...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Ndarja përfundimtare e Enverit me amerikanët

Në këtë pjesë të tretë jepet lidhja e fuqishme që krijoi Enveri me Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, e cila do të ishte përcaktuese për Shqipërinë për rreth një gjysmë shekulli.

Peter Lucas (Dita)

03/08/2017 - 07:45

Në dy pjesët e para të këtij rrëfimi të gazetarit dhe shkrimtarit amerikan Peter Lucas u përshkrua përmbledhtas historia e lidhjeve të Enverit me amerikanët menjëherë pas lufte, në vitet 1945 dhe 1946. Mbështetur në dokumentet sekrete të CIA-s në arkivat amerikane të Luftës së Dytë Botërore, aty kuptohen arsyet e vërteta të prishjes së këtyre marrëdhënieve.

Në këtë pjesë të tretë jepet lidhja e fuqishme që krijoi Enveri me Bashkimin Sovjetik dhe Stalinin, e cila do të ishte përcaktuese për Shqipërinë për rreth një gjysmë shekulli.

Bashkangjitur po botojmë dhe parathënien e shkruar nga Prof. Fatos Tarifa, ish-ambasador i Shqipërisë në SHBA për parathënien e librit të Lucas-it “Misioni amerikan në Shqipëri”, i botuar para pak vitesh në Shqipëri nga shtëpia botuese ‘Bota shqiptare”.

Përktheu dhe përgatiti për botim Xhevdet Shehu

 

Ndërkaq në Tiranë Hoxha dhe qeveria e tij komuniste konfiskoi tokat e nja njëqind pronarëve më të mëdhenj të Shqipërisë, kryesisht në jug dhe në Shqipërinë qendrore, të vetmet zona që ishin pjellore. U ndalua prona private dhe u morën ndërtesat kishtare bashkë me tokat. U vendos një politikë shumë e rreptë taksash dhe tregtarët që nuk i paguanin ato burgoseshin. Arrestimet, gjyqet dhe ekzekutimet vazhdonin. U ngritën kampet e internimit të punës së rëndë dhe familje të tëra ishin dërguar atje për dënim. Lëvizja e aleatëve në Tiranë erdhi gjithnjë e më shumë duke u kufizuar. Ata ndiqeshin ngado.

Stefani, Kukiçi dhe O’Kifi vazhdonin të depozitonin raportet e fshehta për Fulcin. Detyrat e tyre, si ushtarake dhe shoqërore, u mundësonin atyre kontakte me krerët ushtarakë të vendit dhe me një numër njerëzish të shtresave më të ulëta që përbënin elitën shoqërore të Tiranës. Kukiçi, i cili vazhdoi të kishte kontakte me Shehun si dhe me Hoxhën, njoftonte për një përleshje me armë midis truprojes dhe shoferit të Shehut. Fillimisht u tha se ishte një orvatje për të qëlluar Shehun, por doli se ishte puna e një arme që e fitoi truproja.

 

***

Kukiçi, bashkë me disa miq të tij shqiptarë, shkoi disa herë të gjuante derra të egër në malin e Dajtit dhe rrotull tij. Në një takim me Shehun, i cili gjithashtu gjuante, Gjenerali i tregoi një pushkë gjahu mbretërore hollandeze prodhim anglez me 12 fole fishekësh me një dorezë të gdhendur artistikisht. Shehu tha se atë pushkë ia kishte dhënë Stalini kur ishte në Moskë më 1945 duke vizituar Akademinë Ushtarake Voroshillov. Shehu i tha Kukiçit që  fillimisht pushka i ishte dhënë nga Hitleri gjeneralit rumun Ion Antonesku kur Rumania iu bashkua Boshtit dhe dërgoi trupat e saj për pushtimin e Bashkimit Sovjetik. Sovjetët e morën pushkën kur pushtuan Rumaninë dhe kapën Antoneskun. Rumania u dorëzua më 24 gusht 1944 dhe Antonesku u ekzekutua. Sovjetët ia dërguan pushkën Stalinit. Sipas Kukiçit,  nuk ishin të paktë ata që besonin se udhëheqësi sovjetik nuk do të ishte mërzitur nëse Shehu do të kishte marrë drejtimin e qeverisë shqiptare.

“Unë mendoj se rusët i besonin më shumë Shehut se Hoxhës”, thotë Kukiçi. “Stalini e pëlqente atë. Unë mendoj se ata donin që Mehmeti të merrte drejtimin e vendit. Për këtë arësye ata e ftuan në Moskë”.

Ndërkohë që disa pjesëtarë të stafit të Hoxhës nuk u besonin Sovjetëve dhe donin që Shqipëria ta lidhte fatin e saj me perëndimin, Hoxha vazhdimisht u lajkatohej rusëve. Sipas Kukiçit, Hoxha i referohej Stalinit si “vëllai i madh” i tij, si për shembull “Vëllai i madh do të bëjë këtë” ose “Vëllai i madh do të bëjë atë”. Kur Sovjetët i dërguan Shqipërisë një anije të ngarkuar me misër që u prish rrugës, Kukiçi thotë se shkoi të shihte Hoxhën. “Unë i fola Hoxhës për këtë. Unë i thashë ‘Shih se ç’bën vëllai i madh për ju. Iu dërgon misër që as derrat nuk e hanë’. Ai u marros. Më tha që ta qepja gojën. Ai nuk donte të dëgjonte asnjë fjalë më tepër për këtë çështje. Por edhe pse ai ishte marrosur, unë mund të bisedoja ende me të”.

 

***

Në korrik, Stefani njoftoi që gjatë pesë javëve të shkuara rreth 16 mijë ushtarë italianë ishin larguar për në Itali dhe që eshtrat e nëntë pilotëve amerikanë në mbetjet e aeroplanit të tyre ishin gjetur në një majë mali në Dibër pak matanë kufirit shqiptar në Kosovë. Avioni bombardues ishte rrëzuar gjatë kthimit për në Itali pas kryerjes së një bombardimi mbi Jugosllavi.35

Ditët e veprimtarisë së OSS-it në Ballkan po shkonin drejt fundit. Ushtarakët do të zëvendësoheshin nga diplomatët. OSS-i e mbylli njësinë e tij shqiptare në Bari në mars 1945. Fulci u transferua nga OSS-i në Departamentin e Shtetit. Ai iu bashkua diplomatit veteran Xhozef E. Xhejkobs (Joseph E. Jakobs), i cili kryesoi një mision civil në Shqipëri. Detyra e tyre ishte te rekomandonin nëse Shtetet e Bashkuara duhej ta njihnin qeverinë e re shqiptare. Kontigjenti nga Departamenti i Shtetit mbërriti në Tiranë me 8 maj 1945 – Dita Europiane e fitores.

 

***

Megjithë dëshirën për njohje nga Shtetet e Bashkuara dhe përfshirjen në Kombet e Bashkuara, Hoxha vazhdonte të bllokonte projektet e ndihmave dhe të mos e pranonte asistencën perëndimore. Ai gjithnjë e më shumë e lidhi vendin e tij me Stalinin dhe Bashkimin Sovjetik. Në Luftën e Ftohtë që tashmë kishte filluar, Hoxha iu bashkua palës së sovjetëve.

Xhejkobsi dhe Fulci qëndruan në Shqipëri deri më 10 tetor 1946, kur një zyrtar riosh i zëvendësoi ata. Çdo shans për njohjen zyrtare të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania e Madhe mori fund pas incidentit të Kanalit të Korfuzit më 22 tetor 1946, kur dy luftanije britanike ndeshën minat shqiptare, të cilat shkaktuan vrasjen e 43 marinarëve dhe dëmtime të mëdha të anijeve. Shqipëria nuk e pranoi përgjegjësinë, kështu që të gjitha lidhjeve u erdhi fundi. Të gjithë amerikanët dhe anglezët ikën përgjithnjë nga Shqipëria.

Shqipëria u zhyt në një ankth të politikës brutale shtetërore që do të zgjaste për dyzet e pesë vjet.

 

***

Shtetet e Bashkuara dhe anglezët, në të vërtetë vendosën të mbështesnin komunistët, edhe pse ata e kuptuan se udhëheqësi i Partisë Komuniste Enver Hoxha adhuronte Josif Stalinin dhe se komunistët do të merrnin pushtetin në vend pasi të iknin gjermanët. Kjo nuk ishte politikë që kënaqte shumëkënd, por ishte e vetmja politikë që kishte kuptim në atë kohë, ose që kështu dukej. Plani për t’i vënë Aleatët në mbështetje të komunistëve kundërshtohej nga anglezët dhe mbeti e tillë për shumë vjet. Kjo mezi është përmendur në Shtetet e Bashkuara. Ndryshe nga debatet amerikane që u ndezën pas luftës për çështjen se “Kush e humbi Kinën?”, askush duket se nuk u kujtua të pyeste se “Kush e humbi Shqipërinë?”.

Por përpara polemikave për të vendosur se cilin grup të rezistencës duhej të mbështesnin Aleatët, u shfaq përplasja midis anglezëve dhe amerikanëve se kush do të ishte përgjegjës për Shqipërinë.

 

Enveri dhe Mehmeti sipas Lucas-it

 Parathënie për librin “Misioni amerikan në Shqipëri” të Peter Lucas-it

 Prof. Fatos Tarifa

 

Prof. Fatos Tarifa

Ky libër (Misioni amerikan në Shqipëri) është i jashtëzakonshëm dhe i pari në llojin e tij.

Është një histori marramendëse që ka ndodhur në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Dhe është objektive. Jo vetëm se është tej mase e dokumentuar, por edhe e verifikuar në vend dhe me bashkëbisedime të gjata me dëshmitarë autentikë të ngjarjeve.

Autori nuk është akademik, por një gazetar veteran. Ndaj dhe na ka dhënë një histori të pashkruar më përpara; një histori të panjohur; një histori që nuk është rrëfyer ndonjëherë as për shqiptarët, as për amerikanët dhe as për kurrkënd tjetër.

Ndërkohë që disa autorë anglezë (Entoni Kuejl, Rexhinald Hibert, Xhulian Emeri dhe Dejvid Smajli) kanë botuar libra mbi praninë angleze në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, asnjë amerikan nuk e kishte bërë një gjë të tillë. Lukasi është i pari. Dhe rrëfimi i tij është brilant.

Deri më sot, gjithçka dinin shqiptarët për rolin e Shteteve të Bashkuara në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore ishte ajo çka thuhej në një tekst së tepërmi të ideologjizuar të historisë së Partisë së Punës (Komuniste) të Shqipërisë si dhe në kujtimet e shkruara nga diktatori komunist i Shqipërisë Enver Hoxha, botuar në vitin 1982 nën titullin Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë.

Një libër i studiuesit shqiptar Arben Puto, Nëpër analet e diplomacisë angleze, i botuar në mesin e viteve ’80 në Tiranë, mbështetej në një burim të pasur dokumentesh arkivale të Forin Ofisit (Ministrisë së Jashtme Britanike), sikurse kishin bërë edhe një sërë autorësh anglezë që botuan përshtypjet e tyre personale nga përvoja në Shqipëri. Lukasi i njeh të gjitha këto vepra, por, ndryshe nga të tjerët, ai zbulon informacione që asnjë nga autorët e tjerë nuk i dinë. Dhe ai e bën këtë me shumë saktësi.

Edhe autorët e tjerë kanë portretizuar Enver Hoxhën dhe Mehmet Shehun, dy figurat qendrore në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore, por askush nuk ka arritur t’i portretizojë ata me realizmin dhe me plotërinë e Peter Lukasit në këtë libër. Përshkrimet e tij kombinohen me saktësinë e mijëra dokumenteve origjinale që janë ruajtur në Arkivat Kombëtare të Shteteve të Bashkuara si dhe me rrëfimet personale të shumë individëve që i kanë njohur Hoxhën dhe Shehun gjatë luftës, njerëz që Lukasi i ka intervistuar për librin e tij.

Lukasi e tërheq lexuesin në shpellën e Panoramës (Seaview) në gadishullin e Karaburunit ku shkelën së pari njerëzit e misionit amerikan të Zyrës së Shërbimeve Strategjike (OSS). Mandej ai udhëton përmes territoreve të Shqipërisë jugore të pushtuara nga fashistët italianë dhe nazistët, midis qyteteve dhe fshatrave popullsia e të cilave ishte thellësisht e ndarë në llogore të kundërta të luftës. Njëra palë ishin të Kuqtë (Partizanët komunistë) që luftonin kundër ushtrisë italiane dhe pushtuesve nazistë, por që njëherësh luftonin edhe ata që bashkëpunuan me ta, Ballin Kombëtar dhe Legalitetin. Për më tepër, Lukasi na çon në shtabin e partizanëve komunistë, në Labinot e Çermenikë, në qytetet dhe fshatrat e sapo çliruara (Berat dhe Përmet) dhe në ato ku komunistët shqiptarë kishin vendosur bazat e qeverisë së pas luftës të Shqipërisë.

Më vonë, Lukasi na çon drejt ngjarjes më të rëndësishme të luftës antifashiste të Shqipërisë, çlirimit të kryeqytetit, duke na përfshirë edhe ne emocionalisht në atmosferën sa dramatike aq edhe të gëzueshme të atyre ditëve. Natyrshëm, pas çlirimit të Shqipërisë rrëfimi i Lukasit na fut në atë çfarë u bë Shqipëria nën regjimin komunist të Hoxhës. Ai e bën këtë duke i treguar lexuesit se si dhe pse u përkeqësuan marrëdhëniet e Hoxhës me misionin amerikan të OSS-it, duke përshkruar pasandaj me realizëm mënyrën me të cilën Partia Komuniste e Hoxhës – udhëheqëse e Lëvizjes Nacionalçlirimtare u shndërrua në një forcë politike që vendosi një diktaturë komuniste në Shqipëri. Tragjedia qëndron në faktin që Lëvizja Nacionalçlirimtare e Hoxhës, e cila kishte luftuar kundër pushtimit fashist duke qenë në aleancë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, përfundoi në një luftë kundër atyre që e kishin mbështetur.

Libri i Lukasit fillon me një njeri, oficerin e parë amerikan të shërbimit sekret të OSS-it, i cili zbarkoi në Shqipëri më 18 nëntor 1943, për të vazhduar me përshkrimin se si u ndërtua dhe funksionoi i gjithë misioni me rreth 25 pjesëtarë në radhët e tij gjatë luftës. Në faqet e fundit të librit autori na tregon përmbledhtas fundin e misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Tiranë pas luftës, një mision që u detyrua ta linte Shqipërinë menjëherë pas luftës, duke i lënë të dy vendet pa marrëdhënie diplomatike për 45 vjet.

Lukas është i paanshëm. Në vend të anshmërisë, ai na rrëfen një histori magjepsëse se si misioni amerikan i OSS-it kreu detyrën e tij në një mjedis tej mase armiqësor dhe kompleks. Këtë e vërteton fakti që ai nuk i sheh ngjarjet bardhezi.

Lukasi është hulumtues. Ai përzgjedh me kujdes të gjitha pjesët e tablosë enigmatike – historitë personale, episodet, ngjarjet historike, dokumentet arkivale, fotografi të kohës, dëshmi të shkruara, rrëfime gojore – dhe mandej i përcjell ato së toku. Rrëfimi i tij zbulon një mister dhe shfaq të vërtetën, e cila nuk është treguar ndonjëherë deri në këtë moment. Ai shfrytëzon një galeri të pasur karakteresh që veprojnë në mjedise dhe rrethana të ndryshme gjatë viteve të luftës. Ndërkaq, ai thekson disa aspekte:

Së pari, amerikanët nuk donin të ishin palë në luftën civile, në luftën brenda luftës që u zhvillua në Shqipëri gjatë pushtimit nazist. Megjithatë, amerikanët ishin të prirur të mbështesnin ata që ishin të vullnetshëm të luftonin nazistët. Dhe doli se ata që luftonin ishin komunistët. Kështu që të pesë grupet e Shërbimit Sekret të OSS-it që u dërguan në Shqipëri nga nëntori i vitit 1943 deri në mbarim të luftës u lidhën me partizanët komunistë, përderisa komunistët ishin qartësisht i vetmi grup i rezistencës në Shqipëri i vendosur për të luftuar nazistët.

Së dyti, Enver Hoxha dhe partizanët e tij komunistë kishin qëllime të ndryshme nga anglezët dhe, më vonë, edhe nga amerikanët. Aleatët kishin një luftë për të fituar kundër gjermanëve. Hoxha gjithashtu kishte një luftë për të fituar kundër gjermanëve. Por ai zhvillonte në të njëjtën kohë edhe një luftë civile kundër Ballit Kombëtar dhe Legalitetit. Hoxha donte ta bënte atë luftë siç donte ai dhe jo siç donin anglezët dhe amerikanët. Hoxha toleronte amerikanët. Por ai urrente anglezët dhe nuk iu zuri besë kurrë atyre.

E treta, Shqipëria dhe Ballkani historikisht ishin nën sferën angleze të ndikimit. Shtetet e Bashkuara ishin një partner i ri në koalicionin ballkanik anglo-amerikan. Megjithatë, nuk mund të flitet se misioni amerikan i OSS-it në Shqipëri u vu nën komandën e anglezëve. Ndonëse njerëzit e OSS-it shpesh bashkëpunuan me kolegët e tyre anglezë të SOE-s (Drejtorisë së Operacioneve të Posaçme), shpesh ata u vunë në garë me njëri-tjetrin për mbledhjen e informacioneve sekrete. Hoxha, ndërkaq, ndërseu me shkathtësi një grup kundër tjetrit.

E katërta, Enver Hoxha ishte një politikan që përdori me sukses instinktet e tij luftarake në betejat brenda partiake për të marrë kontrollin e Partisë Komuniste të Shqipërisë. Qoftë me dhelpëri, me poshtërim, apo thjesht me vrasjet prapa krahësh, Hoxha qe në gjendje t’i nxjerrë jashtë loje të gjithë kundërshtarët në betejën për pushtet dhe të sundojë për dyzetepesë vjet. Ai e kishte kuptuar që në fillim se ai që kontrollon Partinë Komuniste kontrollon ushtrinë, dhe ai që kontrollon ushtrinë sundon gjithë vendin.

Lukas ka kapur thelbin.

Unë nuk njoh ndonjë shkrimtar të huaj, – amerikan jo se jo – që të ketë më shumë njohuri për Shqipërinë apo të ketë kaluar më shumë kohë se Lukasi në Shqipëri. Kjo vepër flet për thellësinë e njohjes dhe të përvojës.   

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA