Amerikanët përparojnë me rrëzimin “nga brenda” të Vuçiçit
Ish-avokati i popullit në Serbi, Sasha Jankoviç, i cili ka qenë në garë për kryetar të Serbisë në zgjedhjet e fundit, ka pranuar se “disa ambasada të jashtme dhe të fortit nga Perëndimi, i kanë propozuar këtij që t’i afrohet sa më afër kryetarit Vuçiç, në mënyrë që ta rrëzojë nga brenda në një moment të caktuar dhe të vihet në vend të tij
Adil Fetahu
14/10/2021 - 15:17
Në “Shqipëria Jonë” të datës 12 mars të këtij viti, u botua një shkrim imi, i titulluar: “Telashet e Vuçiçit me krimin e organizuar dhe diplomatët amerikanë për rrëzimin e tij”. Shkrimi ishte një analizë e veprimeve të grupit kriminal, të udhëhequr nga një kryekriminel i quajtur Velo Bellivuk, të cilin organet e pushtetit e kishin arrestuar e burgosur në muajin shkurt, bashkë me 19 kriminelë të tjerë. Ai grup kriminal ishte i lidhur me strukturat e pushtetit të Serbisë nga radhët e policisë, ushtrisë, gjyqësisë dhe politikës.
Sipas shkrimeve të shumta të mediave serbe, edhe atëherë pista e hetimeve arrinte deri te ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviç. Ndërkohë, kryetari i Serbisë A.Vuçiç, bëri një rokadë dhe Stefanoviçin prej ministrit të policisë e emëroi ministër të mbrojtjes, ndërsa ministrin e mbrojtjes A.Vullinin, të cilin e ka si megafon dhe më të besueshëm, e emëroi ministër të policisë! As Vullini nuk mund të jetë krejt i larë nga përfshirja në grupin kriminal të Velo Telashes, sepse në kohën kur Vullini ishte ministër i mbrojtjes, grupi kriminal i Velos mbante ushtrime në poligonet e ushtrisë, me armë dhe me fishekë të ushtrisë.
Për krimet e tyre të tmerrshme kanë folur Vuçiçi, Vullini etj., dhe kanë shkruar mediat e kanë paraqitur reportazhe televizionet e Serbisë. Ndërsa ministri aktual i policisë, A.Vullin, pas një aksioni për konfiskimin e armëve, ka thënë se grupi kriminal ka pasur për qëllim ta likuidojë kryetarin e Serbisë, A.Vuçiçin, duke e treguar në televizion një pushkë, snajper të veçantë.
Sidoqoftë, në hetimet e para të atij grupi kriminal, si të dyshuar janë përmendur: ish-ministri i policisë, Nebojsha Stefanoviç; ish-sekretarja shtetërore e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Dijana Hërkalloviç; sekretari i përgjithshëm i Qeverisë së Serbisë, Novak Nediq; kryetari i Gjykatës së Lartë të Beogradit, Alleksandër Stepanoviç; funksionari i lartë i Beogradit, Damir Handanoviç; kryetari i Lidhjes Futbollistike të Serbisë, Sllavisha Kokez; dhe udhëheqësi i klanit kriminal “Kavasi”, Radoje Zvicer (nga Mali Zi).
Ndërsa Velo Nevola me disa nga grupi i tij kriminal mbahet në paraburgim, kanë vazhduar hetimet dhe gjithnjë e më tepër i janë ofruar ministrit Stefanoviç si njeriu i cili i ka mbrojtur e përkrahur grupin kriminal me qëllim rrëzimin e Vuçiçit nga pushteti.
Çëshjta e likuidimit të Vuçiçit, ose vetëm e rrëzimit nga pushteti, me dorëheqje, është bërë temë e nxehtë në mediat serbe edhe këto ditë, duke e përmendur gjithnjë e më shpesh ministrin aktual të mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç. Gazetat dhe televizionet që janë nën kontrollën e Vuçiçit gjithnjë e më zëshëm po e paraqesin Stefanoviçin si kriminel dhe tradhtar, i cili ka përkrahur mafian dhe ka planifikuar rrëzimin e Vuçiçit nga pushteti, apo vrasjen e tij. Ia përmendin takimet e tij me ambasada të huaja, si dhe një udhëtim në Guantanama, ku gjoja ka pasur kontakte me njerëz të caktuar për realizimin e planit të tij.
Veprimet e Stefanoviçit kundër Vuçiçit e lidhin atë me pronarin e Pltanazit “Jovanjice” në Stara Pazova, Predrag Kollunxhija. Në pronën e Kollunxhijës janë gjetur 4 tonë marihuanë e kanabis. Stefanoviçi gjoja i ka thënë Kollunxhisë se nëse do të shpëtosh nga dënimi, deklaro se ke qenë i lidhur me djalin e Vuçiçit (Danillon) dhe vëllain Andrea. Përndryshe, zyrtarë policorë kanë thënë se me mjetet e fituara nga “Jovanjica”, është financuar fushata e diplomacisë së Serbisë për tërheqjen e njohjeve të pavarësisë së Kosovës nga disa shtete.
Mediat spekulojnë rrëzimin e Vuçiçit nga pushteti, se janë krijuar aferat “Jovanjica”, “përgjimi i telefonave” etj., se në këtë qëllim janë bashkuar strukturat kriminale edhe nga radhët e partisë së tij dhe zyrtarë të lartë të pushtetit, por edhe një pjesë e opozitës (së Jeremiçit) dhe qendrat e forcave nga jashtë.
Vetë Vuçiçi ka pohuar se në mënyrë të pamohueshme është vërtetuar se telefonat e tij dhe të familjarëve të tij janë përgjuar, në mënyrë të kundërligjshme, duke dashur ta akuzojnë vëllain e tij Andrea, pa fije faji, me qëllim për të komprometuar Vuçiçin.
Në proces të hetimeve, në lidhje me aferën “Jovanjice” dhe përgatitjen grushtshtetit për rrëzimin e Vuçiçit, Shërbimi i kontrollit të brendshëm, që është nën kontrollin e drejpërdrejt të ministrit të plicisë, A.Vullinit, këto ditë për të tretën herë i kanë ftuar për testim në poligraf (detektor të gënjeshtrave) katër inspectorë policie:
l. Vlladimir Rebiq, drejtor i policisë në MPB të Serbisë;
2. Sllobodan Millenkoviç, kryeshef i sektorit për luftimin e narkomanisë;
3. Dushan Mitiq, inspector-shef i Operativës; dhe
4. Dijana Hërkalloviq, sekretare shtetërore e MPB
Por tre prej tyre (Dijana Hërkalloviç, Sllobodan Millenkoviç) dhe Dushan Mitiq kanë refuzuar t’i nënshtrohen testit.
Deklarata të ndryshme lidhur me çështjen
Çështjen e aferës në lidhje me përgjimin, ua lë organeve kompetente, ka thënë Vuçiçi. E di se kur njërin nga kreu i MUP-it (MPB) e kanë pyetur, ç`të re ka, ai është përgjigjur: “Asgjë, përveç përgjimit të kryetarit”, dhe menjëherë një prej të pranishmëve ka dalë përjashta, tha Vuçiçi. Një zyrtar i lartë i policisë serbe, që është kryeshef i Shërbimit për metodat e hulumtimit në MPB, Tomisllav Radomanoviq, e ka akuzuar ministrin Nebojsha Stefanoviç, se ishte organizatori kryesor i lidhjeve paralele në atë ministri. Ish-avokati i popullit në Serbi, Sasha Jankoviç, i cili ka qenë në garë për kryetar të Serbisë në zgjedhjet e fundit, ka pranuar se “disa ambasada të jashtme dhe të fortit nga Perëndimi, i kanë propozuar këtij që t’i afrohet sa më afër kryetarit Vuçiç, në mënyrë që ta rrëzojë nga brenda në një moment të caktuar dhe të vihet në vend të tij; ka qenë e planifikuar që “Vuçiçin ta lëshojë zemra” ka thënë Jankoviçi (“Alo.s/Objektiv,14.09.2021).
Ministri aktual i policisë së Serbisë, A.Vullin, fushatën për përgjimin dhe diskreditimin e Vuçiçit, e ka quajtur “Tradhti! Të jashtmit dhe një pjesë e MPB deshën ta rrëzojnë Vuçiçin” (Politika, 8.X.2021). Vulini e ka informuar Vuçiçin se “disa pjesë të MPB kanë punuar kundër shtetit dhe është e qartë se ka ekzistuar lidhja e udhëheqjes paraprake të MPB me qendrat e forcave të jashtme”.
Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiç, në TV1 (10 tetor 2021), deklaroi se “është vërtetuar se strukturat e MPB kanë dashur ta rrëzojnë Vuçiçin, duke përgjuar dhe inkriminuar vëllain e tij, Andeja Vuçiç, për aferën “Jovanjica”; kanë dashur ta kompromentojnë e ta detyrojnë kryetarin të japë dorëheqje. Për këtë kemi prova të pamohueshme. Në këtë kanë qenë të përziera edhe shërbime të jashtme të sigurimit dhe një pjesë e opozitës politike (Mirosllav Alleksiç, Marinika Tepiq, etj.). Gjyqësori duhet ta bëjë pjesën e vet të punës, ndërsa Qeveria do të sigurojë kushtet që ata të jenë plotësisht të lirë ta bëjnë punën e tyre dhe se askush nuk do të kursehet”.
Janë këto fjalë të mëdha të ministrit të policisë dhe kryetares së Qeverisë, pas të cilave duhet të veprojnë organet e drejtësisë.
Pas mbledhjes së Kryesisë së Partisë Përparimtare të Serbisë, partia e Vuçiçit që është në pushtet (më 9 tetor 2021), ku është edhe ministri Stefanoviç, aq i përfolur për grushtet, Vuçiçi thotë se ka biseduar i vetëm me Stafanoviçin, por nuk ka dhënë asnjë hollësi për atë bisedë. Ku ka tym, ka edhe zjarr, thotë urtia popullore. I daltë edhe flaka!
Cilësia e lartë gazetareske kërkon përkushtim dhe dashuri. Ju lutem ndajeni këtë artikull me të tjerë duke përdorur vjegzën/linkun përkatëse
- 319 reads