...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Alarmi i OKB-së për efektet e ndryshimeve klimatike dhe 15 vitet vendimtare për përmbysjen e katastrofës ekologjike

Alarmi i OKB-së për efektet e ndryshimeve klimatike dhe implikimet afatgjata për jetën planetare: 15 vjet kohë kemi për përmbysjen e katastrofës ekologjike

SHJ

09/10/2018 - 09:30

OKB-ja pohoi pas tre vjetësh së marrëveshjes së “Parisit” se qeveritë nuk po ndjekin rrugën e nevojshme për të mbajtur temperaturat poshtë 2 gradëve përpara fundit të shekullit![1] Në këto kushte, “fati” i jetës planetare, mbetet në epshet e bankierëve: një bankë hollandeze (ING) adoptoi një politikë që ushtron trysni mbi klientët nëse biznesi i të cilëve nuk përputhet me synimet e marrëveshjes së Parisit. Në të vërtetë, shumë banka kanë adoptuar objektiva klimatike në operacionet e tyre. Por zbatimi i politikës së bankës hollandeze nuk është provuar më parë: ajo nuk do të përdorë vlerësim klimatik në vendimet individuale përpara se të lëshojë një hua por banka shpreson se vlerësimi i klimës, të cilin ajo e quan “Terra”, do të shtyjë klientët e saj të çojnë çështjen në bordin e ndërmarrjes ndërsa paralelisht përdorë përqindjen e borxhit: kur çlirimet rriten ashtu rritet dhe përqindja e huasë dhe anasjelltas. Ajo ka ndaluar huatë për ndërmarrje qymyri dhe synon që investimi i saj për këto ndërmarje të shkojë zero deri në vitin 2025. Pas saj mund të pasojnë banka të tjera.

Por është e qartë se kriza ekologjike nuk mund të zgjidhet me nismat e bankave tregëtare: sepse ajo është çështje politike dhe jo thjesht ekonomike. Pushtetet politike, dihet se administrohen nga partitë dhe partitë vetëm dije nuk kanë për efeket e politikave që imponojnë mbi popujt. Përpjekja e studiuesve, rrjedhimisht, për të nxitur politikat globale për adoptimin e politikave ekologjike, është i gabuar: sepse krerëve të partive dhe anëtarëve të tjerë poshtë tyre u mungojnë dy parakushte tejet të rëndësishëm për adoptimin e politikave ekologjike: dashuria për mjedisin dhe dija― kur dihet se e para të çon tek e dyta! Në këto kushte, një grup studiuesish nga Paneli Ndërqeveritar i Kombeve të Bashkuar mbi Ndryshimet Klimatike (IPCC) qarkulloi një raport tjetër në fillim të tetorit, 2018, përmes të cilit vë alarmin se kanë mbetur dhe 15 vjet kohë për të përmbysur procesin e shkatërrimit të plotë të ekosistemit. Duke mbështetur marrëveshjen e “Parisit” paneli argumenton se duhet të ndodhin ndryshime të shpejta dhe të rëndësishme në katër sisteme të mëdhenj botëror:

Energji; përdorimin e tokës; qytete; industri.

Por, sipas tyre, këto s`mjaftojnë nëse individët nuk ndryshojnë paralelisht mënyrë jetese, duke këshilluar: të blejnë më pak mish, qumësht, djath dhe gjalp të importit dhe më shumë ushqime stinore dhe vendore; të ndalojnë së hedhuri në mbeturina më pak; të përdorin automjete elektrike dhe të ecin ose çiklojnë në largësi të vogla; të përdorin urbanë dhe trena në vend të aeroplanëve; të përdorin videokonferenca në vend të udhëtimeve tregëtare; të përdorin një linjë larjeje në vend te tharseve të zhubrosjeve; izolojnë banesat; kërkojnë karbon të ulët në çdo prodhim të konsumueshëm.

Më tej ata tregojnë pesë hapa për të shkuar në 1.5 C: çlirimet globale të CO² duhet të bien me 45% deri në vitin 2030; burimet e ripërtëritshëm vlerësohet se do të sigurojnë më shumë se 85 për të elektricitetit botëror deri në vitin 2050; qymyri pritet të shkojë në zero; më shumë se shtatë milion km² do të nevojiten për drithëra energjie (pak më pak se madhësia e Australisë); dhe çlirimet botërore neto zero deri në vitin 2050. Ky objektiv ka një kosto relative prej 2.4 trilion dollarësh.[2]

Por siç kam shqyrtuar dhe treguar në vend tjetër,[3] këto verpime janë sërish të pamjaftueshme përsa kohë që në burimet e ripërtëritshme studiuesit në fjalë fusin dhe burimet e drithërave dhe hidroenergjinë siç është konceptuar dekadat e fundit. Kjo është arsyeja se pse kam ravijëzuar një punë konkrete teorike për të shkuar në një shoqëri vërtet ekologjike―me burime energjitike që nuk dëmtojnë natyrën e Natyrës dhe sigurojnë jo vetëm energji falas por edhe udhëtime në kosmos. 

Shkëputur nga studimi i Ylli Përmetit, Kriza shumë-dimensionale...     


[1]Governments not on track to cap temperatures at bellow 2 degrees: U.N., Reuters, Sep 2, 2018.

[2]Final call to save the world from ’climate catastrophe’, BBC, 8 October 2018.

[3]Mashtrimi dhe krimi me mega-projektet dhe energjinë teknologjike: drejt një revolucioni tekno-energjitik.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA