Shpallja e hartës detare greke si ‘armë’ gjeopolitike
Megjithëse kufijtë e jashtëm të sheshinës kontinentale janë tërhequr në bazë të ndikimit të plotë të ishujve, harta është vizatuar me detin territorial në 6 milje detare (me përjashtim të Jonit që është shtrirë në 12 m) dhe me nënshkrimin se Greqia rezervon të drejtën e saj t`i zgjerojë ato në çdo kohë.
Vasilis Nedos (Kathimerini)
18/04/2025 - 07:34
Njoftimi i Planifikimit Hapësinor Detar (MSP), në kuadër të krijimit të Strategjisë Kombëtare Hapësinore për Hapësirën Detare (NSSMS), është rezultat i një përpjekjeje që filloi thuajse që nga dita e parë që ministri i Jashtëm Jorgos Jerapetritis kaloi nga dera e godinës neoklasike në Vasilissis Sofias. Qeveria vendosi të përparojë me shpalljen e MSP-së për arsye të ndryshme, të cilat kanë të bëjnë kryesisht me detyrimin e Greqisë si vend anëtar i BE-së për të pasur një plan të tillë (me afat 31 mars 2021) dhe sigurisht gjobat që lidhen me vonesën e vazhdueshme të depozitimit të tij. Dënimi i fundit nga Gjykata Evropiane e Drejtësisë ishte ai i 27 shkurtit (rasti C-128/24), i cili veproi si një levë tjetër trysnie për Athinën për të përshpejtuar procedurat. Qeveria greke, natyrisht, priste edhe reagimet – në thelb të paralajmëruara paraprakisht – turke, të cilat pasqyrohen në një hartë që përfshin disa nga perceptimet e vendosura të Ankarasë, por në përgjithësi është e skicuar dhe pa ndonjë logjikë të rreptë ligjore rreth përgatitjes së saj. Ky është, me pak fjalë, një reagim thjesht njoftues, për t`iu përgjigjur kritikave të brendshme për gjoja “qëndrimin pajtues” të qeverisë së Erdoganit ndaj Greqisë.
Megjithatë, në thelb, harta që shoqëron MSP-në, e postuar nga Ministritë e Punëve të Jashtme dhe Mjedisit, përshkruan zonat detare nën juridiksionin e Republikës së Greqisë. Disa prej tyre tashmë janë të shënuara. Konkretisht, përfshihen marrëveshjet e kufijëve të Zonës Ekskluzive Ekonomike Greko-Italiane (ZEE) të viteve 1977 dhe 2020 dhe marrëveshja e pjesshme greko-egjiptiane e vitit 2020. Për shenjimin është përdorur edhe ligji Maniatis (4001/2011), me përjashtim të marrëveshjeve të mësipërme, të cilat, pas negociatave me Italinë dhe Egjiptin, kanë rezultuar në uljen e ndikimit të disa ishujve.
Në hartë, ndryshimi më i dallueshëm nga kufijtë më të jashtëm të parashikuar nga ligji i Maniatit është ai që ka të bëjë me përcaktimin e pjesshëm të ZEE-së të Greqisë dhe Egjiptit, në bazë të të cilit ishulli Hrisi (Χρυσή) në jug të Kretës, Kasos, Karpathos dhe gjysma e Rodos duket se kanë ndikim të kufizuar në lidhje me bregun kontinental të vendit të madh të Afrikës Veriore. Kujtohet se marrëveshja e gushtit 2020 ishte ndalur pak në perëndim të meridianit të 28-të, që është një pikë veçanërisht e ndjeshme për Ankaranë. Dhe në shënimin dijësues që shoqëroi dje PMM-në, theksohet se për të gjitha zonat e tjera është përdorur vija mesatare për përcaktimin e kufirit të jashtëm të sheshinës kontinentale greke “deri në përfundimin e marrëveshjeve të përvijëzimit me shtetet fqinje, brigjet e të cilëve janë ngjitur ose përballë brigjeve greke”.
Në këtë mënyrë, Athina në thelb i kujton Ankarasë se nëse dëshiron, rruga drejt Hagës apo arbitrazhit ndërkombëtar për përcaktimin e ZEE-së apo sheshinës kontinentale është e hapur. Ndërsa, për më tepër, dallimi i qartë midis kufijve më të jashtëm (ligji Maniatis) dhe përcaktimit segmental të ZEE-së me Egjiptin përbën një përgënjeshtrim të hapur të akuzave të Turqisë për një rrëfenjë maksimaliste greke.
Pikëpamjet turke bazohen, natyrisht, në shfaqjen e të ashtuquajturës Karta e Seviljes si qendrim kombëtar i Athinës dhe frikën e vazhdueshme të Ankarasë për t`u “kurthuar” në Gjirin e Antalias. Në fakt, harta që shoqëron MSP-në nuk përkon me hartën e Seviljes, përveç në pikat që nuk janë shënuar. Megjithëse kufijtë e jashtëm të sheshinës kontinentale janë tërhequr në bazë të ndikimit të plotë të ishujve, harta është vizatuar me detin territorial në 6 milje detare (me përjashtim të Jonit që është shtrirë në 12 m) dhe me nënshkrimin se Greqia rezervon të drejtën e saj t`i zgjerojë ato në çdo kohë.
Me pak fjalë, harta që shoqëron MSP-në pasqyron realitetet dhe është e rëndësishme kryesisht sepse pasqyron, në një dokument zyrtar për përdorim të Komisionit dhe BE-së, gjendjen aktuale në Egje dhe Mesdheun Lindor, si dhe pikëpamjet greke për shtrirjen e zonave detare të vendit.
Vlen të theksohet se MSP nuk ka asnjë lidhje me diskutimin e zhvilluar muajt e fundit për shpalljen e parqeve detare në Egje. Megjithatë, harta e MSP-së dhe katër zonat (njësitë hapësinore) në të cilat ajo ndan zonat detare të Greqisë, përbëjnë vetëm hapin e parë drejt harmonizimit me acquis communautaire. Një rrugë e gjatë legjislative është përpara për të specifikuar të gjitha veprimtaritë që mund të kryhen në këto katër fusha. Praktikisht, kjo ka të bëjë me një sërë parametrash, si qëndrueshmëria klimatike e mjedisit detar, zhvillimi i qëndrueshëm i turizmit, mbrojtja e trashëgimisë kulturore dhe veçanërisht antikiteteve nënujore, përmirësimi dhe mbrojtja e transportit detar, shfrytëzimi i burimeve energjetike të vendit, kultivimi i peshkut dhe forcimi i projekteve ndërkufitare me interes të përbashkët.
Përgatiti për botim Ylli Përmeti
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 31 reads