...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Amerikanët i kanë ofruar Koresë së Veriut modelin libian

Amerikanët kërkojnë “diplomaci” me K. e Veriut ndërsa zhvillojnë manovra ushtarake

SHJ

18/05/2018 - 09:34

Pas një muaj zbutjeje në marrëdhëniet diplomatike, Koreja e Veriut kërcënoi të mërkurën se do të tërhiqet nga bisedimet e planifikuara mes udhëheqësit Kim Jong un dhe Presidentit Tramp. Analistët thonë në intervista me shërbimin në gjuhën koreane të Zërit të Amerikës se ky kërcënim mund të jetë thjesht një taktikë negociimi për takimin e 12 qershorit në Singapor.

Vetëm katër javë nga data e planifikuar për takimin e parë mes një presidenti amerikan dhe një udhëheqësi të Koresë së Veriut, Pheniani ka kërcënuar se mund të anulohen planet.

Presidenti Tramp iu përgjigj shkurt pyetjeve lidhur me fatin e bisedimeve me Kim Jong unin:

“Mbetet për t’u parë,” tha ai.

Koreja e Veriut thotë se planet mund të anulohen për faj të manovrave ushtarake mes Shteteve të Bashkuara dhe Koresë së Jugut, të cilat i cilëson si prova gjenerale para një invazioni. Peniani ka shtyrë pa afat bisedimet me Seulin që ishin planifikuar si vazhdim i takimit mes udhëheqësve të dy Koreve në prill.

“Koreja e Veriut ka hyrë në tratativa; ata po ofronin lëshime më parë duke thënë se duan paqe dhe se e kuptojnë përse manovrat janë të nevojshme. Madje thanë se mund të diskutohet edhe çnuklearizimi, por nuk iu duk se po merrnin gjë si shpërblim,” thotë analisti Michael O’Hanlon.

Por ish-diplomati Chris Hill, kryesues i ekipit negociator amerikan në bisedimet gjashtë-palëshe me Korenë e Veriut në 2006, thotë se Amerika u përfshi nga euforia nga disa akte thjesht simbolike të Penianit dhe se duhet të presë shumë më tepër se sa lëshimet e deritanishme nga Koreja e Veriut:

“Pikësëpari, koreano-veriorët u gëzuan shumë kur u krijua mundësia për një takim me një president amerikan. As babai, as gjyshi i Kim Jong unit nuk e arritën kurrë një gjë të tillë që i jep shumë ekspozim regjimit të Penianit. Po ashtu nuk duhet të impresionohemi shumë nga fakti që ai mbylli një central bërthamor që ishte në prag të shkatërrimit. As lirimi i tre amerikanëve nuk është një lëshim i madh i Penianit, pasi ata nuk duhet të ishin arrestuar në radhë të parë. Por më duket se Shtetet e Bashkuara mendojnë se Koreja e Veriut po ndjehet e pashpresë në këto momente, prandaj Peniani iu kundërvu kësaj ideje me veprimet e fundit,” thotë zoti Hill.

Sipas Penianit, ideja që ngriti Këshilltari për Sigurinë Kombëtare, John Bolton, për të ndjekur “modelin libian” për çnuklearizimin, ka vënë në pikëpyetje “sinqeritetin amerikan”:

“Deklarata e nivelit më të lartë që ka dalë kohët e fundit nga Koreja e Veriut lidhej me modelin libian për çnuklearizimin që, prej shumë vitesh, Peniani e ka konsideruar të barasvlefshëm me dorëzim të pushtetit,” thotë analisti Patrick Mcearchern.

Megjithë shqetësimet, ka njohës të tjerë të rajonit që thonë se Peniani po përpiqet për të përmirësuar marrëdhëniet me Uashingtonin:

“Nëse Koreja e Veriut do të donte vërtet të anulonte përfundimisht takimin, nuk do të kishte nxjerrë një deklaratë me mesazhe të përziera ku paralajmëron Uashingtonin të mos vazhdojë presionin kundër Penianit. Në vend të fjalëve, do të kishin bërë një provë me raketë, që pa diskutim do të kishte vrarë çdo shpresë për takimin,” thotë analisti Go Myong-Hyun, i Institutit “Asan” për Studime Politike.

Administrata Tramp thotë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë përgatitjet për takimin e 12 qershorit. Por me dyshimet që ka hedhur ditët e fundit Peniani, ky takim që do të hynte në histori, mund të mos bëhet fare. Voa   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA