...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Pasojat e luftës greko-turke dhe qendrimi i shqiptarëve

Nëse Greqia kërkon ndihmën tonë, mirë është t`i vendosim tre kushte për mbështetje: 1- të njohë Çamërinë dhe të lejojë kthimin e çamëve në trojet e tyre; 2- të pranojë se shteti grek është rezultat edhe i përpjekjeve të shqiptarëve; dhe 3- të institucionalizojë gjuhën shqipe si gjuhë të barabartë me gjuhën greke.

Ylli Përmeti

18/10/2020 - 20:56

Gjendja përshkallëzoi më shumë kur ministri i transportit të Turqisë publikoi hartën sipas dogmës së “detit të blertë”. Harta ndan detin mes Greqisë dhe Turqisë në mes dhe përfshin disa ishuj grek. Por në jug shtoi një hapësirë tjetër. Hartën e re e përligji me të drejtën e saj për kërkime dhe shpëtime, duke i paraprir çdo keqkuptimi se nuk janë zona sovrane por sektorë shërbimesh meqënse, beson Turqia, ajo është vendi i vetëm në zonë me aftësi ndërmarrëse që t`i përgjigjet çdo lloji incidenti që mund të kërcënojë jetën e njeriut ndërsa përgatiti dhe një ligj për t`i dhënë karakter juridik zgjerimit detar.

Për të përligjur ekspansionin ushtarak të Turqisë në rajon dhe përtej tij Erdogani sulmoi SHBA-në ndërsa një ditë më parë shpërfilli paralajmërimin e Uashingtonit lidhur me provat e sistemit raketor rus S-400 për të cilat u përfol në media, duke thënë se “Amerika ka 24 baza në Siri. Cili është kuptimi të vijnë amerikanët nga 11,000 km dhe të ngrejnë baza këtu? Gjithashtu sjellin 3,000 kamiona të mbushur me armë dhe furnizime ushtarake. Ç`bëhet, ç`punë keni ju këtu? Si do t`i shpjegoni këto?” Erdogani nënkuptoi se Turqia është fuqi ushtarake e konsiderueshme dhe mund të ruajë paqen rajonale dhe se SHBA-ja është e tepërt ndërsa furnizimet e saj mund të përdoren kundër Turqisë. Sidoqoftë, lëvizja me hartën alarmoi Athinën. Ajo e konsideroi atë provakacion dhe kurth.

Të gjithë këto veprime erdhën si pasojë e qendrimit të Athinës se ajo do të zgjeronte me 12 milje ujrat detare në jug të vendit ndërsa vuri në veprim diplomacinë evropiane për të ushtruar trysni ndaj Turqisë. Në këto kushte Greqia do të vazhdojë të kërkojë ndëshkimin e Turqisë nga BE-ja dhe SHBA-ja me sanksione dhe ambargo armësh. Për embargon në fjalë Miçotaki kërkoi nga BE-ja, më konkretisht Gjermania, të pezullojë disa nëndetëse që ka porositur Turqia. Greqia beson se trysnia perëndimore do të zbraps Erdoganin. Por ajo gabon: trysnia ndaj Turqisë jo vetëm që nuk është në dobi të BE-së (sepse do të dëmtohen ekonomikisht edhe evropianët) por do ta shtyjë Erdoganin drejt luftës me Greqinë.

Por çfarë do të ndodhë nëse të dy vendet shkojnë në luftë?

Me fuqinë ushtarake që kanë të dy vendet, luftën e fiton Turqia. Për pasojë, hapësira detare e paraqitur në hartë bëhet turke. Fitorja në vetë-vete do ta bënte Turqinë fuqi rajonale dhe për pasojë do të kërkonte hegjemoni në rajon: domethënë, fuqi politike, ekonomike dhe ushtarake përmes së cilës ajo dikton politikat e përgjithshme në rajon. Kjo do të çonte në largimin e BE-së dhe SHBA-së nga rajoni. Greqia, në anën tjetër, beson, me rezerva, se në rast lufte ajo do të ndihmohet nga perëndimi. Por ajo gabon: ajo mund të ndihmohet me furnizime ushtarake dhe financime dhe ndonjë repart ushtarak të kufizuar por perëndimorët kurrë nuk do të përfshiheshin me ushtritë e tyre. Kështuqë barra bie mbi ushtrinë greke e cila është në proces ristrukturimi. Në këto kushte ajo do të kërkojë ndihmë nga vendet fqinje dhe veçanërisht nga shqiptarët të cilët kanë zhvilluar luftra të përgjakshme për çlirimin e Greqisë. Por duke ditur se Greqia ka qenë e padrejtë me popullin shqiptar, dhe vazhdon të jetë e padrejtë, vështirë se shqiptarët do ta mbështesin. Kështu ajo mbetet e vetme në luftën e saj.

Duhet thënë se kërkesat greke —për zgjerimin e ujërave detare— në raport me Turqinë janë të padrejta: sepse e “mbysin” Turqinë—domethënë e kufizojnë edhe më shumë veprimtarinë e saj tregëtare në rajonin përkatës. Kështuqë, në vend të kërkojë mirëkuptim lidhur me nevojat e Turqisë dhe të ulet në bisedime ajo po përdor fuqitë perëndimore për të realizuar objektivin e saj. Këtë objektiv fuqitë perëndimore e kuptojnë dhe herët a vonë —dhe në varësi të lëvizjeve të Erdoganit— do të jenë më pak mbështetëse ndaj Greqisë. Në këto kushte, do të ishte mirë që Greqia të përdorte vërtet të drejtën ndërkombëtare për të cilën flet: sepse nëse shkojnë në gjykatën ndërkombëtare për të zgjidhur mosmarrëveshjet gjykata do të marrë në konsideratë nevojat e Turqisë dhe me shumë gjasa do t`i japë asaj të drejtë. Por nëse ajo vazhdon të njëjtën gjeopolitikë me Turqinë në fund do të dalë ajo e humbur. Dhe jo vetëm ajo por gjithë rajoni meqënse përplasja do të krijonte kushtet (disa janë krijuar) për luftë dhe nga lufta vetëm Turqia del e fituar si në aftashkurtër ashtu dhe në afatgjatë.

Përballë humbjes greke me Turqinë mirë është të mbështesim si në çdo çështje, drejtësinë dhe jo ca Turqinë, ca Greqinë e ca asnjërën palë: sepse ndikohemi drejtëpërdrejtë nga mosmarrëveshjet e tyre. Për të qenë të drejtë, Greqia duhet të heqë dorë nga kërkesat e saj në disa ishuj pranë Turqisë; të mos përdorë trysinë perëndimore; dhe të ulet në bisedime me të për të parë dhe kuptuar dhe nevojat e fqinjit. Me shumë gjasa ajo do të vazhdojë të njëjtën strategji. Por nëse ajo kërkon ndihmën tonë, pasi të ketë dështuar me strategjinë e saj, mirë është t`i vendosim tre kushte për mbështetje: 1- të njohë Çamërinë dhe të lejojë kthimin e çamëve në trojet e tyre; 2- të pranojë se shteti grek është rezultat edhe i përpjekjeve të shqiptarëve; dhe 3- të institucionalizojë gjuhën shqipe si gjuhë të barabartë me gjuhën greke.                  

...                 

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA