...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika goditet nga spiunazhi më i madh në histori: qendron pas tij Rusia?

Sinjalet për një ndërhyrje kibernetike u bënë publike në fillim të muajit kur firma private për sigurinë kibernetike FireEye njoftoi se sistemet e saj ishin penetruar dhe se ishte vjedhur informacion kritik

Voa

19/12/2020 - 10:00

Ligjvënësit amerikanë që u informuan mbi ndërhyrjen kibernetike që ka prekur një numër agjencish të qeverisë amerikane si dhe sektorin privat po bëjnë thirrje për kundërpërgjigje, duke paralajmëruar se deri tani provat tregojnë se ndërhyrja u organizua nga Rusia.

Reagimi dypartiak pason paralajmërimet e zyrtarëve të shërbimeve të zbulimit se përmasat e ndërhyrjes mund të jenë shumë më të mëdha se sa mendohej fillimisht dhe mund të kenë përfshirë disa platforma të operimeve kompiuterike që nga muaji mars.

“Përmasat e plota të ndërhyrjes kibernetike janë ende të panjohura por e dimë se kjo ndërhyrje ishte e pashembullt në përmasa dhe forma,” tha kreu në detyrë i Komisionit të Senatit për Zbulimin, republikani Marco Rubio përmes një postimi të premten në Twitter.

“Metodat e përdorura në këtë ndërhyrje u ngjajnë metodave kibernetike të Rusisë,” shtoi zoti Rubio duke paralajmëruar se sapo zyrtarët të jenë në gjendje të konfirmojnë autorësinë e ndërhyrjes me siguri të plotë, “Amerika duhet të kundërpërgjigjet dhe jo thjesht me sanksione”.

Demokrati më i lartë në këtë komision po ashtu shprehu alarm për këtë ndërhyrje:

“Një incident me këto përmasa dhe ndikim afatgjatë kërkon një përgjigje të paramenduar publike nga qeveria amerikane,” tha Senatori Mark Warner në një deklaratë të nxjerrë të premten. “Eshtë tepër shqetësuese që presidenti nuk duket se e pranon e aq më pak të jetë duke analizuar përgjigje ndaj seriozitetit të kësaj situate”.

Sinjalet për një ndërhyrje kibernetike u bënë publike në fillim të muajit kur firma private për sigurinë kibernetike FireEye njoftoi se sistemet e saj ishin penetruar dhe se ishte vjedhur informacion kritik. Më pas u zbulua se ndërhyrja ishte realizuar përmes programeve kompjuterike për përditësimin e operacioneve që realizon kompania SolarWinds. Hakerët kishin shfrytëzuar rrjetin e kësaj kompanie për të infiltruar në llogaritë e më shumë se 18,000 përdoruesve.

Në një njoftim të premten, njësia e sigurisë kibernetike pranë Departamentit të Sigurisë Kombëtare paralajmëroi se hakerët kanë ndërhyrë përmes programeve kompiuterike të kompanisë SolarWinds që në mars. Por Agjencia e Sigurisë Kibernetike dhe të Infrastrukturës (CISA) tha se problemi nuk është i izoluar vetëm tek programet e SolarWinds.

“CISA ka të dhëna për pista fillestare të ndërhyrjes jashtë platformës së kompanisë SolarWinds,” duke shtuar se kjo agjenci po heton rastet e ndërhyrjes në këto platforma.

“Ky kërcënim paraqet rrezik serioz për qeverinë federale si dhe autoritetet lokale, shtetërore, fisnore e territoriale si dhe për ente kritike dhe organizata të sektorit privat,” tha CISA. “Ky është një kundërshtar i duruar, me burime të shumta dhe i përqëndruar në operacionin e tij që e ka vënë në zbatim për një kohë të gjatë“.

Hetime të kryera nga gjigandi teknologjik, Microsoft, të bëra publike të enjten, tregojnë se hakerët kanë shenjestruar edhe 40 organizata. Pjesa më e madhe e tyre janë në SHBA, por kishte ndër to edhe organizata në Kanada, Meksikë, Belgjikë, Britani, Izrael dhe Emiratet e Bashkuara.

“Ky nuk është një rast i rëndomtë spiunazhi, as për epokën dixhitale,” tha Presidenti i Microsoftit, Brad Smith në blogun e kompanisë. “Ky nuk është thjesht një sulm ndaj disa objektivave të caktuara, por ndaj infrastrukturës kritike dhe të besueshme të botës”.

Ish-zyrtarë të qeverisë federale kanë shprehur shqetësim për ndikimin e sulmit.

“Përmasat janë të mëdha, por ende nuk dihet sa të mëdha dhe sa të rënda,” tha për Shërbimin e Zërit të Amerikës në rusisht Michael Daniel, i cili ka punuar si ndihmës i ish-presidentit Barak Obama.

Megjithatë, pavarësisht nga paralajmërimet, Presidenti Trump nuk ka bërë ende komente për ndërhyrjen.

Presidenti vazhdon të postojë në Twitter pretendime për manipulime në zgjedhje dhe të shprehë lëvdata për punën e tij për vaksinën, duke kërcënuar se do t’i vërë veton paketës së mbrojtjes me vlerë prej 740 miliardë dollarësh, gjë që u përcoll me kritika të forta nga ligjvënësit.

“Projekt-ligji i sivjetshëm për mbrojtjen përfshin kapacitete kritike për të luftuar sulmet kibernetike dhe për të zbuluar pikat e dobëta në rrjetet tona kritike,” thanë të premten përmes një deklarate kryetari republikan dhe anëtari më i lartë demokrat në Komisionin e Senatit për Forcat e Armatosura.

Zoti Biden, i cili pritet të inaugurohet si presidenti i 46-të i SHBA-së më 20 janar, tha se "ka shumë gjëra që nuk dihen ende, por ajo çka dihet përbën një shqetësim të madh".

Zoti Biden tha se kishte "udhëzuar ekipin e tij për të mësuar më shumë mbi sulmin. Ai vlerësoi nëpunësit civilë të qeverisë të cilët, siç tha, po punojnë gjithë kohën për t'iu përgjigjur sulmit.

Zoti Biden u zotua se pasi të marrë detyrën "administrata e tij do ta shndërrojë sigurinë kibernetike dhe ndërhyrje të kësaj natyre në përparësi të qeverisë”. Ai tha se do të forconte partneritetin e qeverisë me sektorin privat në funksion të sigurisë kibernetike.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA