...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pas vrasjes së shkencëtarit iranian si do të hakmerret Irani ndaj Izraelit?

Nëse gjykojmë nga “hakmarrja” e fundit, kur u vra Sulejmani nga Trampi, e cila ishte një “hakmarrje” e njoftuar përmes kanaleve diplomatike me qëllim që të shmangësh një luftë e drejtëpërdrejtë dhe dëmet mbi forcat amerikane në rajon

Ylli Përmeti

28/11/2020 - 13:20

Pak ditë pasi Trampi dha shenjat e para të kalimit të pushtetit drejt presidentit të zgjedhur në nëntor të vitit 2020, një vrasje ndodhi në Iran: u vra në një atentat shkencëtari që përparonte programin bërthamor Mohsen Fakhrizadeh. Ky i fundit dyshohej prej kohësh nga vendet perëndimore dhe Izraeli si dhe nga kundërshtarët në mërgim të Republikës Islamike si organizatori i asaj që ata e quajnë një program i fshehtë i bombës bërthamore, i cili u pezullua në vitin 2003.

Lufta e “pashpallur” mes Amerikës dhe Iranit, implikimet dhe variantet e Uashingtonit

Si rezultat, Irani akuzoi Izraelin për vrasjen dhe u zotua për hakmarrje ndaj personave që kryen atentatin. Por Izraeli heshti: nuk e pranoi autorësinë dhe as do ta pranojë ndonjë herë. Kështu ka ndodhur dhe me vrasjen e shumë të tjerëve në të kaluarën. Por siç tregon një korrespondent i Lindjes së Mesme për “The Times”, “Binyamin Netanyahu, kryeministri izraelit, e ka identifikuar viktimën si udhëheqës të një grupi që punon për armë bërthamore, duke e thënë troç: “Fakhrizadeh. Kujtojeni këtë emër”.

Gjatë tre javëve të kaluara, që kur u bë e qartë se Trampi humbi zgjedhjet amerikane, një erë pasigurie është krijuar përgjatë Golfit. Qarkullojnë fjalë se Trampi donte të sulmonte me bombardime për të thënë fjalën e lamtumirës ndaj Iranit dhe për t`i vënë vulën kampanjës së sanksioneve për “trysni maksimale” ndaj vendit. “Trysnia maksimale” ishte nisma e tij kyçe në politikën e jashtme, e hartuar për të dalluar nga Obama, i cili përparoi në vitin 2015 marrëveshjen bërthamore me Teheranin të cilën Trampi e grisi. Por një sulm i paprovokuar dukësh i pamundur: sepse Trampi e kishte thënë se ai donte të shmangtte përfshirjen ushtarake në Lindjen e Mesme dhe kur ai pushoi John Bolton si këshilltar të sigurisë kombëtare ai u tall me idenë e tij entuziaste të mirënjohur.

Por ditët e fundit Trampi ka udhëruar bombarduesin B-52 Stratofortress të shkojë në Golf dhe raportohet se ushtria izraelite është vendosur në alarm — jo dhe aq sepse Trampi dhe Netanjahu kishin planifikuar një sulm, por për t`u bërë gati ndaj hakmarrjes iraniane. Se ndaj kujt to të ishte hakmarrja nuk ishte specifikuar kur raportet u publikuan, por mund ta dimë tani. Vrasja e Fakhrizaheh-ut është me siguri një test për udhëheqjen iraniane. Duke hamendësuar se ishte urdhëruar nga Izraeli, ndoshta pasi është këshilluar me Uashingtonin, është e qartë se Irani kërkon një lloj hakmarrje. Por Irani është në një pozicion tejet të dobët, me një popull të pezmatuar nga varfëria dhe korrupsioni, dhe dija e sigurtë se Trampi nuk do të udhëronte një sulm para-ndalues, ai ka treguar se ai do të veprojë në përgjigje të agresionit iranian”.

Media amerikane raportoi se Trampi kërkoi nga këshilltarët e tij variantet për të goditur bazat bërthamore të Iranit sepse besohet se Irani ka rritur rezervat e uraniumit rreth 12 herë më shumë se sa lejon marrëveshja si kundërpërgjigje ndaj tërheqjes amerikane nga ajo. Irani pësoi një goditje tjetër në bazën bërthamore në korrik dhe tha se ishte “sabotazh industrial” pa thënë se kush e bëri. Mes vitit 2010 dhe 2012 u vranë katër shkencëtarë bërthamor iranianë dhe një tjetër u lëndua. Për vrasjen shumë komentatorë treguan me të drejtë dështimin e shërbimeve inteligjente të Iranit.  

Nëse gjykojmë nga “hakmarrja” e fundit, kur u vra Sulejmani nga Trampi, e cila ishte një “hakmarrje” e njoftuar përmes kanaleve diplomatike me qëllim që të shmangësh një luftë e drejtëpërdrejtë dhe dëmet mbi forcat amerikane në rajon, me shumë gjasa që dhe kjo “hakmarrje” do të jetë e ngjashme ndaj Izraelit.    

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA