Marrëdhëniet Jugosllavi-Shqipëri dhe qendrimi i Stalinit dhe Titos për shqiptarët

Mollë sherri në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Jugosllavisë ka qenë Kosova dhe populli shqiptar në Jugosllavi, i shpërndarë në katër njësi federale të Jugosllavisë: Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi, i shtypur dhe i persekutuar gjatë gjithë kohës
Adil Fetahu
08/05/2021 - 20:21
Marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore, deri në vitin 1948, kanë qenë shumëdimensionale dhe të ndërlikuara. Ishin marrëdhënie intensive politike midis PK të Jugosllavisë dhe PK të Shqipërisë; marrëdhënie ushtarake (brigadat e Shqipërisë luftuan krahpërkrah me partizanët e Jugosllavisë dhe morën pjesë në luftime deri në Bosnje (Vishgrad). Pas mbarimit të luftës ishin marrëdhënie ekonomike, gati me një ekonomi të njësuar, kishte marrëveshje (27 tetor 1946) për harmonizimin e planeve pesëvjeçare të zhvillimit, unioni doganor dhe njësimi i valutës. Me atë marrëveshje në njëfarë mënyre ishte caktuar paternalizmi i Jugosllavisë mbi Shqipërinë, në të gjitha segmentet.
Megjithatë, nisën “plasaritje” e mospajtime midis zyrtarëve të Jugosllavisë, të caktuar si instruktorë e këshilltarë në Shqipëri dhe disa zyrtarëve shqiptarë. Marrëdhëniet filluan të prishen në vitin 1947, me pretekst se Shqipëria kishte hartuar Planin pesëvjeçar joreal të zhvillimit, në kundërshtim me Marrëveshjen e datës 27 tetor 1946). Pastaj Jugosllavia filloi me ndërprerjen e ndihmave dhe kredive që i kishte premtuar Shqipërisë. Kjo u reflektua edhe në acarimin e marrëdhënieve politike midis dy partive komuniste. Në fund, marrëdhëniet midis dy partive dhe shteteve u prishën në pambarim pas prishjes së marrëdhënieve midis Jugosllavisë e Bashkimit Sovjetik dhe Rezolutës së Informbyros (1948).
Natyrisht, mollë sherri në marrëdhëniet midis Shqipërisë e Jugosllavisë ka qenë Kosova dhe populli shqiptar në Jugosllavi, i shpërndarë në katër njësi federale të Jugosllavisë: Kosovë, Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi, i shtypur dhe i persekutuar gjatë gjithë kohës. Thuhet se ka qenë premtim i udhëheqjes partiake e shtetërore të Jugosllavisë, që pas çlirimit të vendit nga okupacioni, Kosova t’i bashkohet Shqipërisë, dhe në këtë frymë edhe është nxjerrë Rezoluta e Konferencës së Bujanit.
Një delegacion i Jugosllavisë, i përbërë nga Eduard Kardeli (kryesues), Stanoje Simiq dhe Vlladimir Popoviç (anëtarë të delegacionit), i shkuan në një vizitë Stalinit në Moskë, më 19 prill 1947. Nga stenogrami i vizitës dhe bisedës me Stalinin dhe Vjaçesllav Mollotovim, jepen këto pyetje e përgjigje*):
Stalini: “Si është puna me Shqiptarët? (Duket se me këtë pyetje e ka fjalën për Shqipërinë, e jo për shqiptarët në Jugosllavi, v.j.). Enver Hoxha më është ankuar kundër këshilltarëve tuaj politikë në armatën e tyre, se kanë një disiplinë të dobët, apo çka është në pyetje”?
Kardeli: “ Kjo për neve është diçka e re. Neve nuk na kanë thënë asgjë për këtë”!
Stalini: “Çfarë prejardhje kanë Shqiptarët”?
Kardeli: “Ata janë pasardhës të Ilirëve”.
Stalini: “Më kujtohet se Tito më ka thënë se ata janë të ngjashëm me Baskët”!
Kardeli: “Po, kjo është e saktë”.
Anëtari tjetër i delegacionit jugosllav, Simiq, shton:
Simiqi: “Sipas disa shënimeve, duket se Shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Sipas disa fjalëve mund të konkludohet se gjuha e tyre është më e vjetër se ajo greke. Për shembull, fjala Afrodita që përdoret në gjuhën shqipe, në greqishte nuk ka asnjë kuptim”.
Stalini: “Ai popull duket se është mjaft i prapambetur dhe primitiv”!
Popoviçi: “Vetëm se janë shumë trima dhe besnikë”!
Stalini: “Po, ata mund të jenë besnikë si qentë, kjo kjo është veti e njerëzve primitivë. Tek ne të tillë ishin Çuvashët. Mbretërit rusë ata i merrnin për roje personale”.
Kardeli: “Tek ne, në territorin e Kosovës e Metohisë, sot e kësaj dite ka më shumë Shqiptarë sesa Serbë. Ne mendojmë që më vonë, kur të lidhemi edhe më mirë me Shqiptarët (mendohet me Shqipërinë, v.j.), t’ua japim atë territor”.
Stalini: “ Shumë mirë, kjo është e drejtë. Po si janë gjetur Shqiptarët në atë territor”?
Kardeli: “Gjatë kohës së Turqisë janë vendosur atje dhe një pjesë të popullsisë e kanë shkombtarizuar” (asimiluar, vj.j.)!
Stalini: “Si është e mundur ai popull primitiv ta arrijë këtë? Me çka e shpjegoni ju këtë”?
Kardeli: “Edhe fiset e tjera kanë qenë poashtu primitive, si bie fjala: Malazezët”.
Popoviçi: “Jo, ata nuk i kanë shkombtarizuar Malazezët. Në ato anë kanë jetuar Serbët”.
Stalini qeshet: “Vot, po si? Cila fe është më e përhapura në Shqipëri”?
Simiqi: “Më së shumti ka Myslimanë, pastaj Katolikë dhe ka ca edhe Ortodoksë”
** *
Sipas pikëpamjeve të politikanëve dhe historianëve nacionalistë serbë, deri te lëshimi i Kosovës nuk ka ardhur vetëm falë prishjes së marrëdhënieve të Titos me Stalinin, respektivisht të Jugosllavisë me Bashkimin Sovjetik dhe me shtetet e bllokut socialist, në mesin e të cilave ishte edhe Shqipëria, se përndryshe duket se edhe Tito vet i ka premtuar Enver Hoxhës, gjatë vizitës së Hoxhës në Beograd (23 qershor 1946), pas së cilës qenë nënshkruar Marrëveshja për miqësinë dhe ndihmën reciproke (9 korrik 1946).
Në prag të prishjes totale të marrëdhënieve midis Jugosllavisë dhe Bashkimit Sovjetik, më 10 shkurt 1948, në vizitë te Stalini ishin Eduard Kardeli dhe Millovan Gjillasi. Në atë bisedë të ashpër e të pakëndëshme, në të cilën Stalni i kishte qortuar për mospajtimet, ishte zhvilluar edhe kjo “polemikë”:
Kardeli: “Nuk kemi pasur mospajtime”.
Stalini: “Broçkulla! Ekzistojnë mospajtime e mosmarrëveshje edhe të thella bile. Çfarë do të thoni për rastin me Shqipërinë? Fare nuk jeni konsultuar me neve kur e keni dërguar ushtrinë tuaj në Shqipëri”? (gjoja për ruajtjen e kufijve të Shqipërisë ishin dërguar dy divizione ushtarësh, e që ishte paraparë me kontratën e miqësisë të lidhur midis Shqipërisë e Jugosllavisë, v.j.).
Kardeli: “Ishte me pëlqimin e qeverisë së Shqipërisë”.
Stalini:”Çka po mendoni ju? U arsyetuat apo nuk u arsyetuat, mbetet fakti se ju nuk jeni konsultuar me neve për dërgimin e ushtrisë në Shqipëri.
Kardeli ishte përpjekur të arsyetohej, duke thënë se nuk i kujtohet asnjë çështje nga politika e jashtme për të cilën qeveria jugosllave nuk është konsultuar me atë sovjetike.
Por Stalini ia kishte pritur ashpër:
Stalini: “ Nuk është e vërtetë. Ju nuk po konsultoheni fare me ne. Dhe kjo te ju nuk është se është gabim, por është qëndrim”.
** *
Populli shqiptar në Jugosllavi, e sidomos në Kosovë, përkundër fitimit të një autonomie të zgjeruar sipas Kushtetutës së vitit 1974, dhe një hovi të zhvillimit në të gjitha fushat e jetës: politike, ekonomike, sociale e arsimore, ishte i pakënaqur me statusin jo krejtësisht të barabartë me republikat e tjera, të cilat përkah numrit të popullsisë kishin të njëjtin nivel (Sllovenia, Maqedonia), apo edhe shumë më të vogla (Mali Zi), dhe kërkesa jonë ishte për status të barabartë siç e kishin republikat, e që sipas kushtetutës së Jugosllavisë, republikat kishin edhe të drejtën e shkëputjes. Politika dhe propaganda e Serbisë ishte edhe kundër asaj autonomie që kishim. Prandaj, kishte vlime të brendshme dhe kjo vërehej edhe jashtë Jugosllavisë.
Titua, që ishte kryetar i përjetshëm i Jugosllavisë, dhe udhëheqës i PKJ prej vitit 1937 deri sa vdiq, në vitin 1980, në një vizitë që i bëri Kosovës, më 3 prill 1975, në mbledhjen e Aktivit Politik të Kosovës, të mbajtur në Hotelin “Breza”, në Brezovicë të Kosovës, duke bërë një vlerësim të gjendjes në Kosovë, raporteve me Shqipërinë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare, ndër të tjera kishte thënë:
“Kosova dhe Shqipëria janë dy elemente me të cilat kalkulojnë armiq të ndryshëm të Jugosllavisë. Dhe kalkulojnë me mjaft këmbëngulje. Duhet të shohim që, pasi interesat e Shqipërisë janë të njëjta si tonat, ta ruajmë pavarësinë tonë. Unë mendoj se udhëheqja e Shqipërisë e ka kuptuar rolin që ka Jugosllavia për ruajtjen e pavarësisë edhe të Shqipërisë. Na jemi mbështetja e Shqipërisë. Mund të kemi marrëdhënie më të mira. Ju mund të shihni se unë qëmoti nuk iu përgjigjem sharjeve dhe shpifjeve që vijnë nga Shqipëria. Do të vijë koha kur do të shohin edhe ata se ato nuk vlejnë. Nuk do t’iu përgjigjemi as në të ardhmën. Gjithnjë duhet të vazhdojmë të ndërtojmë marrëdhënie më të mira. Në Ballkan, Jugosllavia dhe Shqipëria janë me rëndësi të madhe për qetësim. Interesat tona të përbashkëta janë aq të mëdha sa që besoj se udhëheqësit shqiptarë do ta shohin se gjendja mund të jetë si në vitet e para pas luftës. Kështu edhe ju, në krahinën tuaj, në marrëdhëniet me Shqipërinë keni një rol të madh.
E di rastin e trakteve dhe besoj se ato i bëjnë individët ose grupet e vogla. Por unë nuk do të ndalem vetëm tek ato. Unë dua ta shoh më thellë problemin, se çka fshihet pas tij. Ju po thoni se ato vijnë nga jashtë, nga Vjena. Edhe unë besoj se disa gjëra që i vishen Shqipërisë, megjithatë vijnë nga jashtë, me qëllim që të prishin marrëdhëniet tona me Shqipërinë.
Kosova, si dhe Jugosllavia, janë në një pozitë politike dhe gjeografike nevralgjike. Këtë e kam vërejtur nga leximi i shtypit të huaj, i cili parashikon se Jugosllavia do të ketë probleme të mëdha me Kosovën, dhe kjo për ta është tash më e rëndësishme. Unë mendoj se disa arsye të konsdiderueshme ekzistojnë, por ata harrojnë se kemi zgjidhur dhe gjëra më të rënda, kemi qenë konsekuentë në punën tonë për ta tejkaluar çdo përpjekje që do të na cenonte vëllazërimin dhe bashkimin. Por, nuk është e mjaftueshme vetëm të proklamohet vëllazërim-bashkimi në Kosovë, nëse nuk ka mirëqenie materiale. Në vend të përparoni, ju po amulloni dhe po ngeceni prapa. Praprambetjen e Kosovës po e shfrytëzojnë elemente dhe faktorë të ndryshëm. Pozita e mirë gjeografike iu përgjigjet interesave të ndryshme, të jashtme për interesat e tyre. Ne duhet ta parandalojmë këtë prapambetje ekonomike, dhe këtë kusht t’ua heqim nga dora dhe nga mendja, të bëjmë ç’është e nevojshme që Kosova të zhvillohet më shpejtë. Ju keni pasuri të mëdha që është me interes për tërë Jugosllavinë. Unë e di se ju keni burime elektrike të mëdha, por ato shpeshherë janë në prishje dhe nuk punojnë. Ku qëndron problemi? Kur është gjendja më kritike për energji, energjia prej tyre nuk po mund të përcillet në republikat e tjera, si bie fjala në Maqedoni e Mal të Zi, të cilat janë shumë të interesuara dhe kanë nevojë për energji.
Jugoslllavia ka shumë armiq, edhe brenda edhe jashtë. Të gjithë ata armiq kanë një qëllim të përbashkët – jo vetëm ta destabilizojnë Kosovën, por që në Kosovë të gjejnë hapësirë për punën e tyre destruktive, në mënyrë që ta destabilizojnë Jugosllavinë. Prandaj them se çështja e Kosovës është çështje e tërë Jugosllavisë sonë, jo vetëm e Serbisë. Në këtë qëndron roli, detyrimi dhe detyrua juaj. Ju këtu jeni në fqinjësi me Shqipërinë. Dhe kjo është mirë, sepse keni kontribuar që marrëdhëniet me Shqipërinë të jenë më të mira se para disa viteve. Ç’është e drejta, nuk po iu përgjigjen të gjitha dëshirave dhe ofertave tona që t’ia shtrijmë dorën vëllazërore dhe të ecim përpara dhe të bashkëpunojmë. Por situata është më e mirë, të paktën në planin ekonomik”,- u ka thënë Titoja Aktivit Politik të Kosovës, gjatë takimit në Brezovicë.
_______
*) Dialogu midis Stalinit dhe delegacioneve të Jugosllavisë, është nxjerrë si stenogram dhe botuar në “Zbornik dokumenata o jugoslovensko-sovjetskim odnosima 1945-1956” (Shqip: Përmbledhje e dokumenteve mbi marrëdhëniet jugosllavo-sovjetike 1945-1956).
Në fotografi është Enver Hoxha dhe Titua.
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 2372 reads