...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia kërkon siguri të pandashme nga Lisbona në Vladivostok ndërsa SHBA-ja përhap armët bërthamore në Evropë

Moska kërkon ta parandalojë përshkallëzimin ndërsa Lavrovi akuzoi perëndimin, edhe një herë, për zhvillimin e një lufte të “hapur, hibride, por sido që ta quah, është një luftë e vërtetë”

Ylli Përmeti

03/11/2023 - 08:51

Ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov, reagoi edhe një herë nga një forum i përkushtuar për Eurazinë në kryeqytetin Bjellorus, Minsk, për armët bërthamore amerikane të vendosura në Evropë, për të cilat, sipas tij, po trajinon aleatët se si të përdoren, duke thënë se Moska do të kundërveprojë. Sipas tij, plani paraqet “rreziqe të rritura strategjike” gjithashtu dhe “një mbushje tejet të paqendrueshme dhe na detyron të marrim masa barazuese mes rritjes së përgjithshme të kërcënimeve që paraqiten nga NATO-ja”.

Rusia shqetësohet për armët bërthamore amerikane të vendosura në Gjermani, Itali, Belgjikë, Holandë dhe Turqi. Në parim SHBA-ja dhe Evropa nuk diskuton vendodhjen e armëve bërthamore por së fundmi ka rrjedhur një raport në media, sipas të cilit pretendohet se vendet përkatëse mbajnë rreth 150 armë ndërsa një kabëll diplomatik ka zbuluar se Uashingtoni përshpejtoi zëvendësimin e bombës ajrore B61-12. 

Polonia, sipas Moskës, është trajinuar për t`i përdorur ato, të cilat ajo i quan një “formë e përhapjes bërthamore”. Presidenti polak, Andrzej Duda, në fakt, kërkoi vendosjen e armëve bërthamore në vendin e tij për shkak të frikës se Putini mund t`i përdorte ato në Ukrainë. Por gjatë qershorit të vitit 2023 kërkoi ndarjen e misionit bërthamor të NATO-s (ose duke strehuar bombarduesit B61, ose duke kualifikuar avionët e saj F-35A për të përdorur armë bërthamore ose duke patur një rol të rëndësishëm në vendimet e doktrinës bërthamore të NATO-s).

Moska, rrjedhimisht, kërkon ta parandalojë përshkallëzimin ndërsa Lavrovi akuzoi perëndimin, edhe një herë, për zhvillimin e një lufte të “hapur, hibride, por sido që ta quah, është një luftë e vërtetë”, duke përmendur Ukrainën si mjetin kryesor të luftës së tij kundër Rusisë. Sipas tij, balanca e fuqisë po zhvendoset kundër perëndimit, duke shpresuar për një arkitekturë sigurie më të barabartë dhe efektive në Eurazi.

Lidhur me këtë pretendim ai përmendi edhe një herë dëshirën e Moskës për t`iu rikthyer idesë së sigurisë së pandashme “nga Lisbona në Vladivostok”. Ajo është e gatshme ta bisedojë atë me gjithë shtetet përgjatë rajonit “por këtë herë duhet të jetë e sinqertë me qëllim që të arrihen rezultate praktike se sa të maskohen dëshira për politika egoiste”. Sipas tij, “gjithë shtetet duhet të mos lejojnë që territoret e tyre të përdoren për të krijuar kërcënime ndaj askujt ndërsa çdo mundësi për një fuqi diktuese jashtë rajonit dhe kontinentit duhet të eliminohet”.

Shumica e vendeve perëndimore kanë pranuar diktatin e Uashingtonit, sipas tij, ndaj nuk ia vlen të bisedohet me ta për një kontinent të përfshirë në doktrinën në fjalë. Por ata mund të ndryshojnë “nëse gjejnë fuqinë për t`u bërë të pavarur dhe të fitojnë ‘autonomi strategjike’, siç është përshkruar nga presidenti francez, Makroni, dhe udhëheqës të tjerë evropianë.  

Moska reagoi njësoj kur më herët një raport ushtarak amerikan aludonte se do të rivendoste armë bërthamore në Britani. Kjo e fundit, bashkë me Francën, kanë forcat e veta bërthamore dhe nuk mbajnë më armë amerikane. Putini kishte paralajmëruar se do të vendoste armë bërthamore taktike në Bjellorusi si kundërpërgjigje por me një ndryshim: se ato do të mbikqyren nga Rusia dhe nuk do të lejohen të përdoren nga Minsku siç mund të përdoren armët bërthamore amerikane nga evropianët meqënse trajinohen.

Vërtet, pas rreth një jave nga paralajmërimi i ministrit të jashtëm rus, Putini nënshkroi ligjin për tërheqje nga ratifikimi i traktatit bërthamor (CTBT) në emër të barazisë bërthamore ndërsa palët zhvilluan prova bërthamore gjatë tetorit të vitit 2022. Gjasat janë se Polonia do të përfshihet në veprimtaritë bërthamore të NATO-s (Steadfast Noon) dhe mund të caktojë fusha të ndryshme ajrore polake për baza operacionale. Këto marrëveshje mund të përparojnë me një vendim nga anëtarët e NATO-s dhe “nëse konsesusi nuk arrihet, mund të ketë marrëveshje dypalëshe mes SHBA-së dhe Polonisë”.    

Gjendjes kritike me armët bërthamore Moska i përgjigjet me gjendje edhe më kritike

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA