...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Masat vrastare të qeverive dhe e ardhmja e zymtë me koronavirusin

Gjykuar nga fakti se C19 tashmë është një pandemi dhe nga fakti se maskat nuk mund ta ndalojnë pushtimin e tij por dhe nga fakti se ai mbijeton për një kohë të gjatë mbi lëndë dhe mjete, të cilat përdoren nga njerëzit, mund të nxjerrim përfundime se koronavirusi do të jetë për shumë kohë mes nesh dhe masat e marra nga qeveritë nuk mund ta ndalojnë përparimin e tij

Ylli Përmeti

11/03/2020 - 21:51

Pasi u shënuan të infektuarit e parë gjatë ditëve të para të marsit dhe pasi në Itali gjendja përshkallëzoi në gjendje të jashtëzakonshme, ku u karantinua gjithë vendi dhe ku të infektuarit ishin me mijëra dhe të vdekurit me qindra, veproi dhe qeveria “Rama” për të frenuar përhapjen e virusit! Kujtoj se marsi është muaji e katërt pas shpërthimit në Kinë. Kujtoj, gjithashtu, se qoftë Italia qoftë Shqipëria dhe vende të tjerë, nuk vepruan siç nevojitësh: duke kontrolluar qarkullimin e njerëzve dhe mallrava meqë qoftë njerëzit qoftë mallrat janë përcjellës të virusit—kryesisht sepse do të dëmtonin tregun. Por është e qartë se përpjepkja e tyre dështoi: sepse me mosmarrjen e masave që përmenda ata mbollën virusin kudo dhe për pasojë izoluan popujt. Vepruan, në fjalë të tjera, si kofini pas të vjelit! Por nga ky izolim do të dëmtohen ekonomikisht më shumë se në rastin e parë: sepse nëse do të kishin filluar me kontrollin e mallrave dhe njerëzve menjëherë pas shpërthimit në Kinë do të dëmtohësh vërtet tregu por popujt nuk do të izoloheshin në shtëpitë e tyre — çka nënkupton se veprimtaria ekonomike brenda vendeve do të zhvillohësh si më parë, për mos të thënë se do të kishin filluar të merrnin udhë zhvillime të tjera ekonomike.

Rama, në fakt, një javë përpara se të merrte masa “radikale” siç i quajnë demagogët dhe idiotët e establishmentit, thoshte —duke ndjekur logjikën e OBSH-së— se maska nuk të mbron! Kjo e fundit këtë argument e përdori kryesisht për të mos nxitur blerje masive dhe për të ruajtur furnizimin konstant dhe për të theksuar faktin se virusi përhapet kryesisht përmes prekjes. Rama ndryshoi qendrim për maskat kur u njoftuan masat: filloi të na tregonte se maskat të mbrojnë duke treguar maskat kirurgjikale. Kujtoj se farmacitë shesin kryesisht maska jokirurgjikale ose maska që përdoren kryesisht në sektorin e ndërtimit. Këto maska pengojnë grimca të mëdha dhe jo të vogla. Sipas specialistëve, vetëm maska që njihet me kodin N95 mund të mbrojë nga virusi: sepse ka filtër për grimca të vogla dhe përputhshmëri të mirë me fytyrën. Gjithë maskat e tjera, poshtë kësaj grade, nuk të mbrojnë![1] Ndërsa qeveritë nuk përqendrohen te ky fakt dhe grinden për datën e skandencës (faktin se maskat kanë humbur aftësinë e tyre mbrojtëse, sepse kur prodhohen ato pajisen me pluhur që pengon zhvillimin e baktereve) si në rastin e qeverisë “Rama” dhe opozitës “Basha”, kur njëri tregonte maska të skaduara ndërsa tjetri maska jo të skaduara! 

Por le t`i kthehemi edhe një herë natyrës së viruseve në përgjithësi, sepse po dëgjojmë nga mjekët marrëzi të ndryshme—se, për shembull, temperaturat e larta…pengojnë përhapjen e viruseve ndryshe nga temperatura dimërore dhe ndryshe ngasa beson populli në përgjithësi se dimri ose temperaturat e tij të ulëta shërbejnë edhe për vrasjen e viruseve: sipas një studimi klinik, temperaturat prej 37°C—39°C nxisin konsiderueshëm rritjen e virusit të gripit të shpendëve, kryesisht si pasojë e veprimtarisë së lartë virale të polimerit (një enzimë që krijon një polimer të veçantë në ADN).[2] Në fjalë të tjera, temperatura e lartë nxit rritjen e virusit të gripit të shpendëve. Ky virus nuk është virulent ose i fuqishëm sa koronavirusi ndërsa gripet sezonalë përgjithësisht shuhen në mars dhe prill. Vetëm shtatë viruse nga familja e koronaviruseve mundojnë njerëzit. Katër dihet se shkaktojnë ftohje të butë ndërsa të tjerët janë më të rinj dhe vdekjeprurës. Por nuk dihet deri tani se në cilat temperatura shuhet koronavirusi i ri.[3] Studimet mbi koronaviruset kanë treguar se ata mund të mbijetojnë në kushte të ndryshme mjedisore (p.sh. temperatura dhe lagështi), mbi mjete të ndryshme si pajisje spitalore prej alumini, sfungjerë të sterizlizuar ose dorashka kirurgjikale ose në rrjedhje biologjike.[4] Një mikrobiolog thotë se “patogjenët që mbijetojnë—dhe riprodhohen— përshtaten më mirë në temperatura më të larta, duke përfshirë ata në trupat tanë. Dhe, me këtë, një nga mekanizmat e mbrojtjes së trupit tonë zvogëlon efektivitetin e tij”.[5]

Por është e qartë se C19 krahasuar me koronaviruset e viteve të kaluar është më virulent dhe për pasojë ai është dhe më i fuqishëm—karakteristikë që tregon se ai mund të mbijetojë në kushte mjedisore edhe më të skajshme - përjashto temperaturat shumë të ulëta —poshtë zeros— dhe shumë të larta —më shumë se 56°C. Gjykuar nga fakti se C19 tashmë është një pandemi dhe nga fakti se maskat nuk mund ta ndalojnë përparimin e tij por dhe nga fakti se ai mbijeton për një kohë të gjatë mbi lëndë dhe mjete, të cilat përdoren nga njerëzit, mund të nxjerrim përfundime se koronavirusi do të jetë për shumë kohë mes nesh dhe masat e marra nga qeveritë nuk mund ta ndalojnë përparimin e tij. Por le të shqyrtojmë më tej masat e qeverive.

Kina, ku shpërtheu virusi, vonoi të izolonte zonën ku shpërtheu, kryesisht sepse nuk donte të shkaktonte panik. Presidenti kineze ishte njoftuar se në rajonin përkatës ishin dëshmuar të infektuar dy javë përpara se të njoftonte ngjarjen. Pas njoftimit, rajoni u izolua, duke mos lejuar hyrjen dhe daljen e njerëzve nga rajoni. Paralelisht u pezulluan shërbimet publike (gjithë ciklet shkollore, muze, palestra etj.). Për rrugët dhe hapësirat e tjera publike me shumë njerëz u zbatua parimi i mbajtjes së largësisë mes njerëzve duke kufizuar lëvizjen e njerëzve dhe duke vendosur roje në supermarkete për të kontrolluar numrin e njerëzve brenda tyre në të njëjtën kohë. Banorët që ktheheshin nga qytetet e tjerë vendosin në karantinë për 14 ditë. Paralelisht u anuluan mbi 10,000 fluturime çdo ditë. Por Italia pas karantinës së rajonit të Lombardisë dhe pasi pa rritje të madhe të numrit të infektuarve vendosi gjithë vendin në karantinë. Por shumë trena dhe linja ajrore vazhduan të punonin dhe rrugët vazhdonin të ishin të hapura. Por një ditë më pas mbylli gjithë dyqanet duke përjashtuar dyqanet e ushqimeve dhe farmacitë. Irani, i cili pason Italinë në përqindjen e të infektuarve, veproi thuajse njëlloj. Por asnjë qytet apo rajon nuk është karantinuar. Rrugët dhe urbanët e transportit dezinfektohen çdo ditë. Koreja jugore, vendi që pason Kinën me të infektuar, ka marrë masa më të lehta dhe kufijtë me të nuk i ka mbyllur kryesisht si pasojë e frikës nga Bejxhingu. Japonia e Abes si fillim synoi ta mbante virusin jashtë vendit kur karantinoi një anije turistike me njerëz të infektuar. Por dështoi. Tashmë infkesionet kanë marrë dhenë dhe atje dhe Abja po vepron pak a shumë si gjithë të tjerët. USA e Trampit shtoi masat duke pezulluar ushëtimin nga Evropa në Amerikë. Britania njoftoi një plan me tre faza, përmbajtje, vonim dhe lehtësim­­—ku me përmbajtje kuptohet identifikimi i rasteve të hershëm, kryesisht njerëzit që kthehen nga jashtë, duke i izoluar ata dhe trajtuar, dhe duke gjurmuar dhe izoluar kontaktet e tyre. Me vonimin e përhapjes ata synojnë ta shtyjnë kulmin e epidemisë në verë kur shërbimi shëndetësor do të jetë më pak i ngarkuar ndërsa mund të përdoren “largësitë me njerëzve” dhe mbyllja e përkohshme e shkollave. Faza e lehtësimit mund të përdoret kur infeksioni është përhapur aq shumë saqë do të ishte pa kuptim të mbaheshin njerëzit larg. Gjatë kësaj faze do të theksohet mbajtja e shërbimeve të domosdoshme kur shërbimi shëndetësor do të jetë përmbytur me të infektuar dhe shërbimet e urgjencës e kanë të pamundur t`i përgjigjen çdo thirrje.[6]

Qartësisht, vetëm kryeministri japonez donte ta mbante virusin jashtë vendit të tij por edhe ai dështoi, kryesisht sepse nuk dinte ta administronte gjendjen. Sidoqoftë, tashmë qeveritë po përgatiten për më të keqen. Por është e qartë se kjo përpjekje apo këto masa janë tejet të pjesshme.                         



[1]Can wearing a face mask protect you from the new coronavirus, Livescience, March 6 2020

[2]Different incubation temperatures affect viral polymerase activity and yields of low pathogenic avian influenza viruses in embryonated chicken eggs, NCBI, 2011.

[3]Will warming spring temperatures slow the coronavirus outbreak? Nationalgeographic, March 6, 2020.

[4]Human coronavirus: insights into environmental resistance and its influence on the development of new antiseptic strategies, NCBI, 2012.

[5]The Wuhan coronavirus, climate change, and future epidemics, Time, Feb 6, 2020.

[6] How countries around the world are battling coronavirus, FT, 10 March 2020.

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA