...lufta fillon me kuptimin e shkaqeve të krizave dhe ajo vazhdon me ndryshimin e mendësisë dhe praktikës...

Bajdeni ‘tërbon’ BE-në, Francën dhe Kinën me nismën e re të sigurisë me Australinë dhe Britaninë

Partneriteti i ri do të lejojë që të tre vendet të ndajnë informacion dhe ekspertizë më lehtë në fushat kryesore teknologjike të tilla si inteligjenca artificiale, teknologjia kibernetike, teknologjitë kuantike, sistemet nënujore dhe aftësitë e goditjeve me rreze të gjatë.

Voa

16/09/2021 - 09:03

Franca thërret ambasadorin e Shteteve të Bashkuara

Aleatja më e vjetër e Amerikës, Franca, thirri ambasadorin e saj në Shtetet e Bashkuara të premten në një shfaqje të paprecedent zemërimi që ia kaloi dekadave të mosmarrëveshjeve të mëparshme. Marrëdhënia e konceptuar në revolucionet e shekullit të 18-të u shfaq në një pikë kthese pasi SHBA, Australia dhe Britania shmangën Francën në krijimin e një skeme të re të sigurisë në rajonin Indo-Paqësor.

Kjo është hera e parë që Franca thërret ambasadorin e saj nga Shtetet e Bashkuara, sipas ministrisë së jashtme franceze. Parisi gjithashtu tërhoqi të dërguarin e tij nga Australia. Ministri i Jashtëm Jean-Yves Le Drian tha në një deklaratë me shkrim se vendimi francez, me kërkesë të Presidentit Emmanuel Macron, "justifikohet me seriozitetin e jashtëzakonshëm të njoftimeve" të bëra nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara.

Ai tha se vendimi i Australisë për të anuluar një blerje të madhe të nëndetëseve konvencionale franceze në favor të atyre bërthamore të ndërtuara me teknologjinë amerikane është një "sjellje e papranueshme ndërmjet aleatëve dhe partnerëve". Ambasadori Philippe Etienne shkruajti në Twitter se njoftimet "po ndikojnë drejtpërdrejt në vizionin që kemi për aleancat tona, për partneritetet tona dhe rëndësinë e Indo-Paqësorit për Evropën".

Administrata e Presidentit Biden ka qenë në kontakt të ngushtë me zyrtarët francezë në lidhje me vendimin për të tërhequr zotin Etienne në Paris, tha zëdhënësja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Emily Horne. "Ne e kuptojmë pozicionin e tyre dhe do të vazhdojmë të angazhohemi në ditët në vijim për të zgjidhur mosmarrëveshjet tona, siç kemi bërë në momente të tjera gjatë aleancës sonë të gjatë", tha ajo në një deklaratë. "Franca është aleati ynë më i vjetër dhe një nga partnerët tanë më të fortë, dhe ne ndajmë një histori të gjatë të vlerave të përbashkëta demokratike dhe një angazhim për të punuar së bashku për të trajtuar sfidat globale".

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price theksoi gjithashtu vlerën që SHBA i kushton marrëdhënies me Francën dhe shprehu shpresën se bisedimet mes dy palëve do të vazhdojnë në ditët në vijim, përfshirë në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara javën e ardhshme.

Presidenti Macron, megjithatë, për herë të parë që kur erdhi në detyrë në 2017, nuk do të mbajë një fjalim në takimin vjetor të udhëheqësve botërorë. Në vend të tij, Ministri Le Drian do të mbajë fjalimin për Francën.

Vendimi për të tërhequr ambasadorin përfaqëson një kthesë tronditëse për Francën nën drejtimin e zotit Macron, i cili - pas një marrëdhënieje gjithnjë e më të hidhur me ish-Presidentin Donald Trump - shtrëngoi duart ngrohtësisht me Presidentin Biden në një samit të G-7ës në qershor dhe konfirmoi se "Amerika është rikthyer".

Presidenti Macron ende nuk ka komentuar mbi këtë çështje. Thirrja e ambasadorit është lëvizja e tij më e guximshme e politikës së jashtme deri më tani gjatë presidencës katërvjeçare, në të cilën ai ka kërkuar të forcojë gjurmët dhe rolin diplomatik të Francës në hartimin e politikave evropiane dhe të mbledhë vendet fqinje të Francës rreth vizionit të tij për një Evropë më pak të varur nga ombrella e ushtrisë amerikane.

Franca ka bërë presion për disa vjet për një strategji evropiane për rritjen e lidhjeve ekonomike, politike dhe mbrojtëse në rajon që shtrihet nga India dhe Kina, në Japoni dhe Zelandën e Re. BE këtë javë zbuloi planin e saj për Indo-Paqësorin.

Më herët të premten, një diplomat francez, i cili foli në mënyrë anonime në përputhje me praktikat e zakonshme të qeverisë, tha se Presidenti Macron mori një letër nga Kryeministri australian Scott Morrison të mërkurën në mëngjes duke njoftuar vendimin për të anuluar marrëveshjen e nëndetëseve.

Zyrtarët francezë në vazhdim vendosën t'i drejtohen administratës amerikane "për të pyetur se çfarë po ndodhte", tha ai. Ai shtoi se diskutimet me Uashingtonin u zhvilluan vetëm dy deri në tre orë përpara njoftimit publik nga Presidenti Biden. Zoti Le Drian të enjten shprehu "moskuptim total" për këtë veprim dhe kritikoi Australinë dhe SHBA-në.

“Ishte vërtet një goditje në shpinë. Ne ndërtuam një marrëdhënie besimi me Australinë dhe ky besim u tradhtua", tha ai. "Kjo nuk bëhet mes aleatësh". Ai gjithashtu krahasoi lëvizjen e Presidentit Biden me ato të ish-Presidentit Trump nën doktrinën e tij "Amerika e Para".

Parisi kishte ngritur çështjen e strategjisë për rajonin Indo-Paqësor gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken në Paris më 25 qershor, duke shprehur rëndësinë e programit të tij të nëndetëseve me Australinë, tha diplomati francez.

"Ne thamë se ishte për ne një komponent shumë i rëndësishëm dhe kritik në strategjinë tonë për Indo-Paqësorin", tha ai. Sekretari Blinken u takua me Presidentin Macron gjatë vizitës.

Diplomati francez tha se Australia kurrë nuk ia bëri të ditur Francës vullnetin e saj për të kaluar tek nëndetëset me energji bërthamore, përfshirë gjatë një takimi Macron - Morrison në Paris më 15 qershor. Një tërheqje e ambasadorëve është shumë e pazakontë midis vendeve aleate.

Në vitin 2019, Parisi tërhoqi të dërguarin e tij në Italinë fqinje pasi udhëheqësit e vendit bënë komente publike kritike për qeverinë franceze. Vitin e kaluar, Franca tërhoqi ambasadorin e saj në Turqi pasi Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan tha se Macron kishte nevojë për kurim të shëndetit mendor.

Kina reagon ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Australisë

Ambasada kineze në Australi hodhi poshtë të premten si "të pabaza" akuzat kundër Kinës të bëra nga ministrat e mbrojtjes dhe ata të jashtëm të Australisë dhe homologët e tyre amerikanë, pas bisedimeve në Uashington. Në një deklaratë pas konsultimeve ministrore Australi – SHBA, të dyja vendet, shprehën shqetësimin për "pretendimet ujore të Kinës në Detin e Kinës Jugore që nuk kanë bazë ligjore", dhe deklaruan synimin e tyre për të forcuar lidhjet me "partnerin e tyre kritik" Tajvanin.

Komentet nga Australia dhe Shtetet e Bashkuara erdhën një ditë pasi ata njoftuan marrëveshjen për furnizimin e Australisë me nëndetëse bërthemore, si pjesë e një partneriteti të sigurisë që përfshin edhe Britaninë, të cilën Kina e denoncoi si intensifikim të një gare rajonale armatimi.

Australia dhe Shtetet e Bashkuara kritikuan gjithashtu imponimin e legjislacionit të sigurisë kombëtare nga Kina në Hong Kong vitin e kaluar, për të cilin ata thanë se kishte dobësuar sistemin e tij zgjedhor, kishte shtypur lirinë e medias dhe minuar formulën e ish - kolonisë britanike si "një vend, dy sisteme", për të cilën ishte rënë dakord kur Hong Kongu u kthye nën sundimin kinez në 1997.

Ata gjithashtu shprehën "shqetësime të mëdha në lidhje me" fushatën e Kinës për shtypjen e ujgurëve ", një pakicë etnike kryesisht myslimane në rajonin Xinjiang të Kinës perëndimore.

Ambasada kineze i hodhi poshtë akuzat si një taktikë e panevojshme presioni.

"Kundërshtojmë me forcë akuzat e pabazuara dhe komentet e gabuara kundër Kinës për çështje që lidhen me Detin e Kinës Jugore, Xinjiangun, Hong Kongun, Tajvanin dhe çështje të tjera të lidhura me Kinën", tha një zëdhënës i ambasadës kineze në Kanberra.

Qeveria e Tajvanit mirëpriti shfaqjen e mbështetjes nga Uashingtoni dhe Kanberra. Duke folur pas takimeve në Uashington, Australia dhe Shtetet e Bashkuara njoftuan gjithashtu zgjerimin e bashkëpunimit ushtarak.

Bajdeni zemëron BE-në, Francën dhe Kinën me nismën e re të sigurisë me Australinë dhe Britaninë

Vendimi i Presidentit Joe Biden për të formuar një aleancë strategjike Indo-Paqësore me Australinë dhe Britaninë për t’iu kundërvënë Kinës ka zemëruar Francën dhe Bashkimin Evropian. Ato po ndihen të mënjanuar dhe e shohin këtë veprim si një kthim në epokën e Presidentit Trump.

Nisma e sigurisë, e njoftuar këtë javë, duket se i ka dhënë fund të papritur një vere pozitive të Presidentit Biden me Evropën. Nisma AUKUS, një bashkëpunim mes Australisë, Britanisë dhe Shteteve të Bashkuara, e cila përjashton Francën dhe Bashkimin Evropian, është ndër hapat e fundit, nga Afganistani deri në Azinë Lindore, që kanë befasuar Evropën.

Pasi u premtoi udhëheqësve evropianë se "Amerika është kthyer" dhe se Shtetet e Bashkuara do të ndiqnin modelin e diplomacisë shumëpalëshe në politikën e tyre të jashtme, Presidenti Biden zemëroi shumë aleatë me veprimet e tij të njëanshme për disa çështje të rëndësishme. Ministri i Jashtëm i Francës e quajti lëvizjen e fundit të Presidentit Biden, një "goditje pas shpine", dhe shefi i politikës së jashtme të BE -së u ankua se Evropa nuk ishte konsultuar.

Franca do të humbasë një marrëveshje me vlerë gati 100 miliardë dollarë për ndërtimin e nëndetëseve për Australinë, si rezultat i nismës së re, sipas së cilës, Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të furnizojnë Kanberrën me nëndetëse me energji bërthamore. Zemërimi francez në një nivel thjesht komercial do të ishte i kuptueshëm, veçanërisht pasi Franca, që nga viti 1997 kur Britania hoqi dorë nga kontrolli i Hong Kongut, është i vetmi vend evropian që ka zona të konsiderueshme territoriale dhe një prani të përhershme ushtarake në Paqësor.

Por zyrtarët francezë dhe ata të Bashkimit Evropian shkuan më tej, duke thënë se marrëveshja vë në pikëpyetje të gjithë përpjekjen bashkëpunuese për të zbehur ndikimin në rritje të Kinës dhe nënvizon rëndësinë e planeve të lëna pasdore të Brukselit për të rritur aftësitë mbrojtëse të Evropës.

Disa analistë i kanë krahasuar veprimet e fundit të Presidentit Biden me ato të paraardhësit të tij, Donald Trump, të bazuara në doktrinën "Amerika e Para". Kjo është befasuese për një president të zhytur në çështjet ndërkombëtare, i cili gjatë fushatës për president u zotua se do të përmirësonte lidhjet e tronditura me aleatët dhe do të rikthente besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara në skenën botërore.

Megjithëse është e pamundur të parashikohet nëse do të kenë një dëm afatgjatë, ndikimi afatshkurtër duket se ka ringjallur dyshimet e evropianëve për qëllimet e amerikanëve, që mund të kenë pasoja më të gjëra mbi përpjekjet e Presidentin Biden për të bashkuar demokracitë botërore kundër autoritarizmit, të fokusuara kryesisht ndaj Kinës dhe Rusisë.

Vetëm tre muaj më parë, në vizitën e tij të parë në Evropë si president, Biden u përshëndet si një hero nga homologët evropianë të etur për tejkalimin e tensioneve transatlantike të krijuara gjatë mandatit të Presidentit Trump. Por ajo ndjenjë e dukshme lehtësimi tani është zbehur për shumë njerëz.

Që nga qershori, Presidenti Biden ka zemëruar aleatin më të vjetër të Amerikës, Francën, e ka lënë Poloninë dhe Ukrainën me shumë pikëpyetje rreth angazhimit të Shteteve të Bashkuara për sigurinë e tyre dhe ka zemëruar Bashkimin Evropian me vendimet e njëanshme për rajonet si Afganistani dhe Azia Lindore. Ndërsa Evropa brohoriste kur Presidenti Biden u zotua të kthehej në negociatat bërthamore me Iranin dhe të ringjallte bisedimet e paqes mes izraelitëve dhe palestinezëve, përpjekjet në lidhje me këto dy çështje vazhdojnë të jenë të bllokuara nëntë muaj pas fillimit të mandatit të tij.

Pakënaqësitë filluan të intensifikoheshin në korrik, kur Presidenti Biden u pajtua që një tubacion gazi që do ta lidh Rusinë me Gjermaninë të shmangte Poloninë dhe Ukrainën, dhe një muaj më vonë, në gusht me tërheqjen kaotike të Shteteve të Bashkuara nga Afganistani. Të enjten, Biden zemëroi Francën dhe Bashkimin Evropian me njoftimin e tij se Shtetet e Bashkuara do të krijonin një partneritet të ri sigurie për Indo-Paqësorin me Britaninë dhe Australinë që synon t’i kundërpërgjigjet agresivitetit në rritje të Kinës në rajon.

Nuk është për t'u habitur që Kina reagoi me zemërim, duke akuzuar Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e saj anglishtfolës për fillimin e një projekti që do të destabilizojë Paqësorin dhe do të dëmtojë sigurinë globale. Por, reagimet nga Parisi dhe Brukseli ishin po aq të ashpra. Franca dhe BE-ja u ankuan se jo vetëm për mënjanim nga marrëveshja, por edhe për mungësë të konsultimit për këtë çështje.

Zoti Biden tha të mërkurën se Franca mbetet një "partner kyç në zonën Indo-Paqësori".

Ndërkohë Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha të enjten se Shtetet e Bashkuara mirëpresin një rol të rëndësishëm në Indo-Paqësor nga vendet evropiane dhe tha se Franca në veçanti është një partner jetik.

Zoti Blinken foli në një konferencë shtypi pas takimeve midis ministrave të jashtëm dhe të mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara dhe Australisë në Uashington, një ditë pasi Shtetet e Bashkuara dhe Britania thanë se do t'i siguronin Australisë teknologjinë dhe aftësinë për të vendosur nëndetëse me energji bërthamore.

Zoti Morrison tha se Australia pret që të vazhdojë të punojë "ngushtë dhe pozitivisht" me Francën, duke shtuar: "Franca është një mik dhe partner kryesor për Australinë dhe Indo-Paqësorin."

Dje...

Aukus: SHBA, Britania dhe Australia nënshkruajnë marrëveshje armatimi për të ndaluar Kinën

Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të ndihmojnë Australinë të zhvillojë një flotë nëndetësesh me energji bërthamore, tha të mërkurën Presidenti amerikan Joe Biden, ndërsa udhëheqësit e të tre vendeve njoftuan një partneritet të ri trepalësh të sigurisë të fokusuar në rajonin Indo-Paqësor.

"Ne duhet të jemi në gjendje të trajtojmë si mjedisin aktual strategjik në rajon, ashtu edhe se si ai mund të evoluojë", tha Presidenti Biden. "Sepse e ardhmja e secilit prej kombeve tona, dhe me të vërtetë e botës, varet nga një rajon Indo-Paqësor i lirë, i hapur, dhe i begatë në dekadat në vazhdim".

Treshja do të njihet me shkurtimin AUKUS.

Presidenti Biden, Kryeministri australian Scott Morrison dhe Kryeministri britanik Boris Johnson theksuan se këto nëndetëse me energji bërthamore nuk do të mbajnë armë bërthamore.

"Më lejoni të jem i qartë, Australia nuk po kërkon të marrë armë bërthamore ose të krijojë një aftësi bërthamore civile", tha zoti Morrison, duke folur virtualisht në Shtëpinë e Bardhë, së bashku me homologët e tij amerikanë dhe britanikë. "Dhe ne do të vazhdojmë të përmbushim të gjitha detyrimet tona të mospërhapjes bërthamore".

Një zyrtar i lartë i administratës Biden, i cili informoi gazetarët para njoftimit, caktoi një afat kohor prej 18 muajsh që të tre vendet të punojnë së bashku për të identifikuar rrugën optimale për prodhimin e nëndetëseve.

Zoti Johnson tha se vendi i tij do të luajë një rol të rëndësishëm në shkëmbimin e njohurive me Australinë, një ish-koloni britanike që mbetet pjesë e Commonwealth-it, një organizatë e udhëhequr nga Mbretëresha Elizabeth II.

Kjo marrëveshje, tha ai, "do të mbështetet në ekspertizën që Britania e Madhe, ka fituar gjatë brezave që datojnë nga lëshimi i nëndetëses së parë bërthamore të Marinës Mbretërore mbi 60 vjet më parë".

Partneriteti i ri do të lejojë që të tre vendet të ndajnë informacion dhe ekspertizë më lehtë në fushat kryesore teknologjike të tilla si inteligjenca artificiale, teknologjia kibernetike, teknologjitë kuantike, sistemet nënujore dhe aftësitë e goditjeve me rreze të gjatë.

"Kjo nismë ka të bëjë me sigurimin që secili prej nesh të ketë një aftësi moderne, aftësitë më moderne që na duhen për të manovruar dhe për t'u mbrojtur ndaj kërcënimeve që zhvillohen me shpejtësi", tha Presidenti Biden.

Një përgjigje ndaj Kinës

Edhe pse asnjë nga tre udhëheqësit nuk e përmendi Kinën në komentet e tyre të mërkurën, analistët e shohin këtë si një lëvizje tjetër të aleatëve perëndimorë për të reaguar ndaj rritjes së Pekinit në fushat ushtarake dhe teknologjike.

"Tashmë është e qartë nga konteksti se përgatitja për një mjedis lufte me intensitet të lartë - dhe kjo është ajo që bën një nëndetëse - ka me të vërtetë vetëm një kundërshtar potencial të qartë në atë ekuacion", tha Euan Graham, bashkëpunëtor i lartë për sigurinë e Azi-Paqësorit në Zyrën në Singapor të Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Marrëveshja, e nënshkruar nga vendet që tashmë mbajnë lidhje të ngushta, është një shenjë e qartë e synimit të Uashingtonit për të mbetur një fuqi dominuese dhe stabilizuese në rajon.

"SHBA efektivisht është e gatshme të ndajë pothuajse gjithçka që ka", tha Julian Ku, një profesor i Universitetit Hofstra i cili fokusohet në mosmarrëveshjet dhe ligjin ndërkombëtar. "Ajo e ngre, atë që tashmë është një aleancë shumë e thellë, në një nivel tjetër".

Flota e re, të cilën një zyrtar i administratës Biden e përshkroi se kishte karakteristikat e "fshehtësisë, shpejtësisë, manovrimit, mbijetesës", do të ketë një gamë më të gjerë dhe mund të qëndrojë nën sipërfaqe për periudha të gjata.

"Taktikisht, kjo do t'i japë Canberra-s një mjet operacional për të ruajtur fuqinë luftarake nënujore për një kohëzgjatje shumë më të gjatë në Paqësorin Perëndimor, në krahasim me nëndetësen aktuale me naftë të Australisë", tha Eric Sayers, një studiues jorezident në Institutin Amerikan të Ndërmarrjeve, i cili fokusohet në politikat e sigurisë në rajonin Azi-Paqësor.

Marina kineze ka një flotë prej 60 nëndetësesh, e cila përfshin gjashtë nëndetëse sulmuese me energji bërthamore.

Deri në këtë njoftim, Australia kishte qenë në bisedime me kompaninë franceze Naval Group për të ndërtuar deri në 12 nëndetëse bërthamore të me projektim francez. Ky program u vlerësua të kushtojë deri në 70 miliardë dollarë.

Presidenti Biden vuri në dukje se kjo është një përpjekje shumëpalëshe dhe se treshja mirëpret ndihmën nga aleatët e vjetër. "Shtetet e Bashkuara mezi presin të punojnë ngushtë me Francën dhe vendet e tjera kryesore në të ardhmen", tha ai.   

*Përditësuar në datën 18 shtator

Albania Web Design & Development by: WWW.FIT.ALFIT.AL WEB DESIGN ALBANIA