...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Turpi i gazetarisë shqiptare dhe arsyeja pse iu refuzua fluturimi Lavrovit në Beograd

Media jonë në përgjithësi është për faqe të zezë, kryesisht sepse është krijuar nga pushtetet politike dhe ekonomike dhe punësojnë jogazetarë dhe i paraqesin si gazetarë, megjithëse, edhe ata që janë gazetarë të kualifikuar, u shërbejnë “epsheve” të pushteteve dhe jo deontologjisë gazetareske

SHJ

06/06/2022 - 18:37

Media jonë në përgjithësi është për faqe të zezë, kryesisht sepse është krijuar nga pushtetet politike dhe ekonomike dhe punësojnë jogazetarë dhe i paraqesin si gazetarë, megjithëse, edhe ata që janë gazetarë të kualifikuar, u shërbejnë “epsheve” të pushteteve dhe jo deontologjisë gazetareske. Por në rastin e atyre që nuk janë gazetarë dhe bëjnë gazetarët, papërgjegjshmëria është më e madhe.

ABCnews, për shembull, televizioni që financohet nga fitimet e Spitalit Amerikan dhe diktohet politikisht nga Athina, publikoi një lajm të marrë nga gazeta serbe “Kurir”. Sipas “ABCnews” Lavrovi pohon se projekti “Ballkani i Hapur” është projekt serb, dhe se NATO dhe BE nuk e duan por Rusia e mbështet! Për të mbështetur këtë pohim ajo citon fjalët e tij:

“Siç duket qartë, ata që lëvizin fijet në Bruksel nuk e duan këtë. Ata nuk duan që ne të mbështesin Beogradin, përfshi Ballkanin e Hapur. Duket qartë që ata që janë Bruksel, por edhe NATO duan të aplikojnë në Ballkan projektin e Ballkanit të Mbyllur”.

Nga këto fjalë televizioni në fjalë nxori përfundimin se “Ballkani i Hapur” është projekt serb! Përforcoi kështu, demagogjinë e Brishës se Ballkani i Hapur është projekt serb!

Se i kujt është si projekt, lexo Krijimi i “Jugosllavisë së re” nga treshja ballkanike dhe pasojat katastrofike për Shqipërinë (dhe Kosovën)

Por Lavrovi thotë se BE-ja kërkon të realizojë një projekt të quajtur “Ballkani i Mbyllur” meqë iu refuzua leja për fluturim në Serbi në kuadër të sanksioneve evropiane, mes tyre dhe ndalimi i fluturimeve të avionëve rusë në hapësirën evropaine, i cili u vendos tre ditë pas ndërhyrjes ushtarake ruse në Ukrainë, në datën 27 shkurt, dhe Rusia u kundërgjigj me të njëjtën gjuhë, duke ndaluar fluturimet e avionëve perëndimorë në hapësirën e saj ajrore.

Televizioni në fjalë, madje, thotë se Lavrori me pohimin e tij ―se Ballkani i Hapur është projekt serb― tronditi rajonin! Pa u çuditur, lajmin e televizionit përkatës e riprodhuan dhe shumë media të tjera.

Të paktën lexuam nga gazeta serbe se Ballkanin e Hapur e mbështet dhe Rusia. Por mua më çudit fakti se Lavrovi duket i befasuar nga refuzimi i udhëtimit të tij në Beograd, sepse politika e përgjigjes “dhëmbpërdhëmb” është ende në fuqi. Kështuqë kthimi i “Ballkanit të Hapur” në “Ballkan të Mbyllur” për Rusinë bëhet në kontekstin e kësaj politike. Por mund të mbetet Ballkani i mbyllur për Rusinë meqë Uashingtoni dhe Brukseli këtë synon: ta mbajnë të hapur për ta dhe të mbyllur për Rusinë dhe Kinën!   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA