...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika ndryshon qendrim pas ‘kërcënimit’ të Putinit: sistemi mbrojtës në Evropë nuk është për Rusinë

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë argumentuar se sistemet për mbrojtjen nga raketa të vendosura në Europe nuk synojnë Moskën, por ato kanë si objektiv mbrojtjen nga kërcënimet që vijnë nga Irani, Koreja e Veriut dhe nga vende të papërgjegjshme.

Voa

02/03/2018 - 10:11

Ligjvënësit amerikanë po e kritikojnë si një kërcënim për përdorimin e forcës ushtarake fjalimin, ku Presidenti rus Vladimir Putin, deklaroi se Moska ka zhvilluar prova me disa armë bërthamore strategjike, të cilat mund të godasin thuajse çdo objektiv në botë dhe nuk mund të interceptohen nga kundërshtarë huaj.

Në fjalimin e tij të përvitshëm drejtuar vendit, zoti Putin foli për arritje të mëdha në fushën e teknologjisë, që mund t’i japin ushtrisë ruse një pozicion të ri ushtarak në botë. Gjatë fjalimit ai bëri një demonstrim videosh me armët e reja, shfaqja e të cilave u shoqërua me duartrokitje të vazhdueshme nga të pranishmit.

Senatori republikan i Karolinës së Veriut, Thom Tillis, i tha Zërit të Amerikës: “Unë e shoh zotin Putin si një kriminel ordiner. Kur ata thonë diçka, ndoshta gënjejnë, por duhen marrë shumë seriozisht.”

Zëdhënësja e Pentagonit Dana White tha se Departamenti amerikan i Mbrojtjes nuk çuditet nga deklarata e zotit Putin për ndërtimin e armëve të reja bërthamore. Ajo tha se ushtria amerikane është e përgatitur për të mbrojtur vendin."Ne jemi duke e ndjekur nga afër Rusinë. Për armët për të cilat po flitet tani është punuar prej një kohe të gjatë. Populli amerikan duhet të qëndrojë i sigurtë se ne jemi të përgatitur", tha zonja White.

Zëdhënësja White i tha gazetarëve në Pentagon se mbrojtja amerikane nga raketat nuk ka patur kurrë si synim Rusinë.

Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë argumentuar se sistemet për mbrojtjen nga raketa të vendosura në Europe nuk synojnë Moskën, por ato kanë si objektiv mbrojtjen nga kërcënimet që vijnë nga Irani, Koreja e Veriut dhe nga vende të papërgjegjshme.

Megjithatë, disa analistë janë skeptikë për deklaratën e Moskës. Ata thonë se kapacitete bërthamore ruse nuk janë në gjendje pune.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA