...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Fuqia dhe qëllimi i diplomacisë amerikane në epokën e re

Fjala e Blinkenit ka shumë papërputhshmëri lidhur me realitetin e shoqërive dhe realitetin gjeopolitik ndërsa çka ai propozon, për të zvdendësuar “rendin” e vjetër amerikan, është gati i njëjti “rend” me të vetmin ndryshim se i shton disa “erëza” për ta bërë më të “shijshëm”

Ylli Përmeti

16/09/2023 - 21:48

Fjala e Blinkenit meriton të shqyrtohet, sepse është historike dhe shumë e rëndësishme, jo vetëm për kombin tonë por për gjithë kombet e tjerë: ajo mund të përshkruhet si një “dështim” i politikës së jashtme amerikane por Blinkeni i jep asaj një kuptim tjetër: vazhdimësie por me një qasje tjetër për të cilën do të shkruaj më tej. Qëllimi është të mos e paraqes atë si dështim por si një arritje historike. Për të mbrojtur këtë qëllim ai përmendi disa arritje të rëndit botëror të globalizmit neoliberal si “nxerrja” nga varfëria e miliarda njerëzve etj. Nuk është hera e parë që pushtetet politike i paraqesin dështimet si arritje.  

Pranimi` tij se rendi botëror i udhëhequr nga Amerika përfundoi do të ketë pasoja të mëdha gjeopolitike, veçanërisht për rajonin dhe popullin tonë. Ai e quajti fundin e një epoke dhe fillimin e një epoke të re, në të cilën Amerika do të luftojë për të ruajtur “rendin” në fjalë―çka nënkupton faktin se ajo do të luftojë kundër “revizionistëve” të tij: Rusisë, Kinës dhe vendet e tjerë që kërkojnë të integrohen në “rendin” e tyre: BRICS. Kjo luftë ka filluar që në vitin 2017 por me strategjinë e re të Blinkenit do të marrë një karakter më të ashpër.

Kështu, duke përmendur që në fillim të fjalës së tij Zbignew Brzezinskin, arkitektin e përpjekjes amerikane për të minuar Bashkimin Sovjetik në veçanti dhe bllokun socialist në përgjithësi, dhe shkatërruar atë, dhe prakticienët e tij, duke përfshirë presidentin Karter, dhe përpjekjet e para amerikane për të krijuar institucionet me karakter ndërkombëtar pas luftës së dytë botërore, ai deklaroi se bota e sotme është thellësisht ndryshe nga bota me të cilën ai u përball 30 vjet më parë.

“Fundi i luftës së ftohtë solli premtimin e një marshi të paepur drejt paqes dhe qendrueshmërisë më të madhe […], bashkëpunimit ndërkombëtar, ndërvarësisë ekonomike, liberalizim politik, të drejtat e njeriut. Dhe vërtet, epoka e pas-luftës së ftohtë u shënua nga përparimi i dukshëm […]. Më shumë se një miliardë njerëz dolën nga varfëria. Ulje historike në konflikte mes shtetesh […]. Sëmundje vdekjeprurëse u pakësuan – qoftë edhe u zhdukën” […].

Ndërsa nga këto pretendime e kundërta është e vërtetë, disa prej të cilave i hedh poshtë vetë, ai shton se nga kjo epokë fituan të gjithë në mënyrë të barabartë […]. Por qoftë edhe këtë pretendim ai e përgënjeshtron vetë kur thotë se epoka neoliberale shtoi pabarazitë (madje, sipas tij, ato shkuan në qiell) dhe shënoi një sërë luftrash (Jugosllavi etj.).

Por se çfarë po përjetojmë tani, sipas tij, është më shumë se një sprovë e rendit të pas-kovidit. “Është fundi i saj”. Dhe “kjo nuk ndodhi brenda natës”, sipas tij. Por ai nuk tregon arsyet e përfundimit të saj dhe ia lë historisë ta shkruajë: “Se çfarë na solli në këtë moment do të jetë subjekt studimi dhe debati për dekadat në vijim. Por atje është një njohje në rritje se shumë nga hamendësimet që krijuan qasjen tonë në epokën pas-kovidiane nuk qendrojnë më”, pohon ai.     

Më tej ai pohon se “sa më gjatë pabarazitë të zgjasin aq më shumë rritet mosbesimi dhe zhgënjimi i popujve që ndiejnë sistemin që nuk u jepë atyre një dridhje të drejtë”. Ndërsa përmend dhe çështje të tjera lidhur me epokën tonë, ai pohon se “ne gjejmë veten në atë çfarë presidenti Bajden quan një pikë lakimi. Epoka jonë po përfundon, një tjetër e re po fillon, dhe vendimet që marrim tani do të ngjizin të ardhmen për dekada me radhë. SHBA-ja po e udhëheq këtë periudhë shumë të rëndësishme nga një pozicion fuqie. Fuqi e bazuar në përulje dhe vetëbesim. Përulje sepse ne përballemi me sfida që asnjë vend nuk mund t`i zgjidhë i vetëm. Sepse ne e dimë se ne duhet të fitojmë besimin e një mori vendesh dhe qytetarësh për të cilët rendi i vjetër dështoi të realizonte për shumë nga premtimet e tij. Sepse ne njohim se udhëheqia fillon me dëgjimin, dhe kuptimin e shqetësimeve të përbashkëta nga këndvështrimi i të tjerëve, me qëllim që të gjejmë pika të përbashkëta. Dhe sepse ne përballemi me sfida të mëdha në atdhe, të cilat ne duhet t`i tejkalojmë nëse duam të udhëheqim jashtë vendit. Por besimi sepse e kemi vërtetuar në mënyrë të përsëritur se kur Amerika bashkohet, ne mund të bëjmë gjithçka. Sepse asnjë komb në Tokë nuk ka aftësi më të madhe të mobilizojë të tjerët në çështje të përbashkëta. Sepse përpjekja jonë vijuese për të krijuar një bashkim më të përsosur na lejon të ndreqim të metat tona dhe të rinojmë demokracinë tonë nga brenda. Dhe sepse largpamësia jonë për të ardhmen ―një botë që është e hapur, e lirë, e begatë, dhe e sigurtë― ajo largpamësi nuk është vetëm e Amerikës, por dhe synimi i qendrueshëm i popujve në çdo komb mbi çdo kontinent”, sqaron ai.

Më tej ai sqaron botën e “re” e cila nuk ndryshon fare nga bota që ai përshkroi si fillim: dështimin e globalizmit neoliberal ku mbizotërojnë katër liritë e mirënjohura por që në të vërtetë ajo është e lirë së pari për neoliberalët amerikanë dhe anëtarëve të tjerë të G7 se sa për klasat e tjera të popujve. Madje ai na premton një botë të “re” ku konkurrenca e drejtë, e hapur, e tejdukshme, dhe begatia nuk maten me “sa shumë ekonomitë e vendeve rriten por sa shumë njerëz e ndajnë atë rritje”.

“Një botë që prodhon një garë drejt majës në punë dhe standarte mjedisore, shëndet, edukim, nënstrukturë, teknologji, siguri, dhe mundësi. Një botë ku e drejta ndërkombëtare dhe parimet themelore të Kartës së OKB-së sundojnë dhe ku të drejtat universale të njeriut respektohen”.

“Ne do ta përparojmë këtë largpamësi”, argumenton ai më tej, të udhëhequr nga një ndjenjë e dobisë së ndriçuar vetjake që ka gjallëruar për një kohë të gjatë udhëheqjen amerikane në më të mirën e saj. Ne ndihmuam të ndërtonim rendin ndërkombëtar pas luftës së dytë botërore dhe investuam në përparimin e kombeve dhe popujve të tjerë sepse kuptuam se do t`i shërbente dobisë njerëzore, por gjithashtu dobisë sonë. Ne e kuptuam se qoftë edhe si kombi më i fuqishëm në Tokë, duke përparuar ligje botëror ―duke pranuar disa kufizime― dhe duke mbështetur mbrothësinë e të tjerëve do të bëntë përfundimisht popullin amerikan më të begatë, më të paqtë, më të sigurtë. Dhe ajo ende e bën këtë. Vërtet, dobia e ndriçuar vetjake amerikane që po ruan dhe fuqizon këtë rend nuk ka qenë kurrë më e madhe”, argumenton ai.

Më tej ai parashtron “konkurrentët” e SHBA-së, Kinën dhe Rusinë: sipas tij, ata “pretendojnë se rendi aktual është një sundim perëndimor kur në fakt normat dhe vlerat që e ankorojnë atë janë të përgjithshme në synim dhe të përcaktuara në të drejtën ndërkombëtare që ata kanë nënshkruar. Ata pretendojnë se çfarë bëjnë qeveritë brenda kufijëve të tyre është vetëm pune e tyre dhe se të drejtat e njeriut janë vlera subjektive që ndryshojnë nga një shoqëri në tjetrën. Ata besojnë se vendet e mëdha kanë të drejtë influence ― se pushteti dhe afëria u jepë atyre të drejtën të diktojnë zgjedhjet e tyre ndaj të tjerëve”.

Në fakt, pretendimet e Blinkenit nuk janë të vërteta nëse i përmbahemi politikës së jashtme kineze dhe ruse (jo-ndërhyrëse) dhe veprimeve të tyre në raport me vendet fqinje. Ato janë në logjikën neoliberale amerikane të luftës në Ukrainë―sipas të cilës fajin e ka Rusia― dhe logjikës në Tajvan ku fajin e ka Kina ndërsa ai pranon se Amerika ka udhëhequr rendin botëror të globalizmit neoliberal ―të vjetrin ose atë që dështoi― dhe do të vazhdojë të udhëheqë një rend të “ri” përmes të cilit ajo po përparon, siç pohon ai, dobitë e “ndriçuara” amerikane bashkë me dobitë e popujve që pranojnë të udhëhiqen nga ajo.

Ai pranon, gjithashtu, faktin se ajo do të përdorë fuqinë dhe përuljen e saj për të ruajtur rendin e “ri” të Uashingtonit. Epoka e re përshkruhet nga ai si “një garë e ashpër dhe e qendrueshme strategjike” të cilën e quan “gjeometri diplomatike ndryshuese”. Dhe ai sqaron se ç`kupton me të: “Ne fillojmë me shqetësimin që ne duhet të zgjidhim dhe ne punojmë shumë ― duke mbledhur grupin e krahazuasve (partnerëve) që ka madhësinë e duhur dhe formën e duhur për ta zgjidhur atë”.

Por ngaqë partnerët aktualë nuk mjaftojnë për t`u përballur me sfidat e reja ai synon të krijojë partnerë të rinj, duke “përfshirë dhe ata me të cilët amerikanët nuk pajtohen në çështje të rëndësishme për aq kohë sa ata duan të punojnë për qytetarët e tyre, kontribojnë në zgjidhjen e sfidave të përbashkëta dhe të mbrojnë normat ndërkombëtare që ne ndërtojmë bashkë. Kjo përfshin më shumë se krahazimi me qeveritë kombëtare por gjithashtu me qeveritë lokale, shoqërinë civile, sektorin privat, akademitë, dhe qytetarët, veçanërisht me udhëheqësit e rinj”.

“Kjo është”, sipas tij, “zemra e strategjisë për të shkuar nga ku jemi ku ne duhet të jemi” ndërsa paraqet katër rrugë kryesore: rrugën që ka përdorur gjatë tre viteve të fundit, duke mobilizuar fuqitë rajonale kundër Kinës dhe duke mobilizuar G7, vendet anëtare në OKB dhe aleatët në BE kundër Rusisë. Paralelisht qeveria amerikane po punon për krijimin e një koalicioni të ri për t`u përballur me ndryshimet klimatike dhe për të zvogëluar hendekun botëror të nënstrukturës ose për të ndihmuar vendet në nevojë për të ndërtuar projekte miqësore ndaj mjedisit. Për këto përpjekje ai përmend disa projekte në Afrikë, Azi, Lindjen e Mesme dhe Evropë. Bashkë me Indinë, Arabinë Saudite dhe Emiratet, Francën, Gjermaninë, Italinë dhe BE-në po ndihmojnë të zhvillojnë prodhimin e energjisë së pastër, lidhjen elektronike dhe forcimin e zinxhirit të furnizimit me mallra.

“Këto dhe përpjekje të tjera për të ndërtuar nënstrukturën në vendet në zhvillim janë përfundimisht investime për të ardhmen tonë ― duke krijuar partnerë më të qendrueshëm dhe të begatë për SHBA-në; më shumë tregje për punëtorët amerikanë, bizneset, dhe investitorët; dhe një planet më të qendrueshëm për fëmijët tanë. T`u bëjmë një ofertë më të fortë partnerëve tanë është një marrëveshje e mirë për Amerikën gjithashtu”, thotë ai.

Për të treguar fuqinë ekonomike amerikane Blinkeni përmend edhe një herë shumën e madhe që jepë SHBA-ja për programin e Ushqimit të OKB-së (50 për qind të buxhetit vjetor ndërsa Rusia dhe Kina vetëm 1 për qind) ndërsa ka dhënë dhe shuma të tjera për t`u përballur me pasigurinë ushqimore dhe shkaqet rrënjësore të saj: përmes programit “Feed the Future” të USAID-it po punohet me 40 vende për të forcuar sistemet e ushqimit, duke përfshirë programin e ri VACS të nisur me Bashkimin Afrikan dhe OKB-në për të “identifikuar drithëra afrikane ushqyese, kultivimin e varieteteve më rezistentë ndaj klimës dhe të përmirësojnë tokën ku rriten”. Sipas tij, kjo përpjekje do të ndihmojë vendet afrikane të rrisin vetë-mjaftueshmërinë […].

Ndërsa me zhvillimin e bujqësisë afrikane synohet të integrohen praktika kundër-prodhuese me fara gjenetikisht të ndryshuara dhe praktika kultivuese të bazuara në kimikate, si ato që praktojnë prej dekadash korporata amerikane, ndaj të cilave po zhvillohet një luftë e ashpër në gjirin e popullit amerikan, më tej ai tregon se G7 po përparon me inteligjencën artificiale, parandalimin e prodhimit të drograve sintekike në nivel ndërkombëtar dhe zgjidhjen e kërcënimeve të sigurisë (në Etiopi, Armeni, Azerbajxhan, Jemen etj.). “Sa më shumë t`i bashkojmë aleatët dhe partnerët tanë të bëjnë përparim të vërtetë mbi çështjen kritike si infrastruktura, siguria ushqimore, inteligjenca artificiale, drograt sintetike, konfliktet e rinj dhe të vjetër, aq më shumë ne tregojmë fuqinë tonë që ne ofrojmë”, përmbledh ministri` jashtëm amerikan.

Më pas ai kundërsulmon edhe një herë “konkurrentët” e Amerikës duke i akuzuar ata si plaçkitës të pasurive të kombeve, zbarkues të mercenarëve, bërës të vendeve më pak të sigurtë, kryerës mizorish, dhe kthimin e nevojave bazë të popujve ― për ngrohje, gas, ushqim, teknologji ― në kopaçe për t`i kërcënuar dhe shtypur ata.

Në fund ai përmend përpjekjen e qeverisë së Bajdenit për të forcuar institucionet dhe marrëveshjet ndërkombëtare të cilët janë jetikë për të zgjidhur sfidat botërore, duke përmendur edhe një herë besimin se udhëheqja botërore amerikane nuk është një barrë por “e nevojshme për të ruajtur lirinë tonë, demokracinë tonë, sigurinë tonë, për të krijuar mundësi për punëtorët amerikanë dhe bizneset dhe përmirësimin e jetëve të qytetarëve amerikanë”.

Fjala e Blinkenit, në fjalë të tjera, ka shumë papërputhshmëri lidhur me realitetin e shoqërive dhe realitetin gjeopolitik ndërsa çka ai propozon, për të zvdendësuar “rendin” e vjetër amerikan, është gati i njëjti “rend” me të vetmin ndryshim se i shton disa “erëza” për ta bërë më të “shijshëm” dhe vjen në kohën kur “rendi” i konkurrentëve të Amerikës, BRICS, është në rritje e sipër dhe kur prarashikimet tregojnë se zgjedhjet e arshme presidenciale i fiton edhe një herë Trampi. Si i tillë, “rendi” i Blinkenit është tejet i përkohshëm dhe s`ka asnjë gjasë për të marrë formë konkrete. Por ai do të ketë pasoja të rrezikshme ndaj rajonit dhe popullit tonë: sepse dihet se Serbia dhe disa vende të tjerë të rajonit tonë mezi e prisnin fundin e “rendit” neoliberal amerikan ndërsa presin dhe ndryshimet e mëdha që pritet të ndodhin në zgjedhjet e ardhshme presidenciale amerikane vitin tjetër dhe përfundimin e luftës në Ukrainë…   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA