...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si doktrina e Trumanit kundër Rusisë dhe Kinës do t`i kthehet bumerang Amerikës?

Strategjia e Amerikës ka shtyrë Rusinë dhe Kinën të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të adoptojnë të njëjtën strategji për Amerikën: se “për Rusinë dhe Kinën, politika e ndrydhjes është ndrydhja e SHBA-së mbi të gjitha”

SHJ

18/04/2022 - 18:57

Po shkëpusim një pjesë nga studimi i Ylli Përmetit për të kuptuar një ndër shkaqet kryesore të luftës në Ukrainë:

NATO-ja i quajti operacionet e saj “Operacioni i Anakondës 2016-të”. Praktika e ‘anakondës’ është se ajo e “mbyt” prenë e saj. Ky term nuk është aspak rastësor: ai nënkupton “mbytjen” e kundërshtarit. Kjo mbytje do të realizohet përmes “strategjisë së ndrydhjes” (“strategy of containment”). Ajo buron, siç argumenton Ivo Daalder, president i Këshillit të Çikagos për Çështjet Botërore dhe ish përfaqësues i përhershëm i NATO-s, nga diplomati amerikan Xhorxh Kanan, i cili argumentonte në vitin 1946-të se ndrydhja ishte përgjigjja e nevojshme kundrejt një sistemi sovjet i cili ishte duke u shtyrë drejt ekspansionit të jashtëm për shkak të dobësive të brendshme. Sjellja e Moskës në familjen e kombeve, siç ishte munduar të bënte Franklin Rusvelti, ishte e pashmangshme të dështonte.

Presionet e jashtme do të sillnin ndryshime të brendshme të nevojshme për të modifikuar sjelljen e jashtme të Sovjetëve. Përgjatë luftës së ftohtë, pyetja e madhe për SHBA-në dhe aleatët e saj ishte se nëse do të kundërshtonte ekspansionin kudo dhe në çdo kohë ai ndodhte, ose se nëse do të izolonte Moskën diplomatikisht dhe ekonomikisht ndërsa përforconte mbrojtjen e interesave të Amerikës në Europë dhe Azi.[21] “Strategjia 40 vjeçare e ndrydhjes”, siç argumenton i njëjti autor, “solli një ndryshim në sjelljen Sovjete dhe në fund rrënimin e BS. Rusia është shumë më e dobët tani se Bashkimi Sovjetik, por ndryshimi i sjelljes do të marrë vite. Si atëherë, ndrydhja kërkon durim dhe vendosmëri për të mbarëvajtur”!

Kjo qasje njihet ndryshe si “doktrina e Trumanit”: sepse ishte ai presidenti i parë amerikan që e vuri në jetë pas vitit 1947, duke i dhënë ndihmë ekonomike dhe ushtarake Greqisë dhe Turqisë, për t`i rezistuar zgjerimit të socializmit sovjet, dhe më pas u zgjerua me “doktrinën e Ajzenhauerit”, në vitin 1957, duke dhënë ndihmë ekonomike dhe ushtarake në vendet e Lindjes së Mesme, për të njëjtën arsye: për të ndaluar prirjet ekspansioniste të komunizmit!

Por si qasja e Kananit ashtu dhe e autorit të sapo përmendur është tre herë e padrejtë: një herë kur thotë se komunistët sovjetë kërkonin të ekspansionoheshin dhe për të njëjtën arsye ata duhet të frenoheshin; një herë kur thotë se ekonomia sovjete ishte e dobët atëherë dhe se ekonomia e Rusisë e ditëve tona është më e dobët se ekonomia sovjete; dhe një herë tjetër, për ‘dobësinë’ ushtarake të Rusisë. Nuk është e rastit që strategjia e Amerikës ka shtyrë Rusinë dhe Kinën të bashkëpunojnë më ngushtë dhe të adoptojnë të njëjtën strategji për Amerikën: se “për Rusinë dhe Kinën, politika e ndrydhjes është ndrydhja e SHBA-së mbi të gjitha”.[22]   

Për më shumë:

Superfuqitë ushtarake dhe mundësitë e shpërthimit të një lufte botërore*

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA