...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Aleanca atlantike përpiqet të ndalojë projektin e Kinës ndërsa shqiptarët vazhdojnë dalldisjen

Qeveritë shqiptare i kanë shitur pasuritë tona strategjike thuajse të gjitha dhe asnjë përpjekje nuk po bëhet nga ndonjë lëvizje politike për t`i shpëtuar ato me ndonjë plan-projekt

Ylli Përmeti

22/02/2021 - 11:59

Pas thuajse pesë vitesh mosveprimi, erdhi reagimi i parë perëndimor lidhur me projektin e Kinës. Sekretari i NATO-s, Stoltenberg, tha në një konferencë vitin e kaluar se pandemia dhe gjendja e keqe ekonomike perëndimore mund të detyrojë disa aleatë të cënueshëm të shesin infrastrukturën kritike. “Sigurisht, çdo qeveri kombëtare duhet të vendosë se cilat janë industritë strategjike që ato do të donin të mbanin. Tregjet e lirë nevojitet të vazhdojnë por ti duhet të sigurohesh për “xhevahirët ose gurët e çmuar të kurorës”...industritë dhe infrastukturat që janë të pandashme dhe që na bëjnë të sigurtë pavarësisht rrethanave”. 

Kjo përpjekje do të shqyrtohet në mbledhjen e radhës së aleancës atlantike. Bëhet fjalë për COSCO-n kinez (ose ndërmarrjen kineze oqeanike detare), e cila ka blerë portin e Pireut në Athinë, stacionet Zeebrugge belg dhe Valencia-n dhe Bilbaon spanjoll. Përpjekjet u shtuan kur Turqia kërkoi të integrohësh në aleancën euro-aziatike, dhe sidomos kur Turqia projektin tokësor të Kinës e pranoi dhe e pa si mundësi zhvillimi ekonomik. Ky paralajmërim erdhi një vit pas masave që mori BE-ja lidhur me tenderat dhe investimet e huaja, domethënë, ngritjen e një institucioni që skanon investimet e huaja (kineze) për të mbrojtur interesat strategjike të bllokut. Por ngaqë Turqia është integruar në projektin tokësor kinez dhe Greqia në projektin detar kinez, pritet të merren masa të reja.

Rendi i “ri” i Kinës dhe topitja e shqiptarëve*

Dy janë arsyet, rrjedhimisht, se pse NATO-ja dhe aleanca atlantike kërkon largimin e Kinës nga rajoni: sepse Turqia është integruar pjesërisht në bllokun euraziatik dhe sepse duhet të ndërpritet koridori detar i rrugës së mëndafshtë që kalon përmes CASCO-s dhe portit të Pireut në kohën kur treni i parë u nis nga Stambolli në 19 dhjetor dhe përshkoi 8,693 km përgjatë Turqisë, Gjeorgjisë, Azerbajxhanit, Deti Kaspik, dhe Kazakistanit për të mbrritur në qytetin Xi`an të Kinës. Kujtoj se qeveritë shqiptare i kanë shitur pasuritë tona strategjike thuajse të gjitha dhe asnjë përpjekje nuk po bëhet nga ndonjë lëvizje politike për t`i shpëtuar ato me ndonjë plan-projekt.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA