...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerika zgjeron luftën kundër terrorizmit në strategjinë e re: Irani në qendër të vëmendjes

"Ne jemi një vend në luftë", thote strategjia. "Dhe kjo është një luftë që Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë."

Voa

06/10/2018 - 09:27

Shtetet e Bashkuara shpallën strategjinë e re të luftës kundër terrorizmit, që parashikon ndërmarrjen e çdo mase që shihet si e nevojshme për të përballuar një kërcënim kompleks dhe në zgjerim. Dokumenti i shumëpritur, i fundit i një sërë strategjish të lëshuara nga administrata Trump, parashtron përpjekjet për të luftuar terrorizmin dhe grupet terroriste, që nga grupi Shteti Islamik e deri tek kërcënimi që vjen nga Irani.

"Ne jemi një vend në luftë", thote strategjia. "Dhe kjo është një luftë që Shtetet e Bashkuara do ta fitojnë."

"Sot vendi ynë është duke luftuar grupet terroriste, si ISIS dhe al-Kaeda, në fushat e betejës fizike dhe virtuale", tha në një deklaratë për shtypin duke folur për strategjinë e re, Sekretarja e Sigurisë Kombëtare Kirsten Nielson. "Armiqtë tanë po mbështesin dhunën dhe përhapin urrejtjen e tyre në të gjitha anët e globit, duke përfshirë edhe në komunitetet tona. Dhe po ndjekin komplote të sofistikuara duke përdorur teknologji të reja, si dhe taktika të thjeshta për të shkaktuar frikë dhe shkatërrim dhe për të minuar shoqërinë tonë të hapur", tha sekretarja Kirsten Nielson. Ndërsa strategjia e re nuk jep shumë detaje, ajo përshkruan në terma të përgjithshëm një qasje më agresive.



"Ne e pranojmë se ekziston një ideologji terroriste me të cilën po ballafaqohemi", u tha gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, këshilltari i Sigurisë Kombëtare John Bolton. "Ka qenë prej kohësh pikëpamja e presidentit se pa pranuar se jemi në një luftë ideologjike, nuk mund t'i drejtohemi siç duhet kërcënimit terrorist", tha John Bolton.



Ai shtoi se kërcënimi ndërkombëtar për SHBA erdhi nga "grupet radikale islamike", si Shteti Islamik dhe al-Kaida.



Fjalë të ashpra për Iranin



Zoti Bolton gjithashtu kishte fjalë të ashpra për Iranin, duke e quajtur atë "mbështetësin më i madh i terrorizmit shtetëror, në të vërtetë bankierin qendror në botë të terrorizmit ndërkombëtar që nga viti 1979".

"Grupet terroriste të sponsorizuara nga Irani si Hezbollahu libanez, Hamasi dhe xhihadi islamik palestinez vazhdojnë të përbëjnë një kërcënim për Shtetet e Bashkuara dhe interesat tona", shtoi këshilltari Bolton. Zoti Bolton tha se terminologjia e përdorur në strategjinë kundërterroriste të Presidentit Donald Trump dhe përfshirja e Iranit përfaqëson një ndryshim të rëndësishëm nga strategjia e mëparshme kombëtare kundër terrorizmit.



Ky dokument, i nxjerrë në vitin 2011 nga presidenti i atëhershëm Barak Obama, u fokusua pothuajse ekskluzivisht tek al-Kaida, duke minimizuar idenë se SHBA ishte në luftë me ndonjë grup tjetër përveç atij që ishte përgjegjës për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork tek Qendra Tregtare Botërore dhe tek Pentagoni. "Është një largim nga strategjia e mëparshme dhe arsyeja është se nuk është thjesht një vendim i njëanshëm i Shteteve të Bashkuara për t'i dhënë fund kësaj lufte ideologjike," tha zoti Bolton. "Nuk mjafton që të duket e papërshtatshme që ne jemi ende nën sulm".



Strategji e re



Si pjesë e strategjisë së re, zoti Bolton tha se SHBA do të fokusohen më shumë në rrjetet terroriste dhe në prishjen e aftësisë së grupeve terroriste për të komunikuar, rekrutuar, për të lëvizur operativët nga një vend në tjetrin dhe për ta bërë më të vështirë financimin e aktiviteteve të tyre. Strategjia gjithashtu thekson punën me aleatët, aleancat si NATO dhe qeveritë e huaja, duke premtuar "të shtojnë aftësitë e partnerëve kryesorë të huaj për të kryer aktivitete kritike kundër terrorizmit ".



Por zyrtarët kanë qenë të shpejtë për të vënë në dukje se asnjë vend nuk duhet të presë ndihmë falas. 

"Strategjia njeh nevojën që të gjitha vendet të ndajnë barazi barrën e përballjes me terrorizmin", tha në një deklaratë Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo. Megjithatë, zbatimi i strategjisë mund të jetë i vështirë. Analistët paralajmërojnë se në disa rajone ku lufta kundër terrorizmit ka qenë më kritike, si Siria, Libia, Somalia dhe Jemeni me kërcënime si ISIS, al-Kaida dhe grupe të tjera, SHBA ka zgjedhje të kufizuara sa i përket partnerëve potencialë.



Objektiva të larta?



Ka gjithashtu shqetësime se qëllimet e përcaktuara në strategjinë e re të terrorizmit mund të jenë të pamundur për t'u arritur.



"Objektivat, sidomos ai i mposhtjes së terrorizmit, janë pak të larta," thotë analisti Seth Jones i qendrës për studime strategjike. "Ideja që ju do të mposhtni terroristët dhe se Amerika dhe toka amerikane, nuk do të përballen me terrorizmin, kjo nuk është realiste". Pavarësisht theksit të rëndë të strategjisë së re ndaj Iranit dhe grupeve terroriste si ISIS, dokumenti gjithashtu përqendrohet më shumë në atë që e përshkruan si "një gamë të gjerë lëvizjesh revolucionare, nacionaliste dhe separatiste jashtë shtetit". Seth Jones veçon Lëvizjen e Rezistencës Nordike, e ndaluar në Finlandë më 2017, dhe Grupin Kombëtar të Veprimit neo-nazist, i ndaluar në Britani në vitin 2016, si shembuj të grupeve me pikëpamje anti-perëndimore që kanë kërkuar të angazhohen me grupe të tjera të ngjashme. Strategjia e re gjithashtu vë në dukje një rritje në terrorizmin vendas, qoftë të frymëzuar nga ideologjia xhihadiste apo lëvizje të tjera të dhunshme.  

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA