...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shqetësime për amulli ekonomike në Amerikë dhe Evropë

Tregjet e aksioneve në Shtetet e Bashkuara dhe në Evropë ranë ndjeshëm të mërkurën pasi treguesit kryesorë ekonomikë sinjalizuan mundësi të qarta për një krizë botërore vitin e ardhshëm

Voa

15/08/2019 - 18:00

Treguesit kryesorë të aksioneve në Nju Jork ranë me më shumë se 2 për qind gjatë mesditës. Tregjet evropiane pësuan gjithashtu ulje në të njëjtat vlera.

Pas njoftimeve se SHBA-ja do të shtyjë vendosjen e një tarifë të re prej 10 për qind ndaj importeve kryesore kineze, Dow Jones, ku tregtohen rreth 30 për qind e aksioneve kryesore amerikane, shënoi një ulje me më shumë se 700 pikë, ndryshe nga një rritje e fortë e një dite më parë (të martën).

Analistët thonë se të dhënat e dobëta ekonomike të Gjermanisë dhe Kinës janë shenja paralajmëruese të një ngadalësimi të mundshëm të ekonomisë botërore. Por më e rëndësishmja sipas tyre ishte një përmbysje në të ashtuquajturën kurbë e normave të interesit të bonove amerikane të thesarit, me një periudhë maturimi nga 2 në 10 vjet.

Normalisht, normat e interesit në bonot qeveritare me afat të gjatë maturimi, janë më të larta se ato për periudha më të shkurtra kohore. Por kur ndodh e kundërta sikurse të mërkurën, kjo mund të jetë një shenjë se investitorët kanë shqetësime mbi gjendjen aktuale të ekonomisë amerikane, më e madhja në botë.

Kjo shënon herën e parë të një përmbysjeje të tillë të normës së interesit që nga viti 2005, tre vjet përpara fillimit të krizës amerikane që shënoi rënien më të fortë ekonomike që nga koha e Depresionit të Madh në vitet ‘30.

Kina njoftoi se aktualisht prodhimi i saj në fabrika është më i ulti në 17 vjet, ndërsa Gjermania, motori më i fuqishëm ekonomik i Evropës, tha se prodhimi i saj ekonomik u tkurr në periudhën prill-qershor.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA