...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Arsyet e braktisjes së Uashingtonit në luftën e tij kundër Kinës nga Makroni

Katër janë arsyet se pse Makroni braktis Uashingtonin në luftën e tij kundër Kinës: të katërta bazohen në fakte dhe jo në hamendësime

Ylli Përmeti

14/04/2023 - 13:18

Nuk kishin kaluar tre ditë nga deklarata e Makronit lidhur me marrëdhëniet me Kinën dhe kundër luftës së SHBA-së ndaj saj, disa “analistë” në shtypin perëndimor filluan të hamendësonin arsyet se pse ai doli nga linja e Uashingtonit dhe thanë se qendrimi i tij lidhet me përgjimet e Uashingtonit ndaj elitave evropiane. Por elitat evropiane e dinin se përgjoheshin por jo në shkallën e zbuluar nga raportet e Pentagonit! 

Megjithatë, katër janë arsyet se pse Makroni braktis Uashingtonin në luftën e tij kundër Kinës: të katërta bazohen në fakte dhe jo në hamendësime:

arsyeja e parë lidhet me prirjet politike të Makronit: ai është Golist dhe ky i fundit i ka përcaktuar marrëdhëniet me Kinën që në vitin 1964; arsyeja e dytë lidhet me presidencën e Trampit kur ky i fundit u përpoq të shtrëngonte elitat evropiane të paguanin më shumë në NATO dhe siguria e saj u vu në pikëpyetje dhe për pasojë ato menduan krijimin e autonomisë strategjike përmes të cilës kuptohet fakti se në rast se Uashingtoni vendos prapë në pikëpytje sigurinë evropiane kjo e fundit të ketë mundësi të veprojë në pavarësi nga ai; arsyeja e tretë lidhet me kuptimin e Makronit se duke ndjekur epshet e Uashingtonit Evropa mund të përfshihet në një luftë tjetër kundër Kinës ndërsa eurazia shihet nga evropianët si një treg më joshës se tregjet e tjerë; dhe arsyeja e fundit lidhet me përgjimet.

Gjykuar nga këto arsye, ai ka kundruar për një kohë të gjatë “shkëputjen” e elitave evropiane nga elita amerikane: sepse në Kinë nuk shkoi vetëm por me presidentet e komisionit evropian. Madje, qendrimin e tij e mbështeti dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel. “Udhëheqësit evropianë po anojnë në rritje me presidentin francez në qendrimin e tij mbi autonominë strategjike dhe larg SHBA-së” tha ai për një televizion francez duke sqaruar se “është shënuar një hop përpara mbi autonominë strategjike karahasur me pak vite më parë” ndërsa “mbi çështjen e marrëdhënies me SHBA-në”, ai sqaroi se “është e qartë se ka nuanca dhe ndjeshmëri rreth tryezës së Këshillit Evropian. Disa udhëheqës evropianë nuk do t`i thoshin gjërat siç i tha Makroni...dhe mendoj se pak mendojnë si ai”, tha ai.

Qendrimi i tij, në fjalë të tjera, nuk buron nga përgjimet por nga kuptimi se e ardhmja evropiane varet nga pavarësia politike dhe ekonomike e BE-së dhe nga eurazia.

Vërejtjet e Makronit nuk do t`i shpëtonin Financial Times. Sipas një raporti të saj, me titull, “tërmeti rreth vërejtjeve të Makronit për Tajvanin zbulon ndarjet e BE-së mbi Kinën“ “diplomatët dhe analistët evropianë thonë se ai “ngatërroi përpjekjet e BE-së për të farkëtuar një qasje të bashkuar”; madje, për shumë diplomatë dhe analistë, ai ka “krijuar përshtypjen e pështjellimit mbi politikën BE-Kinë”.

Më tej raporti kujton se “BE-ja është munduar të hartojë një qendrim koherent ndaj Kinës muajt e fundit pas shumë udhëtimesh të pavarura në Pekin nga një mori udhëheqësish evropianë. Ata që fluturuan vetëm në kryeqytetin kinez kanë qenë Olaf Sholc, kancelari gjerman, i cili si Makroni është ankcioz për të ruajtur lidhje të forta industriale me Kinën [se pse përshkruhet ashtu gjendja mendore e Sholcit e sqaroj në vijim]. Mes vizitorëve të tjerë kanë qenë Pedro Sanches, kryeministri spanjoll, dhe presidenti i Këshillit Evropian Charles Michel. Makroni kërkoi të tregonte unitet evropian në vizitën e tij tre-ditore të mbushur me madhështi në Kinë duke marrë me vete von der Leyen. Por ato përpjekje u brejtën nga poshtë [...] në intervistën e tij gjatë udhëtimit të tij për t`u kthyer në Paris, kur ai argumentoi se nëse do të kishte një konflikt mes “dypoleve” SHBA-Kinë atëherë Evropa, “nuk do të ketë kohë ose mjetet të ndërtojë autonominë strategjike”. Në atë rast, evropianët “do të bëheshin vasalë në vend të një poli të tretë nëse ne kemi pak vite për ta ndërtuar atë””.

Më tej raporti përmend disa nga kritikat ndaj tij, për publikimin e një videoje të njollosur dhe gazmore ku dokumentohet udhëtimi i tij në Kinë, e cila nuk përmbante ndonjë aluzion kritike rreth ushtrisë së Pekinit ose shtypjes së tij ndaj ujgurëve në provincën e Shinxhingut. Filmi ishte në kontrast të fortë me paralajmërimin e fundit të von der Leyen se ndërveprimet e Shisë me Putinin mbi luftën në Ukrainë do të jenë një faktor përcaktues për marrëdhëniet BE-Kinë. Herët këtë muaj, von der Leyen ravijëzoi një largpamje të hollësishme se si BE-ja duhet të njohë qendrimin e Kinës në rritje të sigurtë dhe të kufizojë tregun për teknologjitë tejet të ndjeshme. Detyra tani, thonë diplomatët evropianë, për unionin është të farkëtojë një një qasje më të qartë dhe më të hollësishme mbi Kinën në muajt në vijim ― me plane, deri tani të papërfundur, për një mbledhje mes udhëheqjes së BE-së dhe Pekinit vonë këtë vit”. 

Në Kinë shkoi dhe ministrja e jashtme gjermane, Analena Berbok, dy ditë pas vizitës së Makronit. Hamendësisht, për të treguar se Kina është e rëndësishme për Evropën. Ajo kërkoi nga homologu i saj kinez çtensionim ushtarak në ngushticën e Tajvanit dhe shtimin e përpjekjeve ndaj Moskës për të ndaluar luftën në Ukrainë ndërsa i përmendi palës kineze dhe mënyrën se si e sheh BE-ja dhe koalicioni i qeverisë gjermane, Kinën: si “krahazuese, konkurrente dhe kundërshtar sistemik”.

Por paralelisht, në atdhe, 93 deputetë social-demokratë gjermanë, kërkonin një politikë më bashkërenduese kundrejt Kinës duke kritikuar qendrimin e ministres së jashtme gjermane dhe zëvendëskancelarit Robert Habek. Ata theksuan faktin se vëllimi i shkëmbimeve tregtare me Kinën është 250 miliardë euro në vit ose katër herë më i madh se ai që kishte me Rusinë përpara luftës ndërsa paralajmëruan se një ndërprerje e menjëhershme e marrëdhënieve me Kinën do të përbënte “katastrofë ekonomike” për Gjermaninë. Madje, disa tërheqin vëmendjen se Gjarmania nuk duhet të përsërisë gabimet që bëri me Rusinë edhe me Kinën. 

Megjithatë, qendrimi i Makronit u prit me entuziazëm nga ata që mbështesin një “Evropë gjeopolitike”.

...

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA