...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Atmosfera më e ndjeshme ndaj CO₂ nga sa mendohej ndërsa shuhen shpresat për shpëtimin e jetës së planetit

Shpresat se rritja e temperaturës mesatare globale deri në vitin 2100 mund të mbahen në nivelet nën 2.5 gradë celcius mund të shuhen nëse emetimi i gazit që shkakton efektin serë do të vazhdojë me normën aktuale

Voa

25/07/2020 - 20:29

Shkencëtarët paralajmërojnë së një dyfishim i nivelit të emetimit të gazit karbonik në atmosferë mund të kishte pasoja shkatërrimtare për planetin. Një studim i ri mbi klimën tregon se ndryshe nga sa mendohej, atmosfera është shumë më e ndjeshme ndaj dioksidit të karbonit. Studimi vërteton gjithashtu se bota është drejt rrugës së rritjes ekstreme të nivelit të detit dhe të tjera ndikime të forta klimatike, në rast se nuk merren masat e duhura.

Shpresat se rritja e temperaturës mesatare globale deri në vitin 2100 mund të mbahen në nivelet nën 2.5 gradë celcius mund të shuhen nëse emetimi i gazit që shkakton efektin serë do të vazhdojë me normën aktuale. Ky është rezultati i një studimi të ri që bën një rivlerësim të ndjeshmërisë së atmosferës ndaj dioksidit të karbonit.

Studimi u krye nën Programin Botëror të Kërkimeve mbi Klimën me bazë në Gjenevë. Gjetjet tregojnë se dyfishimi i emetimit të dioksidit të karbonit do të shkaktonte një rritje nga 2.6 në 4.1 gradë celsius të temperaturës mesatare globale mbi nivelet e periudhës para-industriale.

“Studimi është rezultat i nje hulumtimi të gjerë katër vjeçar për të parë se sa i ndjeshme është klima e Tokës ndaj rritjes së dioksidit të karbonit në atmosferë. Ajo që ne nënkuptojmë me këtë ndjeshmëri është në thelb nëse do ta dyfishonim sasinë e dioksidit të karbonit në atmosferë. Për ta kuptuar më qartë ne jemi në rrugën e dyfishimit të nivelit të dioksidit të karbonit deri në vitin 2080, krahasuar me normën aktuale të emetimit. Pasojat e ndryshimeve klimatike janë po aq të këqija sa dhe kishim menduar", thotë Zeke Hausfather bashkëautor i studimit.

Objektivi për ta mbajtur rritjen e temperaturës mesatare globale në 1.5 gradë celcius, sikurse është parashikuar në marrëveshjet e Parisit mbi klimën të vitit 2015, është pothuajse i pamundur, vetëm në rast se bie niveli i emetimit të dioksidit të karbonit.

Studimi i botuar të mërkurën në revistën "Review of Geophysics", “Rishikimi i Gjeofizikës” u mbështet tek simulimet kompjuterike, vëzhgimet satelitore, regjistrime historike të temperaturës dhe dëshmi të temperaturave prehistorike siguruar nga burime të tilla sikurse unazat e pemëve.

Studimi ofron "një kuptim më të qartë se sa do të ngrohet Toka ndërsa rritet në atmosferë niveli i dioksidit të karbonit", thotë zoti Hausfather. Ai konfirmon gjithashtu se bota është drejt rrugës së rritjes së ekstreme të nivelit të detit dhe të tjera ndikime të forta klimatike. Këto efekte priten nga një rritje e temperaturës përtej 2 gradë celcius. Tashmë temperatura mesatare globale është rritur me rreth 1.2 gradë celcius.

"Ka një numër kritikësh që kanë argumentuar se ne nuk ka nevojë të shqetësohemi për ndryshimet klimatike sepse toka me siguri nuk është shumë e ndjeshme ndaj dioksidit të karbonit, por mendoj se studimi është një përgënjeshtrim shumë i fortë i kësaj dhe e përjashton mundësinë që ne të mund të përfundojmë me vetëm pak ngrohje globale nëse e dyfishojmë emetimin e dioksidit te karbonit. Është vërtet e rëndësishme të theksohet se nuk ka nevojë ta dyfishojmë CO2. Në fakt, shpresoj qe jo. Ne kemi bërë përparime në këtë drejtim në vitet e fundit. Studimi thjesht thekson madje fuqishëm nevojën për të zvogëluar emetimin nëse duam të shmangim nivelet e rrezikshme të ngrohjes globale.

Edhe Andrew Dressler një shkencëtar që merret me studimin e klimës, në universitetin A&M të Teksasit thotë se shpreson që gjetjet do të nxisin veprime më të forta për të ulur emetimin e gazit karbonik.

“COVID-19 nuk do ta zgjidhë çështjen e ndryshimit të klimës. Në fakt, mësimi që na dha pandemia është se nuk mund ta zgjidhim çështjen e ndryshimit të klimës thjesht duke u thënë njerëzve të konsumojnë më pak. Ajo qe kemi nevojë të bëjmë është qe të ndryshojme burimet tona të energjisë dhe kjo nuk do të ndodhë vetë. Problemi nuk do të zgjidhe vetë, do të kerkoje veprime nga qeveritë në të gjithë botën dhe nëse mendoni se qeveria nuk duhet tëbëjë diçka, atëherë do të kemi ndryshime të mëdha të klimës e per rrjedhoje shumë vuajtje”.

"Mendoj se zgjedhjet që vijnë do të përcaktojnë se si bota do te trajtojë ndryshimin e klimës, e kam fjalën për zgjedhjet amerikane. Mendoj se administrata aktuale nuk i merr seriozisht çështjen e ndryshimit të klimës”, thotë zoti Dressler i cili nuk ishte i përfshirë në studim.

Më 4 nëntor 2019 administrata Trump nisi zyrtarisht procesin e tërheqjes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e Parisit për klimën çka që do t'i mundësojë SHBA-së të dalë perfundimisht nga marrëveshja në 4 nëntor 2020, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale.   

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA