...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Frika nga armët hipersonike dhe fronti tjetër i luftës së Uashingtonit: Kinë kundër Tajvanit

Britania dhe Australia do të bashkëpunojnë në zhvillimin e armëve hipersonike për t`u përballur me zgjerimin e shpejtë të ushtrisë kineze në rajon

Ylli Përmeti

10/04/2022 - 18:30

Ndërsa lufta në Ukrainë kishte marrë karakter më të “butë”, kryesisht si pasojë e përpjekjeve për një marrëveshje mes palëve, dhe Rusia tregoi aftësitë e armëve të saj hipersonike, kur i përdori për shkatërrimin e depove të armatimit në veriperëndim të Ukrainës, Bajdeni njoftoi se SHBA-ja, Britania dhe Australia do të bashkëpunojnë në zhvillimin e armëve hipersonike për t`u përballur me zgjerimin e shpejtë të ushtrisë kineze në rajon. Kjo përpjekje zgjeron marrëveshjen trepalëshe të hartuar mes vendeve në fjalë më herët. Bajdeni tha përmes një qendrimi të treshes se aleatët do të rrisin bashkëpunimin në disa fusha, duke përfshirë armët hipersonike si pjesë e angazhimit në “një Indo-Paqësor të lirë dhe të hapur”. “Ne u zotuam sot të fillojmë bashkëpunim të ri tripalësh mbi hipersoniket dhe kundër-hipersoniket, dhe aftësitë luftarake elektronike, gjithashtu dhe të zgjerojmë ndarjen e të dhënave dhe të thellojmë bashkëpunimin mbi risitë mbrojtëse”, thanë tre krerët e marrëveshjes.

“Lëvizja për bashkëpunim mbi zhvillimin e armëve hipersonike shënon”, citon FT, “përpjekjen e fundit për të rritur krahazimin mes tre vendeve për të ndaluar ngritjen e Kinës në Indo-Paqësor. Vitin e kaluar, SHBA-ja dhe Britania nënshkruan një pakt për të ndihmuar Australinë të ketë nëndetëse me energji bërthamore. Marrëveshja vjen në kohën kur Pentagoni rrit përpjekjet për të zhvilluar armë hipersonike pasi njohu se Kina ka kërcyer përpara në zhvillimin e teknologjisë në fjalë. Kina ka testuar disa qindra raketa të cilat fluturojnë më shumë se pesë herë se shpejtësia e zërit. Ajo është tejet më shumë se e ushtrisë amerikane, e cila ka provuar më pak se një dyzinë testesh...vitin e kaluar Kina fluturoi një armë hipersonike rreth planetit e cila u lëshua në hapësirë nga një fushqetë. Arma ―e njohur si rrëshqitëse hipersonike― lëshoi një predhë ndërsa fluturonte në detin jugor të Kinës”.

Shkencëtarët ushtarakë të Pentagonit u befasuan që Kina kishte tejkaluar disa nga vështirësitë e ligjeve të fizikës që e bëjnë atë shumë të vështirë të lëshojë një raketë nga një armë që udhëton në shpejtësi të tilla. Në një intervistë të fundit me FT admirali John Aquilino, kreu i komandës indo-paqësore, dhe gjenerali James Dickinson, kreu i komandës së hapësirës, thanë se SHBA-ja dhe Australia po rrisin bashkëpunimin në hapësirë dhe kiber, pjesërisht për shkak të shqetësimit në rritje të armëve hipersonike kineze”.

Raketat hipersonike, sqaron më tej e njëjta gazetë, paraqesin një problem për SHBA-në sepse ato mund të manovrojnë në fluturim në shpejtësi shumë të madhe, ndryshe nga raketat balistike, të cilat ndjekin një trajektore të dhënë që i bënë ato më të lehta për t`u interceptuar. Sistemi që testoi Kina vitin e kaluar bëri të mundur dërgimin e armëve bërthamore përmes polit jugor, duke krijuar një problem tjetër për mbrojtjen raktetore të SHBA-së që janë krijuar për t`u përballur me kërcënimet e raketave që vijnë nga poli i veriut [Rusia]. Ndaj përparësia e SHBA-së është të përmirësojë “dijeninë e botës së hapësirës” ―çka do të thotë aftësinë për të pikasur dhe ndjekur kërcënimet e raketave― dhe për këtë ajo bashkë me aleatët e saj duhet të investojë më shumë. Britania ka në plan të bashkojë burimet e saj shkencore me SHBA-në dhe Australinë dhe më pas do të vendojë se nëse do të zhvillojë programin e saj hipersonik apo do të përqendrohet në sisteme kundër-hipersonike.

Deri tani janë zhvilluar dy tipe raketash hipersonike: njëra rrëshqitëse, të cilat lëshohen në hapësirë nga një fushqetë përpara se të rrëshqasë drejt objektivit, dhe raketa lundruese, të cilat kanë motorra që përdorin oksigjenin e ajrit dhe prodhojnë forcë shtytëse gjatë fluturimit, duke i lejuar ato të lundrojnë në një shpejtësi dhe lartësi të qendrueshme. Ato përdorin ajrin për të lëvizur në fluturim, fakt që i bënë ato të vështria për t`i gjurmuar dhe shkatërruar. Armët hipersonike mund të bartin kokë bërthamore ose konvencionale. Rusia dhe Kina udhëheqin garën ndërsa ndiqen nga SHBA-ja, Britania, Australia, Franca, dhe Gjermania.  

Përpjekja e Uashingtonit për të penguar Kinën në rajon nuk ndaloi me këtë marrëveshje: ndërsa dy vitet e fundit ai ka furnizuar Tajvanin me armë dhe trajinime prej 1.8 miliardë dollarë, Departamenti Amerikan miratoi një ditë pas njoftimit të marrëveshjes mes tre vendeve që përmenda, një shitje tjetër të mundshme për Tajvanin me vlerë 95 milionë dollarë. Paketa përfshin trajinime, planifikime, fushime, zbarkime, veprime, dhe mirëmbajtje të sistemit ajror mbrojtës Patriot dhe pajisjeve që e shoqërojnë atë.

Mirëpo kjo lëvizje nga Uashingtoni është vijë e kuqe për Pekinin. Ndaj dhe ai e ka paralajmëruar disa herë dhe po përgatitet të marrë nën kontroll ishullin.

Çështjen e “vijave të kuqe” perëndimi e sheh si sfidë pas së cilës ajo duhet të përgjigjet më fortë. Por gjatë kësaj faze ai përpiqet t`i krijojë pështjellim kundërshtarit me qëllim që të mbajë tensionet të hapura për keqllogaritje të veprimeve të kundërshtarit dhe shfrytëzimin e tyre në dobi të saj

Në rastin e Tajvanit Uashingtoni mban një qendrim të paqartë strategjik―domethënë, lë kundërshtarin, Kinën por dhe Tajvanin, të hamendësojë lidhur me përfshirjen e tij në luftë. Dhe siç tregoi në rastin e Ukrainës, perëndimi do të përfshihet me armë por jo drejtpërdrejt në luftë me Kinën. Në këtë mënyrë mban të përfshirë Kinën në luftë kundër të njëjtit popull dhe e dobëson atë deri sa të zhvillojë edhe ajo armë hipersonike...        

Kina ndez armët bërthamore për të përfrikësuar ‘kërcënimin e SHBA-së’

Kina po përshpejton përpjekjet për të zgjeruar arsenalin e saj bërthamor për shkak se Pekini shqetësohet seriozisht për kërcënimet e SHBA-së, raportoi “Wall Street Journal”, pas këture ngjarjeve.

Sipas gazetës Pekini mori një vendim strategjik për të ndezur përfrikësimin bërthamor të vendit përpara se të shpërthente lufta në Ukrainë por ngjarjet e fundit mes Uashingtonit dhe Pekinit mbi Tajvanin kanë nxitur përshpejtimin e programit. Gazeta citon burime anonime që punojnë në agjenci të ndryshme të përfshira në çështje sigurie në Kinë. Për të vërtetuar pretendimin e saj, gazeta citon imazhe satelitore në silose raketash ku pretendohet se është rritur veprimtaria. 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA