...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Rusia përgatitet për goditje “shkatërrimtare” ndaj perëndimit

Në Moskë disa parlamentarë po mbështesin idenë e mbylljes së rubinetave të gazit dhe naftës për Evropën; qëllimi është dobësimi i perëndimit si hakmarrje ndaj qendrimit të Uashingtonit dhe Brukselit, të cilët duan dobësimin e Rusisë, përmes Ukrainës

Ylli Përmeti

30/04/2022 - 08:43

Sipas “Financial Times”, BE-ja paralajmëroi anëtarët e saj se pagesat në rubla për gazin rus do të shkelnin sanksionet ndaj Rusisë në kohën kur Moska krijoi një “skemë” pagese në Zvicër. Për pasojë, disa furnitorë (Gjermani, Austri, Hungari dhe Slovaki) planifikuan të përputheshin me kërkesat e Moskës duke hapur llogari bankare në rubla. Madje komisioni evropian botoi udhëzime teknike duke pranuar se organizmi financiar i hartuar nga Kremlini mund të jetë i “përputhshëm me sanksionet“ nën disa kushte. Por zyrtarët italianë thanë se udhëzimet ishin të paqartë për shtetet anëtare.   

Sidoqoftë, nën mekanizmin e ri rus ndërmarrjet evropiane do të vazhdojnë të paguajnë Gazpromin për importet e tyre në euro ― duke u siguruar se ato nuk shkelin regjimin e sanksioneve. Banka Ruse, e cila nuk është nën sanksionet ruse, do t`i kthejë depozitat në euro në rubla në një llogari të dytë të hapur në emrin e tyre për të përparuar pagesën ndaj Rusisë.

Këshilltarët e komisionit kanë deduktuar se çdo lëvizje nga BE-ja për të imponuar sanksione kundër Gazprombank ―e cila do të jetë mënyra më e butë për të mbyllur rrugëdaljen― mund të vërë në rrezik gjithë mekanizmin e pagesës për gazin rus, duke rezultuar në ndalimin e ngarkesave drejt bllokut.

Një ditë më pas “New York Times” raportoi se Brukseli po përgatit embargo ndaj naftës ruse duke cituar zyrtarë anonimë në Bruksel, “sepse atyre nuk u lejohet të flasin publikisht mbi përparimin e bisedimeve të ndjeshme”. Sipas të njëjtit raport, “embargua e naftës do të fillojë të veprojë përgjatë një periudhe disa mujore” dhe pritet të miratohet nga ambasadorët e BE-së javën tjetër për të shmangur procesin e mbledhjeve të krerëve të shteteve. Raporti citon se BE-ja është importuesja më e madhe e naftës ruse, duke mbuluar rreth një të katërtën e nevojave të saj, rreth gjysmën e eksporteve ruse. Për të mbuluar nevojat e saj ajo do të importojë nga burime të tjerë si vendet e Golfit, Nigeria, Kazakistani dhe Azerbajxhani. Kjo lëvizje paraqitet si keqllogaritje e Putinit për efektin e ndërhyrjes ushtarake në Ukrainë: “në vend të mbillte përçarje ka krijuar një front të bashkuar që i ka bërë marrëveshjet e vështira të lehta për t`u arritur”. Madje disa këshilltarë besojnë se një embargo e menjëhershme do të shkaktonte më shumë dhimbje në Rusi.  

Ndërsa pretendimi i “New York Times” bie në kundërshti me raportin e “Financial Times”, edhe sikur të jetë i vërtetë i dyti, “këshilltarët” tregojnë se nuk i ndjekin zhvillimet në palën kundërshtare: sepse në Moskë disa parlamentarë po mbështesin idenë e mbylljes së rubinetave të gazit dhe naftës për Evropën; qëllimi është dobësimi i perëndimit si hakmarrje ndaj qendrimit të Uashingtonit dhe Brukselit, të cilët duan dobësimin e Rusisë, përmes Ukrainës. Mbyllja e rubinetave ndaj Evropës, besojnë në Moskë, do të shkaktonte hiperinflacion dhe trazira sociale jo vetëm në Evropë por dhe në SHBA, me qëllim që të mos kenë mundësi të financojnë armatimet për Ukrainën sidomos në kushte kur Nato-ja është e gatshme të mbështesë Ukrainën “për muaj dhe vite” me armë më moderne (Stoltenberg).

Vërtet, që kur filloi lufta në Ukrainë, ekonomia amerikane ka marrë një goditje të fortë: ajo pësoi tkurrje të madhe tremujorin e parë të këtij viti për herë të parë që nga mesi i vitit 2020. Bajdeni fajësoi ‘faktorët teknikë’ dhe theksoi shpenzimet e fuqishme të qytetarëve amerikanë, investimet e bizneseve dhe investimet në banesa. Por siç përgënjeshtron FT “rritja ekonomike amerikane është kërcënuar nga inflacioni më i lartë i 40 viteve të fundit ngaqë ndërhyrja ruse në Ukrainë ka rritur çmimet e mallrave ndërsa mbylljet në Kinë për shkak të C-19 lajmërojnë vështirësi të mëtejshme në zinxhirin e furnizimit”. Ekportet amerikane ranë në 5.9 për qind ndërsa importet u rritën në 17.7 për qind duke rritur deficitin tregëtar.  Kjo gjendje nxiti bankën qendrore amerikane, Fed-in, të rrisë interesin e huadhënies për të ndalur inflacionin. Kjo politikë monetare shkakton tkurrje në investime në afatshkurtër, mesmë dhe afatgjatë, sepse dollari bëhet më i shtrenjtë! 

Ndërsa Evropën e qetëson deri diku fakti se Moska nuk i mbylli rubinetat e gazit për të as gjatë luftës së ftohtë, Rusia humbet pak nga mbyllja e rubinetave, sepse ajo vërtet shet më pak gaz dhe naftë tani por çmimi i tyre është rritur duke kompensuar humbjet nga sasia, ndërsa BE-ja do të paguajë 20-40% më shumë për energji. Tashmë ekonomitë perëndimore në Kremlin nuk quhen ‘jomiqësore’ si muajin e kaluar por “ekonomi armiqësore”. Kështu, megjithëse Gazpromi mbylli rubinetin për Bullgarinë dhe Poloninë, kjo e fundit ble përmes Gjermanisë. Njësoj synohet dhe për BE-në: të detyrohet të blejë përmes Indisë por në çmime shumë më të shtrenjta.

Vendet perëndimore po “debatojnë” mundësinë e mbylljes së rubinetave ndërsa Kremlini s`ka rrugë tjetër për t`i dobësuar ata ekonomikisht dhe rrjedhimisht dhe ushtarakisht veç t`u mbyll rubinetat: sepse ndryshe nga koha e luftës së ftohtë, ai përballet me një bllok ekonomik që po përdor gjithë burimet e tij për të mposhtur Rusinë.     

Politikën monetare të Fed-it po e ndjekin dhe vendet evropiane duke përfshirë dhe bankën tonë, për të njëjtën arsye: për të frenuar inflacionin! Mirëpo ky është një qerthull që nuk tkurr vetëm ekonominë në afatgjatë por shkakton dhe trazira sociale, sepse shtresat e ulëta të shoqërisë nuk i përballojnë dot çmimet e larta dhe papunësia rritet. Ky efekt do të ndihet më shumë në vendin tonë sepse ne jemi të varur më shumë nga importet...   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA