...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Si shkatërrohen kafshët dhe biodiversiteti nga sistemi dhe elitat?*

Zinxhiri ekologjik, rrjedhimisht, kalon nga (1) ruajtja e pyjeve, ku kafshët e egra riprodhohen, dhe (2) edukimi i përhershëm i popujve për jetën që na rrethon, përmes gjithëpërfshirjes në shqyrtim dhe kundrim demokratik, me qëllim që ligjet të shkruhen n

Ylli Përmeti

03/06/2017 - 12:20

Ka kohë që qarkullon një qendrim i Stiven Hoking lidhur me njerëzinë dhe të ardhmen e saj —njëri nga njerëzit më të zgjuar, siç paraqitet nga shumë shkencëtarë të kohëve tona— pas Ajnshtajnit: se ne duhet të braktisim planetin tonë dhe të zhvillojmë jetë në planetë të tjerë që të shpëtojmë! Këtë qendrim e përqafojnë shumë në kohën tonë meqënse pak janë ata që tregojnë shkaqet. Madje shkaqet s’i tregon as Hoking. Sigurisht, përveç ‘lakmisë’ e të tjera si këto. Problemi është se njerëzit e zakonshëm ngatërrojnë —në padije, sigurisht—qendrimin e një fizikanti me qendrimin e studiuesve të filozofisë politike: sepse është kjo e fundit që shqetësohet për shkaqet ose ka për detyrë të tregojë shkaqet e katastrofave dhe krizave tona. Në kohët tona janë pak të tillë dhe zakonisht “groposen” nga masmedia dhe elitat moderne.

Kështu, në kuadër të këtij pështjellimi të përgjithshëm, qarkulloi së fundmi një studim tjetër i cili citon se “bota po përjeton një ‘zhdukje biologjike’ të specieve të saj për shkak të njerëzve”! Autorët studiuan 26,600 specie zogjsh, amfibësh, gjitarësh dhe zvarranikësh —afërsisht gjysmën e specieve vertebrore—dhe konluduan se zhdukja e gjashtë masive e specieve të planetit…që hyri në fjalorin tonë për shkak të përfundimeve të një studimi në vitin 2015 (Ehrlich etj.)  është më keq se sa mendohësh më parë. Ata kanë gjetur se numri i kafshëve që dikur jetonin paralel me njerëzit - ka rënë më shumë se 50 për qind. Autorët argumentojnë se bota nuk mund të presë të adresojë dëmin e biodiversitetit dhe se dritarja kohore për veprim të efektshëm është shumë e shkurtër, “ndoshta jo më shumë se dy ose tre dekada”. Autorët zbuluan se më shumë se 30 për qind e vertebrorëve dhe 177 gjitarë të mirë-studiuar janë zhdukur si pasojë e zvogëlimit të rrezes territoriale (rreth 30 për qind të sipërfaqes që zinin nga viti 1990-2015). Dhe më shumë se 40 për qind e këtyre specieve kishin humbur më shumë se 80 për qind të rrezes së tyre gjeografike. Rreth 41 për qind e amfibëve dhe 26 për qind e gjitarëve kërcënohen me zhdukje.

Autorët përfshijnë disa nga shkaqet e zhdukjes së biodiversitet: humbja e habitatit, mbipopullimi, organizmat pushtues, ndotja, toksifikimi, ndryshimi klimatik dhe një luftë e mundshe bërthamore e shkallës së madhe. Kështu ata bëjnë thirrje për kufizimin e popullatës botërore të njerëzve, kërkojnë të adresohet tej-konsumi, dhe shoqëritë të kuptojnë se ato duhet të zhvendosen nga “trillimi se rritja e përhershme ekonomike nuk mund të ndodhë në një planet me burime të kufizuara”. Më tej, ata shtojnë dhe mungesën e empatisë mes njerëzish kundrejt jetës së kafshëve të tjera të plantit. Hera e fundit kur u zhdukën specie e planetit tonë ishte koha kur u zhdukën dinozaurët dhe rreth 75 për qind e jetës së planetit: rreth 66 milion vjet më parë. Ritmi i zhdukjes së kafshëve është 10 deri 100 herë më i shpejtë se në të kaluarën! Por qoftë Hoking qoftë studiuesit përkatës nuk shikojnë as kuadrin institucional të botës moderne dhe kontribuesit teorikë të tij (Monteskie dhe Adam Smith në njërën anë dhe Marksi në anën tjetër) as edhe kuadrin institucional të globalizmit neoliberal, prej të cilit burojnë vlerat që dominojnë shoqëritë e integruara në të: konkurrencën (e cila çon në ekspansion dhe antagonizëm); konsumerizmin (i cili buron nga ideologjia e rritjes ekonomike dhe përqendrimi i pushtetit në duart e elitave); dhe individualizmin (i cili është efekti anësor i dinamikës së sistemit: konkurrencës. 

Politikat fitimprurëse (kapitaliste) në nivel botëror kanë çuar në kërcënimin e kafshëve të egra si asnjë herë tjetër në historinë humane: numri i tyre ka rënë thuajse me një të tretën përgjatë 40 viteve të fundit. Tigri udhëheq me një rënie prej 70%, duke u ndjekur nga peshku-ton (Northern bluefin tuna/Thunnus thynnus), dhe fBaiji ose Yangtze —një delfin që banon sidomos në lumenjtë e Kinës dhe Azisë— është zhdukur krejtësisht.[1] Dhe tigri, siç dihet, përdoret për veshje sidomos për gratë e pasanikëve. Ndërsa ‘toni’ kërcënohet me zhdukje në sajë të kërkesës në rritje kryesisht të Japonisë. Sipas një studimi,[2] pesë vitet e fundit, shumë specie rrezikojnë me zhdukje përfundimtare nga jeta e planetit. Një kafshë tjetër që rrezikon me zhdukje të plotë është rinoceronti. Sepse në Azi besojnë se briri i tij kuron kancerin. Për të njëjtën arsye në vitin 2014-të u vranë dhe masakruar rreth 1500 rinocerontë.[3] Briri i tij tashmë kushton më shumë se ari. Ekzistenca e këtij besimi nënkupton se gjahtarët e “pamëshirshëm” do të vrasin dhe shkatërrojnë kafshët edhe më shumë në të ardhmen! Në Shqipëri shumë kafshë janë zhdukur dhe shumë janë proces të zhdukjes. Përveç disa përpjekjeve sporadike, asnjë përpjekje serioze nuk është bërë për ruajtjen e kafshëve të egra, rikonceptimin e kafshëve të buta dhe kuptimin e rëndësisë biodiversitetit. Shkaku kryesor është se në Shqipëri partitë politike përbëhen nga anëtarë që kanë zhvilluar vetëm një “dashuri”: “dashurinë për pushtet”.   

Kështu, ndërsa ‘kërkesa’ është shkaktarja kryesore e shfarrosjes së tigrit, dhe jo gjahu pa leje...një shkak dytësor, por gjithashtu vendimtar për kafshët, është administrimi i ligjit nga “rojet” periferike: ata shkelin ligjin në mënyrë të organizuar dhe për përfitime personale. Sepse ata nuk janë zoofilë por thjesht roje të emëruar nga qeveri me mungesë urtësie dhe dashurie për kafshët. Pingolina, për shembull, një kafshë zvarranike, që jeton në pyje dhe degët e drurëve, një ndër kafshët më ekzotike në botë, është në zhdukje, pikërisht sepse gjuhet pamëshirshëm dhe në shkelje të hapur të ligjit, për mishin dhe luspat e saj.[4] Delfini, në anën tjetër, u shfaros kryesisht sepse lumenjtë përmbajnë sasi të mëdha toksinash. Shkaku, edhe këtu, është ideologjia e rritjes ekonomike (industritë, fuqia blerëse dhe braktisja e zhvillimit të urtësisë mes popujsh). Është, në fjalë të tjera, tregu i marketingut (i ndërkombëtarizuar) dhe përqendrimi i pushtetit në pak duar shkaktari përfundimtar për masakrën që ushtrohet mbi kafshët. Biodiversisteti është gjithashtu në zhdukje: ‘20 deri 30 vitet e fundit, 85 për qind e rezervave të biodiversitetit humbën ca ose shumë nga pyjet rrethues, dhe vetëm 2 për qind fituan pyje rrethues’.[5] Shkencëtarët kanë arritur të dokumentojnë humbjen e 492 specieve në Angli — pjesa më e madhe janë zhdukur që nga fillim-vitet 1800. Informacioni për humbjet e kafshëve që përmblidhet nga studime të ndryshme, zbulojnë se ‘24% e fluturave, 22% e amfibëve, 15% e delfinëve dhe balenave, 14% e bargurorëve, 12% e gjitarëve tokësor dhe 12% e insekteve guror, janë zhdukur nga Anglia.[6] Në Britani, si pasojë e motit të lagësht fluturat janë në zhdukje.[7] Bleta e përvuajtur kërcënohet kudo dhe në çdo vend. Veçanërisht nga përdorimi i pesticideve në bujqësi (“neonikotinoidet”). Humbja e habitatit ku jetojnë, sëmundjet nga natyra e sëmurë dhe stresi i ushqimit janë tre kërcënuesit kryesorë të bletës. Dihet se bleta luan rol vendimtar në bujqësi: ajo pllenon lulet e bimëve. Pa të bujqësia do të shkatërrohësh. Bleta dhe pllenues të tjerë kontribuojnë në prodhimin e rreth një të tretës së ushqimit që ne konsumojmë. Prodhimet e saj përdoren kudo: në ëmbëlsira dhe ushqim të gjallë për njeriun. Kafja, çokollata dhe thuajse çdo frut dhe perime do të rrallohen në rastin më të mirë nëse ajo mungon. Në çdo çast atje janë rreth 3 trilion bletë mjalti rreth botës. Bashkë me kushërirat e tyre të egra ato i kanë shërbyer njeriut falas për miliona vjet. Shumë studime tregojnë se bleta kërcënohet drejtpërdrejt nga pesticidet —një grup i gjerë pesticitesh kimikisht i njëjtë me nikotinën e duhanit— që shkatërrojnë aftësinë e bletëve për të themeluar popullata të reja.[8]

Studimet përkatëse janë sponsorizuar nga vetë ndërmarrjet që shesin pesticidet përkatëse dhe sponsorët janë munduar t’i paraqesin përfundimet e studimeve përkatëse të dyshimta. Por është e qartë se lidhja mes pesticideve —klothianidit, thiamethoksaminit dhe imidaklopridinit— është e drejtëpërdrejtë. Sepse studiuesit në këtë studim hetuan efektin e ekspozimit të bletëve –të cilat pllenojnë drithin për fermerët— dhe dy specie të egra bletësh në kolzë vajëse të trajtura me neonikotinoidet e përmendura më lartë. Më parë ata i kishin studiuar efektet e pesticideve në laborator ku nuk paraqiten kushtet e vërtetë të natyrës. Kështu, pesticidet janë kontribuesi kryesor në rrënimin e kolonive të bletëve të buta dhe të bletëve të egra. BE-ja ka vendosur një moratorium për përdorimin e pesticideve në vitin 2013-të ndërsa korporatat e ‘agrobiznesit’ lobonin për të kundërtën! Në fund të këtij viti (2017) do të ridebatohet kjo problematikë. Por siç konkludon një analizë në FT, “rreziku është se fermerët do të përdorin diçka tjetër me efekt më të kobshëm — bota perëndimore në rregullimin e pesticideve është e tmerrshme”.[9] Por rregullimi ligjor është një çështje; dhe një tjetër është shkaku kryesor se pse fermerët përdorin pesticide për kultivarët e tyre: së pari, për të ulur koston e prodhimit; dhe së dyti, nuk janë në dijeni të rëndësisë që ka bleta në kultivarin e tyre. Janë, në fjalë të tjera, dy herë padije: një herë kur nuk dinë të ulin koston e prodhimit veç me pesticide dhe një herë tjetër kur shkatërrojnë bletën e cila është kontribuesi kryesor në prodhimin e tyre! Një tjetër gjitar ose një brejtës i vogël me emrin “Bramble Cay melomys”, që jetonte në një ishull të vogël në ngushticën e Torres, Australi, tashmë është zhdukur plotësisht për shkak të rritjes së nivelit të detit.[10] Me shfaqjen e homo sapiens-it në tokë, katastrofa ekologjike nuk ka të ndaluar. Siç citon Monbiot në një studim, pasi tregon shkatërrimin e bishave tokësore nga njeriu:

Dhe ne ende nuk kemi ndaluar së shkatërruari. Gjuetia pa leje ka reduktuar popullatën e elefantëve të pyllit Afrikan me 65% që nga viti 2002. Rrezja e elefantëve Aziatik —të cilët një herë e një kohe jetonin nga Turqia deri në brigjet e Kinës— është zvogëluar me 97%; dhe rrezet e rinocerontëve të Azisë me rreth 99%. Elefantët shpërndajnë farat e qindra specieve bimore të pyjeve; pa ata këto bimë zhduken nga funksioni i tyre.[11]

Dhe Monbiot, pyet: është kjo gjithçka ne jemi? Një përbindësh zvogëlues që nuk mund të lërë asnjë derë të mbyllur, asnjë vend të fshehur të paprekur, që po shkatërron tashmë bishat e mëdha të detit njëlloj siç shkatërroi bishat e mëdha të tokës? Mund ta ndalojmë këtë? Mund të përdorim mendjemprehtësinë tonë, e cila për dy milion vjet është kthyer kaq krijuese ndaj shkatërrimit, për të sfiduar historinë tonë evolucionare?[12] Sigurisht që ne mund ta ndalojmë katastrofën. Por kurrë pa kuptuar dhe luftuar shkaqet. Një hetim shumëvjeçar rreth jetës së egër botërore tregon krimin e organizuar —duke përfshirë autoritetet përkatëse— përgjatë disa kontinenteve nga Afrika Jugore në Tajland deri te tregjet e Kinës ku pjesët e kafshëve të egra përdoren kryesisht në mjekësinë tradicionale. Vlera e tregut të kafshëve të egëra llogaritet të kalojë 23 miliard dollarë në vit duke u renditur pas industrisë së drogës.[13] Këtë treg e nxisin qoftë institucionet ndërkombëtare, për shkak të padijes, qoftë pasanikët perëndimorë, për shkak të padijes dhe lakmisë, herë tërthorazi dhe herë drejtpërdrejt. Ata shfrytëzojnë mendësitë prapanike që janë krijuar në Lindje të Azisë, domethënë, besimin se prodhimet e kafshëve bartin veti kurative...vendet e zhgardhuar të Afrikës dhe tregun e lirë. Siç analizon, për më shumë, një analist:

Ligji i hekurt i tregut është se ti nuk frenon kërkesën duke u përpjekur të frenosh ofertën. Ky ligj është i njëjtë për drogën. Për alkoolin. Për seksin. Dhe për fildishin. Për një gjeneratë, një burokraci ndërkombëtare të zyrtarëve të Kombeve të Bashkuara dhe OJQ-vë është përpjekur të shtypë ofertën e fildishit në Afrikë, thuajse njëlloj si ç’ka vepruar të shtypë ofertën e kokainës në Amerikën Latine. Se çfarë shkakton gjithë kjo burokraci është rritja e çmimit. Për kafshët dhe shumë miliona njerëz përgjatë vendeve të Afrikës kjo politikë ka rezultuar rrënimtare. Ushtri të vogla janë rekrutuar, miliona janë shkapërderdhur dhe gjahtarët pa leje janë ndjekur. Njerëzve vendorë u është dashur të shikojnë pluhurin e arit të tyre — brirët e rinocerontëve tani kanë vlerë më të madhe për onz sesa ari — i djegur para syve të tyre, për të bërë perëndimorët të ndjehen mirë. Një ndalim qesharak tërësor është imponuar mbi fildishin e vjetër. Por gjahu i paligjshëm thuhet se është në nivelin më të lartë të të gjitha kohërave, duke u nxitur nga këto rrëgjime të popullarizuara ndërsa flakadani i prillit të fundit të Kenias prej 70 milion dollarrë të fildishit të kapur, hamendësisht do të “rriste vetëdijën”. Ky shkatërrim i vlerës thjesht inkurajon tregëtarët në Azinë lindore që të grumbullojnë, dhe kështu rrisin nxitjen për gjah të paligjshëm. Nëse ne duam vërtetë të kthejmë zhdukjen e rinocerontëve dhe elefantëve — të cilët me popullaritetin që kanë në parqe safari dhe kopshte zoologjikë është e pamundur— objektivi ka shpërthyer në proces. Do të ishte bukur për të gjithë ne nëse asnjëri nuk do të besonte se prodhimet e rralla të kafshëve do të ishin të mira për shëndetin. Kërkesa në Japoni është në rënie por tregu në Kinë dhe Vjetnam vazhdon të jetë masiv. Përpjekje janë bërë për të mbarështuar speciet përkatëse në vend. Rinocerontët, arinjtë dhe dy të tretat e gjithë tigrave që përdoren për tregëti mbarështohen në Kinë, por nuk mund të mbulohen kërkesat për fildishin. Si rezultat, lejet e gjahut në Arikën jugore, ku elefatët vazhdojnë t’i rezistojnë gjahut, përdoren për furnizime të maskuara fildishi. Ndërsa fermerëve u thuhet se ata nuk duhet të vrasin elefantë, por ata nuk janë shpërblyer për dëmin e bërë nga kafshët në drithërat e tyre...lëvizja drejt një tregu të ligjshëm për fildishin do të jetë e dhimshme — siç do të ishte me drogën për të shpërblyer kriminelët. Por lejimi e njerëzve në Afrikë për të përfituar nga ruajtja e specieve të rrezikuara është e vetmja mënyrë për të siguruar të ardhmen e atyre specieve. Koncepti i kafshës së “egër” po tkurret si asnjë herë. Nëse ne përpiqemi të kundërshtojmë se vendet e varfëra për të drejtën e kultivimit të prodhimit të tokës së tyre— siç bëjmë për lopët dhe delet— në vend t’i inkurajojmë për konservimin e ndërgjegjshëm dhe fitimprurës, ne imponojmë kosto mbi ta, dhe i inkurajojmë të emigrojnë në vende të tjerë, ku ne kemi shfarrosur prej shumë kohësh elefantët. Mënyra më e mirë për të ruajtur këto kafshë të lavdishme nuk është t’u japim kujdestarëve një interes të ligjshëm në gjahun e paligjshëm. Fakti që politika e fildishit po nxitet nga familja mbretërore Britanike dhe lobistët amerikanë të krimbur në pará nuk e bënë këtë çështje të drejtë. Është e gabuar, dhe bëhet edhe më rrënuese për çdo vit që kalon.[14]            

Në këto kushte, ndalimi i kësaj masakre të organizuar kalon nga OKB-ja, e cila duhet të luftojë në dy fronte njëherësh: së pari, të luftojë me studime dhe edukim shkencor mendësinë e krijuar në Azinë lindore dhe përgjithësisht rreth botës, se konsumimi i prodhimeve të kafshëve nuk kuron asnjë sëmundje dhe se vlerat ushqimore që burojnë nga kafshët mund të zëvendësohen me perime, dhe së dyti, dhe paralelisht më këtë proces, të angazhojë elitat rajonale për të hartuar ligje të rreptë, për ndalimin e gjahut, dhe veçanërisht, të edukojnë popujt përkatës se kafshët janë një zinxhir i domosdoshëm i jetës planetare dhe se pa to jeta jonë kërcënohet seriozisht.

Belgjika ndaloi masakrën për “kosherin” dhe “hallallin” në territorin e saj më të madh

Elitat luajnë rol vendimtar për jetën e kafshëve qofshin ato pjellë e “demokracisë” përfaqësuese qofshin fetare. Parlamenti i rajonit “Wallooon” në Belgjikë, për shembull, ndryshe nga elitat barbare, ndaloi me votim unanim masakrimin e kafshëve patrullosje paraprake nga thertoret që furnizojnë me mish komunitetet fetare hebraike dhe muslimane për ‘kosher’ dhe ‘hallall’. Ritualet e ‘kosherit’ hebraik dhe ‘hallallit’ islamik kërkojnë nga kasapi të therë kafshën duke i prerë fytin dhe kulluar gjakun (një ritual që përdoret në Shqipëri gjithashtu), pa trullosje paraprake, por që dënohet me të drejtë nga zoofilët të cilët argumentojnë se është më njerëzore ta trullosësh kafshën përpara se ta vrasësh. Kjo qasje është adoptuar dhe nga rajoni i Flemishit në Belgjikë. Kongresi Europian Hebraik (KEH) dënoi vendimin si fyerjen më të madhe të të drejtave fetare hebraike në Belgjikë që nga koha e pushtimit nazist të vendit në luftën e dytë botërore, duke e quajtur “skandal”. Siç duket, kongresi në fjalë, nuk bën dot dallimin mes një rituali barbar dhe sigurisht të padëshirueshëm, me vetë komunitetin!

“Ky vendim, në zemër të Europës Perëndimore dhe qendra e Bashkimit Europian, dërgon një mesazh të terrshëm në komunitetet hebraike përgjatë kontinentit tonë se Hebraikët janë të padëshirueshëm...dhe si ai godet zemrën e kulturës sonë dhe praktikën fetare dhe statusin tonë si qytetarë të barabartë e të drejta të barabarta në një shoqëri demokratike. Ai ndihmon antisemitët dhe intolerantët e besimit të komunitetit tonë”, citoi presidenti i KEH-së, Moshe Kantor!

Njëlloj u shqetësuan dhe muslimanët për ushqimin e tyre të dëshiruar, hallallin! Vetëm Danimarka, Zvicra dhe Zelanda e Re e ndalojnë therjen patrullosje. Praktikën e ‘trullosjes’ paraprake të kafshës e kishin adoptuar deri diku veterinerët e socializmit në Shqipëri. Por pas shkatërrimit të shkencës së organizuar të vendit tonë thertoret janë të lira të veprojnë si të duan me kafshët: ato masakrohen si asnjë herë më parë dhe asnjë pushtet juridik nuk ndërhyn! Shpesh blektorë të ndryshëm shesin qingja dhe keca për mish dhe mënyra se si i lidhin dhe transportojnë është tejet e dhimbshme. Blegërimat që burojnë nga dhimbjet nuk ndalojnë asnjë sjellje barbare! Pandjeshmëria e dhimbjes në kulmin e saj. Njëlloj veprohet me lopët dhe gjedhë të tjerë: masakrohen në stalla dhe shfrytëzohen barbarisht. Siç tregon Monbiot, PETA (People for the Ethical Treatment of Animals) etj., në këto praktika nuk ndryshojnë aspak perëndimorët. Shteti i barbarëve në veprim...

Një tjetër masakër zhvillohet me kafshët e egra jo vetëm për shkak të keqedukimit të njerëzve por edhe për shkak të keqligjësimit (megjithëse keqligjësimi buron nga keqedukimi). Presidenti amerikan, për shembull, në respekt të premtimit të tij parazgjedhor —se do të lejonte pronësinë e armëve mes amerikanëve— përkundër përpjekjes së Obamës për ta kufizuar, dhe që dështoi dhimbshëm, deklaroi se do të lejonte amerikanët të “vetë-mbroheshin” duke i ndihmuar të armatosen dhe kështu, të jenë të lirë gjuetarët të masakrojnë kafshët e egra...duke e konsideruar “sport në natyrë” dhe duke e ilustruar me dashurinë e bijëve të tij se “ata dashurojnë jetën në natyrë”. Domethënë, përdorimin e armëve për të vrarë kafshët e egra! Ky qendrim buron nga keqedukimi i njerëzve: sepse kënaqja me dhimbjen e kafshëve të tjera të natyrës sonë të bukur nuk përputhet absolutisht me natyrën dhe rolin e njeriut në jetën e planetit tonë: se ne duhet ta ruajmë dhe mbrojmë jetën që na rrethon dhe jo të kënaqemi me dhimbjen që shkaktojmë mbi kafshët e tjera kur dihet se njeriu që kënaqet me dhimbjen e një kafshe tjetër jo vetëm që quhet sadist dhe i sëmurë, nga një këndvështrim mjekësor, por ai, pikërisht sepse kënaqet me dhimbjen e kafshëve të tjera, do të kënaqet edhe me dhimbjen e një njeriu tjetër! Nga këndvështrimi psikologjik dhe juridik, rrjedhimisht, ky lloj njeriu është i rrezikshëm dhe duhet ose të edukohet ose të kufizohet përmes ligjit...       

Zinxhiri ekologjik, rrjedhimisht, kalon nga (1) ruajtja e pyjeve, ku kafshët e egra riprodhohen, dhe (2) edukimi i përhershëm i popujve për jetën që na rrethon, përmes gjithëpërfshirjes në shqyrtim dhe kundrim demokratik, me qëllim që ligjet të shkruhen në mendje, zemër dhe shpirt, dhe jo thjesht në letër, siç i shkruajnë elitat kapitaliste, dhe mjaftohen me shpalljen e tyre ndërsa ua dorëzojnë ekzekutorëve të cilët janë kryesisht militantë partish - objektivi i të cilëve është të zënë një “qoshe” administrative dhe të përfitojnë nga pasuritë e popujve. Një balancë e drejtë midis pyjeve, kafshëve dhe njerëzve duhet dhe mund të krijohet.

*Pjesë studimore nga një studim më i gjerë me titull, Kriza shumë-dimensionale


[1]Death on Earth: how the world's wildlife vanished,The Independent, 15 May 2012.

[2]Save our skins, The Independent, 25 August 2013.

[3]Poaching the creature that’s more valuable than gold, BBC, 4 April 2015. Big game, Big Money, FT, Oct 2, 2015.

[4]The most illegally traded animal in the world is one you've never heard of, The Independent, 14 March 2014.

[5]Rainforest wildlife havens on brink of collapse, Steve Connor, The Independent, 27 July 2012.

[6]Lost Life: England’s lost and threatened species, p, 5, pdf.

[7]Britain's butterflies in trouble due to wet weather, The Independent,28 June 2012.

[8]Study links insecticides to bee breeding problems, FT, June 29, 2017.

[9]Saving the humble bee is to save ourselves as well, FT, 30 June 2017.

[10]Revealed: first mammal species wiped out by human-induced climate change, The Guardian, 14 June 2016.

[11]Destroyer of worlds, George Monbiot, The Guardian, March 24, 2014.

[12]Po aty.

[13]Revealed: the criminal making millios from illegal wildlie trafficking, The Guardian, 26 September 2016.

[14]A total ban on ivory would be disastrous for elephants. Better to legalise it, Simon Jekins, The Guardian, 23 September, 2016.

Me Të Lexuar

  • Viewed
  • Past:
  • Dita
  • Java
  • Muaji
Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA