...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika rrit shpenzimet ushtarake ndërsa shënjestron Kinën dhe Rusinë

Ligji përfshin 7.1 miliardë dollarë për të mbështetur strategjinë amerikane në vendet e Indo-Paqësorit dhe një deklaratë për mbrojtjen e Tajvanit dhe 300 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën për çështje të sigurisë

Voa

28/12/2021 - 21:09

Presidenti Joe Biden nënshkroi një ligj në fushën e mbrojtjes, me një vlerë prej 768.2 miliardë dollarësh, që përfshin ndër të tjera një rritje prej 2.7% të pagave për punonjësit e shërbimit ushtarak për vitin 2022.

Ligji parashikon një rritje prej 5% të shpenzimeve ushtarake. Ai është produkt i negociatave intensive mes demokratëve dhe republikanëve, mbi çështje që variojnë nga reforma në sistemin e drejtësisë në ushtri, tek vaksinat kundër COVID-19.

“Ligji siguron përfitime jetike dhe rrit qasjen tek drejtësia për personelin ushtarak dhe familjet e tyre. Ai garanton mbështetje të fortë për mbrojtjen kombëtare të vendit tonë”, thuhej në një deklaratë të Presidentit Biden.

Kongresi miratoi një faturë përfundimtare të ligjit 25 miliardë dollarë më të madhe sesa kërkoi fillimisht Presidenti Biden. Ligjvënësit e të dyja palëve e mbështetën ketë veprim, tek shqetësimi se një faturë më e ulët do të minonte përpjekjet e SHBA-së për të ruajtur ritmin ushtarak me Kinën dhe Rusinë.

Ligji u miratua në fillim të këtij muaji në Kongres me mbështetje dypartiake. Si demokratët ashtu dhe republikanët e quajtën një fitore të tyren variantin përfundimar të tij. Demokratët përshëndetën dispozitat në projektligj që rishikojnë mënyrën se si sistemi ushtarak i drejtësisë i trajton sulmet seksuale dhe krimet e tjera të lidhura me to, duke krijuar gjithashtu strukturën e një prokurori të posaçëm që nuk është në varësi të komandantëve ushtarakë.

Republikanët ndërkohë shpallën si sukses të tyre bllokimin e një përpjekjeje që gratë të përfshihen në shërbimin ushtarak të detyruar, si dhe futjen në ligj të një dispozite që ndalon shkarkimet pa nderime ushtarake, të atyre që refuzojnë të vaksinohen kundër COVID-19.

Ligji përfshin 7.1 miliardë dollarë për të mbështetur strategjinë amerikane në vendet e Indo-Paqësorit dhe një deklaratë për mbrojtjen e Tajvanit, masa që synojnë t’i kundërvihen ndikimin e Kinës në rajon.

Ligji përfshin gjithashtu 300 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën për çështje të sigurisë, një shfaqje e mbështetjes përballë agresionit rus, si dhe 4 miliardë dollarë për Iniciativën Evropiane në Fushën e Mbrojtjes.

Në deklaratën e tij, presidenti foli gjithashtu për një sërë dispozitash në ligj që administrata e tij i kundërshton për shkak të atyre që i cilësoi si ‘probleme kushtetuese’.

Këto përfshijnë dispozita që kufizojnë përdorimin e fondeve për transferimin ose lirimin e individëve të ndaluar në qendrën e paraburgimit në Gjirin e Guantanamos, të cilën administrata Biden po vepron për ta mbyllur. Në deklaratën e Presidentit Biden thuhej se dispozitat "dëmtojnë në mënyrë të padrejtë" aftësinë e degës ekzekutive për të vendosur se kur dhe ku, t'i ndjekë penalisht të arrestuarit, dhe ku t'i dërgojë ata kur të lirohen. Po kështu sipas deklaratës kjo mund të kufizojë negociatat e Uashingtonit me vendet e huaja për transferimin e të burgosurve çka mund të minonte sigurinë kombëtare.

Ligji përmban nene që ndalojnë futjen në SHBA të mallra e produkteve të prodhuara nga puna e detyruar e ujgurëve në Kinë, si dhe parashtron planet për ndërtimin e një Memoriali të ri të Luftës Globale kundër Terrorit, në Uashington.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA