...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Telashet e Vuçiçit me krimin e organizuar dhe diplomatët amerikanë për rrëzimin e tij

Si provë Vullini e konsideron pushkën speciale snajper, e gjetur me arsenalin e armëve të tjera. “Mes rreshtave” lënë për të dyshuar edhe në diplomatë të SHBA-ve, si palë e interesuar për rrëzimin e Vuçiçit?!

Adil Fetahu

12/03/2021 - 20:30

Arrestimi i njëfarë krimineli të mirënjohur dhe të mbështetur e sponsoruar nga strukturat e shtetit të Serbisë, Velko Belivuk, i quajtur Vela Nevola (nevolje, serb: telashe), është në krye të lajmeve të mediave e tabloideve serbe qysh prej fillimit të shkurtit të këtij viti. Bashkë me Velo “Telashën” u arrestuan edhe 19 kriminelë e bashkëpunëtorë të tij, nën akuzë për kryerjen e veprave penale të vrasjeve, pengmarrjeve dhe trafikimit të narkotikëve. Arrestimet kanë vazhduar dhe përditë lajmërojnë për arrestime të reja. Nëse ka seriozitet dhe guxim në zhvillimin e hetimeve, ato do të çojnë deri te vet kreu i shtetit. Deri tash i janë avitur sepse edhe djali i madh i Vuçiçit  (Danillo) është i implikuar si pjesëtar i atij grupi:  të paktën është parë disa herë në shoqëri me grupin kriminal.

Vuçiçi vet e ka paralajmëruar opinionin dhe disa herë e ka përsëritur, se jo vetëm Serbia, por edhe Europa dhe bota do të tronditen kur të shohin se si ky grup i ka vrarë e masakruar kundërshtarët e vet, duke ua prerë kokat e duke lozur futboll me kokat e prera. Madje, Vuçiçi porositi që fotografitë dhe inçizimet që do t’i tregojnë, të mos i shohin fëmijët dhe familjarët e viktimave, sepse do të tmerrohen!.

Për ta informuar opinionin mbi veprimet kriminale të grupit, Vuçiçi kishte parlajmëruar mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare me të vetmen pikë: luftimi i krimit të organizuar. Mbledhja e atij Këshilli u shty dy-tre herë  dhe kur u mbajt më 4 mars, pika e krimit të organizuar ishte renditur në vendin e tretë, pas analizës së situatës në Kosovë dhe pas aksionit të vaksinimit kundër koronavirusit. 

Po çka doli nga fotografitë dhe inçizimet “tronditëse”: asgjë e veçantë ose e jashtëzakonshme për shoqërinë serbe; nuk u trondit askush në Serbi, e aq më pak në Europë dhe në botë, siç kishte paralajmëruar Vuçiçi. Publikut iu treguan fotografi të armëve të konfiskuara, ndër të cilat më së tepërmi u fol për një pushkë snajperi special, të shtrejtë, për të cilin ministri i punëve të brendshme, A.Vulin, thotë se ka qenë i destinuar për të bërë atentat kundër Vuçiçit dhe se këtë detyrë është dashur ta kryejë njëfarë Sllavisha Kokez, i cili nuk ka pranaur të përgjigjet në poligraf, kur është pyetur për këtë gjatë hetimeve.

Në fotografitë e tjera u treguan dy viktima; njëra me kokë të prerë. Nuk u përmend asnjë emër i zyrtarëve të lartë shtetërorë, se janë pjesë e grupit kriminal të arrestuar.  Ministri i policisë foli shumë për 1572 përgjime të bisedave telefonike të Vuçiit dhe anëtarëve të familjes së tij, që i kanë përgjuar disa persona zyrtarë të policisë dhe të BIA-s (agjencia e sigurisë dhe informacionit), dhe shtoi se të gjithë policët e pyetur për këtë temë gjatë hetimeve kanë rënë në poligraf (detektorin e gënjeshtrës)!

Edhe pse gazetarët hulumtues disa herë kishin apostrofuar emrat e përveçëm të disa zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe partiakë, nga radhët e  partisë së Vuçiçit, të implikuar në veprimet kriminale me grupin e arrestuar, Vuçiçi nuk përmendi asnjë prej tyre. Në pyetjen e gazetarëve se ku është Nebojsha Stefanoviçi, ish-ministri i policisë, tash ministër i ushtrisë, Vuçiçi tha se Stefanoviçi ishte në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe se aty do të jetë për sa kohë që është në poziën e ministrit!

Në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë u fol për mënyrën e kryerjes së krimeve makabre që kanë bërë pjesëtarët e grupit kriminal: se kanë rrahur, keqtrajtuar, pengmarrë e vrarë kundërshtarët e tyre; viktimave ua kanë prerë gjuhën, veshët, hundën, madje edhe kokën dhe kanë lozur “futball” me kokat e prera; ato skena makabre i kanë fotografuar dhe inçizuar e ua kanë dërguar në telefonat e anëtarëve të familjes dhe kundërshtarëve të grupit. Ua kanë dërguar edhe ndonjë operativisti të policisë, për t’ua tërhequr vërejtjen se fati i njëjtë do t’i gjejë poqese përpiqen ta pengojnë aktivitetin e grupit. Ato foto dhe inçizime ua kanë dërguar edhe anëtarëve të grupit, duke i kërcënuar se kështu do të veprojnë edhe ndaj tyre, poqese nuk i kryejnë urdhërat që u jepen, apo nëse ndokush “gabon” t’i lajmërojë.

Vetëm gjatë vitit 2020 janë zhdukur pa shenjë 12 vetë. Në 44 telefona të dekoduar, janë gjetur prova dhe emra të personave të piketur për t’i likuiduar, më të shumtët nga radhët e operativistëve të policisë.

Nga hetimet e deritashme në opinion  kanë dalë dyshime se me grupin kriminal, të cilin e udhëheqë Vela Nevola, janë të lidhur zyrtarë të lartë të organeve të pushtetit, ndër të cilët përmenden:

1) Ish-ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviç, aktualisht ministër i ushtrisë së Serbisë;

2) Ish-sekretarja shtetërore në Ministrinë e Punëve të Brendshme, Dijana Hërkalloviç (as kjo nuk ka pranuar të përgjigjet në poligraf);

3) Kryetari aktual i Gjykatës së Lartë të Beogradit, Aleksandër Stepanoviç;

4) Funksionari i lartë i Beogradit, Damir Handanoviç,

5) Kryetari i Lidhjes Futbollistike të Serbisë, Sllavisha Kokez; dhe

6) Udhëheqësi i Klanit “Kavasi”, Radoje Zvicer (nga Mali Zi).

Për veprimet e grupit kriminal dhe personat e përfshirë me grupin, mediat e pavarura kanë alarmuar opinion që dhjetë vjet, por vet strukturat e shtetit i kanë penguar hetimet. Kur gazetarët e pyesnin Vuçiçin se përse djali i tij është parë disa herë në shoqëri me pjesëtarët e grupit kriminal, ky u është përgjigjur: “Pa sta? (ani çka); ju mund të më keni parë edhe mua në ndonjë fotografi bashkë me Dragan Gjillasin, që është krimineli më i madh prej të gjithëve”! Djali i Vuçiçit është parë disa herë bashkë me pjesëtarët e grupit kriminal, në klubet dhe kafenetë e Beogradit, si dhe në Rusi, duke përcjellë ndeshjen e futbollit për kampionatin botëror midis Serbisë e Kostarikës (qershor 2018), dhe në Banjallukë me rastin e festës së asaj krijese gjenocidale serbe, të quajtur Republika Srpska (2020).

Grupi kriminal është kamufluar si grup i tifozëve të ekipit “Partizan” të Beogradit, por është marrë me gjithëfarë krimesh, e më së paku me tifozeri futbolli. Anëtarët më të besueshëm të grupit përbënin një formacion paraushtarak, të quajtur “Janiçari” (jeniçerët). Udhëheqja e grupit ka pasur objektet e veta të burgut, në të cilat i ka mbajtur pengmarrësit, i ka torturuar dhe likuiduar e humbur gjurmët.

Ky grup kriminal ka pasur lidhje edhe me rrethe të caktuara të ushtrisë në kohën kur ministër i saj ka qenë A.Vullini, që tash është ministër i policisë. Sindikata e ushtrisë në vitin 2017 i kishte etikuar e kritikuar disa eprorë ushtarakë se po bashkëpunojnë me Velo Nevolen, të cilit po ia mundësojnë ushtrimin e “janiçarëve” të tij në poligonet ushtarake të qitjes, duke shfrytëzuar armët dhe municionin luftarak të ushtrisë!

Mbrojtja e grupit kriminal nga regjimi i Vuçiçit  lidhet përmes djalit të tij; edhe nëse Vuçiçi këtë nuk e ka bërë me dëshirë, do ta ketë bërë nga frika për djalin, për familjen dhe për veten. Arrestimin e Velo “Telashes”, konspiracioni në Serbi e sheh si shkak të tejkalimit të veprimeve të grupit që ka dalë jashtë kontrollit të pushtetit. Duket se kupa ishte mbushur kur Vela Nevola e kishte rrahur Danillon, djalin e kryetarit të shtetit, në një nga klubet e Beogrdit, në prag të vitit të ri 2021. Dhe gjithnjë e më shpesh flitej se Vela Nevola ka dashur të vrasë Vuçiçin. Për këtë më së shumti flet vet ministri i policisë, Aleksandër Vullin, që është njeriu i cili ka pasur dhe duhet të ketë informacione.

Si provë për këtë Vullini e konsideron pushkën speciale snajper, e gjetur me arsenalin e armëve të tjera. “Mes rreshtave” lënë për të dyshuar edhe në diplomatë të SHBA-ve, si palë e interesuar për rrëzimin e Vuçiçit?! Dhe Vullini nuk do t’ishte ai që është, një poltron i ulët i strukur në papanicën e Vuçiçit, sikur tërë meritën për zbulimin e këtij grupi kriminal të mos ia atribuonte vet kryetarit të shtetit, Aleksandër Vuçiçit, të cilit përpiqet t’ia rrisë përqindjen përmes këtij zbulimi dhe arrestimi të kriminelëve, të cilët i kualifikon më të rrezikshëm sesa klani i Zemunit, i cili e vrau me atentat ish-kryeministrin Zoran Gjingjiç, më 12 mars 2003.

Nga zhvillimi i mëtejshëm i ngarjeve, veçmas nga serioziteti, pavarësia dhe objektiviteti i organeve hetimore, mbetet të shihet se sa telashe ka pasur dhe do të ketë Vuçiçi dhe regjimi i tij me Velo “Telashen”, dhe deri ku do të arrijë vargu dhe rrjeti i bashkëpunëtorëve të grupit kriminal në struturat e pushtetit shtetëror?

Apo e gjithë kjo ujdurmë do të mbetet në fjalinë: “U mbars mali dhe polli një mi”, siç ka ngjarë deri më tash me disa afera të tjera të krimit të organizuar në Serbi?   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA