Sulmi` ukrainas ndaj bombarduesve rusë dhe alarmi` dyfishtë në SHBA-Evropë
Si shqetësimet e kundërshtarëve të luftës ashtu dhe të luftënxitësve, nuk bëjnë një dallim mes qëllimeve të Trampit dhe për pasojë alarmi` të parëve është e tepëruar ndërsa i të dytëve jo aq sa ç`duhet
YLLI PËRMETI
06/06/2025 - 14:45
Ukraina sulmoi në fillim të qershorit me dronë në katër fusha ajrore në thellësi të Rusisë, të cilat strehonin bombardues strategjikë, pikërisht një ditë përpara se palët të shkonin në Turqi për të zhvilluar bisedime për paqe. Ukraina tha se dëmtoi ose shkatërroi më shumë se 40 avionë nga 120 bombardues që ka Rusia, por disa vlerësime perëndimore thanë se ajo kishte dëmtuar ose shkatërruar 10 deri në 12. Megjithatë, ministri` mbrojtjes ruse tha pas pak ditësh se avionët ishin dëmtuar dhe jo shkatërruar, pa përmendur ndonjë numër, dhe ata do të riparoheshin, pa ndonjë mund të madh. Për sulmin Ukraina përdori 117 dronë dhe 18 muaj përgatitje. Qëllimi ishte t`i tregonte Rusisë se ajo kishte aftësi ushtarake gjatë kohës së bisedimeve në Turqi dhe për pasojë ajo të hiqte dorë nga kërkesat “maksimaliste”.
Trampi, tha zëdhënsia e Shtëpisë së Bardhë, një ditë më pas, nuk ishte në dijeni për sulmin e Ukrainës, pretendim të cilin e vërtetoi agjencia ruse e lajmeve Tass, një ditë më pas, e cila raportoi se Trampi i kishte thënë Putinit se nuk ishte në dijeni të sulmit ndërsa Nju Jork Tajms raportonte se Putini i kishte thënë Trampit se do t`i kundërpërgjigjej sulmit të Ukrainës ndaj bombarduesve rusë por dhe disa sulmeve të tjerë në ura dhe hekurudha, siç edhe bëri pesë ditë pas sulmit ukrainas, ndërsa presidenti amerikan ka një armiqësi të veçantë ndaj Zelenskit...dhe ka thënë vazhdimisht se Zelenski është i keq, sepse po e çon botën drejt luftës bërthamore. Madje, ai tha një ditë më pas, kur Rusia zhvilloi një sulm tjetër, se Zelenski i dha arsye Putinit që ta sulmonte.
Shumë zëra kundër luftës në Amerikë —me në krye Xhefri Sahs— i druhen një lufte bërthamore, sepse Ukraina guxoi dhe sulmoi një pjesë të flotës bërthamore të Rusisë. Gjykuar nga e vërteta se Trampi nuk ishte në dijeni të sulmit, ata vlerësojnë se Ukraina ka dalë nga këqyrja e tij dhe është nën këqyrjen e luftënxitësve në Uashington, sidomos të CIA-s, dhe shërbimeve inteligjente evropiane me në krye britanikët. Gati të njëjtin vlerësim shprehën dhe autoritetet ruse, se Ukraina kishte bashkëpunuar me shërbimet britanike për sulmet e saj por ata po hetonin të vërtetonin dyshimet e tyre. Ndaj ata po shtyjnë Trampin të heqë dorë nga mbështetja e Ukrainës me armë dhe të shtrëngojë qeveritë evropiane të veprojnë njësoj ose t`i kërcënojë ato me braktisje. Nga ana tjetër, Brukseli dhe Evropa plakë në tërësi, është në alarm, sepse ka frikë nga braktisja amerikane; në fjalët e një raporti të Financial Times:
“Planet madhështore për të ndërtuar “një Evropë të pavarur” janë pezulluar, ndërsa zyrtarët përpiqen të ruajnë mbështetjen e Trampit gjatë pesë javëve bisedimesh të rëndësishme mbi Ukrainën, tregtinë ndëratlantike dhe qendrimin e SHBA-së në NATO-s. Zyrtarë të lartë të BE-së kanë diskutuar skenarët më të këqij në të tre çështje. Ato përfshijnë pezullimin e plotë të mbështetjes amerikane për Ukrainën, ndërprerjen e inteligjencës dhe parandalimin e vendeve evropiane nga furnizimi me armë të blera nga SHBA-ja; një luftë tregtare në shkallë të plotë me pasoja të rënda për rritjen ekonomike; dhe tërheqjen e shpejtë nga Evropa të trupave dhe aftësive ushtarake amerikane. Trampi do të përballet së pari me udhëheqësit evropianë në mbledhjen e G7 në Kanada pas 11 ditësh, ku zyrtarët presin që presidenti amerikan të sqarojë mbështetjen e tij për Ukrainën dhe planin e sanksioneve për Rusinë. Kryeqytetet evropiane duan që Trampi të premtojë mbështetje të vazhdueshme për Kievin, por kanë frikë se ai dëshiron një marrëveshje paqeje që do ta linte Ukrainën dhe pjesën tjetër të Evropës të cënueshme ndaj agresionit të ardhshëm rus. Një javë më vonë, udhëheqësit e NATO-s do të mblidhen në Hagë, me kryeqytetet evropiane të shpresojnë se premtimet e tyre për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes do ta bindin Trampin të ruajë mbështetjen e SHBA-së për mbrojtjen evropiane dhe ta shkurajojë atë nga shkurtimi i vendosjeve të trupave dhe armëve. Të nesërmen, udhëheqësit e BE-së do të mblidhen për një mbledhje në Bruksel, duke e ditur se kanë më pak se dy javë për të biseduar një marrëveshje tregtare me Trampin, për të shmangur tarifat prej 50% që mund të shkatërrojnë ekonominë e kontinentit. Frika se Trampi do t`i përfshijë çështjet në një bisedë të vetme dhe do të përdorë mungesën e përparimit në një fushë për të ndëshkuar bllokun në një tjetër, është shqetësimi më urgjent i Brukselit. Takimet e ambasadorëve nga 27 shtetet e BE-së në javët e fundit janë karakterizuar nga shqetësimi për mungesën e zgjedhjeve në pritje të bllokut...Të qenit i vendosur në një fushë rrezikon reagime negative në një tjetër...Në privatësi, diplomatët e shteteve anëtare dhe zyrtarët e BE-së janë thellësisht të shqetësuar se si dobësitë e rajonit mund të ndajnë vendet që mbështesin të ashtuquajturën autonomi strategjike nga ata që besojnë se marrëdhënia ndëratlantike duhet të mbrohet me çdo kusht. Qendrimet e ndryshueshme të Trampit e kanë bërë edhe më të ndërlikuar bashkërendimin e përgjigjeve mes 27 shteteve anëtare për të tre çështjet. Shenjat se Trampi po bëhet gjithnjë e më i paduruar me Vladimir Putinin e Rusisë kanë rritur shpresat se ai mund të mbështesë edhe më shumë sanksione ndaj Moskës. Ai ka lavdëruar përpjekjet e partnerëve të NATO-s për të rritur shpenzimet, por gjithashtu ka kërcënuar me tërheqjen e trupave nga Evropa. Dhe kundërshtimet e tij të shumta ndaj kërcënimeve me tarifa i kanë lënë shumë njerëz të pyesin se sa seriozisht duhet të merret ai. Ndërsa një qëllim afatgjatë për një Evropë më autonome mund të përhapet midis kryeqyteteve evropiane, përgjigjja afatshkurtër se si të mbahet SHBA-ja në krah ndërsa kontinenti zhvillon të ardhmen e tij po rezulton e vështirë”.
Megjithatë, si shqetësimet e kundërshtarëve të luftës ashtu dhe të luftënxitësve, nuk bëjnë një dallim mes qëllimeve të Trampit dhe për pasojë alarmi` të parëve është e tepëruar ndërsa i të dytëve jo aq sa ç`duhet: së pari ai synon paqen në Ukrainë dhe së dyti ai synon një marrëveshje tregtare të drejtë me Brukselin. Por qëllimi` parë është më i rëndësishëm se qëllimi` dytë. Këtë të vërtetë e kuptojmë jo vetëm nga dëshira e tij për paqe por dhe nga veprimet e tij: ai filloi bisedimet së pari me Rusinë dhe më pas rifilloi “luftën” tregtare. Për të dy qëllimet e tij ai përdor taktika: për përshpejtimin e paqes ai përdor “pakënaqësinë” e tij ndaj krerëve në Moskë dhe Kiev dhe shpesh kërcënime; ndaj Zelenskit, se ai është rrezik për paqen ndërkombëtare dhe duhet të largohet ndërsa ndaj Putinit sanksionet. Për këto të fundit Trampi s`ka se ç`sanksionon, sepse Rusia është shkëputur gati tërësisht nga sistemi perëndimor. Kurse për përshpejtimin e marrëveshjeve tregtare ai po përdor tarifat.
Por evropianët kanë të drejtë të jenë të alarmuar, sepse qëllimi` Trampit për paqe nuk përputhet me qëllimin e tyre për luftë. Por ata shpërnjohin të vërtetën e madhe se Trampi është anti-globalist dhe detyrimisht do të luftojë globalistët e Evropës. Kështuqë alarmi` tyre duhet të ishte prej kohësh në shkallë të lartë. Parë nga këndvështrimi` evropianëve, ose nevoja e tyre për ta mbajtur Amerikën të përfshirë në kontinent, për arsye sigurie, pasi mbështetën luftën dhe janë në shënjestër të Putinit, Trampi nuk e ka të vështirë të realizojë qëllimin e tij tregtar me ta por do ta ketë vështirë me Rusinë, sepse Putini e ka fituar luftën dhe parë nga e drejta ndërkombëtare e luftës, ajo ka fjalën e parë në çdo marrëveshje të madhe mes Amerikës dhe Rusisë. Këtë të vërtetë të madhe Trampi e di dhe s`ka se si ta ndryshojë; ndaj dhe ai po shtyn për realizimin e qëllimeve të tij...
Në fund, vlen të përmendet qëllimi` Zelenskit për të “përmbajtur” Rusinë në qëllimet e saj “maksimaliste”: ai dështoi, jo vetëm sepse Rusia kundërsulmoi me 472 dronë pas disa orësh me sulmin më të madh që nga fillimi` luftës por dhe kërkesat ruse ishin “maksimaliste”, krejt të kundërta me kërkesat ukrainase, të cilat mund të quhen qesharake, sepse nuk përputhen me realitetin e luftës ndërsa kërkon të mbajë të përfshirë SHBA-në për sigurinë e saj dhe jo vendimin e Këshillit të Sigurimit në OKB. Siç citon FT: “propozimi [Ukrainës] bën thirrje për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në qiell, në tokë dhe në det - që do të mbikëqyret nga SHBA-ja - e ndjekur nga lirimi i të gjithë të burgosurve, kthimi i fëmijëve ukrainas të marrë me forcë [...] në Rusi dhe një marrëveshje që Zelenski të takohet me Putinin. “Çështjet kryesore mund të zgjidhen vetëm nga udhëheqësit”, tha Zelenski më herët të dielën. Dokumenti ukrainas bën thirrje për garanci sigurie për të siguruar që Rusia nuk do të pushtojë përsëri. Ai thotë se nuk duhet të ketë njohje zyrtare ndërkombëtare të sovranitetit rus mbi territoret ukrainase që aktualisht janë nën kontrollin e Moskës. Vija e frontit “është pika fillestare për bisedime”, thuhej në të. “Çështjet e territorit diskutohen vetëm pas një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar”. Nuk duhet të ketë kufizime në forcën ushtarake të Ukrainës dhe sanksionet perëndimore ndaj Rusisë duhet të hiqen gradualisht, por me një mekanizëm për t`i rizbatuar ato nëse Moska shkel marrëveshjen, thotë dokumenti. Pasuritë sovrane ruse të ngrira do të përdoren “për rindërtim ose do të mbeten të ngrira derisa të paguhen dëmshpërblimet”, shton ai.
Ky editorial është përditësuar
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 62 reads