...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

SHBA-ja ndryshon strategji për kundërzbulimin duke përdorur qasjen e sigurimit të Enverit

Strategjia e re e kundërzbulimit, e njoftuar të hënën, nuk do të përqendrohet më tek armiq konkretë, përkundrazi ajo do të gjejë mënyra për të mbrojtur më mirë pikat e dobëta të vendit

Voa

12/02/2020 - 13:54

Avancimi i shpejtë i teknologjisë dhe dalja në skenë e rivalëve të rinj gjeopolitikë po i detyron Shtetet e Bashkuara të ndryshojnë mënyrën se si luftojnë ndaj tyre.

Strategjia e re e kundërzbulimit, e njoftuar të hënën, nuk do të përqendrohet më tek armiq konkretë, përkundrazi ajo do të gjejë mënyra për të mbrojtur më mirë pikat e dobëta të vendit.

Drejtori i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë (NCSC), William Evanina përshkroi strategjinë e re si "një ndryshim modeli", i përqendruar në "fushat kryesore ku entitetet e huaja të zbulimit po godasin më shumë, dhe ku duhet të kushtojmë vëmendje më të madhe."

Në një tjetër ndryshim nga e kaluara, strategjia e re e kundërzbulimit po mbështetet në më shumë ndihmë, si nga sektori privat ashtu edhe nga publiku.

"Me sektorin privat dhe institucionet demokratike gjithnjë e më shumë nën sulm, ky nuk është më një problem që qeveria e Shteteve të Bashkuara mund ta trajtojë e vetme," tha zoti Evanina. "Kjo kërkon një përgjigje të të gjithë shoqërisë, që përfshin sektorin privat, një publik të mirë-informuar amerikan, si dhe aleatët tanë."

Dokumenti i ri prej 11 faqesh përmirëson strategjinë e mëparshme të hartuar në vitin 2016, dhe ndryshe nga dokumenti paraardhës, emërton kundërshtarët kryesorë të inteligjencës së huaj amerikane. Është një listë që përfshin armiq të njohur, nga vende të tilla si Rusia, Kina, Irani, Kuba dhe Koreja e Veriut, deri te grupet terroriste si Hezbollahu libanez, Shteti Islamik dhe al-Kaida.

Ai paralajmëron gjithashtu për kërcënime më amorfe, por ende domethënëse nga "hakerët, ata që rrjedhin informacione për aktivizëm dhe ata që nuk kanë lidhje zyrtare me shërbimet e huaja të zbulimit".

Publikimi i strategjisë së re u bë në të njëjtën ditë kur zyrtarët amerikanë akuzuan katër oficerë ushtarakë kinezë për një nga vjedhjet më të mëdha të të dhënave në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë thanë se hakerët ushtarakë kinezë përdorën një dobësi për të ndërhyrë në rrjete që i përkasin gjigantit të raportimit të kredive Equifax, duke krijuar qasje në të dhënat personale të gati gjysmës së të gjithë amerikanëve.

Por, strategjia e re e kundërzbulimit i sheh lojërat e tilla si një fillim, për aktorë si Kina dhe të tjerë që gjithnjë e më shumë po kërkojnë mënyra për të minuar infrastrukturën kritike amerikane, si rrjetin e energjisë elektrike, si dhe zinxhirët e furnizimit që "mbështesin qeverinë dhe industrinë amerikane".

"Përpjekjet e tyre kanë të ngjarë të kenë për qëllim ndikimin ose shantazhimin e vendimmarrësve amerikanë në një kohë krize duke mbajtur peng një infrastrukturë kritike," paralajmëron strategjia, duke shtuar se madje edhe platformat e armëve mund të rrezikohen.

Zyrtarët e kundërzbulimit janë po ashtu të shqetësuar që kundërshtarët si Kina po kërkojnë të bëjnë më shumë sesa thjesht të vjedhin pronë intelektuale, e cila i ka kushtuar Amerikës miliarda dollarë.

Subjektet e huaja të inteligjencës "janë futur në laboratorët kombëtarë amerikanë, institucionet akademike dhe industritë", paralajmëron strategjia e re, duke thënë se ata kërkojnë të "ndikojnë dhe shfrytëzojnë politikat ekonomike dhe fiskale të Shteteve të Bashkaura dhe marrëdhëniet e tyre tregtare".

Një fushë tjetër shqetësuese është lufta e informacionit, ku vende si Rusia, Kina dhe Irani kanë synuar të dëmtojnë besimin në institucionet demokratike, të shkaktojnë përçarje në shoqërinë amerikane dhe të dobësojnë aleancat e Shteteve të Bashkuara.

Strategjia e re e kundërzbulimit paralajmëron gjithashtu se si pjesë e këtyre operacioneve, subjektet e huaja janë duke punuar për të "ndikuar dhe mashtruar vendimmarrësit kryesorë, të ndryshojnë perceptimet e publikut dhe të forcojnë teoritë e konspiracionit".

Strategjia e re gjithashtu paralajmëron që kërcënime të tilla ka të ngjarë të intensifikohen, pasi qasja në teknologji si inteligjenca artificiale, llogaritjet kuantike, nanoteknologjia dhe dronët do ta bëjnë më të lehtë sulmin ndaj Shteteve të Bashkaura.

"Aktorët e kërcënimit të jashtëm janë bërë më të rrezikshëm sepse me qasje në teknologji të përparuar, ata po kërcënojnë një gamë më të gjerë objektivash të kategorisë së rrezikut më të ulët", thuhet në dokumentin që shpjegon strategjinë e re amerikane të kundërzbulimit.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA