...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Vuçiçi paralajmëron krizë shumë të madhe dhe më të thellë

Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato

SHJ

20/04/2023 - 08:29

Serbia fajëson Perëndimin për hipokrizi

Gënjeshtra e mashtrime - presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, fajësoi vendet perëndimore për zgjedhjet lokale në veri të Kosovës. Në kritika iu bashkuan edhe kryeministrja Ana Bërnabiq dhe drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq.

Ata akuzuan Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës se, pavarësisht kundërshtimeve të komunitetit serb, i mbështetën zgjedhjet, sipas tyre, antidemokratike dhe jolegjitime.

Bërnabiq dhe Petkoviq kritikuan Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për “lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve në kontejnerët e siguruar nga Policia e Kosovës”.

Miratohet kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës

Komiteti Ministror i Këshillit të Evropës, vendosi të hënën të miratojë kërkesën për anëtarësimin e Kosovës në këtë mekanizëm, gati një vit pasi Prishtina paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në mekanizmin prej 46 vendesh.

Në një njoftim thuhet se vendimi mori parasysh edhe marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe marrëveshjen e Ohrit të 18 marsit 2023 të arritura në dialogun (Kosovë – Serbi) e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe rëndësinë që të gjitha palët t'i zbatojnë ato në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim.

Kërkesa tani i kalon Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që do të diskutojë mbështetur në analizat dhe njoftimet e raportuesve të Këshillit të Evropës, para se ta hedh kërkesën për votim në seancën plenare të Asamblesë Parlamentare. Nëse kërkesa mbështetet nga dy të tretat e vendeve anëtare atëherë i rekomandohet Komitetit të Ministrave që t’i bëjë ftesë Kosovës të bëhet anëtare e organizatës. Debatet për këtë çështja mund të shtohen në njërën nga seancat e radhës të Asamblesë Parlamentare, në muajin qershor apo muajin tetor të këtij viti.

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, e themeluar në vitin 1949.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla tha se, “vendimi i sotëm përbën një hap historik, ndoshta më të rëndësishmin pas pavarësisë” së Kosovës, duke tërhequr vëmendjen se procesi i anëtarësimit në Këshillin e Evropës “është i gjatë dhe plot sfida”.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, falënderoi aleatët që votuan në mbështetje të Kosovës ”por mbi të gjitha për demokracinë, lirinë dhe të drejtat e njeriut”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti shkroi se “shteti ynë do të jetë vlerë e shtuar për Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës do t’i shtojë vlerë demokracisë, të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në shtetin tonë”.

Kosova paraqiti kërkesën e saj për anëtarësim në maj të vitit 2022 pak kohë pa përjashtimit të Rusisë nga kjo organizatë për shkak të agresionit të saj në Ukrainë.

Kërkesa e saj nxiti reagimin e zemëruar të Beogradit. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha më herët të hënën se Serbia do të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Marrëveshja Kosovë – Serbi për normalizimin e marrëdhënieve që u arrit më 27 shkurt në Bruksel dhe për zbatimin e së cilës palët u pajtuan me 18 mars në Ohër, parasheh që të dyja vendet të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Voa

Vuçiçi paralajmëron krizë shumë të madhe dhe më të thellë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se gjatë zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale të mbajtura më 23 prill në katër komunat në veri të Kosovës, "kanë ndodhur ndryshime tektonike".

“Dje populli serb tregoi se kërkon një qasje krejtësisht të ndryshme, para së gjithash nga bashkësia ndërkombëtare, dhe para së gjithash po i referohem fuqive perëndimore”, tha Vuçiç për gazetarët më 24 prill.

Vuçiçi tha gjithashtu se të dielën u zhvillua një "kryengritje politike, paqësore e popullit serb".

"Kam frikë se ky është preludi i një krize shumë më të madhe dhe më të thellë në muajt dhe vitet në vijim”, theksoi lideri serb.

"Ne nuk kemi nevojë për ndonjë konflikt me NATO-n, nuk jemi të aftë për këtë, por nuk jemi në një situatë që të lejojmë poshtërimin e mëtejmë të popullit tonë. Gjendja vetëm sa do të ndërlikohet”, shtoi Vuçiçi.

Ai tha po ashtu se zgjedhjet paraqesin “dështim të regjimit të [kryeministrit të Kosovës, Albin] Kurtit”.

“Nën një, [zgjedhjet e 23 prillit] janë debakël zgjedhor i Kurtit dhe QUINT-it”, deklaroi Vuçiq, duke iu referuar grupit të shteteve ku bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe Italia.

“Nën dy, ky është një rezultat historik sepse nuk ka ndodhur kurrë në tokën evropiane. Nën tre, kjo tregoi unitetin e madh të popullit serb, disiplinën dhe përgjegjësinë e serbëve, gjë që nuk është parë në historinë moderne të kombit tonë”.

Sipas Vuçiçit, zgjedhjet e 23 prillit ishin “referendum” për serbët që jetojnë në veri, për “të treguar se kë nuk duan në veri të Kosovës”.

Vuçiçi po ashtu foli për dialogun me Kosovën, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian.

Ai tha se “nuk ka fare dialog substancial”, duke akuzuar shtetet e QUINT-it se favorizojnë Kosovën.

“Ne nuk bisedojmë. Marrim letra të imponuara që gjithmonë duhet të jenë në favor të Prishtinës, sepse QUINT është i tillë, përkrah pavarësinë e Kosovës pak a shumë, por gjithmonë është në favor të tyre”, deklaroi Vuçiçi.

Megjithatë, Vuçiçi tha se nuk ka marrë ende një vendim nëse do të marrë pjesë në rundin e ri të dialogut, "por me siguri do të shkoj në Bruksel më 2 maj”. EL

Kurti fajëson kërcënimet e Beogradit për bojkotin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, fajësoi Beogradin për bojkotimin e zgjedhjeve të së dielës në komunat veriore nga qytetarët serbë.

Atmosfera ishte ajo e frikësimit dhe shantazhit andaj edhe dalja e qytetarëve në zgjedhje ishte e ulët. Bojkoti ishte i imponuar nga fushata kërcënuese e Beogradit zyrtar dhe e veglave të tij kriminale në terren në veri”, shkroi kryeministri Kurti të hënën në rrjetet sociale.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se 1 mijë e 567 qytetarë apo 3.47 për qind e rreth 45 mijë votuesve të regjistruar, hodhën votën e tyre të dielën në zgjedhjet për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut.

Sipas rezultateve paraprake, kandidatët e lëvizjes Vetëvendosje fituan në Leposaviq dhe Mitrovicën e Veriut, ndërsa ata të Partisë Demokratike të Kosovës në Zveçan dhe Zubin Potok.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, subjektit kryesor politike serb që mbështetet nga Beogradi, thanë se “populli serb në Kosovë nuk do të lejojë kurrë që komunat me shumicë serbe në veri” të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave”.

Zgjedhjet u zhvilluan pa ndonjë incident ndërsa vëzhguesit tërheqin vërejtjen se sfida e vërtete do të mund të shfaqet kur të fillojë zbatimi i rezultateve të tyre.

Grupi i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, tha se “ndonëse zgjedhjet plotësuan kriteret minimale ligjore, ato nuk garantojnë legjitimitet politik e përfaqësues të institucioneve që do të prodhohen nga to”.

Kryeministri Kurti tha se qeveria do të mbështesë të zgjedhurit dhe ata “duhet të punojnë me përkushtim dhe të shërbejnë pa dallim. Qeveria do t’i përkrahë e ndihmojë. Sistemi institucional dhe shërbimet publike do të mund të funksionojnë më shumë e më mirë”, shkroi të hënën ai.

Shtetet e Bashkuara vlerësuan se zgjedhjet e së dielës ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës, ndërsa shprehën keqardhjen që “jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje”.

Autoritetet në Serbi i kanë kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, me të cilin ata kushtëzojnë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës.

Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Diplomatët perëndimorë nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës edhe pa pjesëmarrjen e Listës Serbe, ndërsa u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë për kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre.

Më 2 maj në Bruksel pritet të mbahet takimi i radhës ndëmrjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç për të diskutuar zbatimin e një marrëveshjeve të mbështetur nga perëdnimi për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër.

I dërguari evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak tha se po bëhen përgatitje të ngjeshura për takimin e 2 majit.

“Rendi i ditës do të përfshijë miratimin zyrtar të Deklaratës për Personat e Zhdukur, prezantimin e projekt statutit të parë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë nga ekipi menaxhues dhe çështjet aktuale. Prandaj ne presim që të dyja palët të vijnë në Bruksel të përgatitura mirë dhe plotësisht të përkushtuara në fazën e zbatimit”, shkroi ai në rrjetet sociale.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ndonëse marrëveshja synon në radhë të parë uljen e tensioneve ndërmjet palëve, vëzhguesit tërheqin vërejtjen në ligjërimin politik që sipas tyre, nuk i ndihmon krijimit të mirëbesimit.

Presidenti serb, Vuçiç, ka theksuar në disa raste se do ta zbatojë vetëm pjesërisht marrëveshjen e Ohrit dhe Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se Kosova dhe Serbia duhet të zbatojnë në tërësi marrëveshjen dhe çdo refuzim për ta bërë një gjë të tillë do të ketë pasoja negative. Voa

Osmani në frymën e Kurtit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e akuzoi Serbinë se haptazi dhe vazhdimisht angazhohet “për të penguar” mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë.

Sipas Osmanit, një angazhim i tillë është kundër frymës së Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, që palët arritën në Bruksel në shkurt, por edhe Aneksit për zbatimin e kësaj marrëveshjeje, që u arrit në Ohër në fund të marsit.

“Si e tillë, kjo qasje e Serbisë duhet të kundërshtohet nga e gjithë bota demokratike, meqë njëkohësisht paraqet edhe akt të ndërhyrjes së paligjshme nga jashtë, akt ky që dënohet me një sërë aktesh juridike ndërkombëtare”, tha Osmani.

Osmani tha se dalja e ulët në zgjedhje ishte për shkak se banorët në atë zonë iu nënshtruan “kërcënimeve dhe shantazheve” që të bojkotonin zgjedhjet.

OSBE: Të merren parasysh interesat e të gjitha komuniteteve

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), ka thënë se të drejtat e dhe interesat e të gjitha komuniteteve që jetojnë në katër komunat në veri të Kosovës, duhet të merren parasysh pas zgjedhjeve në atë zonë.

Jeff Bieley, shef për çështje politike dhe për komunikim në misionin e OSBE-së në Kosovë, e ka komentuar për Radion Evropa e Lirë mbarëvajtjen e zgjedhjeve të 23 prillit për kryetarët e komunave me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Leposaviq dhe Zveçan.

“Do të ishte e preferueshme që të gjitha komunitetet të merrnin pjesë plotësisht, si kandidatët, ashtu edhe votuesit”, tha Bieley.

Megjithatë, sipas tij, ishte pozitive që, “pavarësisht dallimeve politike për mbajtjen e zgjedhjeve, nuk u bë asnjë përpjekje për të prishur procesin në ditën e zgjedhjeve”.

OSBE-ja, që në të kaluarën ishte angazhuar në monitorimin apo edhe organizimin e zgjedhjeve lokale dhe qendrore në Kosovë, bëri të ditur se nuk i është kërkuar angazhimi në këto zgjedhje në asnjë kapacitet.

“OSBE-ja… nuk ka pasur rol në lehtësimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2020. Kjo për shkak se KQZ-ja ka dëshmuar që nga nëntori i vitit 2020 se ka aftësi teknike për të mbajtur zgjedhjet në katër komunat veriore të Kosovës pa mbështetje operacionale nga OSBE-ja”, theksoi ai.

BE: Zgjedhjet në përputhje me kuadrin ligjor, por nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë

Bashkimi Evropian tha të hënën se zgjedhjet e së dielës në komunat veriore të Kosovës ishin në pajtim me kuadrin ligjor të vendit, por nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë, ndërsa bëri thirrje për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës.

Zgjedhjet e së dielës për kryetarët e komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, u bojkotuan nga partitë politike serbe në zonë me kërkesën e Beogradit.

“BE-ja e pranon se zgjedhjet u mbajtën në përputhje me kuadrin ligjor të Kosovës dhe se janë bërë përpjekje që ato të zhvillohen në mënyrë të qetë dhe të rregullt. Në të njëjtën kohë, BE-ja shpreh keqardhje që jo të gjitha partitë dhe komunitetet e shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhje. Pjesëmarrja shumë e ulët, veçanërisht në mesin e qytetarëve serbë të Kosovës, tregon se ky proces nuk është dhe nuk mund të konsiderohet si një punë e zakonshme”, thuhet në një komunikatë të Bashkimit Evropian, në të cilën thuhet se që nga largimi i serbëve nga institucionet në veriun e Kosovës në nëntor të vitit 2020 blloku është angazhuar me të dyja palët për të lehtësuar kthimin e tyre.

Këto zgjedhje nuk ofrojnë zgjidhje politike afatgjatë për këto komuna. Kjo mund të ndodhë vetëm përmes kthimit të përhershëm të serbëve të Kosovës në institucione dhe që Kosova ta mundësojë këtë kthim. Puna për themelimin e Asociacionit së Komunave me shumicë serbe duhet të përmbyllet sa më parë që është e mundur”, thuhet në komunikatë në të cilën nënvizohet se është e domosdoshme që urgjentisht të rivendoset një situatë ku serbët e Kosovës të marrin pjesë aktivisht në qeverisjen lokale, policinë dhe gjyqësorin në veriun e Kosovës.

Bashkimi Evropian vlerëson se për këtë ka nevojë urgjente për një dialog serioz ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe serbëve të Kosovës në veri.

“Marrëveshja për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është platforma e duhur për të arritur këtë synim”, thuhet në komunikatën e Bashkimit Evropian, i cili për datën 2 maj ka caktuar një takim të ri ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes. Voa

Radoiçiq: Nuk lejojmë që veriu të udhëhiqet nga ata që fituan 1-2% të votave

Nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, tha se populli serb në Kosovë “nuk do të lejojë kurrë” që komunat me shumicë serbe në veri të vendit të udhëhiqen nga ata që kanë fituar “1 apo 2 për qind të votave” në zgjedhje. Ai nuk saktësoi se çfarë masash mund të ndërmerren.

Të dielën e 23 prillit, në katër komunat në veri - Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq - u mbajtën zgjedhjet e parakohshme lokale.

Pjesëmarrja në proces ishte e ulët - pak më shumë se 3 për qind, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kjo, pasi Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve në Kosovë - nuk mori pjesë në zgjedhje dhe u bëri thirrje qytetarëve serbë t’i bojkotojnë ato.

Në garë ishin dhjetë kandidatë - prej tyre vetëm një e komunitetit serb.

Sipas të dhënave të KQZ-së, në Mitrovicë të Veriut dhe në Leposaviq fituan kandidatët e Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa në Zubin Potok dhe Zveçan ata të Partisë Demokratike të Kosovës.

Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, Radoiçiq tha se beson se “të gjithë e kanë kuptuar mesazhin që dha populli serb nga veriu i Kosovës”, i cili e bojkotoi në masë të madhe procesin zgjedhor.

Radoiçiq tha se i falënderon bashkatdhetarët e tij nga Leposaviqi, Zveçani, Mitrovica e Veriut dhe Zubin Potoku për “patriotizmin, dinjitetin, nderin dhe unitetin e dëshmuar”.

“Është në dorën tonë që së bashku me vendin tonë, Serbinë, dhe me presidentin Aleksandar Vuçiq ta vazhdojmë luftën për të ruajtur paqen dhe të drejtën e serbëve për të jetuar jetën e tyre”, tha Radoiçiq.

Beogradi zyrtar, i cili mbështet Listën Serbe, ka bërë po ashtu thirrje për bojkotimin e zgjedhjeve.

Evropa e lire

Dodiku paralajmëron shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimin me Serbinë

Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik, foli më 23 prill në ngjarjen për të shënuar Ditën e Përkujtimit të 700.000 viktimave të krimeve të ushtashëve në kampin e përqendrimit të Jasenovacit, ngjarje që u mbajt në Donja Gradina.

Ai foli për këto krime, i krahasoi ato me krimet e luftës së fundit në territorin e Jugosllavisë së atëhershme dhe foli për shkëputjen e Republikës Sërpska dhe bashkimin me Serbinë.

“Ne jemi këtu nga Republika Sërpska sepse i takojmë një kombi dhe një ditë ne do të jemi një shtet. Askush nuk do të na ndalojë që ta bëjmë këtë sepse është e drejta jonë dhe historia jonë. Shekulli i kaluar ishte shekulli i vuajtjes serbe dhe ky shekull do të jetë shekull i bashkimit të serbëve”, tha Dodik, raporton Beta.

“Shteti është fjalë kyçe në lirinë tonë dhe prandaj ne duam që qartazi ta themi se nuk ka iluzione apo kërcënim për këdo kur Republika Sërpska shpreh vullnetin e saj popullor për të formuar shtetin e vet, sepse ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë, shtet që na shtyp ne dhe kërcënon liritë tona”, tha Dodik para të pranishmëve.

Ai vlerësoi se serbët “nuk mund të mbijetojnë në këto zona, nëse Republika Sërpska nuk bëhet e pavarur në vitet në vijim”.

“Ne do ta bëjmë Republikën Sërpska një shtet në paqe, pa konflikte dhe luftëra. Ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë e Hercegovinë”, tha Dodik, duke shtuar se nuk ka asgjë kundër boshnjakëve dhe kroatëve.

Dodiku po ashtu tha se serbët ishin viktimat më të mëdha të shekullit të kaluar, fillimisht të Luftës së Parë Botëtore, por edhe të luftërave që shpërthyen gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.

Ai bëri një sërë akuzash ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Bosnje, të cilët ai i quajti “fundërrina”, duke theksuar se ata dëshirojnë të marrin pronat nga serbët në Republikën Sërpska.

Dodiku tha se përfaqësuesit ndërkombëtarë dhe diplomatët nga shtetet perëndimore “barazojnë krimin në Srebrenicë me vuajtjet në Jasenovac, sepse nuk janë të njëjta”.

“Ju që jeni nga Amerika dhe Evropa kurrë nuk keni thënë se këtu është kryer gjenocid kundër serbëve, por ju jeni të gatshëm të përdorni gjithçka që keni, nga bombat NATO-s, për të justifikuar veprimet që keni kryer në vitet ’90, duke punuar në shpërbërjen e Jugosllavisë”, tha Dodik.

Lideri i serbëve të Bosnjës përsëriti se në Srebrenicë nuk është kryer gjenocid, por tha se atje ka ndodhur krim për të cilin janë përgjegjës individë.

Dodik u bëri thirrje përfaqësuesve të shteteve perëndimore që të pranojnë qëndrimin se serbët nga Republika Sërpska “nuk mund të jetojnë në Bosnjë e Hercegovinë”, sepse, siç tha ai, “koncepti i shtetësisë në Bosnje është një projekt anti-serb, që synon të eliminojë popullsinë serbe nga këto zona”.

Ai shtoi se komuniteti ndërkombëtar mund të dërgojë sa të dojë njësi ushtarake në Bosnje, por kjo, sipas tij, nuk do t’i ndalojë serbët që të luftojnë për shtetin e ashtuquajtur Republika Sërpska.

Ambasada amerikane në Prishtinë: zgjedhjet në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës

Shtetet e Bashkuara vlerësojnë se zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ishin në përputhje me kërkesat kushtetuese dhe ligjore të Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar nga ambasada amerikane në Prishtinë, thuhet se “mbështesim një demokraci të larmishme, gjithëpërfshirëse, shumetnike në Kosovë dhe zgjedhjet që e mbështesin atë. Na vjen keq që jo të gjitha partitë shfrytëzuan të drejtën e tyre demokratike për të marrë pjesë në zgjedhjet e sotme. Pjesëmarrja në zgjedhje ndihmon për t'u siguruar që udhëheqësit janë përfaqësues të popullsisë së cilës i shërbejnë. Votimi është një liri thelbësore shoqërive demokratike”, thuhet në komunikatë.

Në reagim vlerësohen përpjekjet e zyrtarëve të zgjedhjeve “për t'i vënë në dispozicion vendet e votimit për qytetarët që dëshirojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës, duke ulur mundësitë e tensioneve”, ndërsa u shprehet mirënjohje Policisë së Kosovës, Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit dhe KFOR-it për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për zgjedhjet.

“Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha palët relevante për hapat e ardhshëm. Ne gjithashtu ritheksojmë rëndësinë dhe përkushtimin tonë për zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit”, thuhet në një komunikatë të ambasadës amerikane në Prishtinë.

Diplomatët perëndimorë nuk e kanë kundërshtuar mbajtjen e zgjedhjeve në veriun e Kosovës me gjithë bojkotimin e tyre të paralajmëruar nga Lista Serbe, subjekti kryesor politik që mbështetet nga Beogradi.

Ata u kanë bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të punojnë në kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre që u arrit në Ohër me 18 mars.

Serbia tregoi fuqinë ushtarake ndërsa ‘veriu’ përgatitësh për zgjedhje

Udhëheqësit populistë të Serbisë dhe Hungarisë, ndoqën të shtunën një stërvitje ushtarake serbe, një ngjarje që shihet si një shfaqje e fuqisë mes luftës në Ukrainë dhe tensioneve në Ballkan.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, presidenti serb Aleksandar Vuçiç dhe Milorad Dodik, president i Republikës Serbe të Bosnjës, ndoqën trupat duke parakaluar, forcat komando duke u hedhur nga helikopterët dhe avionët luftarakë duke u ngritur.

Stërvitjet e së shtunës në aeroportin ushtarak në Batajnicë në periferi të Beogradit, përfshinë fluturime të ulëta të avionëve luftarakë MiG-29 të prodhuar nga Rusia dhe helikopterëve Mil, si dhe një shfaqje të një sistemi raketor kundër-ajror kinez dhe dronëve.

Forcimi ushtarak i Serbisë ka ngritur shqetësime tek disa nga fqinjët e vendit, të cilët kanë frikë se ajo mund të kërcënojë paqen e brishtë në rajonin që u përfshi nga luftërat e përgjakshme në vitet `90.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç tha se ai dhe komandantët ushtarakë serbë po vëzhgojnë se si po zhvillohet lufta në Ukrainë.

Kryeministri hungarez Viktor Orban, qëndroi në Serbi për një vizitë të paparalajmëruar. Të dy udhëheqësit kanë mbajtur lidhje politike dhe ekonomike me Rusinë pavarësisht agresionit të saj në Ukrainë, një plagë në marrëdhëniet e tyre me vendet e tjera evropiane dhe Shtetet e Bashkuara.

Ndonëse Hungaria është një anëtare e BE-së dhe NATO-s, kryeministri Orban ka kritikuar sanksionet e lidhura me luftën ndaj Moskës.

Serbia kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por presidenti Vuçiç ka refuzuar t'u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare kundër Rusisë ose të dënojë publikisht agresionin e saj në Ukrainë.

Beogradi llogaritë në mbështetjen e Moskës në refuzimin e tij për të njohur pavarësinë e Kosovës, që u shpall në vitin 2008 me mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve kryesore të Bashkimit Evropian.

Pavarësia e Kosovës u shpall nëntë vjet pas ndërhyrjes së NATO-s për t’i dhënë fund luftës që la pas vetes mbi dhjetë mijë të vrarë e mijëra të zhdukur.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke reaguar ndaj stërvitjeve të së shtunës në periferi të Beogradit shkroi se “në një varr masiv në Batajnicë, u fshehën trupat e 744 shqiptarëve të Kosovës, përfshirë këtu 46 anëtarë të familjes Berisha. Në vend të një memoriali për viktimat e luftës, Serbia po zhvillon atje stërvitje ushtarake për “Ditën e Forcave të Armatosura”. Trupat mund të fshihen, por e vërteta nuk mund të varroset”, shkroi ai.

Trupat e 744 shqiptarëve qenë zbuluar në vitin 2001 në terrenet e stërvitjeve të forcave të posaçme serbe në Batajnicë, ku ishin dërguar nga forcat serbe në përpjekje për të fshehur gjurmët e mizorive të tyre gjatë luftës në Kosovë.

Bashkimi Evropian siguroi muajin e kaluar pajtimin e Kosovës dhe Serbisë për një marrëveshje të mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në një përpjekje për t’u dhënë fund tensioneve.

Në një konferencë me gazetarë gjatë stërvitjeve të së shtunës, presidenti serb akuzoi qeverinë e Kosovës dhe Bashkimin Evropian që nuk zbatuan një marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Ai u bëri thirrje qytetarëve serbë në veriun e Kosovës të mos marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës në zonë për postet e kryetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, u bëri thirrje qytetarëve në veri që të marrin pjesë në votime, duke theksuar se pjesëmarrja në zgjedhje do të ishte një "mesazh i fortë" për ata, që siç tha ajo, i kanë "kërcënuar dhe frikësuar" banorët në veri.

Diplomatët perëndimorë e kanë cilësuar “zhgënjyes” vendimin e subjekteve kryesore politike serbe të mbështetura nga Beogradi për t’i bojkotuar zgjedhjet e së dielës. Voa

Përgatitjet dhe pjesëmarrja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha të shtunën se ka bërë të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e së dielës në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe ku do të votohet për kryetarët e katër komunave.

Ky komision tashmë ka vendosur kontejnerë nëpër rrugët kryesore në veri ku gjithsej do të ketë 19 qendra votimi, ndërsa policia e Kosovës tha se ka marrë të gjitha masat për krijimin e një mjedisi të sigurt për procesin zgjedhor.

Në zgjedhje pritet të marrin pjesë 10 kandidatë prej të cilëve vetëm një nga komuniteti serb, pasi Partia e Serbëve të Kosovës, një subjekt politik me seli në komunën e Leposaviçit, hoqi dorë nga pjesëmarrja në zgjedhjet për shkak të siç tha mungesës së kushteve të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve.

Postet e kryetarëve të komunave në veri të Kosovës mbetën bosh në nëntor të vitit të kaluar kur përfaqësuesit serbë në zonë dhanë dorëheqje nga vendet e tyre të punës, mes tensioneve për shkak të mospajtimeve ndaj një vendimi të qeverisë në Prishtinë për konvertimin e targave të makinave të lëshuara nga Serbia.

Lista Serbe subjekti kryesor i serbëve të Kosovës u ka bërë thirrje qytetarëve serb për bojkot të përgjithshëm të këtyre zgjedhjeve të cilat i ka quajtur “jodemokratike të organizuara nga Albin Kurti”. Kjo listë tha se serbët duhet të “shikojnë me përbuzje të gjithë ata që planifikojnë të dalin dhe të marrin pjesë në këtë proces të paligjshëm dhe që është kundër interesave të popullit serb”.

Bashkimi Evropian tha se sigurimi që zgjedhjet të zhvillohen në kushte paqësore është thelbësor. Në një përgjigje për Zërin e Amerikës, zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano tha se “është shumë zhgënjyese që Lista Serbe që përfaqëson serbët e Kosovës ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale të planifikuara për 23 prill në katër komunat veriore”.

Zoti Stano tha se është detyrë e Kosovës dhe Serbisë që të kenë përparësi kthimin e serbëve të Kosovës në institucione dhe të bien dakord për një rrugë përpara që është gjithëpërfshirëse, e drejtë, demokratike dhe paqësore, duke bërë thirrje për përmbushjen e marrëveshjes së 18 marsit për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet palëve.

“Marrëveshja dhe Aneksi hapin rrugën drejt normalizimit të gjithanshëm të marrëdhënieve. Një pjesë themelore e zbatimit të këtyre marrëveshjeve do të jetë kthimi i qëndrueshëm i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës, duke përfshirë edhe pushtetin lokal”, tha zoti Stano.

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, ka kritikuar ashpër vendet kryesore perëndimore për mbështetjen e zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se qëllimi i tyre është pamundësimi i themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Duke i cilësuar zgjedhjet e së dielës si “një ditë të rëndë” për popullin serb, ai u bëri thirrje banorëve të veriut të shmangin incidentet.

Autoritetet në Kosovë ndërkaq u kanë bërë thirrje qytetarëve serb që të marrin pjesë në zgjedhje të cilat sipas tyre janë të rëndësishme për konsolidimin e demokracisë dhe funksionimin e institucioneve në veriun e vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani përmes një mesazhi u bëri thirrje serbëve në veriun e Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhjet e së dielës pavarësisht, siç tha, kërcënimeve dhe frikësimeve nga strukturat kriminale të mbështetura nga Beogradi. Presidentja Osmani tha se “pjesëmarrja e qytetarëve në zgjedhje do t'u dërgojë një mesazh të fortë atyre që kërkojnë t'i frikësojnë dhe shtypin” duke nënvizuar se institucionet e Kosovës do të jenë në mbështetje të tyre për të ofruar siguri.

Zgjedhjet u caktuan fillimisht për datën 18 dhjetor të vitit të kaluar por ato u shtynë me kërkesën e diplomatëve perëndimorë të cilët u përfshinë në një përpjekje për një marrëveshje normalizimi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilën palët u pajtuan më 18 mars në Ohër.

Bisedimet rreth zbatimit të saj pritet të mbahen me 2 maj në Bruksel. Voa

Pas 23 prillit do të ketë pushtim të plotë të veriut të Kosovës - Vuçiçi

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, tha se serbët e Kosovës janë në një situatë të vështirë, pasi ata nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale që do të mbahen në veri të Kosovës më 23 prill.

Sipas tij, pasi të formohen autoritetet e reja lokale në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe – do të ketë “pushtim të plotë”.

“Nesër, populli ynë me qetësi, përgjegjësi dhe përbuzje do t’i shikojnë ata që do të vijnë nga Mitrovica e Jugut për të votuar që të zgjidhet udhëheqje e re në Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok. Çfarë do të ndodhë më pas, do të jetë një pushtim i plotë për të cilin qytetarët tashmë janë gati, janë mësuar. Ata do të jenë të qetë, do të jenë të përgjegjshëm, ne do të paguajmë rrogat si më parë, do të luftojmë edhe më shumë për ta, do të ngremë standardet dhe do të presim për kohë më të mirë në të cilën, Karta e OKB-së do të jetë e vlefshme si dhe e drejta publike ndërkombëtare”, tha Vuçiçi më 22 prill, raporton agjencia serbe e lajmeve, Beta.

Vuçiçi po ashtu komentoi edhe deklaratën e zëdhënësit të Bashkimit Evropian, Peter Stano, që tha se blloku evropian është i zhgënjyer që Lista Serbe dhe serbët nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 23 prillit.

Lideri serb tha se serbët në Kosovë kanë marrë pjesë në disa cikle zgjedhore, por tani ata nuk duhet të marrin pjesë para se të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, më 22 prill u bëri thirrje qytetarëve në veri që të dalin në zgjedhje. Ajo tha se dalja e tyre në zgjedhje do të ishte një “mesazh i fortë” për ata, që sipas saj, kanë “kërcënuar dhe frikësuar” banorët në veri që të mos marrin pjesë në procesin zgjedhor.

Përveç katër kryetarëve të rinj, më 23 prill do të votohet edhe për përbërjet e reja të asambleve komunale në Zveçan dhe Leposaviç.

Në zgjedhje garojnë 10 kandidatë për kryetarë të komunave dhe vetëm një është nga radhët e komunitetit serb. Partia kryesore e serbëve në Kosovë, Lista Serbe nuk merr pjesë në zgjedhje dhe ka bërë thirrje për bojkotimin e tyre.

Zgjedhjet po mbahen pasi më 5 nëntor të vitit 2022, kryetarët e Mitrovicës së Veriut, Leposaviqit, Zveçanit e Zubin Potokut nga Lista Serbe, dhanë dorëheqje.

Ata, së bashku me asamblistët komunalë dhe zyrtarë të tjerë nga sektori i sigurisë e drejtësisë, e morën këtë vendim në shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës, që i detyronte serbët t’i zëvendësonin targat e makinave të tyre, të lëshuara nga Serbia, me ato RKS – Republika e Kosovës.

Zgjedhjet fillimisht ishin caktuar për 18 dhjetor të vitit 2022, por ishin anuluar për shkak të tensioneve në veri të Kosovës. Top Channel

Rusia përfshin çështjen e ‘bashkësisë serbe’ në Këshillin e Sigurimit

Asociacioni, i cili tash e dhjetë vjet është shkak i përplasjeve midis Kosovës dhe Serbisë, mund të jetë temë e diskutimit në Nju Jork, përkatësisht në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Këtë e ka paralajmëruar ambasadori i Rusisë në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko.

Ai ka thënë se vendi i tij “angazhohet për një diskutim produktiv për thelbin e problemeve, që janë vërtet akute për serbët, duke përfshirë edhe formimin e Asociacionit” të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rusia, anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit me të drejtë vetoje, ka marrë kryesimin njëmujor të këtij organi në muajin prill.

Kryesimi i saj përkon me seancën e rregullt për Kosovën, e caktuar për datën 27 prill.

Bashkimi Evropian ka thënë më herët se do të “kundërshtojë çdo keqpërdorim” nga Rusia, gjatë udhëheqjes së Këshillit të Sigurimit.

“Ardhja e Rusisë në krye të Këshillit të Sigurimit të OKB-së është e denjë për një shaka të 1 prillit. Pavarësisht se është anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Rusia vazhdon ta shkelë thelbin e kornizës ligjore të OKB-së”, ka thënë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Rusia, e cila mbështet Serbinë në kundërshtimin e pavarësisë së Kosovës, ka akuzuar BE-në dhe SHBA-në se janë të njëanshme, duke i “përfaqësuar interesat e Prishtinës zyrtare”.

Ambasadori rus në Beograd, Alexander Botsan-Kharchenko, ka thënë se “Prishtina e ka injoruar një detyrim kyç për një dekadë, por se ende po ia del mbanë”, duke iu referuar kështu formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Ndërmjetësuesit evropianë kanë treguar sërish - ashtu siç edhe pritej - pandershmërinë e tyre”, ka thënë Botsan-Kharchenko në një deklaratë të transmetuar nga mediat e Beogradit.

Zgjedhjet, turp i Evropës dhe nuk njihen nga Beogradi ― Vuçiçi

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka reaguar në lidhje me zgjedhjet e 23 prillit në Veri të Kosovës. Vuçiç u bëri thirrje serbëve në Kosovë që të qëndrojnë të qetë dhe të mos përgjigjen ndaj provokimeve në ditën e zgjedhjeve të parakohshme komunale në katër komuna në veri të Kosovës.

Zgjedhjet e së dielës do të zhvillohen në komunat me shumicë serbe në Mitrovicën Veriore, Leposaviç, Zveçan dhe Zubin Potok. Këto janë komunat ku në nëntor 2022 serbët u larguan masivisht nga të gjitha organet e pushtetit lokal.

Përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, me nxitjen e Beogradit, kanë vendosur të bojkotojnë zgjedhjet e jashtëzakonshme komunale të 23 prillit. Pjesëmarrje deklaroi vetëm një kombinim që përfaqësonte serbët.

Aleksandër Vuçiç në një intervistë të dhënë për mediat vendase ka thënë se abstenimi i serbëve është reagim ndaj refuzimit të Prishtinës për të zbatuar marrëveshjen e Brukselit të arritur në vitin 2013 për themelimin e Unionit të Komunave Serbe.

Presidenti i Serbisë theksoi se rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk do të ketë vlefshmëri pasi shumica e serbëve nuk do të marrin pjesë.

“E diela do të jetë një ditë e tmerrshme për demokracinë dhe një ditë e vështirë për popullatën serbe në Kosovë. Do të jetë një ditë që do të shënohet si turpi i Evropës dhe i gjithë botës për atë që po bëjnë”, tha Vuçiç.

Ndërkohë në veri të Kosovës kanë përfunduar përgatitjet për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Problemet e shkaktuara nga refuzimi i serbëve për të ofruar hapësirë ​​për procesin zgjedhor u tejkaluan duke vendosur kontejnerë në vende të ndryshme në veri të Kosovës ku votuesit mund të vijnë për të votuar. ABC

SHBA do t`i njohë zgjedhjet në veri të Kosovës - Eskobari

I dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar thotë se ai pret që të ketë një propozim nga qeveria e Kosovës për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe deri më 2 maj kur udhëheqësit e Kosovës dhe Serbisë të takohen në Bruksel.

“Shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret”, tha zoti Escobar në një intervistë për shërbimin shqip të Zërit të Amerikës.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore tha se ka pasur përparim lidhur me këtë çështje dhe një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra”, tha zoti Escobar.

Zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit tha se Shtetet e Bashkuara do t’i njohin zgjedhjet e së dielës në Veri të Kosovës edhe nëse Lista Serbe i bojkoton ato, duke thënë se bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet.

“Ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë”, tha zoti Escobar.

Ai tha se shpreson që serbët në Kosovë të gjejnë një mënyrë të rikthehen në institucione. Megjithatë zoti Escobar tha se bojkoti nuk duhet të vonojnë themelimin e Asociacionit.

“Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet”, tha ai.

Zoti Escobar e vlerësoi marrëveshjen e Ohrit si “të jashtëzakonshme” dhe tha se nëse ajo zbatohet siç duhet, do të sillte “një epokë të re në marrëdhëniet paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës” dhe do t’i hapte rrugën të ardhmes së tyre euro-atlantike.

Intervista e plotë:

Zëri i Amerikës: Një muaj pas arritjes së marrëveshjes e Ohrit (mes Kosovës dhe Serbisë), i vetmi përparim është formimi i Komitetit të Përbashkët të Monitorimit në Bruksel. Cili është vlerësimi juaj për procesin deri tani?

Gabriel Escobar: Para së gjithash, dua të them se kjo ishte një marrëveshje e jashtëzakonshme. Është një marrëveshje për normalizim dhe marrëdhënie të mira paqësore sipas standardeve evropiane, sipas kornizës evropiane, mes dy palëve që do t'i karakterizoja si dy fqinjë armiqësorë. Kjo ishte ajo që donim. Kështu që unë do të thoja se kjo në vetvete ishte një arritje e jashtëzakonshme. Nëse zbatohet siç duhet, mendoj se kjo mund të sjellë një epokë të re të marrëdhënieve paqësore ndërmjet Serbisë dhe Kosovës

Zëri i Amerikës: Përvoja në Ballkan tregon se arritja e një marrëveshjeje nuk do të thotë që problemet janë zgjidhur. Zbatimi është çështja kryesore. Ku qëndrojmë në këtë drejtim?

Gabriel Escobar: Duhet të them se kemi ndërmarrë, ose me saktë Bashkimi Evropian me ndërmjetësimin e këtij dialogu, ka parashtruar një agjendë agresive në bazë të së cilës shpresoj të kemi një kalendar të zbatimit të të gjitha pikave brenda vitit.

Zëri i Amerikës: I ashtuquajturi Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe mbetet një nga temat kryesore. A ka pasur ndonjë përparim në lidhje me këtë?

Gabriel Escobar: Unë do të thosha po. Para së gjithash, që të jem mjaft i drejtpërdrejtë, kemi parë një evoluim të jashtëzakonshëm në qëndrimin e qeverisë së Kosovës dhe në veçanti të kryeministrit, për të pranuar këtë detyrim ligjor. Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cilia duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra.

Zëri i Amerikës: A ka një plan kohor në lidhje me Asociacionin dhe ndoshta me zbatimin e marrëveshjes në tërësi?

Gabriel Escobar: Kur të dy udhëheqësit të takohen në maj, do të doja të shihja një projekt-plan nga qeveria e Kosovës.

Zëri i Amerikës: A doni të thoni se asgjë nuk është dorëzuar ende?

Gabriel Escobar: Deri tani nuk pritej ndonjë gjë, por shpresoj që deri në 2 maj të ketë një propozim konkret.

Zëri i Amerikës: Le të flasim pak për zgjedhjet në veri të Kosovës. Në një intervistë të mërkurën, ju thatë se Uashingtoni është i gatshëm të njohë rezultatin, pavarësisht nëse Lista Serbe i bojkoton ato. A jeni i shqetësuar për legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve nëse ata nuk marrin pjesë?

Gabriel Escobar: Së pari, bojkotimi nuk përcakton zgjedhjet. Në fushatën zgjedhore në Serbi në 2019, opozita bojkotoi zgjedhjet. Dhe ne i bëmë thirrje që të marrë pjesë. Fakti që nuk mori pjesë, ishte zgjedhja e saj (opozitës). Dhe pas zgjedhjeve, ne njohëm qeverinë që u formua prej tyre. Në këto zgjedhje ne u kemi bërë thirrje dhe unë personalisht u kam kërkuar serbëve, Listës Serbe, që të marrin pjesë dhe të mos heqin dorë nga roli që kanë. Fakti që nuk marrin pjesë, është vendimi i tyre. Por këto parashikohen nga Kushtetuta. Ka vende të paplotësuara. Ka njerëz që nuk po marrin shërbime nga pushteti lokal sepse nuk ka pjesëmarrje. Pra nëse këto zgjedhje janë të lira dhe të ndershme, dhe unë parashikoj që të jenë, rezultati do të jetë legjitim nga këndvështrimi ynë.

Zëri i Amerikës: Personi që mund të ketë ndikim në këtë vendim është zoti Vuçiç. A keni folur me të për t'i kërkuar të ndërhyjë?

Gabriel Escobar: Unë do të thoja që nuk e përcakton ai përfundimisht nëse ata marrin pjesë ose jo. Sigurisht ai ka ndikim dhe është përpjekur ta përdorë atë ndikim. Por Lista Serbe ka këmbëngulur se ka arsyet e veta që nuk do që të marrë pjesë.

Zëri i Amerikës: A mund të na thoni se çfarë biseduat me zotin Vuçiç?

Gabriel Escobar: Ai është shumë i shqetësuar për disa gjëra. Është shumë i shqetësuar për kushtet në të cilat jetojnë serbët. Është e vërtetë që ka një farë izolimi të atij komuniteti nga qeveria qendrore dhe ne u kemi kërkuar të dyja palëve që të gjejnë mënyra për kompromis për këto çështje. Por e vërteta është që kemi vende të zbrazëta në institucione që duhet të plotësohen.

Zëri i Amerikës: Me bojkotimin e zgjedhjeve nga Lista Serbe, cili do të jetë ndikimi i këtyre zgjedhjeve tek formimi i Asociacionit? Nëse insistoni që ky Asociacion të formohet, me kë do ta bëni atë, cilët do të jenë njerëzit që emërohen aty?

Gabriel Escobar: Kjo është një pyetje që duhet t’u drejtohet atyre. Kjo ishte një nga arsyet pse unë doja që ata të merrnin pjesë dhe vazhdoj t’i inkurajoj që të marrin pjesë në jetën qytetare dhe demokratike të Veriut të Kosovës. Dhe unë mendoj se kjo është e rëndësishme. Tani, ka vende pune për t'u plotësuar. Ka vende pune që duhen plotësuar dhe institucione që kanë nevojë për pjesëmarrje. Prandaj shpresoj që të gjejnë një mënyrë për t'u rikthyer në institucione. Dhe shpresoj që të gjejnë rrugën që të marrin pjesë në të ardhmen në udhëheqjen e zgjedhur.

Zëri i Amerikës: A ka mundësi që bojkoti i tyre potencialisht të vonojë themelimin e Asociacionit?

Gabriel Escobar: Jo. Ai detyrim është i menjëhershëm, është ekzistues. Pra, pavarësisht se kush është në pushtet, Asociacioni duhet të formohet.

Zëri i Amerikës: Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, ka thënë se do ta zbatojë vetëm pjesërisht marrëveshjen e Ohrit. Në fakt intervista juaj e së mërkurës në shumë media u publikua krahas deklaratës së zotit Vuçiç që thoshte se Serbia nuk do të pajtohet që Kosova të bëhet anëtare e OKB-së. Anëtarësimi i Kosovës në organizatat ndërkombëtare parashikohet në marrëveshjen e Ohrit. A e rrezikon kjo marrëveshjen?

Gabriel Escobar: Nuk besoj, nuk besoj. Të dyja vendet duhet të afrohen me institucionet euroatlantike. Ky është synimi përfundimtar. Çështja e anëtarësimit në OKB, është diçka e vështirë. Ne duhet të përqendrohemi më shumë tek kandidatura tek Bashkimi Evropian, hapat e afrimit tek NATO-ja dhe tek të gjitha strukturat e tjera, përfshirë afrimin me njëri-tjetrin, gjë që do të kishte ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve të tyre. Pra, ne jemi të fokusuar që përmes kësaj marrëveshjeje ta afrojmë Kosovën dhe Serbinë sa më shpejt me Evropën dhe Shtetet e Bashkuara. Voa

Përditësimi i fundit në datën 26 prill 2023

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA