...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Shfarrosja e bletës nga fermerët dhe ndryshimet klimatike

Pesticidet janë kontribuesi kryesor në rrënimin e kolonive të bletëve të buta dhe të bletëve të egra

Ylli Përmeti

06/01/2023 - 17:45

Bleta kërcënohet kudo dhe në çdo vend. Veçanërisht nga përdorimi i pesticideve në bujqësi (“neonikotinoidet”). Humbja e habitatit ku jetojnë, sëmundjet nga natyra e sëmurë dhe stresi i ushqimit, janë tre kërcënuesit kryesorë të bletës. Dihet se bleta luan rol vendimtar në bujqësi: ajo pllenon lulet e bimëve. Pa të bujqësia do të shkatërrohësh. Bleta dhe pllenues të tjerë kontribuojnë në prodhimin e rreth një të tretës së ushqimit që ne përdorim. Prodhimet e saj përdoren kudo: në ëmbëlsira dhe ushqim të gjallë për njeriun. Kafja, çokollata dhe thuajse çdo frut dhe perime do të rrallohen në rastin më të mirë nëse ajo mungon. Në çdo çast atje janë rreth 3 trilion bletë mjalti rreth botës. Bashkë me kushërirat e tyre të egra ato i kanë shërbyer njeriut falas për miliona vjet.

Një studim tregon se bleta kërcënohet drejtpërdrejt nga pesticidet —një grup i gjerë pesticitesh kimikisht i njëjtë me nikotinën e duhanit— që shkatërrojnë aftësinë e bletëve për të themeluar popullata të reja. Studimi përkatës është sponsorizuar nga vetë ndërmarrjet që shesin pesticidet dhe sponsorët janë munduar t’i paraqesin përfundimet e studimeve përkatëse të dyshimta. Por është e qartë se lidhja mes pesticideve —klothianidit, thiamethoksaminit dhe imidaklopridinit— është e drejtëpërdrejtë: sepse studiuesit hetuan efektin e ekspozimit të bletëve –të cilat pllenojnë drithin për fermerët— dhe dy specie të egra bletësh në kolzë vajëse të trajtura me neonikotinoidet e përmendura më herët. Më parë ata i kishin studiuar efektet e pesticideve në laborator ku nuk paraqitën kushtet e vërtetë të natyrës.

Ndaj dhe pesticidet janë kontribuesi kryesor në rrënimin e kolonive të bletëve të buta dhe të bletëve të egra. BE-ja ka vendosur një moratorium për përdorimin e pesticideve në vitin 2013-të ndërsa korporatat e ‘agrobiznesit’ lobonin për të kundërtën dhe u tha se në fund të vitit 2017 do të ridebatohësh çështja. Por siç konkludon një analizë në FT, “rreziku është se fermerët do të përdorin diçka tjetër me efekt më të kobshëm — bota perëndimore në rregullimin e pesticideve është e tmerrshme”. 

Por rregullimi ligjor është një çështje; dhe një tjetër është shkaku kryesor se pse fermerët përdorin pesticide për kultivarët e tyre: së pari, për të ulur koston e prodhimit; dhe së dyti, nuk janë në dijeni të rëndësisë që ka bleta në kultivarin e tyre. Janë, në fjalë të tjera, dy herë padije: një herë kur nuk dinë të ulin koston e prodhimit veç me pesticide dhe një herë tjetër kur shkatërrojnë bletën e cila është kontribuesi kryesor në prodhimin e tyre!

Një shkak tjetër janë ndryshime klimatike. Bleta nuk jeton gjatë në temperatura të larta dhe të ulëta; ajo ka nevojë për temperatura mesatare pavarësisht se përshtatet mirë në to. Ajo mbijeton rreth dy javë kur temperatura është 35°C; tre ditë kur temp. shkon mbi 40°C; dhe rreth 24 orë kur shkon 45°C. Ato ngordhin brenda një ore kur temp shkon -2°C ndërsa kur temp. është mes 9-12°C ato bien në gjumë ose koma dhe jetojnë rreth 50 orë nëse ngrohen më pas nga ndryshimet e temp. Ato ndalojnë së fluturuari kur temperatura shkon poshtë 10°C ndërsa kur temperatura e mjedisit shkon mbi 20°C ato ‘lumturojnë’.

Por ndryshimet klimatike nuk lidhen vetëm me temperaturat por dhe efektin e tyre në ekosistem; kur janë të larta dhe ajri me lagështi, krijohen kushtet për zhvillimin e parazitëve që shkatërrojnë jetën e bletëve. Për shembull, në Australi në fund të qershorit 2022 bletët u vunë në “karantinë” (nuk u lejuan të udhëtonin) për shkak se ato u infektuan nga paraziti ose këpusha “varroa”, duke kërcënuar jo vetëm industrinë e mjaltit atje por dhe bujqësinë.

Në SHBA po shkatërrohen dhe nga sëmundjet bakteriale aq shumë saqë një ndërmarrje prodhoi një vaksinë ―të parin në llojin e vetë― për të parandaluar sëmundshmërinë e bletëve nga bakteri i ndyrë “foulbrood”. Autoritetet shkencore atje, thonë se bleta kërcënohet dhe nga parazitët, infeksionet (bakteriale dhe virusale) dhe nga dukuria e quajtur Çrregullim Rrënues i Kolonisë, e cila ndodh kur punëtoret braktisin kosheren dhe shkojnë pas mbretëreshës.

Vaksinimi i tyre nuk bëhet si tek njerëzit. Si parim, është i njëjtë: sepse përdoret një variant i bakterit që nuk vepron por ai nuk injektohet në trupin e tyre (do të ishte e pamundur) por hidhet në qumshtin e mbretëreshës përmes të cilit larvat ushqehen dhe pretendohet se fitojnë mbrojtje.

Shkëputur nga studimi i autorit me titull, Kriza shumë-përmasore

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA