat amerikanët mund të përfitojnë, por do të eliminojë të tjera dhe do të rrisë borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, i cili aktualisht është më shumë se 20 trilionë dollarë.

VOA

03/12/2017 - 19:06

Senati i Shteteve të Bashkuara miratoi një projekt-ligj republikan për taksat me një votim 51 pro, dhe 49 kundër, në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Projekt-ligji historik i senatit dhe versioni i miratuar më herët nga Dhoma e Përfaqësuesve tani duhet të koordinohen. Ligji përfundimtar pastaj duhet të miratohet nga të dy dhomat e Kongresit, përpara se të shkojë në tryezën e presidentit për nënshkrim.

Senatori amerikan Jeff Flake tha të premten se do të votonte pro për projekt-ligjin. Dhe në këmbim të votës së tij “pro”, ai tha se kishte marrë premtimin për miratimin e një ligji që do të mbrojë pothuajse 800,000 të rinj pa dokumenta që u sollën në Shtetet e Bashkuara nën moshën 15 vjeçare.

Vota e Senatorit Flake e vendosi projekt-ligjin në rrugën e duhur për miratim.

Presidenti Trump e përshëndeti miratimin në Twitter, duke falënderuar udhëheqësin e shumicës së Senatit, Mitch McConnell dhe kryetarin e Komisionit të Financave të Senatit, Orrin Hatch.

“Mezi pres të nënshkruaj projekt-ligjin përfundimtar para Krishtlindjeve!” shkruajti presidenti.

Propozimi themelor përfshin reduktimin e përhershëm të taksave të korporatave, uljen e përkohshme të taksave të pagave, dhe do të nxisë disa reduktime nga të cilat amerikanët mund të përfitojnë, por do të eliminojë të tjera dhe do të rrisë borxhin kombëtar të Shteteve të Bashkuara, i cili aktualisht është më shumë se 20 trilionë dollarë.

"Zoti President, nëse duam t’i ulim taksat për klasën e mesme, siç vazhdojnë të thonë kolegët tanë, atëherë le të shkurtojmë taksat për klasën e mesme në vend që t’ia japim paratë korporatave, në vend që të rrimë duke shpresuar se shkurtimi i taksave të korporatave do të ndihmojë klasën e mesme dhe të ulët. Nëse doni të ndihmoni klasën e mesme, vendosini paratë direkt në xhepat e tyre. Reforma e taksave duhet të jetë e thjeshtë” tha Senatori demokrat nga shteti i Jutës, Sherrod Brown.

Komisioni i Përbashkët Jopartiak për Tatimet lëshoi një raport të enjten duke vlerësuar se plani i republikanëve do t’i shkurtonte arkëtimet federale më shumë se 1 trilionë dollarë gjatë një dekade, një llogaritje që përfshin më shumë se 400 miliardë dollarë të ardhura të krijuara nga një rritje e parashikuar në aktivitetin ekonomik.

Republikanët kanë thënë se një ekonomi e shëndetshme është e nevojshme për shëndetin fiskal dhe se shkurtimet e taksave do të nxisin rritjen ekonomike.

Nga ana tjetër, Demokratët argumentojnë se defiçiti buxhetor dhe pabarazia e të ardhurave janë rritur pas çdo uljeje taksash të miratuar dekadat e fundit.

Plani i taksave do të ulë tatimet e korporatave nga një normë maksimale prej 35 për qind në 20 për qind.

“Kam biseduar me presidentë kompanish, të cilët më kanë thënë se ata duan të investojnë në Shtetet e Bashkuara. Por tatimi e bën investimin tepër të shtrenjtë për ta sjellë në vend, dhe prandaj ata po kërkojnë mundësi jashtë shtetit ku do të përfitojnë më shumë. Zoti President, ne duhet t’i japim fund kësaj dhe do t’i japim fund me këtë projekt-ligj. Dhe kjo do ta bëjë Amerikën një vend më të mirë për të investuar dhe do të inkurajojë llojin e rritjes, që është një nga shtyllat qendrore të reformës tatimore për bizneset” tha senatori republikan nga shteti i Pensilvanisë, Pat Toomey.

Disa demokratë pajtohen se tatimet e korporatave të Shteteve të Bashkuara duhet të ulen, por thanë se plani republikan i shkurton shumë dhe se në të ardhmen do të shkaktojë shkurtime në programe federale që ndihmojnë të varfërit dhe të moshuarit.   

Më Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA