...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika “godet” nacionalistët serbë me sanksione ndërsa Vuçiçi “tërbohet”

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë një ndalim udhëtimi dhe ngrirje të pasurive të Milorad Dodikut dhe zyrtarët amerikanë dhe gjermanë janë kërcënuar kohët e fundit me më shumë sanksione, në rast se serbët e Bosnjës dobësojnë më tej institucionet qendrore të Bosnjës

Voa

06/01/2022 - 18:33

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, u shpreh të enjten kundër sanksioneve të Shteteve të Bashkuara ndaj udhëheqësit të serbëve të Bosnjës Milorad Dodik. Në një konferencë me gazetarë ai tha se është “shumë i shqetësuar me sanksionet kundër Milorad Dodikut dhe disa të tjerëve në Republikën Serbe. Jam i shqetësuar për mënyrën e paraqitjes së sanksioneve por edhe për shpjegimet që janë përdorur për to”, tha ai, duke nënvizuar se sanksionet nuk janë zgjidhje.

“Nuk ka asnjë dyshim se Republika e Serbisë nuk do të pajtohet me asnjë pikë të vetme, dhe nuk do t'i zbatojë sanksionet kundër pjesëtarëve të popullit të saj dhe përfaqësuesve të popullit të saj në Bosnje e Hercegovinë dhe Republikën Serbe”, tha presidenti serb.

Shtetet e Bashkuara vendosën të mërkurën sanksione të reja ndaj udhëheqësit serb të Bosnjës Milorad Dodik, me motivacionin “për aktivitete korruptive” dhe “kërcënime të vazhdueshme ndaj qëndrueshmërisë dhe tërësisë tokësore” të Bosnje e Hercegovinës.

Ende e përndjekur nga ndarjet etnike, Bosnja është në mes të krizës më të thellë politike që nga fundi i luftës së viteve të 90-ta, ndërsa Milorad Dodiku kërkon tërheqjen e Republikës Serbe nga forcat e armatosura, gjyqësori dhe sistemi tatimor i Bosnjës.

Departamenti amerikan i Thesarit e përcaktoi edhe një entitet të lidhur me të, televizionin “Alternativna" me seli në Banja Lukë". Presidenti i Serbisë tha se “do të shtrojmë shumë pyetje për administratën amerikane lidhur me disa media të tjera dhe lidhjet me krimin dhe korrupsionin, të cilave duket e pamundur t'u japim një përgjigje të duhur, por këtë do ta lëmë për kohën menjëherë pas Krishtlindjeve (ortodokse)”. Megjithatë, ai theksoi se Serbia duhet të ruajë marrëdhënie “të denja" me Shtetet e Bashkuara.

Udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik tha të mërkurën se nuk merzitet për sanksionet amerikane, ndërsa nënvizoi se ato “do t’i afrojmë më shumë serbët me Rusinë dhe Kinën”.

Pas luftës së viteve të 90-ta që la pas vetes 100 mijë të vrarë, Bosnja u nda në dy entitete autonome, Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga boshnjakët dhe kroatët, të lidhura nga një qeveri qendrore në Sarajevë.

Serbët votojnë për largimin nga institucionet kryesore të Bosnjës

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë paralajmëruar kundër shpërbërjes së institucioneve shtetërore të Bosnjës, por ndërsa Uashingtoni vendosi sanksionet, BE-ja nuk ka ndërmarrë asnjë veprim konkret për të ndaluar Milorad Dodikun.

Po të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit u ndaloi hyrjen në Shtetet e Bashkuara një zyrtari dhe një ish-zyrtari të Bosnje Hercegovinës, duke përmendur si motivacion “përfshirjen e tyre në korrupsion të konsiderueshëm”, tha Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken.

Departamenti i Shtetit shpalli përcaktimin publik për korrupsion të ish-presidentit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Prokurorial të Bosnje-Hercegovinës Milan Tegeltija dhe Kryetarin e Lëvizjes për Veprim Demokratik dhe Përfaqësuesin e Asamblesë Parlamentare Mirsad Kukiç.

Serbët votojnë për largimin nga institucionet kryesore të Bosnjës

Ligjvënësit serbë votuan të premten për të filluar punën për tërheqjen e Republikës së tyre autonome Serbe nga forcat e armatosura, sistemi gjyqësor dhe sistemi tatimor i Bosnjës, në një mocion jodetyrues, që synon të hapë rrugën për shkëputjen nga Bosnja.

Të tri institucionet përfaqësojnë shtyllat kryesore të sigurisë së përbashkët, sundimit të ligjit dhe sistemit ekonomik në Bosnje, e cila u nda në dy rajone autonome - Republika Serbe dhe Federata e dominuar nga kroatët dhe boshnjakët - pas luftës së viteve 1992-1995.

Ligjvënësit votuan edhe një deklaratë që bën thirrje për hartimin e një kushtetute të re për entitetin Republika Serbe, ndërsa nënvizon se “të gjitha ligjet e imponuara” nga Përfaqësuesi i lartë Ndërkombëtar në Bosnjë, janë “jokushtetues”.

Parlamenti i entitetit serb u mblodh në një periudhë kur anëtari serb i presidencës trepalëshe boshnjake, Milorad Dodik, shtoi fushatën e tij për shkëputje nga Bosnja pavarësisht kërcënimit për sanksione të reja nga Shtetet e Bashkuara dhe vendeve të tjera.

Milorad Dodik tha se ky ishte një sesion historik i parlamentit që do të forcojë minishtetin serb të Bosnjës, i themeluar si pjesë e një marrëveshjeje paqeje të sponsorizuar nga Shtetet e Bashkuara, që i dha fund luftës në Bosnjë në 1995.

“Në gjashtë muajt e ardhshëm, ne do të bisedojmë dhe do të shohim nëse ka një mundësi për të formuar një strukturë të re të forcave të armatosura, duke marrë parasysh pozicionin tonë, ose do të zgjedhim ndonjë nga mundësitë e mëposhtme: të formojmë një ushtri të Republikës Serbe, ose ne dorëzojmë ligjin për çmilitarizimin e përgjithshëm të Bosnjës”, tha ai.

Ai e quajti Bosnjën një "shtet në letër” dhe i tha parlamentit se duhet të mbahet një referendum në entitetin serb për formimin e ushtrisë, shërbimit të sigurisë, gjyqësorit dhe autoritetit tatimor dhe se duhet të hartohet një kushtetutë e re shtetërore. Udhëheqësit e opozitës në parlament kritikuan politikat e Milorad Dodikut, duke thënë se ato janë të nxituara, krijojnë pasiguri dhe madje edhe përplasje të mundshme në rajonin ende të paqëndrueshëm të Ballkanit.

Prej vitesh Milorad Dodik është shprehur në favor të ndarjes së entitetit serb nga Bosnja për t’u bashkuar me Serbinë fqinje. Me mbështetjen e heshtur nga Rusia dhe Serbia, Dodiku kohët e fundit intensifikoi fushatën e tij. Zyrtarët boshnjakë kanë paralajmëruar se politikat e Milorad Dodikut mund të çojnë në përplasje dhe u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian që të veprojnë kundër atij dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Ambasadat Shteteve të Bashkuara, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në Sarajevë si dhe delegacionit të Bashkimit Evropian, thanë të premten në një deklaratë të përbashkët se vendimi i parlamentit serb është hap shtesë drejt përshkallëzimit të situatës.

“Anëtarët e koalicionit qeverisës në Republikën Serbe duhet të jenë të vetëdijshëm se vazhdimi i rrugëtimit nëpër këtë qorrsokak sfidon kuadrin e Daytonit, dëmton perspektivat ekonomike të entiteteve, kërcënon qëndrueshmërinë e vendit dhe të gjithë rajonit dhe kërcënon të ardhmen e Bosnjës në BE. Shtimi i tensioneve dhe bllokimi i funksionimit të institucioneve do të kufizojë mundësitë ekonomike në dispozicion të qytetarëve, do të pengojë investimet dhe do të shpërqendrojë luftën kundër korrupsionit”, thuhet në deklaratë.

“Inkurajojmë të gjithë udhëheqësit që të ndërtojnë besim të ndërsjellë duke braktisur menjëherë retorikën përçarëse dhe shkallëzuese dhe të kthehen në institucionet shtetërore me kapacitet të plotë, ku mund të flasin edhe për mosmarrëveshjet”, thuhet në deklaratën e përbashkët të diplomatëve perëndimorë.

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur tashmë një ndalim udhëtimi dhe ngrirje të pasurive të Milorad Dodikut dhe zyrtarët amerikanë dhe gjermanë janë kërcënuar kohët e fundit me më shumë sanksione, në rast se serbët e Bosnjës dobësojnë më tej institucionet qendrore të Bosnjës.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA